LAJMI I FUNDIT:

Obama dhe politika e jashtme amerikane

Politika e jashtme amerikane në përgjithësi është mjaft konservatore dhe mund të thuhet se nuk ndryshon shumë kur janë në pyetje çështjet fondamentale dhe prioritare amerikane, pavarësisht se a janë në pushtet republikanët apo demokratët. Kjo ka të bëjë para së gjithash me faktin se janë në pyetje interesat amerikane dhe aty ka një kontinuitet dhe traditë në bërjen dhe zbatimin e këtyre politikave.

Gjersa gjatë Luftës së Ftohtë p.sh. amerikanët ishin të interesuar që të kenë aleatë dhe sa më shumë koalicione kundër Perandorisë të së Keqes, si e kishte quajtur Presidenti Regan Bashkimin Sovjetik të asaj kohe. Pas rënies së këtij shteti dhe përfundimit të Luftës së Ftohtë, SHBA-të, kanë lëvizur gjithnjë e më shumë në drejtim të udhëheqjes së një politike unilaterale në marrëdhëniet ndërkombëtare, pra që të vendosin në shumë raste vet pa diskutuar më te tjerët, e në raste të tjera kanë pasur përkrahje të madhe nga aleatët dhe vendet demokratike, sikurse në rastin e intervenimit ushtarak kundër ish ’RFJ’ – Serbisë – sepse aty bëhej fjalë së pari për të drejtat e njeriut, për lirinë dhe shpëtimin e njerëzve nga terrori e masakrat (e pastaj edhe për paqe dhe stabilitet në Ballkan).


SHBA-të kishin po ashtu përkrahje të mirë në luftën në Bosnjë, pastaj edhe në Libi, deri diku në Afganistan, por kishin më shumë kundërshtime para intervenimit ushtarak në Irak (p.sh. Franca dhe Gjermania).

Presidenti Klinton mund të thuhet se udhëhoqi një politikë më të balancuar dhe bashkëpunuese me partnerët kryesorë perëndimorë gjate lidershipit të tij (rasti i Kosovës dhe Bosnjës p.sh.). Presidenti Bush në anën tjetër njihet si lideri që më së shumti udhëhoqi SHBA-në drejt politikave unilaterale si p.sh. Iraku, Afganistani (edhe pse atje kishte një koalicion të vullnetit të mirë me shtete aleate duke përfshirë edhe Shqipërinë). Intervenimi ushtarak amerikan në Irak pa një mandat të siguruar nga OKB-ja fillimisht (edhe pse dihet se si funksionon OKB me Rusinë dhe Kinën që kanë të drejtë vetoje), pa përkrahje të aleatëve si Franca dhe Gjermania, e sidomos mos gjetja e “armëve nukleare” – për çka akuzohej regjimi i diktatorit irakian – e dëmtoi imazhin e SHBA-ve në botë dhe kredibilitetin e saj për arsye se shume kritikë të politikave të SHBA-ve shfrytëzuan këtë aksion për kritika tjera.

Ky aksion ishte po ashtu ndryshimi më dramatik i manifestimit të unilateralizmit amerikan në botë në kohët moderne.

Çka e karakterizon një politike të jashtme multilaterale?

Politika e jashtme multilaterale përfshin dy elemente kryesore që e identifikon si të tillë: së pari investimi në zhvillimin dhe ruajtjen e institucioneve ndërkombëtare që ndihmojnë në koordinimin ndërkombëtar (p.sh. përmes pjesëmarrjes, përkrahjes financiare, përkrahja publike); së dyti, respektimi i rregullave, principeve dhe normave si dhe proceseve të vendimmarrjes brenda institucioneve ndërkombëtare në baza të barabarta me shtetet tjera anëtare.

