LAJMI I FUNDIT:

OEK: Sulmi ndaj ministrit Stavileci, sulm ndaj qëllimeve zhvillimore

OEK: Sulmi ndaj ministrit Stavileci, sulm ndaj qëllimeve zhvillimore

Oda Ekonomike e Kosovës (OEK), si përfaqësuese legjitime e komunitetit të biznesit në Kosovë, me shqetësim të thellë po përcjell ngjarjet e fundit në politikën kosovare, të cilat po kanë ndikim drastik negativ edhe në rrjedhat e zhvillimit ekonomik dhe sektorit privat në përgjithësi. Në këtë vazhdë, jemi jashtëzakonisht të brengosur edhe me vandalizmin e fundit ndaj Ministrit Blerand Stavileci, kinse për arsye të mbrojtjes se Republikës dhe pjesëmarrjes së tij në një Forum Ekonomik të bizneseve të dy vendeve fqinje, Kosovës dhe Serbisë.

Për hir të sqarimit të opinionit dhe mbrojtjes së një kauze të drejtë, jemi të obliguar të sqarojmë opinionin publik që përfaqësimi i institucioneve të Republikës të Kosovës, në forumin e organizuar nga dy Odat homologe nga Kosova dhe Serbia, në krye me Ministrin Stavileci, ishte në kuptimin e plotë të fjalës i fuqishëm, dinjitoz, profesional dhe në përfaqësim të plotë të interesave dhe politikave të institucioneve të Republikës të Kosovës, gjë që dëshmohet nga të gjitha mesazhet e fjalimeve te të gjithë përfaqësuesve institucional.

Delegacioni që përfaqësohej në forum, i përbërë nga bizneset me elite nga të gjitha sektorët dhe rajonet e Kosovës, ka qenë i dominuar 90% nga kompani prodhuese si: ABI, Trepharm, Devolli Group, Zejtarët e Prizrenit, Eurometali, etj, të cilët në të gjitha bisedat B2B me kompani nga Serbia kanë biseduar ekskluzivisht për mundësinë e rritjes së eksportit në tregun serb dhe për këtë kemi zotime për rezultate konkrete duke filluar nga pranvera e vitit të ardhshëm.


Ministri Stavileci dha përkrahje të fuqishme institucionale për këtë qëllim të bizneseve kosovare, duke ofruar tërë mbështetjen politike dhe profesionale të institucioneve të Republikës të Kosovës, për të tejkaluar çdo barrierë politike, infrastrukturore dhe të çdo natyre tjetër, për rritje të eksporteve kosovare drejt Serbisë.

Ne konsiderojmë që është hipokrizi dhe injorancë fakti i tentimit të manipulimit të opinionit me elemente “semantike” dhe “Kuazipatriotike”, sidomos kur përmbajtja dhe qëllimi i përfaqësimit ka qenë në plotni me interesat vitale të Republikës të Kosovës për zhvillim ekonomik dhe integrim evropian. Tek e fundit kontributi për çdo euro eksport është akt me vlerë shumëfish me të madhe patriotike se cilido fjalim patetik që e dëgjojmë çdo ditë.

Dëshirojmë të ritheksojmë faktin që sulmet vandale ndaj institucioneve të vendit nuk do të dekurajojnë angazhimin e gjithëmbarshëm institucional për rritje të investimeve, rritje të eksportit, rritje të vendeve të punës dhe mirëqenie për të gjithë qytetarët e vendit pa dallime politike, etnike apo të çfarëdo lloj natyre tjetër. /Telegrafi/