LAJMI I FUNDIT:

Pacientët e mjekuar me artrit urik në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës gjatë viteve 2014-2019

Pacientët e mjekuar me artrit urik në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës gjatë viteve 2014-2019

Artriti Urik, që në gjuhën angleze njihet si “Gout”, është një formë progresive, e dhimbshme, dobësuese e inflamacionit të nyjeve. Është një nga sëmundjet më të zakonshme reumatike. Prevalenca e tij është në rritje dhe ka të ngjarë t’i atribuohet disa faktorëve, duke përfshirë faktorët e stilit të jetës dhe përdorimin e rritur të barnave shkaktuese.

Shend Kryeziu
Student i Fakultetit të Mjekësisë në Universitetin e Prishtinës


Qëllimi i punimit është që përmes tij të analizohet shpërndarja e të sëmurëve me artrit urik në bazë të gjinisë dhe moshës, të analizohet korelacioni në mes moshës dhe vlerave te acidit urik në gjak, raporti i të prekurve me artrit urik dhe konsumimit të alkoolit, si dhe bashkëshoqërimi i artritit urik me hipertension arterial. Punimi është i tipit deskriptiv, retrospektiv.

Materiali për studim është marrë nga Klinika e Reumatologjisë të QKUK-së, ku të dhënat e pacientëve janë nxjerrë nga historitë e pacientëve të shtrirë në periudhën gjashtë vjeçare, nga viti 2014 deri në 2019. Janë përfshirë gjithsej 108 pacientë, mosha e të cilëve sillet prej 32 deri në 75 vjet. Për përpunimin e të dhënave janë përdorur metodat statistikore siç janë: mesatarja aritmetike dhe korelacioni linear.

Nga 108 rastet e hulumtuara, 64 prej tyre apo 59,2% janë meshkuj, kurse 44 apo 40,8% janë femra. Grupmosha prej 60-69 vjet është më e prekura me gjithsej 37 raste, apo 34.24%, ndërsa me më pak raste është grupmosha prej 30-39 vjet, gjithsej me 6 raste ose 5.56%. Nga numri i përgjithshëm i pacientëve meshkuj, 44 prej tyre apo 68.75% janë përdorues të alkoolit. Nga të gjithë pacientët në studim, 79 ose 73.15% prej tyre vuajnë nga HTA, ndërsa 29 ose 26.85% nuk kanë HTA.

Si përfundim mund të themi se: Artriti urik i prek të dy gjinitë, me predominim te meshkujt. Mosha më e atakuar është ajo mbi 50 vjeç, Nuk kemi gjetur korelacion ndërmjet moshës dhe vlerave të acidit urik në gjak. Konsumimi i alkoolit luan një rol me rëndësi si faktor rreziku për shfaqjen e sëmundjes sidomos te meshkujt, pasi te femrat nuk kemi gjetur asnjë paciente alooliste. Artriti urik bashkëshoqërohet shpesh me hipertension arterial.

1. Hyrje

Artriti Urik, që në gjuhën angleze njihet si “Gout”, është një formë progresive, e dhimbshme, dobësuese e inflamacionit të nyjeve. Shkaktohet nga disa faktorë që ngrisin përqendrimin e acidit urik në serum (sUA), e që çon në hiperurikemi. Prevalenca e hiperurikemisë dhe Artritit Urik është rritur gjatë dekadave të fundit. Kjo për shkak të një popullsie në plakje, ndryshimeve në stilin e të jetuarit dhe të ushqyerit.

Artriti Urik i patrajtuar ose i trajtuar në mënyrë të parregullt, mund të çojë në shfaqje kronike të sëmundjes, duke përfshirë inflamacion të vazhdueshëm, rritje të numrit të pezmatimeve akute, zhvillimeve të tofëve dhe dëmtimin strukturor të nyjeve. Të dhënat tregojnë se edhe kur pacientët janë asimptomatikë, mund të ndodhë inflamacioni i vazhdueshëm dhe dëmtimi i mëvonshëm në nyje, lokalisht dhe në mënyrë sistemike. Qëllimi i trajtimit afatgjatë të artritit urik është që të zvogëlojë nivelet e sUA, të pengojë formimin e kristaleve të reja dhe të mundësoj shpërbërjen e kristaleve ekzistues. (1)

