LAJMI I FUNDIT:

Pavarësia e Kosovës në shtypin ditor të Bosnje-Hercegovinës

-Vështrim analitik gazetave kryesore të BeH gjatë periudhës 15-20.02.2008 –

Akti historik i datës 17 Shkurt 2008 kur delegatët e Kuvendit të Kosovës votuan Deklaratën e pavarësisë së vendit, gjë e cila i dha fund aneksimit jo legjitim të Kosovës, ishte lajmi më i rëndësishëm i atyre ditëve jo vetëm për mediat shqiptare në përgjithësi, por edhe për mediat botërore.


Edhe mediat në Bosnje dhe Hercegovinë e përcollën me shumë interes dhe vëmendje ngjarjen historike për vendin tonë. Televizioni shtetëror “BHT1” transmetoi në lidhje direkte atmosferën nga Kuvendi i Kosovës.

Këtë vështrim analitik e kam përqendruar tek mënyra se si shtypi ditor i Bosnje-Hercegovinës trajtoi pozicionin e Kosovës mes datave 15 dhe 20 shkurt të vitit 2008.

Përcjellja e mediave e statusit e më pas edhe e shpalljes së pavarësisë së Kosovës në Bosnje e Hercegovinë ka pasur ndikim të madh në krijimin e një imazhi të vërtetë për vetë procesin, por edhe për jehonën pozitive apo negative të pavarësisë së Kosovës në rajon.

Bosnja dhe Hercegovina si shtet multietnik është i përbërë nga tre popuj konstitutiv dhe dy entitete. Të gjithë këta popuj konstitutiv të shtetit kanë mediat e tyre. Struktura etnike e lexuesve në këtë shtet dy-entitetësh më njohu mua si hulumtues të huaj me faktin që edhe opinioni publik është i ndarë para së gjithash në baza etnike.

Gazetat e përzgjedhura për këtë analizë janë: “Dnevni avaz”, “Nezavisne novine”, “Oslobođenje” dhe “Dnevni list”. Krijimi i opinionit dhe qëndrimeve politike në Bosnjes-Hercegovinë paraqitet si një formë dhe dimension i posaçëm.

Gjatë këtij hulumtimi kam provuar që të mësojë dhe të përcjellë të vërtetën, në lidhje me atë që shkruajnë gazetat ditore në Bosnje-Hercegovinë për Kosovën dhe si iu kanë paraqitur lexuesve të tyre ngjarjen më të madhe historike për vetë Kosovën dhe Ballkanin Perëndimor.

Gazetat që kam futur nën dioptrinë analitike ishin ato me lëxueshmëri më të madhe dhe në të cilat kombet e ndryshme në BeH e gjejnë veten e tyre.

Në fillim të vitit 2008 statusi i Kosovës ishte tema për të cilën shtypi raportonte në bazë ditore. Temat kryesore ishin: statusi i Kosovës, data e zgjidhjes së statusit, shpallja e pavarësisë ose vazhdimi i avazit të vjetër – dialogu i pasuksesshëm mes Kosovës dhe Serbisë.

Raportimi i shtypit ditor në Bosnje-Hercegovinë për ngjarjet para dhe pas datës 17 Shkurt 2008 ishte kryesisht i përqendruar tek ndikimi i tyre në vend apo raportimet janë paraqitur vetëm si lajme pa jehonë politike.

Nga shtypi ditor çështja e Kosovës është trajtuar nga jashtë ose si pjesë e temave nga Serbia.

Kronologjia e raportimeve mes datave 15 dhe 20 Shkurt 2008 ka rrjedhur sipas zhvillimeve të situatave. Përderisa disa gazeta shkruanin për datën e pavarësisë me siguri, të dytat atë e paraqitnin si lajm, kurse të tretat vetëm si ngjarje të mundshme.

Shtypi ditor mes datave të lart përmendura kur ka shkruar për Kosovën, ka neglizhuar plotësisht shoqërinë e cila jeton ditë pas dite atje, duke mos treguar vëmendje dhe kujdes për problemet apo perspektivën e banorëve të Kosovës. Kjo situatë ka vazhduar edhe pas ditës së shpalljes së pavarësisë.

Tema për Kosovën në të përditshmet boshnjako-hercegovinase është portretizuar nga deklaratat e zyrtarëve politik të Bosnje-Hercegovinës. Zyrtarët politik të boshnjakëve dhe kroatëve insistonin në atë që “kriza” nuk guxon të kalojë kufirin e Bosnjës dhe Hercegovinës, ndërsa Serbët të vendosur dhe konciz insistonin në atë që “kriza” duhet të jetë shembull edhe në Bosnje-Hercegovinë.

