LAJMI I FUNDIT:

A është Bubulina shqiptare?

A është Bubulina shqiptare?
Laskarina Bubulina

Nga: Irakli Koçollari

Këto ditë kanë tërhequr vëmendjen debatet e shumta për vizitën e kryeministrit shqiptar në Athinë dhe për më tepër reagimet e shkaktuara nga dy shkrime në rrjetet sociale më datat 14 maj dhe një artikull me titull “Mos ma prek Bubulinën”, botuar në gazetën Dita e datës 16 maj 2024, prej A. Vehbiut.

Duhet thënë që në fillim se studiuesit e thelluar dhe të profilizuar të historisë arrijnë të dallojnë shkrimin që mban erën e mykut të dokumenteve arkivave, në raport me shkrimet e ndonjë gazetari që pleks brenda politikë, publicistikë, histori, sociologji, saktësi, por edhe pasaktësi të dukshme shkencore.

Duke hyrë menjëherë në përmbajtjen e artikullit, me duhet të them se – në pamje të parë duket se autori pajtohet me qëndrimet, deklarimet dhe vizitën e kryeministrit shqiptar në Athinë, por në thelb e tërë retorika e tij mbart dhe turfullon qëndrime kundër tij, kundër disa të vërtetave që lidhen me historinë e popullsisë arvanite, me kujtesën dhe vlerësimet historike për ta si bartës të rëndësishëm të historisë së Greqisë, si dhe të drejtat apo detyrimet legjitime që ka çdo qytetar i Evropës demokratike, për më tepër institucionet shtetërore në mbrojtje të vlerave dhe pasurive historike, kulturore, gjuhësore, etj., ndaj kësaj materieje të rëndësishme.

Duke iu drejtuar publikut të interesuar, që ka reaguar ndaj shkrimit të autorit, A. Vehbiu, duke iu kundërvënë dhe përjashtuar tërësisht qëndrimet e tyre, me tonë përçmuese, ai shkruan:

… më shqetëson mbizotërimi në mendjet e njerëzve të interesuar për historinë dhe identitetin, i një narrative në mos të shpikur, të paktën krejt të vjetruar, që nuk i përgjigjet më narrativës historiografike moderne dhe gjithçkaje që kemi mësuar si njërës këto dy shekuj!

Do të më duhet të sqaroj që në krye të herës se dekadat e fundit është bërë e modës nga shumë syresh që duan të shfaqen si avangardë, dominantë, teoricienë modernë apo afashinantë, të përdorin për të tjerët termat “i vjetruar”, “i dalë kohe”, “jashtë mode” etj. Ndërsa për veten e tyre, që të prezantohen si bashkëkohorë, superiorë në metodologji apo në deklarimet e tyre dhe, për të na thënë kështu se ata janë mëndjellinjtë “modernë”, përdorin shpesh termat “metodologjitë moderne”, “instrumente moderne”, “prurje moderne”, pa na treguar në asnjë rast se cila është përmbajtja dhe filozofia e praktikave, metodologjia dhe mjeteve moderne që ata deklarojnë e predikojnë?!

Sigurisht, kjo është një lloj përpjekje që përdoret nga disa syresh, të cilët kur veshin një kostum firmato apo përdor vend e pa vend fjalën “modern”, “metoda moderne”, “narrativa historiografike moderne”, pa treguar asgjë rreth tyre, kujtojnë se vërtet ata janë për sytë e botës modernë.

Nuk i bën as përdorimi i termit “modern” dhe as vetëdeklarimet se janë të tillë, individët modernë të kohës!

Por, le të hyjmë më konkretisht në thelbin e të thënave dhe të nënkuptuarave të artikullshkruesit.

Luftë fetare apo luftë për liri e pavarësi?

Duke iu referuar dy shkrimeve të Vehbiut, autori i tyre përpiqet të na sqarojë se ç’ishin arvanitët në Greqi në vitet e revolucionit për pavarësi, në ndonjë rast edhe përballë reparteve shqiptare të mobilizuar nga Perandoria Osmane. Për të ilustruar sa sipër, autori na sjell si ngjarje luftimet mes kryengritësve arvanitë me këto reparte shqiptarësh në vitet e revolucionit për pavarësinë e Greqisë. Ndër të tjera autori deklaron se:

Shumë shqiptarë myslimanë (por edhe katolikë) u dërguan nga Perandoria Osmane të luftojnë kundër kryengritësve grekë.

