LAJMI I FUNDIT:

Panairi barbarozë

Panairi barbarozë

Më parë se të jemi shqiptarë të Kosovës, kisha dashur të jemi arbëreshë, jo në kuptimin e ikjes, por në kuptimin e fjalës etike.

Ata, arbëreshët, ndër shekuj mbajnë të ndezur dritën në shpirtin e tyre, pavarësisht nocionit metafizik të papërcaktueshëm kohor. Ata besojnë se gjithçka e shkruar dhe e kënduar ndriçon, pasuron, fisnikëron dhe begaton jetën e tyre. Dhe, kështu, pas përshëndetjes, që të hysh në kuvendim me arbëreshin, duhet t’i kërkosh: ma bëjë një vjershë?! Nga goja e tij do të shpërthej një vjershë ose një këngë, nga De Rada ose nga Ujko, nga Skiroi, nga Serembe ose nga Bellizzi, do të shpërthejë një këngë nga Lirio Noshi, nga Fortana Flakori ose nga Fario Dragoti!


Vazhdon të ecësh ndër katundet e tyre, duke u mbushur plotë këngë e vjersha të bukura arbëreshe. Të duket vetja sikur je në Panairin e Trëndafilave. Do të dëgjosh edhe shumëçka të shkruar që vjen nga përtej detit, por vetëm një vjershë nuk mund ta dëgjosh nga gojët e tyre, nuk e thoshin arbëreshët, nuk kishin nevojë ta mësonin e as ta këndonin një gjë të ditur. Poeti Dritëro nuk e kishte shkruar për ta, s’kishte pse ta shkruante për ata që etikën e fjalës e ruajnë për shëndet qytetar. Agolli këtë vjershë e kishte shkruar për ne, vetëm për neve këndej detit:

Kujdes me fjalën zonjë-z me çantë,
kujdes me fjalën dhe ti zotëri.
Pushteti i fjalës është i veçantë,
gatuan Male… dhe kakërdhi!

Ndahesh nga Panairi i Trëndafilave, kapërcen detin, për të mbërritur në Panairin barbarozë, ku patjetër, padashur të mbërthen aroma e shurupit me helmarinë! Kultivarët, shitësit e helmarinës kanë zbritur në arenë ku ndeshën dele-deshtë, bëhen dele nën sqetullat e autoriteteve aktuale dhe bëhen brirë-mprehtë për këdo që mund t’ua cenojë rehatinë e tyre nën-sqetullore. Strajcën e tagjisë e mbajnë për krenarinë e tyre, si peshqesh nga autoritetet aktuale! Kur shkunden autoritetet, ata dele-deshtë bien përsëri në vendin e tyre, në kultivarë të helmarinës dhe hiç nuk mërzitën për shëndetin qytetar, sepse strajca tagji-plotë duhet arsyetuar çdo mëngjes para shefave të “braktisur”!

Hiçi është një unitet konceptual, kohezion i arsyetimeve negative, si rezultat i kundërshtive konkrete psikike, i trembur në ekzistencën apo mos ekzistencën e tij. Përvoja e përditshme na e zbulon mosqenien e tyre, për sa kohë burimi i të qenit të tyre ishte dhe vazhdon të jetë arsyetimi negativ në funksion proporcional të tipit X.

Stoikët e hiçit si strukturë e arsyetimit të burimit të hiçit, gjithmonë dhe gjithçka barazojnë me zero, sepse korrelacioni neomatik i tyre kundërshton ekzistencën e gjallimit të tjetrit, duke bartë në qenien e vet mundësinë e mosqenies të asgjëje. Ai, hiçi dhe ata si ai, fatmirësisht të pakët në numër, dëshpërueshëm, asnjëherë nuk e rishikojnë gjykimin mohues në veten e tyre, duke mbetur në bërrakën e qenies së kufizuar, të përbaltur me “zbulimin” pararendës.

Strategjia dhelpërore e reklamës, që përpiqen t’ia bëjnë vetës së tyre përditshëm, përnatshëm, pandalshëm, është studiuar herët me shumë përkushtim e seriozitet nga ana e sociologëve dhe psikologëve botërorë. Në fakt përmes kësaj reklame gjallon kompleksi i tyre prej “idërshah/u”, ku brenda një nate zeroja bëhet e barabartë me Dyshin e me Njëshin, duke dalur edhe përpara tyre, por të nesërmen e kupton se është (0), e zeroja prapë duhet të gjallojë disi, (si), përmes Facebook-ut (mundësia më e mirë tash-për-tash), për të ç’vlerësuar numrat në vazhdim.

Siç dihet, gjithçka fillon me numrin Një, e deri në numrin nëntë nuk ka pse duhet zeroja, e nëse ngjitet ajo (0), atëherë numri Një nuk është më numër Një, por është në mesin e numrave tjerë. Në fakt edhe zeroja duhet, nuk është se nuk duhet, na duhet për të formuluar numrin 10 për shembull, por Njëshit s’kanë pse i duhen zerot, ai ka mundësi të bëjë punë edhe më të mëdha me Dyshin, me Treshin e me numra tjerë përveç zerove! Dhjeta, njëzeta e dyzeta lë t’i mbajnë zerot, sepse ashtu mbajnë vlerat e tyre numërore. Në këtë rast zeroja e di vendin e vetë dhe qëndron bukur, duke ia ditur hallin, mundësinë dhe fuqinë vetës!

