LAJMI I FUNDIT:

Pensionet e kosovarëve vazhdojnë të humbin

Pensionet e kosovarëve vazhdojnë të humbin

Edhe 6 - 7 milionë euro kanë humbur kosovarët në Trustin e Kursimeve Pensionale vetëm javët e fundit,sipas gazetës Express. Tash vlera e aksioneve ka rënë në 1.10 nga 1.27 për qind sa ishte në fund të vitit të kaluar. Banka Qendrore ende nuk ka reaguar.

Vlera e kursimeve të kosovarëve të investuara në Trustin e Kursimeve Pensionale të Kosovës ka vazhduar të bjerë edhe më. Vetëm gjatë tri javëve të fundit aksionet kanë rënë në 1.10 nga 1.12 sa ishin në korrik, apo 1.27 sa ishte në fund të vitit të kaluar.

Shprehur në euro, vetëm gjatë ditëve të fundit kosovarët kanë humbur edhe nja 6 deri në 7 milionë euro tjera. Humbjet në total në vlerën nominale shkojnë në afro 30 milionë euro, ndërsa në vlera reale ato janë dukshëm më të larta. Nëse krahasohet me vlerën e aksioneve që ishte më 31 dhjetor të vitit të kaluar, atëherë ato janë gati 50 milionë euro.

E po të llogaritet në kthimin e investimeve, që për çdo kursim pritjet janë të jenë mbi zero, atëherë humbjet janë tepër të larta. Është vështirë të dihet një shifër e saktë për shkak të kompleksitetit të llogaritjes, kur duhet pasur qasje në dosjet e çdo individi në Trust. Por, në bazë të disa përllogaritjeve të thjeshta, nëse një individ gjatë katër viteve të fundit ka investuar 3 mijë euro në Trust, vlera e parave të kursyera jo vetëm që nuk është rritur, por është edhe më e vogël.


Aksionet e tij vlejnë 2 mijë e 880 euro, apo 4 për qind më pak sesa ka futur pare. Pra, kthimi i investimeve gjatë katër viteve të fundit është negativ. Humbjet janë nga 1 për qind në vit. Tash, që nga fillimi i Trustit më 2002, nuk ka fituar askush asnjë cent. E pjesa dërrmuese kanë humbur para.

Express ka dërguar pyetjet në Trust rreth vazhdimit të humbjeve, por nuk ka marrë një përgjigje dy ditë rresht. Janë 95 për qind të parave të kosovarëve që janë të investuara në tregjet financiare globale. Kompania investive amerikane Vanguard menaxhon 60 për qind të tyre. Ai i investon paratë në aksione te kompanitë më të mëdha të botës, në përqindje të ulëta.

Për t’ua ulur vlerën e parave të kursyera, Vanguard ua merr kosovarëve nga 2.5 milionë euro në vit. Në Trust janë tash rreth 300 milionë euro të kursyera. Shuma e saktë nuk është dhënë, por ato vlejnë 3-4 për qind më pak sesa janë investuar. Humbjet do të ishin edhe më të mëdha. Por, ato janë reduktuar nga 5 përqindëshi i mjeteve të investuara në Kosovë. Nga to kosovarët përfitojnë mbi 5 për qind kamatë vjetore. Banka Qendrore e Kosovës, të cilës i jep llogari Trusti, ende nuk ka reaguar.

“E kemi takimin më 2 shtator me Trustin dhe aty do t’i diskutojmë këto çështje”, tha për Express Hashim Rexhepi, guvernator i BQK-së.
Kosova mbetet ndër vendet e vetme të Evropës që nuk ka një sistem të mirëfilltë pensional dhe nuk e ka liberalizuar tregun e kursimeve pensionale. Kosovarët janë të detyruar me ligj që të ndajnë 5 për qind të pagës së punëtorit, e 5 për qind punëdhënësi në Trustin e Kursimeve Pensionale të Kosovës.

Ato do t’i marrin kur të plaken. Si po shkojnë punët, dukshëm të cunguara.