Për të qenë korrektë me dokumentacionin historik dhe bashkë me to referuar në provat dhe dëshmitë arkivore, duhet të sqarojmë se kundër reparteve kryengritëse greke dhe arvanite, në territoret e kontinentale dhe ato ishullore helenike, gjatë betejave për pavarësi në fronte nuk u dërguan vetëm shqiptarë myslimanë dhe katolikë, por edhe ortodoksë, madje për dijeninë e autorit edhe reparte greke të pashallëqeve të tjera, reparte arabe, gjer te formacionet nga Egjipti i largët.

Për të sqaruar edhe më tej shkruesin rreth praktikave militare që aplikonte Perandoria Osmane, në raste “rebelimesh”, pra kryengritjesh, kjo e fundit dërgonte në të shumtën e herës, kundër tyre, reparte të mobilizuara nga pashallëqet fqinjë. Ky ishte një detyrim ligjor i padiskutueshëm për të gjithë pashallëqet nën hegjemoninë osmane.

Kështu, në ngjarjet e atyre kohëve, më 1797, kundër pashait të rebeluar boshnjak, Osman Pasvanoglut, u përdorën reparte të ardhur nga Stambolli, por edhe bullgare e serbe, shqiptarë dhe grekë të pashallëqeve fqinje.

Kundër Karamahmut Pashas u përdorën trupa osmane të ardhur nga Anadolli, por edhe malazezë, serbë, boshnjakë dhe reparte të tjera të ardhura nga pashallëqet fqinje.

Nëse duhet ndonjë sqarim i mëtejmë, do të duhet të themi se këto praktika Perandoria Osmane i trashëgoi prej Perandorisë Bizantine, madje jo vetëm këto, por edhe mjaft forma të tjera të organizmit dhe mobilizimit të saj ushtarak.

I thamë të gjithë sa sipër për të sqaruar se shqiptarët nuk ishin një rast dhe racë e veçantë që u përdorën si kërbaç kundër të tjerëve, kundër grekëve dhe arvanitëve, siç përpiqet t’i paraqesë autori. Pra, luftimet kryheshin nga repartet perandorake osmane – kundër të gjithë “të rebeluarve”, qofshin këta kristianë ortodoksë apo edhe myslimanë. Ajo që thotë Vebiu se “tek shqiptari mysliman, arvanitët kryengritës shihnin përgjithësisht armikun mysliman, jo vëllain e gjuhës dhe të gjakut”, është një gabim që nuk i përgjigjet aspak realiteteve historike të kohës. Me këtë pohim, as më pak as më shumë, ai përpiqet të paraqesë luftën e popullit grek për pavarësi si një luftë fetare! Çka është e papranueshme sa për historiografinë greke, autorët e shumtë evropianë që shkruan për të, aq edhe me të vërtetat historike.

Ali Oasha, djepi që përkundi kurajën e rebelimit për pavarësi

Nëse ishte kështu, siç deklaron Vebiu, ç’mund të na thoshte ai vallë, për “rebelimin”, përpjekjet për shkëputje dhe mëvetësi të një myslimani shqiptar që quhej Ali Pasha? Ky mysliman shqiptar ishte vetë një kryengritës i madh, madje i pari përpara se të ngriheshin arvanitët dhe grekët. Si e panë arvantët dhe grekët, pra Ali Pashën? Si një armik mysliman? Apo si një të rebeluar kundër Portës, si një kryengritës që kishte shpallur shkëputjen prej Perandorisë Osmane?