Nga një studim që u bë nga Departamenti i Biokimisë, Universiteti i Otago, Dunedin, Zelanda e Re dhe Departamenti i Mjekësisë, Universiteti i Otago, Christchurch, Zelanda e Re, thuhet se një qasje “trajtimi për të targetuar uratin e serumit” është thelbësor për menaxhimin efektiv të artritit urik. (2)

Studimi tjetër nga Universiteti i Parisit thotë se dieta dhe polimorfizmi gjenetik i transportuesve renal të urateve duket se janë faktorët kryesorë shkaktarë të artritit urik primar. Artriti urik dhe hiperurikemia shoqërohen me hipertension arterial, diabet melitus, sindromën metabolike, sëmundjet renale dhe kardiovaskulare. (3)

Studimi në Departamentin e Terapisë Spitalore, në Kazan të Rusisë, thotë se në vitin 2015 janë caktuar kriteret e reja të diagnostikimit të artritit urik të zhvilluara nga Lidhja Evropiane Kundër Reumatizmit (EULAR) dhe Kolegji Amerikan i Reumatologjisë (ACR). Në vitin 2016 grupi EULARexpert ofroi strategjinë e trajtimit të pacientëve me artrit urik. Karakteristikat kryesore të strategjisë dhe hulumtimet e reja, që zbulojnë mundësitë më efektive dhe më të sigurta për trajtimin e artritit urik u përcaktuan në artikull. (4)

Studimi që është bërë nga Universiteti i Nottingham, UK, artriti urik është artriti inflamator mjaftë i përhapur dhe prek 2.5% të popullsisë së përgjithshme në Mbretërinë e Bashkuar. Eshtë gjithashtu i vetmi artrit që ka potencialin për tu kuruar me trajtime të sigurta, të lira dhe të tolerueshme, të cilat ulin acidin urik në serum duke frenuar xantin oksidazën ose duke rritur ekskretimin renal të acidit urik .(5)

Universiteti Mjekësor i Karolinës së Jugut, Charleston, SC, USA tregon se duhet inkurajuar konsumimi i perimeve dhe produkteve të qumështit me pak yndyrë ose pa yndyrë. Përdorimi i diuretikëve gjithashtu mund të rrisë nivelin e acidit urik në serum. Ulja e niveleve të acidit urik është thelbësore për të shmangur ndezjet e artritit urik.(6)

Studimi që u bë nga Departamenti i Farmacisë Klinike dhe Departamenti i Mjekësisë Familjare në Kolorado, thotë se terapitë shtesë që zvogëlojnë përqendrimin e urateve në serum përfshijnë agjentët tradicional urikosurik dhe një frenues të ri të reabsorbimit të urinës. Profilaksia e ndezjes akute me NSAIDs, kolchicine, ose kortikosteroide, rekomandohet në mënyrë universale me qëllim që të parandalohet artriti akut për një periudhë të paktën 6 muaj. (7)

Përveç studimeve të bëra në vendet e jashtme, tema e artritit urik është studiuar edhe nga profesionistë vendas. Sipas studimit të Dr. Avni Kryeziu, mr.sci, internist-reumatolog që është publikuar më 2009, artriti urik është sëmundje që shkaktohet nga çrregullimi i metabolizmit të acidit urik në organizëm, depozitimit të kristaleve të tij në inde dhe shfaqjen e episodeve inflamatore në nyjet përkatëse. Acidi urik është produkt i metabolizmit të purineve. Rritja e nivelit të tij, rrit riskun për artrite dhe kalkulozë renale. Rritja në gjak e përqendrimit të uratëve apo si quhet ndryshe, hiperurikemia, rezulton nga mbiprodhimi i urateve në organizëm, ulja e ekskretimit të acidit urik përmes veshkëve apo kombinimi i këtyre dy mekanizmave. Ekzistojnë edhe disa gjendje apo patologji që e bashkëshoqërojnë shfaqjen e kësaj sëmundje e që besohet se janë predispozitë e saj, siq janë obeziteti, diabeti melit, dislipidemia, etj. (8)

2. Qëllimi i punimit

Qëllimi i punimit është që përmes tij të analizohet shpërndarja e të sëmurëve me artrit urik në bazë të gjinisë dhe moshës, të analizohet korelacioni në mes moshës dhe vlerave te acidit urik në gjak, raporti i të prekurve me artrit urik dhe konsumimit të alkoolit, si dhe bashkëshoqërimi i artritit urik me hipertension arterial.

