LAJMI I FUNDIT:

Për poezinë, misionin e artit dhe vendin që quhet këngë

Për poezinë, misionin e artit dhe vendin që quhet këngë

Poeti palestinez Najwan Darwish ka shkuar në Shqipëri për të promovuar librin e tij me poezi, “Një vend që quhet këngë”.

I sapopërkthyer në gjuhën shqipe, botimi që është përmbledhje nga disa libra të Darwish, si temë kryesore ka fatet e një populli atdheu i të cilit jeton në përplasje, si dhe fatet e kombeve të nëpërkëmbura.


“Jam i lumtur që jam përkthyer në shqip. Për shumë arsye, nuk jam adhuruese i gjuhëve të mëdha, i gjuhëve të kolonizatorëve. Nuk jam poet romantik, as nacionalist. Poezia është një medium. Unë i dua vendet, por jo shtetet, sepse shtetet bëhen regjime dhe regjimet duhen kritikuar. Nuk mund të ketë liri pa drejtësi sociale”, thotë ai.

Darwish lindi në Jerusalem dhe jeton në Haifa të Izraelit, por shkruan për armenët, për refugjatët, shkruan për vendet që bien e për vende që i ngjajnë një fëmije.

“Në art nuk ke një mision të drejtpërdrejtë. Është më shumë fat. Poezia ime nuk është armë, nuk mund të jetë armë dhe poeti është i ndërgjegjshëm për vdekjen. Në fund, gjuha mbetet ndërsa ne jemi udhëtarë”, shton ai.

Ai ka njohur shumë shqiptarë që jetojnë në Lindje, por di edhe historinë e shqiptarëve të ndarë në Kosovë e Maqedoni e Veriut. Për të, parajsa e humbur janë vendet si Palestina, por nuk e sheh poezinë e tij si zërin e popullit të tij. /BalkanWeb/