Të gjithë, shqiptarët dhe grekët, e identifikuan atë si një kryengritës, që tentonte të shkëputej prej zgjedhës osmane. Madje, vetë të krishterët grekë dhe truri i revolucionit grek, “Filiqi Eteria”, kërkoi mbështetjen e Ali Pashës në luftën dhe betejat që do të fillonin për shkëputje dhe liri, pasi e shikonin atë jo si “mysliman”, por si një fuqi kryengritëse antiosmane. Ishte Ali Pasha që jo vetëm lejoi aktivitetin klandestin të “Shoqërisë së Miqve”, por edhe i vetmi që u përpoq të lironte kreun e arrestuar të kësaj lëvizjeje, kristianin Riga Ferrera, nga burgu i Beogradit, ku mbahej i lidhur në zinxhirë. Në këtë luftë çlirimtare asnjëherë arvanitët nuk i panë shqiptarët, në disa raste në frontet përballë tyre, si myslimanë, por si reparte perandorake turke, “o turkos”.

Duhet të sqarojmë Vehbiun se vetë repartet kryengritëse të arvanitëve kishin në disa raste komandantë të njohur myslimanë. Kujtojmë me këtë rast se kapedani i njohur i kryengritjes në Peloponez ishte një mysliman, Ali Farmaqi, mik dhe vëllam i Ali Pashës.

Jo vetëm Perandoria Osmane, por edhe kryengritësit grekë dhe arvanitë e panë Ali Pashën mysliman, jo nga përkatësia fetare, por si “një të rebeluar të Portës së Lartë”, ashtu sikundër ishin parë edhe kryengritësit grekë dhe shqiptarë nga lëvizjet e tyre “rebeluese”, nga misioni dhe qëllimet e tyre politike, pra si të rebeluar, si kryengritës të betejave për liri. Por, a kishte raste dhe individë që shihnin luftëtarët nga përkatësia fetare? Po sigurisht që kishte, madje ka edhe sot e kësaj dite në kohët moderne të tillë syresh, por kjo nuk përbën thelbin e luftës dhe idealit të luftës për liri. Këtë gjë e ka sqaruar historiografia serioze e vendeve fqinje dhe më gjerë dhe nuk mbeti të bëjmë ne teorizime, të tjerrim ide diletanteske, të pabaza, madje cinike dhe antishkencore.

Do apo nuk do autori, duan apo nuk duan rrethe dhe klane radikale të mbushura me emocione nacionaliste, lëvizja e madhe për pavarësinë e popullit grek i ka rrënjët e saj tek Ali Pasha dhe lëvizjet e tij të qarta për shkëputje dhe mëvetësi. Ndikimi i revolucionit francez dhe pikëpamjet iluministe ishin faktorët e jashtëm që natyrisht ndikuan në tërë lëvizjet e popujve ballkanikë, për rebelim dhe shkëputje nga zgjedha shekullore osmane.

Sikur asgjë tjetër të mos u kish dhënë Ali Pasha grekëve dhe shqiptarëve, do të mjaftonte vetëm ajo – kuraja që ai u dha për t’u ngritur kundër zgjedhës shekullore osmane, kundër perandorisë që do të shembeshin në pak vite – shkruan Bartoldi.

Arvanitët – Bubulina, një realitet që se shuan dot askush

Në të dy shkrimet e autorit, Vehbiu përpiqet të zbehë dhe vetëm me dy fjalë të na mjegullojë statusin, historinë, rolin dhe kontributet e mëdha të popullsisë arvanite në Greqi. Ajo që të bën përshtypje, sa në shkrimin e parë edhe të dytë, është përpjekja e gjatë e tij për të bindur lexuesin nga pozicioni i një studiuesi pa të dytë, se arvanitët nuk kanë asnjë lidhje me shqiptarët, madje pohon ai:

Për grekët – këta heronj arvanitë janë njëherazi grekë, arvanitë dhe sidomos të krishterë ortodoksë!

Të tilla vlerësime nuk i gjen në asnjë nga studimet apo analizat e punuara nga historianë të njohur apo minorë të këtij subjekti. Për më tepër nuk ndodh dhe nuk dëgjon asnjëherë tek arvanitët të identifikohen qoftë edhe në komunikime të rëndomta me përkatësinë e tyre fetare! Ku i gjen Vehbiu deklarime të tilla?