3. Materiali dhe metodat

Punimi është i tipit deskriptiv, retrospektiv. Materiali është marrë nga Klinika e Reumatologjisë të QKUK-së. Të dhënat e pacientëve janë nxjerrë nga historitë e pacientëve të shtrirë në periudhën gjashtë vjeçare, respektivisht nga viti 2014 deri në 2019. Janë gjithsej 108 pacientë, mosha e të cilëve sillet prej 32 deri në 75 vjeç. Të dhënat janë paraqitur me anë të tabelave dhe grafikoneve. Për përpunimin e të dhënave janë përdorur metodat statistikore siç janë: mesatarja aritmetike dhe korelacioni linear.

4. Rezultatet

Pas marrjes së të gjitha të dhënave nga pacientët dhe pas përpunimit statistikor të tyre, përfituam rezultatet e mëposhtme:

Raporti i të sëmurëve meshkuj ndaj atyre femra

Në grafikun 1 shihet se nga 108 rastet e hulumtuara, 64 prej tyre apo 59,2% janë meshkuj të sëmurë me artrit urik, kurse pjesa tjetër, 44 apo 40,8% janë femra të sëmura me artrit urik.

Numri i përgjithshëm i të sëmurëve sipas grupmoshave

Në grafikun e sipërm vërejmë se nga të gjitha grupmoshat e studiuara, grupmosha prej 60-69 vjet është më e prekura nga artriti urik, gjithsej me 37 raste, apo 34.24%, ndërsa me më pak raste është grupmosha prej 30-39 vjet, gjithsej me 6 raste ose 5.56%.

Shpërndarja e rasteve sipas gjinisë nëpër grupmosha

Grupmosha më e atakuar te femrat është ajo 60-69 vjet me gjithsej 18 raste apo 40.91%, përderisa te meshkujt është grupmosha prej 50-59 vjet me gjithsej 21 raste apo 32.81%. Në grupmoshën 30-39 vjet nuk kemi pasur asnjë rast të gjinisë femër të sëmurë, përderisa te meshkujt i kemi pasur 6 raste apo 9.38%.

Shpërndarja e vlerave të acidit urik te të sëmurët me artrit urik sipas moshës

Nga grafiku vërejmë se në rastin tonë nuk ka korelacion ndërmjet moshës dhe vlerave të acidit urik në gjak te të sëmurët me artrit urik (r = – 0.16473).

Të sëmurët femra dhe konsumimi i alkoolit

Nga tabela 1 shihet se asnjëra nga femrat paciente të studimit tonë nuk ka qenë përdoruese e alkoolit!

Të sëmurët meshkuj dhe konsumimi i alkoolit

Në tabelën e mësipërme vërejmë se nga numri i përgjithshëm i pacientëve meshkuj, 44 prej tyre apo 68.75% janë përdorues të alkoolit. Në grupmoshën 50-59 vjet kemi më së shumti përdorues të alkoolit me 21 raste ose 32.81%.

Të sëmurëve me artrit urik të bashkëshoqëruar me HTA

F – Femra; M – Meshkuj; HTA – Hipertension arterial

Nga tabela e mësipërme shihet se nga numri i përgjithshëm i rasteve, 79 ose 73.15% prej tyre vuajnë nga HTA, ndërsa 29 ose 26.85% nuk kanë HTA. Grupmosha më e atakuar me HTA është ajo nga 60-69 me 27 raste apo 34.18%, ndërsa më së paku raste ka në grupmoshën 30-39 vjet me vetëm 1 rast ose 1.27%.

5. Diskutimi

Hiperurikemia është mjaft e zakonshme, me prevalencë të ranguar në mes 2.6% dhe 47.2% në popullata të ndryshme.(9,10)

Kjo rrjedhë nga fakti se artriti urik është një sëmundje e kohës moderne, e cila edhe në vendin tonë ka pësuar rritje viteve të fundit, përkatësisht dekadës së fundit.

Në nivel botëror që nga viti 1990 deri në vitin 2013, rasti i të prekurve me gout është dyfishuar.(11)

Artriti urik shfaqet më shpesh te meshkujt sesa te femrat. Meshkujt zakonisht preken në mes moshës 20 dhe 50 vjeçare, ndërsa femrat pas menopauzës. Te fëmijët dhe të rinjtë është sëmundje e rrallë.(12)

