LAJMI I FUNDIT:

Nuk ka fare kuptim që të fajësohet Perëndimi për luftën në Ukrainë

Nuk ka fare kuptim që të fajësohet Perëndimi për luftën në Ukrainë
Ilustrimi: James Ferguson / FT

Nga: Gideon Rachman / The Financial Times
Përktheu: Agron Shala / Telegrafi.com

Pushtimi rus i Ukrainës, në mënyrë të çuditshme e bëri të famshëm profesorin John Mearsheimer. Ligjërata e tij i vitit 2015 – “Përse për Ukrainën fajtor është Perëndimit? – tashmë ka arritur në 28 milionë shikime në YouTube.


Në atë ligjëratë, si dhe në artikujt dhe bisedat e mëvonshme, studiuesi i Universitetit të Çikagos pohoi se Perëndimi e ka provokuar luftën në Ukrainë – duke i ndjekur politikat të cilat Rusia i shihte si kërcënim ekzistencialist. Në veçanti, Mearsheimeri vazhdimisht ka pohuar se është marrëzi që ShBA-ja të premtojë se do ta anëtarësojë Ukrainën në NATO. Parashikoi se Rusia nuk do ta tolerojë këtë dhe se “rezultati përfundimtar është se Ukraina do të shkatërrohet”.

Pushtimi i plotë Ukrainës nga Rusia, në vitin e kaluar, e bëri Mearsheimerin të duket profetik. Por, ai është më i popullarizuar në Moskë dhe në Pekin sesa në korridoret e pushtetit në Uashington apo në Bruksel, ku shpeshherë etiketohet si apologjet i Putinit.

Kritikët liberalë e akuzojnë Mearsheimerin se po provokon liderët e fortë të botës. Artikujt e tij janë postuar në Twitter nga Ministria e Jashtme ruse. Së fundmi, ai gjithashtu zhvilloi një takim me Viktor Orbánin, kryeministrin e Hungarisë – kampion ky i “demokracisë joliberale”, e njohur ndryshe si autokraci. Në vend që të frikësohet nga këto kritika, profesori duket se kënaqet me namin e keq. Faqja e tij e internetit përmban një portret të tij ku është veshur si Makiaveli.

Akuza se Mearsheimeri është thjeshtë një apologjet pro-rus, përgënjeshtrohet nga fakti se në vitin 1993 ai ishte një nga të paktët studiues që e këshilloi Ukrainën të mos heqë dorë nga armët e veta bërthamore, duke argumentuar se “armët bërthamore ukrainase janë e vetmja pengesë e besueshme ndaj agresionit rus”. Shumë ukrainas tani pajtohen me këtë.

Akuza më domethënëse kundër Mearsheimerit është ajo se teoria e tij për çështjet ndërkombëtare është amorale, johistorike dhe deterministe. Këto argumente janë dhënë në një libër të fundit të Jonathan Kirshnerit, të quajtur E ardhmja e pashkruar, kur kritikohet “realizmi ofensivë” – një teori e zhvilluar nga Mearsheimeri që thotë se të gjitha fuqitë e mëdha kërkojnë të dominojnë rajonet e veta, në mënyrë që të shmangin kërcënimet ndaj sigurisë së tyre.

Kirshneri pohon se duke supozuar se të gjitha fuqitë e mëdha sillen në mënyrë identike, Mearsheimeri bëhet i paaftë ta bëjë dallimin midis veprimeve, për shembull të Gjermanisë së Vajmarit dhe të Gjermanisë naziste. Por, ka rëndësi karakteri i një shteti dhe i udhëheqësve të tij. Një Gjermani e drejtuar nga Hitleri ose një Rusi e drejtuar nga Stalini ka gjasa të veprojnë ndryshe nga koha kur ato vende udhëhiqeshin nga Angela Merkel ose Mikhail Gorbachev.