Sigurisht, arvanitët janë shtetas grekë, janë qytetarë grekë, janë të besimit kristian, por askush nuk mund ta mohojë se ata janë me origjinë arbërore, të zbritur dhe të vendosur në ato anë të gadishullit dhe ishujve helenike në mugëtirat shekullore të mesjetës (të paktën nga shekulli XII dhe në vazhdim). Askush nuk mund të mohojë se sikundër kapedanët që udhëhoqën kryengritjet greke si Odisea Andruco, Miauli, Karaiskaqi, Krieziu, Kundurioti, Pangallos, Pllaputa, Papaflesha etj. ishin arvanitë, sikurse askush nuk mund të mohojë dot askush se Bubulina ishte arvanite e Hidrës, e konfirmuar edhe studiues dhe historianë grekë.

Edhe më tej, mes arvanitëve dhe shqiptarëve të sotëm ka dallime të ndikuara apo të imponuara nga shumë faktorë:

Gjeografikë – shkëputja dhe distancat e tyre nga atdheu amë, ruajti dhe konservoi tek ata elementë të botës arbërore mesjetare, të gjuhës, zakoneve, këngëve, elementëve të tjerë të jetës materiale dhe shpirtërore të krijuara në enklavat e tyre përgjatë rrugës së shekujve, të ndryshme nga dinamikat që pësoi popullsia arbërore në territoret e saj. Këtë fenomen dhe dallim, sikundër ato dialektore, zakonore etj., ne i gjejmë edhe mes krahinave shqiptare.

Historikë – arvanitët patën të tjera fate, ngjarje dhe evente historike në rrugët e tyre nëpër shekuj dhe të tjera përjetoi popullsia arbërore që qëndroi në trojet e saj, çka ndikuan në krijimin e veçantive të botës dhe profilit të tyre jetësor.

Ekonomikë – të tjera kushte ekonomike patën trojet arbërore nën Perandorinë Osmane gjer në fundin e shekullit të XIX dhe të tjera kushte patën enklavat ku jetonin dhe jetojnë arvanitët gjer në fillimet e shekullit të XIX, në shtetin grek.

Politike – të tjera politika zyrtare u ndoqën ndaj popullsisë greke prej Perandorisë Osmane për gjuhën dhe shkrimin e saj (ajo asnjëherë nuk i ndaloi apo pengoi të praktikohej dhe të shkruhej greqishtja) dhe të tjera pati popullsia arvanite prej administratës osmane.

Duhet t’i kujtoj artikullshkruesit se “kur mbërritën misionarët e parë gjermanë në territoret e Atikës dhe të Athinës së shpallur kryeqytet, ata gjetën aty një popullsi që nuk fliste greqisht, por vetëm shqip … prandaj, i sugjeruan perandorit gjerman që si ndërmarrje e parë në krijimin e institucioneve dhe të shtetit të ri grek, do të duhej të ishte hapja e shkollave të para në gjuhën greke, që popullsia të mësonte greqishten, që pastaj të punohej për ngritjen e institucioneve”!

Por, a gjen dot sot në Athinë, të flitet shqip?

Politikat, programet arsimore dhe ato kulturore kanë ndikuar dhe vazhdojnë të luajnë rol aktiv në asimilimin agresiv të pakicave etnike, atyre kulturore dhe gjuhësore, aq më tepër kur ndaj tyre ku nuk ka ndonjë vëmendje të veçantë për t’i ruajtur ato pasuri dhe vlerat identitare të tyre, sikundër rekomandojnë aktet ligjore dhe konventat evropiane.

Të gjitha këto arsye, por edhe faktorë të tjerë kohorë, propagandistikë, mediatikë etj., kanë ndikuar në proceset e asimilimit periodik të kësaj popullsie nga një dekadë në tjetrën.

Megjithatë, popullsia arvanite është e gjallë, vitale, e pranishme dhe aktive. Statistika të shpallura dhe të pashpallura për këtë popullsi flasin për një shifër përmbi tre milionë banorë dhe nga një vëzhgim i kryer në vitin 1987 nga përfaqësues të BE-së, evidentohet një numër përmbi 800 fshatrash e më shumë të banuar prej tyre.

