LAJMI I FUNDIT:

Normandia dhe jehona e historisë

Normandia dhe jehona e historisë

Nga: Frida Ghitis / CNN (titulli: In Normandy’s once-blood drenched beaches, echoes of history)
Përkthimi: Telegrafi.com

Të dielën, parashutat u hapën në ajër mbi Francë, ndërsa parashutistët amerikanë u hodhën nga aeroplanët luftarakë të epokës së Luftës së Dytë Botërore, duke nisur kështu fillimin e javës solemne përkujtimore që shënon 80-vjetorin e Ditës-D – javë kjo që do të sjellë dhjetëra liderë botërorë, përfshirë presidentin Joe Biden, për të kujtuar ngjarjet e pasura me shumë simbolika dhe të cilat jehojnë edhe në kohët e sotme.

Për dekada të tëra, Shtetet e Bashkuara, aleatët e tyre dhe të tjerët janë bashkuar për të kujtuar në Normandi zbarkimin e 6 qershorit 1944 të udhëhequr nga ShBA-ja – invadimi më i madh nga deti në histori dhe faza kryesore përfundimtare e Aleatëve për të mposhtur fushatën gjenocidale pushtuese të Gjermanisë naziste.

Ceremonitë, siç është tradita, nderojnë ata që luftuan dhe vdiqën në Luftën e Dytë Botërore dhe riafirmojnë angazhimin për të kuptuar mësimet e historisë. Por, cilat saktësisht janë këto mësime dhe si do ta kthejnë liderët botërorë këtë angazhim në vepër?

Zotimi i mjegullt për të parandaluar përsëritjen e historisë, është bërë i qartë kur forcat ruse kërkojnë të nënshtrojnë Ukrainën në luftën e parë të madhe tokësore në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore.

Dhe, në një kthesë të jashtëzakonshme, historia i bën jehonë edhe presidentit të mundshëm të ardhshëm të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, i cili ka ringjallur termin “Së pari Amerika” [America First] – i përdorur në vitet 1930-’40 nga amerikanët të cilët donin që ShBA-ja të mos përfshihej në luftë, madje atëherë kur Hitleri nis luftën për të pushtuar Evropën.

Teksa parashikon ndryshime potencialisht drastike në qasjen e ShBA-së ndaj mbrojtjes së Evropës dhe luftës në Ukrainë, Trumpi ngre ankthin “ekzistential” midis aleatëve të ShBA-së.

Në Francë, në këtë javë, Bideni do të bashkohet me rreth 25 kryeministra dhe presidentë – do të marrë pjesë presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky; Vladimir Putini i Rusisë nuk është ftuar për ta shënuar këtë rast. Më pas Bideni do të udhëtojë në Paris për një vizitë shtetërore.

Gjatë kohës së tij në Francë, ai do të flasë “për rëndësinë e mbrojtjes së lirisë dhe demokracisë”, ndërsa do të diskutojë “një gamë të gjerë të sfidave globale”.

Në krye të agjendës është kjo temë: si ta ndihmojmë Ukrainën?

Mikpritësi, presidenti francez Emmanuel Macron, po shfaqet si një nga avokuesit më të zëshëm të përmirësimit të mbështetjes për Kievin – për dallim nga qasja më e matur dhe më e kujdesshme e Bidenit.

Transformimi i Macronit ka qenë i jashtëzakonshëm. Në javët përpara pushtimit të paprovokuar dhe në shkallë të plotë nga Rusia të fqinjit të saj, ai udhëtoi për në Moskë – duke u takuar me Putinin në tryezën e tij kolosale për distancim nga Kovidi-19 – në kërkim të një mënyre për të parandaluar luftën.

Ata që mendonin se Macroni tregonte shumë respekt ndaj diktatorit rus, kishin arsye shtesë për t’u shqetësuar kur, disa muaj pasi forcat ruse kaluan në Ukrainë, Macroni deklaroi se “nuk duhet ta poshtërojmë Rusinë”. Dhe, kjo ndodhi në kohën kur shpërbëhej plani i Rusisë për të shënuar fitore të shpejtë, ndërsa Bideni rikonfirmonte mbështetjen e tij të palëkundur për Kievin.

Në vitet e tjera, qëndrimi i Macronit është ngurtësuar pasi ngryset pikëpamja e tij nga rreziku që Rusia paraqet për Evropën dhe Perëndimin. Në prill ai paralajmëroi: “Evropa jonë është e vdekshme; mund të vdesë” pjesërisht si rezultat i agresionit të Rusisë.

