LAJMI I FUNDIT:

Përballja me arkitekturën e së shkuarës

Përballja me arkitekturën e së shkuarës

Dua të shoh se si populli shqiptar ka një sens përkatësie mbi arkitekturën italiane, atë socialiste dhe me qytetin global të ditëve tona. Nëse duket se gjithçka ka ardhur nga jashtë, atëherë si vendësit janë përshtatur me to? Nëse Politekniku është një arkitekturë italiane, ka një element të kullës shqiptare. Ndaj, duhet kuptuar se në ç’mënyrë kjo duhet integruar në imagjinatën e qytetit që jeton”. Allesandro Gallicchio ka qëndruar 10 ditë në Tiranë në rezidencë te “Harabel” për të parë se si bashkëjetojnë qytetarët me arkitekturën e tri kohëve në vendin tonë. Ai punon për “Institute Nacional de Histoire de Art” dhe për Qendrën Pompidu në Paris. Bashkë me gjeografin njohës të Ballkanit, Pierre Santes (Profesor i gjeografisë kulturore), kanë nisur një projekt që titullohet “Monumed”, që kërkon të dijë se si monumentet e reja reagojnë në hapësirën mesdhetare.

Gjatë këtij kërkimi, çfarë keni mundur të kuptoni jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për artin?

Lidhja e Shqipërisë me Italinë është në shumë mënyra e fortë. Ndaj kam shumë miq shqiptar. Kam ardhur me miqtë për herë të parë në 2014-ën. Nuk dija asgjë për këtë vend. Duke ecur dhe duke vizituar jugun a Tiranën kam kuptuar që jo vetëm në aksin kryesor, por edhe përtej tij ka një lloj prezence italiane që për mua ishte familjare, që është arkitektura e viteve 1930 përveç asaj të viteve 1920, me impiantin urbanistik, tipik i një qyteti modernist italian, ndërtuar gjatë periudhës së Musolinit, dhe pra, gjatë pushtimit italian në Shqipëri. Kjo, ishte diçka që nuk e prisja kurrë, nuk kisha dijeni për këtë.


Sa dije për vendin?

Pak. Fillova të vij rregullisht vitet e para, e sa më shumë vija shihja një lloj transformimi të rëndësishëm të Tiranës. Si historian arti dhe kurator e njihja Tiranën falë videos së Anri Sala “Dammi i colori”, që mes të tjerash kur isha në Palazzo Stroci në Firence, e kisha ekspozuar dhe e njihja mirë. Me kalimin e viteve kuptova që jo vetëm fasadat e kishin ndërruar disi imazhin e Tiranës, por edhe ndërhyrjet publike po ashtu dhe këtu flas për ndërhyrje artistike që e kishin modifikuar hapësirën. Kur mbarova doktoraturën, vendosa të ndërmerrja një studim për Tiranën.

Në çfarë konsiston studimi juaj?

Studimi përqendrohet të vëzhgimi se si hapësira urbane e Tiranës ka ndryshuar nga fillimi i shekullit të 20-të e deri tani. Studimi merret me evoluimin, arkitekturën italiane, integrimin artistik italian, gjithë periudhën socialiste (komuniste) që është më pak e studiuar, e për të parë sot se si arti kontemporan në këtë vazhdimësi historike, ndërhyn e futet në hapësirën urbane. Në këtë kuadër do shihen edhe marrëdhëniet mes artit, hapësirës urbane, qytetit dhe shoqërisë e për të parë po ashtu se si kjo po ndërtohet sot në Shqipëri, sepse Ballkani në përgjithësi e Shqipëria në veçanti, mund të jetë një shembull unik, sepse mund të na thotë shumë edhe për vende e qytete të tjera në Amerikën Jugore dhe Europën e vjetër që po ndryshon për shkak të procesit të modernizimit urban. Është ky dialog që më intereson.

Për disa prej nesh, kjo ndërthurja mes pallateve të larta e vilave të vogla, që rrinë pranë e pranë janë një lloj kaosi. Tanimë të para nga syri i një studiuesi, si duken?

Kërkimi im nuk ka mbaruar akoma, do ta publikoj pas disa muajsh. Për këto ndërtime, unë nuk kam një rezultat. Por, sa u takon akseve kryesore, ku gjen vepra të artit bashkëkohor që u shtohen aspekteve të tjera, mendoj se janë një prej rasteve më interesante për t’u analizuar sepse gjejmë, një përkohshmëri historike që zgjat një shekull, rigjejmë të gjitha gjuhët formale që vijnë së pari nga italianët, më pas nga ndikimi rus, më pas nga ndikimi kinez e sot nga ndikimi i botës së globalizuar. Sepse kur shohim instalacione që mund të shihen në Nju York dhe Buneos Aires ose në Paris, është një çështje që në mes të kërkimit tonë, sot qyteti mund të jetojë, të mbijetojë dhe mund të modifikohet, mund të reagojë me këtë botë të globalizuar.

Cilat janë veprat e artit bashkëkohor për të cilat flisni?

“Reja” e Fuojimotos, Bunkeri, vetë bulevardi dhe sheshi, “Markiza” e Philip Parrenos pranë kryeministrisë, “Bunkart 2” e të tjera.

Cila është qasja në Itali ndaj arkitekturës së periudhës fashiste?

Kjo është shumë interesante. Unë jetoj në Paris, sepse punoj në Qendrën “Pompidu”, jap mësim në universitet dhe bëj kërkime. Ndaj më intereson tani të shoh trashëgiminë. Është në një sens një trashëgimi, që i takon një periudhe historike të komplikuar të një regjimi totalitar dhe nga ana tjetër ka ndërtuar gjithë urbanistikën e shekullit të XX në Itali. Për italianët, modernizmi dhe arkitektura moderniste fashiste ekziston, por nuk është kaq thelbësore. Parë në një sens, ato janë forma arti, arkitektë që kanë eksperimentuar në disa forma në një moment historik të vështirë, por që përfaqësojë një lloj avangarde për Italinë. Qytetarët italianë, përveç disa rasteve natyrisht, e jetojnë këtë hapësirë dhe e jetojnë në mënyrë natyrale. Nga SHBA dhe perëndimi, kjo është parë si diçka që mund të vihet në diskutim. Departamenti i Italianistikës në ‘Nju York University’ ka publikuar një artikull mbi “skandalin” siç e quajtën, mbi zonat ku estetika fashiste me mbishkrime fashiste që janë akoma në këmbë në Itali, kur të gjitha skulpturat e Leninit kanë rënë në ish-bllokun lindor. Në realitet, këto leksione mbi arkitekturën nuk lidhen gjithmonë me estetikën apo me një domethënie të caktuar politike. Ka përjashtime edhe në Itali. Por shpesh debatet janë politike. Një parti kërkon të hiqet një piedestal në Breshia e një parti kërkon të rrijë. A është arti bashkëkohor një përgjigje, një alternativë për këto debate? Nuk e di, me këtë merret këtë çështje.

Studimi që po bëni për Shqipërinë ku do të publikohet?

Do publikohet në “Chaciers du CAP”, revistë e laboratorit të ekselencës që del një herë në vit e ku tregohen kërkimet vjetore të të rinjve që punojnë me këto institucione. /Fatmira Nikolli/Gazeta Shqiptare/