Sigurisht, mes nesh dhe arvanitëve dallimet janë objektive dhe të natyrshme. Unë i kam gjetur plakat arvanite, në vitet 1980, 1990, me gjuhën e tyre shqipe në komunikim, në sjellje dhe pothuaj në tërë botën shtëpiake, gati identike me ato të gjyshes time. Ka shumë prej tyre kanë një shqipe shumë më të pastër, sa herë e herë mahnitesh.

Por, askush nuk mund të mohojë ekzistencën e asaj popullsie që identifikohet dukshëm me tipare, gjuhë, kulturë, këngë e valle, tradita dhe histori të ndryshme nga grekët, por edhe me elementë të përbashkët me ta.

Arvanitët jetojnë aty! Ata janë një realitet human dhe historik. Duan apo nuk duan syresh këtej apo andej kufirit, të vërtetat e pakontestueshme i thonë arvanitët vetë, kontributet dhe gjurmët që ata krijuan, krijojnë dhe lanë nëpër histori; i thonë realitet e prekshme, por i thonë edhe dokumentet e pafund arkivore, botimet e hershme dhe të reja për ta.

Arvanitët nëpër kronikat historike dhe vëmëndja shqiptare mbi ta

Ajo që të habit me artikullshkruesin është shqetësimi që Vehmiu reflekton kur ne prekim çështjen arvanite, historinë e tyre dhe heronjtë arvanitë!

E vërteta është, zoti Vehbiu, se ne shqiptarët jemi deficitarë dhe për pasojë borxhlinj të mëdhenj në njohjen e historisë së tyre, arvanitëve, të kësaj pjese vitale të trungut tonë arbëror, të shpërngulur gjatë shekujve në hapësirat helenike. Janë fare të pakta, një apo dy botime të vetme, nga autorë shqiptarë për publikun shqiptar rreth arvanitëve.

Në këto rrethana, zoti Vehbiu duhet të ishte shqetësuar pikërisht për këtë mungesën e pajustifikueshme të shkrimeve kushtuar kësaj pjese të popullsisë të trungut historik arbëror, që ndriçon nëpër shekuj këto anë të Ballkanit. Në fakt, Vehbiu shqetësohet për të kundërtën, se përse shkruhet për ta!

Për dijeninë e Vehbiut dhe të të tjerëve, duhet të sqaroj se atë që nuk e kemi bërë ne shqiptarët për arvanitët, e kanë bërë më mirë nga ne: historianët bizantinë, Halkokondili, Kantakuzeni, Akropoliti, Ataliati, Komnena, Paleologët, Sfrantzes etj.; e kanë bërë kronikat e mahnitshme të shekujve të XIV, “Kronika e Tokovos” dhe “Kronika e Janinës” (“E murgjëve Prokël dhe Komnen”), të cilat flasin dhe identifikojnë fare qartë kohen e emigrimeve masive të tyre, vendet e ngulmimeve të shqiptarëve (arvanitëve) në territoret helenike, duke i identifikuar ata qartazi “Allvani = shqiptarë”.

Duke filluar nga shekulli XII dhe gjer në shekullin XVIII, historinë e kanë bërë vetë arvanitët, kryengritjet dhe betejat e tyre të vazhdueshme, kapedanët dhe kapostratiotët “albanezi” mbushin kronikat veneciane dhe ato të Mbretërisë së Napolit me një dokumentacion të pafund, mijëra dhe qindra-mijëra fashikujsh dhe dosarësh. Ato kanë një pasuri të paimagjinueshme, pothuaj tërësisht të panjohur nga historiografia për këtë racë të pamposhtur nëpër shekuj.