Kritikës së Kirshnerit do t’ia shtoja atë se teoritë e Mearsheimerit, ndonëse paraqiten si përshkrim i pandërprerë i realiteteve të ashpra globale, shpeshherë duket se kanë të bëjnë me realitetin në kokën e tij. Pretendimi se ShBA-ja ka përgjegjësi për luftën në Ukrainë, shpërfill një parim themelor si për moralin ashtu edhe për ligjin – se përgjegjësia për një vrasje, apo pushtim vrasës, i takon personit që tërheq këmbëzën ose jep komandën.

Luftërat parandaluese ndonjëherë konsiderohen si të pranueshme – por, vetëm nëse një komb rival është i gatshëm të godasë. Vitin e kaluar, Ukraina padyshim që nuk ishte në atë pozicion. Duke e turbulluar këtë çështje, Mearsheimeri bëhet pa dashje apologjet për luftën e agresionit të Putinit.

Kjo nuk do të thotë se teoritë e tij nuk mund të jenë mjet i fuqishëm analitik, që ofrojnë njohuri jo vetëm për sjelljen e Rusisë, por edhe për Kinën. Që në vitin 2001, Mearsheimeri pohonte se janë të destinuara për dështim përpjekjet për ta integruar Kinën në një rend liberal botëror – dhe se Pekini në mënyrë të pashmangshme do të kërkonte dominimin e rajonit të vet, duke e bërë kështu të mundshme luftën me ShBA-në. Ato argumente duken gjithashtu të parashikueshme për sot. Por, gërmoni më thellë në veprën e Mearsheimerit dhe ndonjëherë ajo mbart shenjat dalluese të një studiuesi shumë të dashuruar me konstruktet e veta teorike, aq sa nuk pranon se janë disa fakte që nuk i përshtaten teorisë.

Në ligjëratën e tij të famshme të vitit 2015, Mearsheimeri e hodhi poshtë idenë se Rusia do të tentojë ndonjëherë të “pushtojë Ukrainën” – duke pohuar se “Putini është shumë i zgjuar për këtë”. Pikëpamja e tij ishte se lideri rus do t’i përmbahej synimit për ta shkatërruar Ukrainën si shtet, për ta parandaluar rreshtimin e saj me Perëndimin. Mearsheimeri edhe sot është duke pohuar se Rusia nuk synonte kurrë ta pushtonte Ukrainën – një argument që është i vështirë për t’u përballur në raport me kolonat e tankeve ruse që shkurtin e kaluar drejtoheshin kah Kievi.

Profesori gjithashtu vazhdon të këmbëngulë se Putini ishte i sinqertë kur para luftës dha deklaratat në të cilat ai pretendon se e pranon pavarësinë e Ukrainës. Në një ligjëratë më të fundit, Mearsheimeri madje pretendoi se “Putini nuk ka histori të gënjeshtrave të liderëve të tjerë”. Ky do të jetë një lajm për liderët e huaj, të cilëve Putini në mënyra të ndryshme u ka thënë se Rusia nuk kishte gisht në rrëzimin e aeroplanit të fluturimit MH17 mbi Ukrainë, më 2014; apo se Kremlini nuk kishte asnjë lidhje me tentativën për vrasjen e aktivistit rus të opozitës – Alexei Navalny në vitin 2020.

Ato akte brutale, të mbuluara nga gënjeshtrat, nuk janë thjeshtë vetëm detaje. Ato tregojnë diçka të rëndësishme për Rusinë e Putinit – duke bërë me dije se është e pamundur të ndash karakterin e brendshëm të një shteti nga sjellja e tij e jashtme. Mendoni për Korenë e Veriut.

Këmbëngulja e Mearsheimerit se të gjitha fuqitë e mëdha sillen në mënyrë identike, kjo madje përgënjeshtrohet nga vetë jeta e tij. Në ShBA ai është intelektual i nderuar në publik. Në fuqitë e mëdha autoritare, si Rusia apo Kina, profesorët disidentë si John Mearsheimeri kanë gjasa të përfundojnë të papunë, në mërgim – ose edhe më keq. /Telegrafi/