Politika e Jashmte e udhëhequr nga Presidenti Obama

Presidenti Obama ka arritur të udhëheq SHBA-të me një lidership dhe mençuri për ta vlerësuar lart. Ai është dëshmuar si lider shumë i rëndësishëm për SHBA-të dhe imazhin amerikan. Ndërsa, ka fituar Çmimin Nobel për Paqe për shkak të angazhimeve ndërkombëtare dhe është një lider dhe simbol i lidershipit të SHBA-së. Sipas sondazheve të fundit të vitit 2012, amerikanët e shohin si lider karizmatik dhe kanë besim më shumë në të në krahasim me kandidatët republikanë Romney apo Santorum.

Obama ka negociuar traktatin e kontrollit të armëve me Rusinë. Amerika është më prezent në Azi përmes traktatit për paqe dhe bashkëpunim (ASEAN), si dhe ka përkrahur pranverën arabe dhe ka bashkëpunuar me Ligen Arabe dhe vendet e përfshira atje. Në këtë drejtim Obama është ndihmuar edhe nga shefja e diplomacisë Klinton, që është angazhuar fuqishëm dhe me sukses. Në Afrikë, SHBA kanë ndihmuar demokracinë në Madagaskar dhe në Bregun e Fildishtë.

Administrate e Presidentit Obama ka arritur sukseset edhe brenda vendit, si p.sh stabilizimi i ekonomisë përmes politikave makroekonomike Kejnsiane duke evituar kështu një krizë financiare të përmasave më të gjëra; ka arritur të zvogëloj papunësinë; ka arritur të aprovoj ligjin për sigurime sociale që përfshijnë amerikanët si dhe reforma të tjera. Por,l këtu do të merrem më shumë me politikën e jashtme amerikane.

Sukseset amerikane në politikën e jashtme

Roli udhëheqës i SHBA-ve në botë nën udhëheqjen e Presidentit Obama ka arritur rezultate të dukshme, përkundër faktit që ende mbeten sfida. Administrata amerikane nën lidershipin e Presidentit Obama ka vepruar me efikasitet në përkrahjen e revolucioneve demokratike në botën arabe, si në Egjipt, Libi etj.. I ka dhënë fund luftës civile në Sudan, duke ndihmuar në krijimin e shtetit të pavarur të Sudanit Jugor në Afrikë.

Vrasja e Bin Ladenit dhe e një numri liderësh të tjerë të Al Kaidas ishte një nga sukseset më të mëdha amerikane në luftën kundër terrorizmit dhe në politiken e jashtme. Mbi 63 për qind e amerikanëve vlerësonte në shkurt të këtij viti se kjo luftë po jepte rezultate dhe se aprovonin politikat dhe qasjen e Obamas në këtë drejtim.

Ndërhyrja ushtarake në Libi

Ndërhyrja e aleatëve ndërkombëtarë dhe amerikanë në Libi ishte e rëndësishme për t’ua sjellë lirinë libianëve dhe për të rrëzuar diktatorin e frikshëm Gadafi, i cili po vriste popullin e vet, derisa nuk u ndalë nga forcat rebele të përkrahura ushtarakisht nga ndërkombëtarët.

Tërheqja nga Iraku

Mbi 50 për qind e amerikanëve besojnë se tërheqja e ushtarëve amerikanë nga Iraku është e drejtë dhe Presidenti Obama ka vepruar drejt dhe ka mbajtur premtimet për tërheqje trupash.

Disa nga sfidat kryesore për SHBA-në

Sfidat kryesore për SHBA-në mbeten si të mbaj rolin e liderit në botë dhe si të ballafaqohet me politikat dhe rivalitetin nga Kina dhe Rusia e autokratit Putin, si të luftohet terrorizmi global, pastaj si t’ju qaset shteteve tjera autokratike dhe problematike.

Afganistani

Mbetet sfidë e vështirë për SHBA-të pasi që talebanët janë aktivë, nuk ka qeveri stabile dhe paqe të qëndrueshme, por luftime e incidente dhe vrasje të ushtarëve amerikanë. Sfida mbetet si të arrihet paqja e plotë, stabiliteti, si të forcohen forcat ushtarake e policore vendore, si të fitohet ndaj Al Kaidas e forcave kryengritëse dhe si të arrihet tërheqja e trupave amerikane në SHBA.