Dhe, çuditërisht, Vehbiu na predikon të heshtim për këtë pasuri të paimagjinueshme humane dhe historike të popullit tonë, të identifikuar si të tillë nëpër shekuj. Ky dokumentacion dhe kronika historike na bëjnë me dije për luftëtarë të shquar, nga radhët e kësaj mërgate që pas largimit nga territoret helenike u dalluan në frontet e betejave nëpër Greqi, Itali, Francë, Gjermani dhe nëpër Evropë në tërësi. Komandantë dhe stratiotë të famshëm, si Buat, Shpatajt, Buziqët, Bohali, Kladha, Meksi, Blesi, Këmbëthekra, Gjerbësi, Peta, Kriekuqi etj., mbushin kronika të pafund ngjarjesh dhe heroizmash që ne ende nuk i kemi bërë prezent si pjesë e rëndësishme e historisë tonë. Ata prezantohen fare qartë ne dokumentacion arkivor latin dhe në botimet prej dhjetëra volumesh të Marino Sanudos si “Albanezi”.

Edhe në periudhat e mëvonshme, duke filluar nga fundi i shekullit XVIII, një numër i madh studiuesish, diplomatësh, ushtarakësh dhe albanologësh që udhëtuan në pashallëkun e Janinës dhe territoret helenike sollën një informacion të bollshëm për arvanitët dhe kontributet e tyre. Ata u habitën me praninë numeroze të tyre, fuqinë, karakterin dhe shpirtin luftarak në vitet e revolucionit për pavarësinë e Greqisë. Konsulli anglez William Martin Leak, konsulli francez François Pouqueville, Hobhausi, Smart Hughes, Henry Holland, Flobert, Mejer dhe shumë të tjerë sollën këto dekada informacione të shumta për këtë popullsi të vendosur në Korinthi, Argolidhë, Beoti, Atikë, Eube, dhe të identifikuar qartësisht prej tyre si “Albanians”, “Albanezi” etj. Por, edhe në dekadat e shekullit të kaluar dhe këtë shekull, studiues dhe historianë seriozë grekë, evropianë dhe mes tyre arvanitë, kanë shkruar dhe vazhdojnë të shkruajnë për arvanitët, origjinën arbërore të tyre, kontributet dhe personalitetet që ata i dhuruan Greqisë e më gjerë, të tillë qenë Kostandin Satha, Lambrinidhi, Ilia Ikonomopulos, Kostas Biris, Aristidh Kolas etj.

Dhe, në qoftë se Vehbiu do që për këtë popullsi dhe figurat e dala prej tyre, për këto pjesë të historisë tonë dhe të Greqisë të heshtim, apo “të mos ua marrim të tjerëve”, duhet të kuptojë se historia nuk zhbëhet. Historia nuk mund të ndalet së thëni të vërtetat e saj përtej kërcënimit dhe përpjekjeve për ta deformuar, falsifikuar, apo t’i mbyllin gojën. Arvanitët dhe historia e tyre është aq thellë, e ngjizur, dokumentuar dhe e paasgjësueshme sa edhe vetë historia dhe populli grek gjithashtu.

Historia as nuk merret dhe as nuk jepet, as huazohet dhe as tjetërsohet dot

Është e çuditshme, madje fyese, kur lexon nga autori të shkruhet se “ne nuk kemi nevojë pse të shkojmë dhe tu marrim heronj të tjerëve, siç veprojmë ndonjëherë me sensacionalizmat për origjinën shqiptare të këtij apo atij”!

Po e sqarojmë zotin Vebiu se asnjëherë nuk ka ndodhur dhe askush gjer më tani nuk na ka akuzuar se u kemi marrë të tjerëve vlera, heronj apo pjesë të historisë. Përkundrazi, të tjerët janë përpjekur e përpiqen që ne të heshtim për çështje me interes dhe të vërteta historike. Ka nga ata mjeranë, fatkeqësisht që ose shmangin pjesë dokumentare nga punime mbi materiale arkivore, ose bëjnë përzgjedhje selektive për të shmangur subjekte shqiptare të shkruara qartë mbi dokumentet arkivore … Por, për këto do të flasim një herë tjetër.