Edhe në studimin tonë, gjinia mashkullore është më e prekur me artrit urik, me 64 raste nga gjithsej 108. Nga pacientët meshkuj, grupmosha më e prekur është ajo mbi 50 vjet, për dallim nga të dhënat e literaturës së sipërme. Ky dallim vie nga fakti se te ne presupozohet se grupmoshat më të shtyra i ekspozohen më shumë sëmundjeve që janë shkaktarë të rritjes së vlerave të acidit urik në gjak, si bie fjala sëmundjet e veshkave, të gjakut, mbipesha, sëmundja e sheqerit etj…

Vlerat e acidit urik në gjak rriten me rritjen e moshës si te femrat ashtu edhe te meshkujt.(13)

Në punimin tonë nuk ka korelacion në mes moshës dhe vlerave të acid urik në gjak, gjë e cila nuk përputhet me të gjeturat e punimit në fjalë. Mendojmë që kjo mospërputhje rrjedh nga shkaku që pacientët e studimit tonë kanë qenë nën ndikimin e terapisë dhe vlerat e acidit urik kanë pësuar rënie.

Ndërlidhja ndërmjet konsumimit të alkoolit dhe artritit urik ka qenë e njohur për shekuj me radhë. Rreziku i zhvillimit të gout varion nga tipi i konsumit të alkoolit. (14)

Në një punim të punuar nga Zhao Li me bashkëpunëtorë, nga 11039 pjesëmarrës të punimit, 4997 prej tyre ishin meshkuj, kurse 6042 femra. Nga ky punim u konstatua se konsumimi me doza të larta të alkoolit, e rritë rrezikun për hiperurikemi te meshkujt, por jo te femrat.(15)

Në gjetjet tona, nga grupi i femrave nuk ishte asnjë alkooliste, ndërsa te meshkujt ishin 44 nga 64 gjithsej, që do të thotë se alkooli ishte një shkaktar i rëndësishëm në paraqitjen e artritit urik te meshkujt. Për shkak të kulturës sonë të të jetuarit, femrat ende nuk i ekspozohen faktorit të rrezikut nga pirja e alkoolit, gjë që vërtetohet edhe në punimin tonë. Andaj, ndikimi i alkoolit te femrat është i pamatshëm në gjetjet tona.

Sëmundja paraqitet te meshkujt më shumë sesa te femrat, tradicionalisht për shkak të stilit të të ushqyerit. Sëmundja bashkëshoqërohet edhe me sëmundje përcjellëse si HTA, dislipidemi dhe obezitet.(16)

Nga një studim i radhës i bërë te të rriturit e Bangladeshit, janë marrë mostra të gjakut nga 140 meshkuj dhe 115 femra. Janë analizuar vlerat e acidit urik si dhe vlerat e yndyrës në gjak. Poashtu është bërë edhe matja e tensionit të gjakut dhe është definuar në këtë formë: SBP ≥ 140 mmHg dhe DBP ≥ 90 mmHg (çdo vlerë që i përshtatet kushtit konsiderohet jonormale, dhe personi konsiderohet me HTA). Nga të dhënat, prevalenca për hipertension te meshkuj është 63%, kurse te femrat 39%. (17)

Në studimin tonë, pacientet femra pothuajse të gjitha janë të shoqëruara me HTA, përkatësisht 40 nga 44 në total, ose 90.9%. Sa i përket meshkujve, prevalenca e rasteve është më e vogël, ku nga 64 meshkuj gjithsej, 39 prej tyre apo 60.9% kanë HTA si sëmundje bashkëshoqëruese. Nga studimi i mësipërm vërejmë ngjashmëri të madhe të numrit të meshkujve të prekur me HTA me punimin tonë, kurse sa i përket femrave, dallimi i madh në mes punimit tonë dhe punimit të mësipërm qëndron në faktin se pacientet femra të punimit tonë i takojnë moshës së shtyrë, përkatësisht pjesa më e madhe e tyre i takon moshës prej 60-69 vjet, 18 në total apo 40.91%.

6. Përfundimi

Pas analizës së rezultateve , krahasimit me literaturën dhe autorët tjerë, kemi ardhur në përfundimet si në vijim:

Artriti urik i prek të dy gjinitë, me predominim te meshkujt.

Mosha më e atakuar është ajo mbi 50 vjet, respektivisht te femrat më shumë sëmuret grupmosha 60-69 vjet, dhe te meshkujt ajo 50-59 vjet.

Nuk kemi gjetur korelacion ndërmjet moshës dhe vlerave të acidit urik në gjak.

Konsumimi i alkoolit luan një rol me rëndësi si faktor rreziku për shfaqjen e sëmundjes sidomos te meshkujt, pasi te femrat nuk kemi gjetur asnjë paciente alkooliste.

