LAJMI I FUNDIT:

Pamundësia e reciprocitetit me Serbinë dhe Greqinë

Shqiptarët në Shqipëri, me rrëzimin e komunizmit hapën "Kutinë a Pandorës", meqë u hap rruga e tyre për të emigruar jashtë vendit. Fillimisht ata këtë e bënë me shpërngulje të egër dhe "okupim" të ambasadave të Gjermanisë, Italisë, Greqisë dhe vendeve të tjera të Evropës, duke ia hapur rrugën eksodit të përmasave të mëdha.

E gjithë kjo ndodhi pikërisht në momentet më të vështira për Kosovën, më 5 korrik 1990, atëherë kur u abrogua Kuvendi i Kosovës nga Serbia.


Shqiptarët, kudo që janë, e veçanërisht ata të Kosovës, ishin të shokuar dhe të trishtuar deri në palcë me ndodhitë e papëlqyera dhe me katrahurën e përmasave biblike që i kishte mbërthyer dhe ata nuk mundnin as ta pengonin dhe ndalnin, e as ta frenonin dot këtë dukuri. Thjeshtë, e gjithë kjo përjetohej si tragjedi kombëtare.

Në Kosovë, me humbjen e autonomisë politike dhe me rrënimin e institucioneve, si dhe me përjashtimin masiv të shqiptarëve nga puna, u krijua një ushtri e madhe të papunësh dhe pa mjete për jetë. Mjerisht, kjo ndodhte përnjëherësh edhe në Shqipëri dhe ne nuk mund të kuptohej dot se kjo mund të ndodhte pa ndikimin e armiqve shekullorë. Skenat e eksodit të shqiptarëve të Shqipërisë, duke i stërmbushur aniet, ku njerëzit shtyheshin për të ikur nga vendi i tyre, kishin zënë ekranet televizive dhe lajmet kryesore të medieve botërore.

Ky eksod i paparë i shqiptarëve nga Shqipëria, e shumëfishoi numrin e shqiptarëve në botë, duke krijuar një armatë të madhe punëkërkuesish, kryesisht në Itali e Greqi, si dhe në vendet e Evropës perëndimore, deri në Amerikë e Australi.

Kjo varësi e Shqipërisë nga vendet fqinje kishte pamundësuar vendosjen e çfarëdo reciprociteti dhe barazie në marrëdhëniet midis tyre duke e vënë në pozitën e të nënshtruarit. Sepse, sidomos Greqia, ashtu si edhe Serbia, janë të njohura për antishqiptarizëm dhe, duke favorizuar minoritetet e tyre në Kosovë e Shqipëri.

Pra, varësia ekonomike e Shqipërisë, si dhe superioriteti i Serbisë ndaj Kosovës, e bëjnë pothuajse të pamundur barazinë e plotë në marrëdhëniet bilaterale midis tyre, si dhe në përkujdesjen ndaj shqiptarëve në Luginë të Preshevës, që kanë mbetur aty, d.m.th. në Serbi, duke iu nënshtruar diskriminimit dhe persekutimit të pamëshirshëm.