Në fillim të këtij viti, ai i habiti evropianët kur deklaroi se asgjë nuk mund të përjashtohet, madje as dërgimi i trupave perëndimore në Ukrainë, duke shtuar se “do të bëjmë gjithçka që mundemi për të parandaluar Rusinë që të fitojë”.

Gjermania e hodhi poshtë idenë, ashtu si të tjerët. Por, me sa duket, Macroni bënte më shumë sesa të përpiqej të trimëronte aleatët.

Sipas ditores The Financial Times, këtë javë, bashkë me Bidenin dhe Zelenskyn në Francë, Macroni do të njoftojë se, në fakt, trupat evropiane së shpejti do të shkojnë në Ukrainë.

Një nga vendimet më urgjente me të cilat përballen tani mbështetësit e Ukrainës është se sa liri duhet t’i jepet Kievit për të goditur objektivat ruse me armët që ata ofrojnë.

Dilema mishëron njërën nga dy frikët që nxitin mbështetjen perëndimore. Nga njëra anë, Evropa dhe Shtetet e Bashkuara kanë frikë se nëse Rusia fiton, Putini do të vazhdojë shtytjen për të pushtuar territoret që i përkisnin jo vetëm Bashkimit Sovjetik, por edhe Perandorisë Ruse.

Ky shqetësimi është nënvizuar nga mësimet e Luftës së Dytë Botërore, kur Hitleri u lejua të ndante një pjesë të Çekosllovakisë, por më pas kaloi në Poloni dhe pushtoi nëpër Evropë derisa në fund nuk u ndalua.

Shqetësimi është i dukshëm mes fqinjëve të Rusisë dhe është një nga arsyet se pse kryeministri polak, Donald Tusk, i ka thënë popullit të vet që të bëhet gati, duke e quajtur këtë kohë si “epokë e paraluftës”.

Nga ana tjetër, ekziston frika se dhënia e lejes për Ukrainën për të goditur Rusinë, rrezikon të përshkallëzojë luftën në një konflikt midis Rusisë së armatosur me armë bërthamore dhe NATO-s së armatosur me armë bërthamore – ndoshta Luftën e Tretë Botërore.

A mund të frenohet lufta dhe a mund të mposhtet Rusia?

Zelensky u ka kërkuar miqve të Kievit që ta lënë Ukrainën të përdor armët e tyre për të sulmuar brenda Rusisë. Derisa aleatët diskutuan këtë çështje, forcat ruse, duke u përballur me pak rrezik, goditën një qendër tregtare në Harkiv – duke vrarë 18 persona – jo shumë larg kufirit rus.

“Ju lus të na jepni lejen” për të përdorur armët për të parandaluar ato sulme, iu lut Zelensky aleatëve. Ai nuk do t’i përdorë ato pa leje, nga frika e humbjes së mbështetjes perëndimore.

Perëndimi mbetet i ndarë për këtë çështje. Bideni ka liruar disa nga kufizimet. Macroni dhe kancelari gjerman Olaf Scholz duan që ato të lirohen edhe më shumë, megjithëse ende janë të kufizuar. Finlanda dhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, thonë se miqtë e Ukrainës po e detyrojnë atë të luftojë me njërën dorë të lidhur prapa shpine.

Takimet e përvjetorit të Ditës-D, sigurisht që do të përfshijnë diskutimet se si të ndalohet Rusia dhe çështjen nëse Rusia, nëse përballet me një Ukrainë më të fuqizuar, do të ballafaqohet me të vërtetë drejtpërdrejt me Perëndimin, ashtu siç kërcënon Putini.

Teksa shikojnë plazhet e dikurshme të Normandisë të përmbytura me gjak, liderët botërorë duhet të marrin parasysh mësimet e Luftës së Dytë Botërore dhe se si t’i zbatojnë ato sot.

Mbështetësit e doktrinës Së pari Amerika ndihmuan për të bindur Shtetet e Bashkuara që të rrinë jashtë luftimeve në Evropë, derisa lufta nuk erdhi në ShBA, në Përl-Harbër. Përfundimisht, 16.4 milionë amerikanë shërbyen në ushtri gjatë Luftës së Dytë Botërore – më shumë se 10 përqindëshi i popullsisë. Rreth 29 mijë amerikanë vdiqën në pushtimin e Normandisë, në një luftë që përfshiu 50 vende, një katastrofë që vrau më shumë se 70 milionë njerëz – një nga çdo 30 njerëz që ishin gjallë kur lufta filloi.

Konfliktet nuk janë të njëjta; ideologjitë dhe liderët janë të ndryshëm. E, megjithatë, plazhet e Normandisë jehojnë me mësimet e asaj historie të tmerrshme; liderët botërorë duhet të dëgjojnë për së afërmi. /Telegrafi/