Artriti urik bashkëshoqërohet shpesh me hipertension arterial ngase nga numri i përgjithshëm, 73.15% kanë pasur edhe HTA.

7. Literatura

1. Ruoff G, Edwards NL. Overview of Serum Uric Acid Treatment Targets in Gout: Why Less Than 6 mg/dL? Postgrad Med. 2016 Sep; 128(7):706-15. doi:10.1080/003 25481.2016.1221732. Epub 2016 Aug 25. Review. PubMed PMID: 27558643.
2. Dalbeth N, Merriman TR, Stamp LK. Gout. Lancet. 2016 Oct22; 388(10055):2039-2052. doi: 10.1016/S0140- 6736(16)00346-9. Epub 2016 Apr 21. Review. PubMed PMID: 27112094.
3. Bardin T, Richette P. Definition of hyperuricemia and gouty conditions. Curr Opin Rheumatol. 2014 Mar; 26 (2):186-91. doi: 10.1097/BOR.0000000000000028. Review. PubMed PMID: 24419750.
4. SP. Gout. New opportunities of diagnosis and treatment. Ter Arkh. 2018 May 11; 90(5):88-92. doi: 10.26442/ terarkh201890588-92. Review. PubMed PMID: 30701896.
5. Abhishek A, Roddy E, Doherty M. Gout – a guide for the general and acute physicians. Clin Med (Lond). 2017 Feb;17(1):54-59. doi:10.7861/clinmedicine.17-1-54. Review. PubMed PMID: 28148582; PubMed Central PMCID: PMC6297580.
6. Hainer BL, Matheson E, Wilkes RT. Diagnosis, treatment, and prevention of gout. Am Fam Physician. 2014 Dec 15;90(12):831-6. Review. PubMed PMID: 25591183.
7. Wilson L, Saseen JJ. Gouty Arthritis: A Review of Acute Management and Prevention. Pharmacotherapy. 2016 Aug;36(8):906-22. doi:10.1002/phar.1788. Epub 2016 Jul
22. Review. PubMed PMID: 27318031.
8. Kryeziu A. 2019 Sep19. https://telegrafi.com/artritiurik/
9. Matzinger P. The danger model: a renewed sense of self, Science 296(5566):301-305, 2002.
10. Hu DE, Moore AM, Thomsen LL, Brindle KM: Uric acid promotes tumor immune rejection, Cancer Res
64(15):5059-5062, 2004.
11. Terkeltaub R (January 2010). “Update on gout: new therapeutic strategies and options”. Nature Reviews Rheumatology. 6 (1): 30-8. doi: 10.1038/nrrheum. 2009.236. PMID 20046204
12. Understanding Gout — Basics WebMD Medical Reference, https://www.webmd.com/arthritis/qa/is-goutmore-common-in-men-or-women
13. Masafumi Kuzuya, Fujiko Ando, Akihisa Iguchi, Hiroshi Shimokata. Effect of Aging on Serum Uric Acid Levels: Longitudinal Changes in a Large Japanese Population Group. The Journals of Gerontology: Series A, Volume 57, Issue 10, 1 October 2002, Pages M660–M664, https:// doi.org/10.1093/gerona/57.10.M660.
14. Choi H, Atkinson KK, Karlson E, et al. Alcohol intake and risk incidence of gout in man: a prospective study, lancet 363:1277, 2004.
15. Li Z, Guo X, Liu Y and co. The Relation of Moderate Alcohol Consumption to Hyperuricemia in a Rural General Population. Int J Environ Res Public Health. 2016 Jul 20;13(7). pii: E732. doi: 10.3390/ijerph13070732.
16. AJ Luk and PA Simkin. Epidemiology of hyperuricemia and gout. Am J Manag Care. 11:S435-S442; 2005.
17. Ali, N., Mahmood, S., Islam, F. et al. Relationship between serum uric acid and hypertension: a crosssectional study in Bangladeshi adults. Sci Rep 9, 9061 (2019). https://doi.org/10.1038/s41598-019-45680-4.

Marrë nga Medalb.com

Në trend Shëndetësi

Më shumë
Bima që e ndukim dhe e shkelim, duke menduar se është një barojë, në fakt ka vlera të shumta për shëndetin

Bima që e ndukim dhe e shkelim, duke menduar se është një barojë, në fakt ka vlera të shumta për shëndetin

Ushqim i shëndetshëm
Kalo në kategori