LAJMI I FUNDIT:

Një njeri në dy kohë

Një njeri në dy kohë

– Shkrim i publikuar në Javoren Politike Shqiptare “Zëri”, në vitin 2001, në kuadër të rubrikës “Heronjtë nga ballinat e ‘Zërit’” –

Nga: Antigona Uka


“Unë nuk shikoj as nuk lexoj kurrë çfarë shkruhet për mua, prandaj as që e kam ditur se kam qenë në ballinën e javores ‘Zëri’ në vitin ‘72”, thotë Xhevat Qorraj, aktor. Ndonëse Xhevati nuk interesohet se ç`farë shkruhet për të, dokumentet ruhen siç ruhet edhe javorja “Zëri”. Ishte 8 prilli i vitit 1972, kur në ballinën e “Zërit” ishin Xhevat Qorraj dhe Faruk Begolli, të fotografuar gjatë një skene në filmin “Si të vdiset”. Ku është sot dhe çfarë bën ky aktor?!

Atëbotë, krahas ballinës në “Zëri” ishte edhe një fotoreportazh rreth filmit “Si të vdiset”. Ilustruar me fotografi, në fillim të reportazhit të shkruar nga gazetari Sharr Hoxha, mund të lexoje: “Së shpejti në kinemanë ‘Rinia’ të Prishtinës do të shfaqet filmi ‘Si të vdiset’ …”. Po ashtu, në tekst theksohet se ky film ishte prodhim i parë i pavarur i “Kosovafilmit”, fakt të cilin e kujton edhe Xhevat Qorraj sot. Filmi “Si të vdiset” është në të vërtetë fabula e asaj “Si të jetohet”. Por, çfarë tjetër ka bërë akori Xhevat Qorraj gjatë kësaj periudhe 29-vjeçare?

– Ka aktruar – do të përgjigjet shkurt Xhevati.

I pranishëm në të gjitha prodhimet e “Kosovafilmit”

Periudha 29-vjeçare e jetës së tij, prej kohës kur ka qenë në ballinën tonë, është një periudhë e vazhdimit të punës së tij si aktor.

“Kam luajtur në të gjithë filmat që ishin prodhim i ‘Kosovafilmit’”, thotë ai duke renditur filmat si: “Era e lisit” dhe “Prroi vërshues” të Besim Sahatçiut, “Kur pranvera vonohet” dhe “Druvarët” të Ekrem Kryeziut, “Pikniku” të Emin Halilit, “Lepuri me pesë këmbë” të Ismail Ymerit, “Njeriu prej dheu” të Agim Sopit, pastaj “Proka” dhe “Rojat e mjegullës” (prodhimi i fundit i “Kosovafilmit”) të Isa Qosjes.

Me keqardhje Xhevati thotë se pas hyrjes së masave të dhunshme, nga viti 1989 në “Kosovafilm”, ka pamundësuar realizimin e filmave në këtë shtëpi. “Por, megjithatë”, shton z. Qorraj, “kemi shkruar skenare, madje skenare të mira …”!

Pas vitit 1989, Xhevat Qorraj është ftuar të punojë në Teatrin Kombëtar, ku, përveç aktrimit, është marrë edhe me regji. Ka bërë regjinë e shfaqjes “Nata e fundit e Goli Otokut”, pastaj të shfaqjes “Hijet e mallkuara”, shfaqje të cilën masat e dhunshme e kanë ndaluar atëkohë ende pa u shfaq premiera. Pas çlirimit kjo shfaqje është rivënë në skenë. “Meqë është e punuar për skenë të vogël, tash nuk kemi mundësi ta shfaqim. Me rregullimin e skenës së vogël të prezantohet edhe kjo shfaqje”.

Gjatë kësaj kohe, pra pas viteve të 1990, Xhevati ka luajtur edhe në shumë shfaqje tjera, si p.sh. në “Gofin” e Anton Pashkut, në shfaqjen “Servisi i shpirtit” të Daut Demakut etj.

E veçanta e 29 vjetëve …

Përveç regjisë dhe aktrimit, ai ka xhiruar dhe disa shfaqje, si “Mërgimtarët” në formë drame televizive, shfaqjen “Servisi i shpirtit” me emrin “Dasma e Deliut” etj.

Para disa javësh Xhevati ka përfunduar xhirimin e filmit “Meshari” (filmi ende është me titull pune), regjisor dhe skenarist i të cilit film është vetë ai. Ky film artistik, i metrazhit të gjatë, pritet të shfaqet në fund të shkurtit 2002.

Xhevat Qorraj, përveç filmave shqiptarë, ka luajtur dhe në filma të produksionit ish-jugosllav dhe një film italian me regji të Franko Rosi.

“Për të luajtur në filmin italian ‘Eneida”, nga Italia erdhi regjisori Rosi dhe meqë atëherë në audicion zgjidheshin aktorët më të mirë, unë pata fatin që në mesin e disa kolegëve të mi të jem ai i cili do të aktronte në këtë film”, shprehet z. Qorraj.

Krahas jetës profesionale, si një aktor me perspektivë, në vitin 1972, Xhevati kishte edhe një jetë të qetë private.

“Jam martuar shumë i ri, si student … Atëherë dilnim në ëmbëltore, përcillnim sportin dhe nuk kishim kushtet që kanë sot të rinjtë tanë. Jeta ime private sot është më e thjeshtë, gjatë ditës ose jam në punë ose në shtëpi”. Gruaja dhe djali i Xhevatit merren me gazetari.

Gjëja e vetme që gjatë kësaj periudhe të jetës e ka bërë të lumtur atë, ishte vendosja e përmendores së Skënderbeut në Prishtinë.

Porosia e vetme e Xhevatit për të rinjtë e sotëm është që të mësojnë. “Të rinjtë e sotëm nuk dëgjojnë këshillat e të moshuarve. Por, nuk mund t’i akuzoj se as djali im nuk më dëgjon”, përfundon ai duke qeshur. /Telegrafi/