LAJMI I FUNDIT:

Pajtohen drejtuesit e Bordit të KEK-ut me të MEM-it

Pajtohen drejtuesit e Bordit të KEK-ut me të MEM-it

Në ndërtesën e toskanës sot është mbajtur takim mes Bordit të Drejtorëve të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), dhe udhëheqësve të Ministrisë se energjisë dhe Minierave (MEM).

Gjatë këtij takimi kryetari i Bordit të drejtorëve të KEK-ut, Skënder Krasniqi ka prezantua rezultatet e arritura dhe çështje të tjera me të cilat është përballuar bordi në punën e tij të deritanishme dhe për të cilat gjykon se nevojitet mbështetje edhe nga Qeveria, e konkretisht nga MEM-i.

"Këto çështje preknin fushat nga vendimet e Qeverise për shthurje vertikale të KEK-ut dhe privatizim, ne këtë kontekst edhe çështjet e shërbimeve jo-qenësore te cilat KEK-u i ka kontraktuar nga ish-njësitë e saj, çështjen e kontratave te cilat janë trashëguar por për te cilat duhet shikuar nëse është përfillur procedura ligjore dhe zgjidhja e mundshme (si çështja e punëve shtese ne A5) si dhe çështjen e funksionimit të Bordit dhe Komitetit të Auditit", thuhet në njoftimin zyrtar të lëshuar nga Bordi i drejtorëve të KEK-ut.

Në takim është diskutuar edhe çështja e zbatimit të vendimit të Qeverise për Akomodimin Rezidencial të Institucioneve Qeveritare, që përfshinë edhe lirimin e ndërtesës se Toskanës ku palët janë pajtuar që kjo të zbatohet në afatin e parashikuar dhe në koordinimin me Ministrinë e Shërbimeve Publike.


Sa i përket çështjes së shthurjes vertikale të KEK-ut dhe privatizimit eventual të korporatës, në komunikatë thuhet se platë janë pajtuar që në kuadër të KEK-ut të themelohet sa më shpejt një zyrë e cila do të udhëheqë dhe koordinoje këtë projekt.

"Në anën tjetër Qeveria e Kosovës do t’i shqyrtojë format më të mira për të zbatuar procesin e privatizimit".

Ndërsa sa i përket çështjes së funksionimit të Bordit të Drejtorëve dhe Komitetit të Auditit, u njoftua qe kjo çështje do të zgjidhet në pajtim me Ligjin për Ndërmarrjet Publike.

"Palët në fund u pajtuan për të vazhduar bashkëpunimin konstruktiv me qëllim të ofrimit te shërbimit më të mirë për konsumatorët dhe të zhvillimit ekonomik të vendit në përgjithësi". /Telegrafi/