LAJMI I FUNDIT:

Përmbyllet takimi i Badenit, nuk ka marrëveshje për statusin

Përmbyllet takimi i Badenit, nuk ka marrëveshje për statusin

Kanë përfunduar bisedimet treditore për statusin e Kosovës, mes Prishtinës e Beogradit, dhe me ndërmjetësimin e Treshes së Grupit të Kontaktit, paraditen e sotme, në Baden të Austrisë. Nuk raportohet për ndonjë përparim, e aq më pak, ndonjë marrëveshje mes palëve.

Bisedimet janë përmbyllur me një takim të përbashkët ku janë dhënë përfundimet e Treshes. Më vonë, diku rreth orës 11:30, pritet të mbahet edhe një konferencë për media ku do të flasin përfaqësuesit e Treshes.

Gjatë bisedimeve treditore, në Baden të Austrisë, në raundin e gjashtë dhe final të bisedimeve shtesë për statusin e Kosovës, Prishtina dhe Beogradi, kanë paraqitur sërish qëndrimet e tyre, diametralisht të kundërta, për statusin e Kosovës.

Përderisa Prishtina e ka mbrojtur me ngulm pozicionin për pavarësinë e vendit, Beogradi edhe me tej ka paraqitur modele të ndryshme të autonomisë duke ofruar edhe disa ingerenca shtetërore për Kosovën, por brenda shtetit të Serbisë.


Pala kosovare ka paralajmëruar se së shpejti do të shpallet pavarësia e vendit, por gjithnjë në koordinim me bashkësinë ndërkombëtare. Kryeministri aktual, Agim Çeku, ka thënë se pavarësia do të shpallet para marsit të vitit që vjen.

Takimi treditor i Badenit është i funduit në kuadër të 120 ditëve shtesë të bisedimeve mes Prishtinës e Beogradit, me ndërmjetësimin e Treshes së Grupit të Kontaktit, përfaqësuesit të BE-së, Wolfgang Ischinger, amerikanit, Frenk Wizner dhe rusit Aleksandar Bocan-Kharchenko. Treshja pritet që të dalë me një raport për Sekretarin e Përgjithshëm të KB-së, Ban Ki-Moon, më 10 dhjetor. Pastaj, Ki-Moon do të jetë ai që do ta rrëfejë rrugën e mëtejme të angazhimit ndërkombëtar për Kosovën.

Për palën kosovare bisedimet kanë përfunduar

Ekipi i Unitetit i Kosovës, pas përfundimit të takimit treditor në Baden të Austrisë, ka vlerësuar se bisedimet për statusin e vendit tashmë kanë përfunduar dhe se pavarësia është vizioni i vetëm i së ardhmes për vendin tonë.

“Për fat të keq, nuk ka marrëveshje, ne do të bashkëpunojmë me bashkësinë ndërkombëtare. Kemi thënë dhe kemi dëshmuar se pavarësia është fillimi dhe fundi i vizionit të statusit të Kosovës. Dëshirojmë të ndërtojmë një shtet demokratik për të gjitha qytetarët tanë”, ka thënë presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, në përmbyllje të takimit.

“Ditën e sotme janë përmbyllur bisedimet me Beogradin”, ka deklaruar anëtari tjetër i EU-së, Hashim Thaçi, duke shtuar se Kosova do ta respektojë agjendën ndërkombëtare deri më 10 dhjetor, e më pas, veprimet e saja do t’i koordinojë më Washingtonin dhe Brukselin.
“Serbia ka dalë me propozime të cilat vijnë nga e kaluara, të cilat kanë rezultuar me vrasje, deportime dhe që nuk janë në përputhje më pritjet e shqiptarëve të Kosovës për statusin e vendit”, ka thënë Thaçi.