Gazetat e ndryshme e prezantonin në mënyra të ndryshme ngjarjen mbi Kosovën. Në bazë të kësaj mund të themi se ambienti mediatik në Bosnje-Hercegovinë ka disa shtresa, të cilat janë: gazetat ditore objektive, gazetat subjektive ose gazetat të cilat të mbushura me tekste emotive, mund t’i seleksiononim në media të ngarkuara ideologjikisht.

Kosova në shtypin ditor të BeH ka tërhequr vëmendjen në mënyra të ndryshme. Gazetat të cilat kanë pasur si bazë orientimin politiko-etnik serb ngjarjet në Kosovë kanë tentuar t’i imponojnë si presion ndaj liderëve politikë të nacionalitetit serb me pyetjen: “si mundet Kosova e jo Republika Serbe?”.

Gazetat me orientim politiko-etnik boshnjak dhe kroat ngjarjen në Kosovë tentonin t’a prezantonin si shkak i politikës së Millosheviqit. Këto gazeta ditore po ashtu kanë vënë në provim edhe pozicionin e forcave politike karshi pavarësisë së Kosovës. Deklaratat e liderëve partiak nga Sarajeva, Mostari e Banja Lluka, paraqisnin qëndrimin e tyre e me këtë rast edhe nivelin e interesimit dhe rëndësinë e temës për Kosovën.

Shteti i Bosnjës dhe Hercegovinës dhe zyrtarët e saj, për shkak të mos pasjes së një konsensusi edhe para se Kosova të shpallë pavarësinë e saj bllokuan çdo diskutim për temën e Kosovës. Me këtë akt është shkelur një segment mjaft i rëndësishëm i demokracisë, diskutimi dhe shkëmbimi i ideve.

Konteksti historik i ngjarjes në “Dnevni avaz” është i paraqitur në rubrikën speciale “Dosie Kosova”. “Oslobođenje” në shtojcën e përjavshme të saj “Pogledi”, gjithashtu paraqet një lloj kronologjie historike. Edhe “Dnevni list” ka provuar që lexuesve të tij t’i sjellë një përmbledhje të situatës nga konteksti historik, ndërsa “Nezavisne novine” në këtë gjë nuk është lëshuar.

Akti i shpalljes së pavarësisë së Kosovës ishte ngjarja më e rëndësishme dhe mbulonte faqet kryesore të gazetave ditore të Bosnjës dhe Hercegovinës. “Dnevni avaz”, “Nezavisne novine” dhe “Oslobođenje” me korrespondentët e tyre nga Prishtina sillnin atmosferën tek lexuesit e tyre, kurse “Dnevni list” informatat e saj i bazonte në “Mediat në Prishtinë njoftonin…” apo “kanë njoftuar mediat serbe”.

Korrespondentët kryesisht kanë qenë të kthyer nga përgatitjet e ditës për shpalljen e pavarësisë, përgatitjet për festën me rastin e shpalljes së pavarësisë, situatës së sigurisë, shpallja e pavarësisë, festimi nëpër rrugët e qyteteve të Kosovës, protestat e dhunshme në Serbi e në Banja Llukë dhe në fund pranimi i pavarësisë dhe reaksionet diplomatike në botë.

Përfundimisht mund të themi se shtypi ditor i Bosnjës dhe Hercegovinës edhe pse i ngarkuar me politikat ditore ideologjike, i ka kushtuar vëmendje edhe ngjarjeve për shpalljen e pavarësisë së Kosovës.

(Autori është analist dhe hulumtues i pavarur)

Në trend

Më shumë
Vetëm dy vende do të mbijetonin pas apokalipsit bërthamor - çka do t'i shpëtonte këto shtete

Vetëm dy vende do të mbijetonin pas apokalipsit bërthamor - çka do t'i shpëtonte këto shtete

Botë

"Pulë me të huaj dhe skifter me të vetët”, Alizoti: Rama duhet ta kishte përqafuar Kurtin

Lajme
Amerikani bleu një magazinë të vjetër për 380 euro - ajo çfarë gjeti në të është një pasuri e vërtetë

Amerikani bleu një magazinë të vjetër për 380 euro - ajo çfarë gjeti në të është një pasuri e vërtetë

Amerika
Zbardhet aktiviteti i atentatorit të kryeministrit sllovak - ishte pjesë e një grupi pro-rus

Zbardhet aktiviteti i atentatorit të kryeministrit sllovak - ishte pjesë e një grupi pro-rus

Evropa
BE reagon për draft statutin e paralajmëruar nga Kosova për Asociacionin

BE reagon për draft statutin e paralajmëruar nga Kosova për Asociacionin

Lajme
Politikani serb: Kam bërë padi në GjND për krimet serbe ndaj shqiptarëve të Kosovës

Politikani serb: Kam bërë padi në GjND për krimet serbe ndaj shqiptarëve të Kosovës

Lajme
Kalo në kategori