Zerot e Facebook-ut, bashkë me zerot e disa rrjeteve sociale, i kanë ofruar pranë vetës jo rrallëherë edhe Njëshi edhe Dyshi edhe Treshi e më radhë, por për pak sa s’janë njëjtësuar me to! Përzgjedhja e të “mençurve” rreth vetes për të siguruar ditët e bardha prej Njëshi, ashtu, si Zeusi mitologjik në maje të Olimpit, është e gabuar. Njëshi nuk duhet të gabojë, së paku kur është fjala për numrat meritorë.

Heshtja në maje të Olimpit, duke yshtur “idërshahët” me brirë, nuk është pozë e mirë! Heshtja e këtillë e përshkuar prej ngjyrash të rrejshme të pafajësisë dhe virgjërisë, do të zbulohet atëherë kur “idërshahu”, “i besuari”, i binduri përkohësisht, por jo pafundësisht, do të gjejë foltoren, paravanin e përshtatshëm për të shfaqur strategjinë dhelpërore të tij! Tash për tash me këto sjellje, me këto yshtje të ndërsyera nga Njëshi e numra të tjerë përreth tij, kundër njerëzve me dinjitet të lartë, ai “Njëshi” mund të ketë krijuar mjaft Diogjenë, të cilët janë të gatshëm të thonë “Mos ma zë Diellin”!

Është e papranueshme, jodemokratike, jo-civilizuese të konsiderohet kërthiza kujtdo-qoftë bosht në të cilin sillet krejt populli, aq më pak për intelektualët. Zerot, hiç-të, përveç se nuk mund t’i portretizosh mirë, sepse fytyrat e tyre kanë ngjyra të ndryshme, ata nuk mund t’i mbash as në duar, u ngjajnë peshqve të harlisur kur dalin në breg të lumit. Fytyra e tyre shumëngjyrëshe, mendja e tyre e përshkuar prej errësirës në shpirtin e tyre harliset për ditë e për natë, duke u përpjekur të krijojë opinion sa më të gjerë, të besueshëm për një origjinë të tyre më fisnike se ç’është në realitet.

Këto lloje zerosh, këto lloj barishtesh (të parritura) barbarozë kanë notuar në të gjithë lumenjtë e botës. Kanë notuar nëpër të gjithë lumenjtë e shteteve të sapo krijuara nëpër planetin tonë, duke mbajtur të pa-kthjellë shtratin dhe shtretërit e lumenjve, por shoqëritë me ndjenja të larta të shtet-ndërtimit të cilat kanë pasur dhe kanë sy ta shohin gjelbërimin, i kanë kthjelluar shumë më shpejt se sa ne lumenjtë e vetë, duke mbajtur të papërlyer shëndetin e pastër të shoqërisë në rrugën e së ardhmes. Sa më shpejt të ndodhë kjo, vetëm atëherë kur të ndodhë kjo mund të quhemi fisnikë, shoqëri fisnike; pavarësisht se “idërshahët” do të vazhdojnë iluzionin e tyre kudo e kurdo, duke u munduar të na e paraqesin origjinën e tyre “të shtrenjtë” më “fisnike” se fisnike, më të dijshme e gjithëdijshme se sa e vërteta!

Kam shpresë se panairi i tyre, Panairi barbarozë i tyre do të zvogëlohet, nëse lektisjet e tyre do të jenë të papërfillshme nga ana e autoriteteve aktuale. Edhe po të mbyllet ky panair barbarozë nuk është gjë e keqe. Autoritetet nuk duhet të kenë nevojë për ata që u rrinë gatitu, për ata të cilët janë të gatshëm edhe në ditën e Pavarësisë t’i pëshpëritin shefit në vesh për sjelljet e ndonjërit që nuk feston si ata, pastaj në mbrëmje t’ju drejtohen portaleve aktuale me gënjeshtra, me zëra kukuvajkash, me manifeste boshe, të “dijshëm e gjithëdijshëm” për të gjitha fushat shoqërore, politike e artistike, por të dizajnuara vetëm me ngjyrat që vetëm ata i shohin, me kutin e tyre, me gërshërët e shefave të tyre duke na i prerë rrobat, pizhamet dhe lëkurën që mbështjellë mishtë!

Ambiciet e të tillëve janë për gjithçka, por ata mbesin të tillë, patjetër vetëm të këtillë sepse “nuk kanë kohë”, posaçërisht në të sotmen komplekse nuk kanë kohë as ta ndezin dritën!

Idërshahu i sotëm, barbaroza e sotme, përmes internetit ka mundësi ta njoh botën, të shëtisë nëpër të, të ndalet në vende që fizikisht nuk mund të arrijë atje; ka mundësi t’i shohë kuriozitetet antike dhe mesjetare; ka mundësi të shohë shtatë mrekullitë e botës; ka mundësi të mësojë nga e djeshmja dhe nga e sotmja, për tu bërë më i shëndetshëm, më i ditur, më i nevojshëm për shoqërinë, por vështirë të ndodhë kjo sepse të këtillët vështirë mund t’i mësosh të mos ndalën shitoreve ku shitet e blihet malli i lirë. Ashtu i zbehtë, ashtu të zbehtë me fytyrë hënore, duke qëndruar para fansave të tyre, mendimtarëve të tij të pakët në numër fatmirësisht, ai hukat duart duke ngritur zërin e ajkosur horrllëk për shitjen edhe të një shurupi me helmarinë.

Populli ynë i mençur thotë: Duhet ndarë shtresat e qepës edhe pse ato krijojnë dhimbje, krijojnë edhe lot!

Panairi me barishte zbukuruese barbarozë, me lule të vogla të trëndafilta e të merme, të cilat i shijojnë gomarët, nuk i konkurron asnjëherë Panairit të Trëndafilave. Kemi nevojë për aromë të mirë, për dritën e pafikur në shpirtin e shoqërisë tonë, për shëndet qytetarie.