Irani

Irani edhe më tutje mbetet një sfidë tjetër për SHBA-të dhe politikën ndërkombëtare, sepse ambiciet e tyre për armë bërthamore dhe kundërshtimi amerikan e perëndimor ndaj kësaj ka përcjell tensione të larta në atë rajon dhe kjo mbetet nga sfidat kryesore në të ardhmen. SHBA duket e vendosur të pengoj Iranin që të mos krijojë armë bërthamore, por në anën tjetër Irani insiston në programin bërthamor për qëllime civile – si thonë ata! Ndonjë sulm eventual izraelit kundër bazave bërthamore Iraniane, si është diskutuar publikisht, do të shkaktonte tronditje në atë rajon dhe do të kërkonte edhe angazhimin direkt të SHBA-ve.

Siria

SHBA-të po koordinojnë aktivitetet me Ligën Arabe e më shumë me Turqinë, Arabinë Saudite, si dhe Bashkimin Evropian për të shtuar presionin ndaj Sirisë për të ndalur vrasjet ndaj popullit të vet. Këtu gjeopolitika është e komplikuar, pasi që Rusia ka ndërtuar bazë ushtarake dhe përkrah regjimin e Sirisë (ata bllokuan me veto rezolutat e OKB-së të sponsorizuara nga SHBA, BE dhe Lidhja Arabe) sikurse edhe Irani që përkrah regjimin autokratik të Asadit.

Lindja e Mesme (Palestina dhe Izraeli)

Zgjedhja e këtij konflikti historik është me rëndësi të veçantë për arritjen e paqes në këtë pjesë të botës dhe për krijimin e raporteve normale mes Izraelit dhe Palestinës e shteteve arabe në anën tjetër. Zgjedhja e këtij konflikti ka reflektime direkte edhe te shtete tjera arabe dhe më gjerë.

Koreja Veriore

Është një sfidë tjetër e radhës, pasi që këtu kemi të bëjmë me diktaturë komuniste të paparashikueshme që pretendon armë bërthamore dhe kjo mund të ndryshoj raportet gjeopolitike atje dhe të prek interesat amerikane në rajon – dhe pse në kohët e fundit është bërë një marrëveshje e përkohshme mes Koresë Veriore e Perëndimit, për ndalje të programit bërthamor në këmbim të ushqimeve.
Ballkani

SHBA-të kanë ende interesa të rëndësishme në Ballkan në rend të parë ato për stabilitet, paqe dhe siguri si p.sh. në Bosnjë dhe Hercegovinë, Maqedoni, Shqipëri, e sidomos në Kosovë. SHBA ende kanë trupa të NATO-s dhe kampin ushtarak në Bondsteel dhe janë të angazhuara politikisht dhe ekonomikisht në përkrahje të Republikës së Kosovës. Edhe pse duket se gjeopolitika ndërkombëtare e me këtë edhe ajo amerikane kanë lëvizur në drejtim të Azisë (si p.sh. Irani, Siria, pranvera arabe etj.) dhe duket se BE do të ketë ndikim më të madh në Ballkan, prapë se prapë amerikanët do të mbeten të angazhuar në Kosovë dhe në Ballkan, por ndoshta në një masë më të vogël dhe me më pak resurse.

Imazhi amerikan

Me ardhjen e Obamas në krye të SHBA-ve dhe me disa nga politikat e ndjekura është arritur që të përmirësohet deri në një masë imazhi amerikan në botë, por në këtë fushë ende mbetet shumë për tu bërë pasi që ka kritika nga vende të ndryshme ndaj politikave të jashtme amerikane, në shumë raste, të nxitura edhe për arsye rivaliteti, ideologjie apo interesash të ndryshme nga shtete të tjera.

Sfida të tjera mund të jenë çështjet e ndryshimeve klimatike dhe energjisë, kriza eventuale financiare në botë etj.

Kostoja e politikave unilaterale

A mund të vazhdohet me politika unilaterale dhe çfarë kostoje duhet të paguajnë SHBA-të për këtë, shtrojnë pyetjen shumë analistë të politikave të jashtme dhe ekspertë të ndryshëm. Duke pasur parasysh fuqinë e madhe ushtarake dhe ekonomike amerikane, me siguri që po edhe për disa dekada, por edhe me një kosto të prekshme. Institucionet ndërkombëtare do të dobësohen edhe më tej nëse shteti më i fuqishëm i botës nuk i përkrah ato dhe mund të dalin shtete problematike dhe të krijojnë probleme në zona gjeopolitike (si p.sh. Rusia, Siria, Koreja Veriore, Irani etj.). Ndërsa, institucionet ndërkombëtare do ta kenë edhe më vështirë të arrijnë marrëveshje, dhe SHBA-të mund të paguajnë çmim për këtë, p.sh. rasti i interventimit ushtarak rus në Gjeorgji. Kosto e dytë mund të jetë përkrahja më e vogël nga aleatët e rëndësishëm, si dhe ndikimet në imazhin amerikan në botë.

Shumica e ekspertëve dhe analistëve objektivë argumentojnë që disa shtete janë të prira të krijojnë probleme ndërkombëtare, si p.sh. Rusia, Kina etj. Ato ndjekin interesat e tyre dhe nuk brengosen shumë për të drejtat e njeriut, liritë dhe demokracinë si dhe institucionet ndërkombëtare. Prej atyre shteteve pak mund të pritet që do të kontribuojnë për paqen dhe stabilitetin ndërkombëtar. Prandaj, ka argumente të fuqishme se roli i SHBA-së si lider i botës së lirë dhe demokracisë në botë është vendimtar dhe i pazëvendësueshëm për marrëdhëniet ndërkombëtare, për paqen dhe stabilitetin në botë. Për këtë arsye analizohen politikat e jashtme amerikane në rend të parë nga ekspertë amerikanë dhe analistë të tjerë të politikave të jashtme dhe çfarë efektesh dhe rezultatesh do të kenë në botë nëse ato politika ndryshojnë qasjen për ndonjë rajon apo në mënyrë globale.

Këtë fakt e kuptojnë më së miri shqiptarët, sepse ishin pikërisht këto politika parimore, objektive dhe që respektojnë liritë e njeriut dhe paqen nga SHBA-të, që sollën lirinë e Kosovës dhe shpëtimin e rreth dy milionë njerëzve nga forcat serbe.

Në trend

Më shumë
25 vjet burgim për Enver Sekiraqën

25 vjet burgim për Enver Sekiraqën

Drejtësi
Skuadrat që përfitojnë më shumë nga fanellat e tyre – askush nuk mund të mposhtë numrin 1

Skuadrat që përfitojnë më shumë nga fanellat e tyre – askush nuk mund të mposhtë numrin 1

Ndërkombëtare
Artistja 77 vjeçare Cher tregon pse lidhet me djem të rinj: Sepse ata të moshës time, thuajse të gjithë kanë vdekur

Artistja 77 vjeçare Cher tregon pse lidhet me djem të rinj: Sepse ata të moshës time, thuajse të gjithë kanë vdekur

Magazina
Dënohet me 24 vjet burgim prizrenasi, kishte dhunuar seksualisht dy vajza nën moshën 14-vjeçare

Dënohet me 24 vjet burgim prizrenasi, kishte dhunuar seksualisht dy vajza nën moshën 14-vjeçare

Drejtësi
Thellohen humbjet e Rusisë: Mbi 100 ushtarë rusë të vdekur nga sulmi i fundit i ukrainasve me ATACMS

Thellohen humbjet e Rusisë: Mbi 100 ushtarë rusë të vdekur nga sulmi i fundit i ukrainasve me ATACMS

Botë
Modric ka një “plan B” në rast largimi nga Reali Madridi, do të luante në Ligën e Kampionëve me fanellën e një gjiganti tjetër

Modric ka një “plan B” në rast largimi nga Reali Madridi, do të luante në Ligën e Kampionëve me fanellën e një gjiganti tjetër

Ndërkombëtare
Kalo në kategori