Shqetësimi i Vehbiut se ne shqiptarët “po u marrim heronjtë dhe bashkë me ta historinë grekëve”, duket se ka tjetër hall! Duket sikur ai do të mbyllim gojën për këto evente, të vërteta dhe realitete historike. Dhe sigurisht kjo logjikë duhet të na çonte drejt analogjisë se ne duhet të mbyllim gojën edhe për arbëreshët origjinën, historinë, kontributet dhe figurat e ndritura të tyre, sepse edhe ata janë një mërgatë po aq e hershme sa edhe arvanitët, madje një pjesë e arbreshëve i takojnë arvanitëve të riemigruar nga Greqia drejt Kalabrisë dhe Sicilisë. Kujtoni këngën:

Moj e bukura More
Ku të lashë
e më stë pashë

Janë arvanitët që i këndojnë Moresë (Peloponezit), ku ata kishin jetuar për disa dekada dhe nga ku riemigruan drejt Italisë pas pushtimit osman. Pra, mos vallë ne shqiptarët duhet të mbyllim gojën edhe për arbëreshët! Mos vallë ne shqiptarët duhet të heshtim edhe për personalitete të tjera të shquara që lindën nga radhët e emigrantëve të hershëm apo të vonë, arbërorë dhe shqiptarë që kontribuuan dhe kontribuojnë në lëmenj dhe fusha të ndryshme nëpër histori te popujt e tjerë.

Pra, mos vallë ne shqiptarët nuk duhet të flasim për mërgimtarë të hershëm, të mesjetës dhe kontributet e tyre të çmuara, për figura të tilla si Marin Barleti, Beçikemi, Mërkur Buan, Manol Blessin, Anastas Kullurjotin, Aleksandër Moisiun, De Radën, Vëllezërit Frashëri, dhe ata më të vonët, figura të ndritura të tillë si Françesko Altimari, Mateo Mandala, Tito Johalla etj.

Pra, ne shqiptarët duhet të mbyllim gojën për këtë pjesë të rëndësishme të historisë tonë, me fjalë të tjera t’ua dhurojmë atë historisë të popujve të tjerë. Pra, ne duhet t’i përbuzim dhe t’u mbyllim derën gjithë aradhes së ndritur të shqiptarëve që u larguan nëpër rrugët e historisë përtej atdheut amë! Pra, ne duhet të mos i njohim dhe as të vlerësojmë kontributet që ata dhanë në vendeve ku jetuan, në politike, kulturë, art, letërsi, gazetari, shkencë etj. Pra, ne duhet të braktisim folklorin dhe këngët e bukura arvanite dhe arbëreshe në gjuhën shqipe që ata na sollën dhe na sjellin?

Këto thirrje duhet t’i harrojë çdo lloj snobi, apo “moderni”, çdo takëm ultranacionalisti që s’ka të bëjë me formatin e qytetarit evropian apo qytetarinë e kulturuar grek.

Shqiptarët – komb i ri?!

Ajo që të habit edhe më, në rrjedhat e dy shkrimeve të Vehbiut është edhe pohimi i tij tërësisht i përmbysur historik mbi kombin shqiptar!!!

Ai shkruan:

Ne jemi një komb i ri në botë …!

Pa mëdyshje, ky pohim tërësisht i pasaktë, i pambështetur dhe i papranueshëm historikisht dhe antishkencor.

Mesa duket, autori ngatërron dy koncepte, nocione dhe institucione krejt të ndryshme të së drejtës ndërkombëtare – “Kombësinë” me “Shtetësinë”. Këtë pohim kanë tentuar ta sjellin në mënyrë të përsëritur vetëm rrethet ekstremiste nacionaliste serbe, duke u përpjekur të argumentojnë se shqiptarët janë të ardhur të vonë në trojet e veta, duke përfunduar se “shqiptarët janë një komb i vonuar, pra fare i ri në këto anë”.

Duhet të sqarojmë autorin e këtyre radhëve se: Shqiptarët janë një “shtet i ri”, por kurrsesi një “komb i ri”!

Me këtë rast sqarojmë se shqiptarët janë një komb i vjetër, madje sikundër kanë konfirmuar tanimë institucione serioze shkencore dhe personalitete të njohura të historiografisë, kërkimet, studimet dhe vlerësimet shkencore – shqiptarët janë ndër popujt më të vjetër në gadishullin ballkanik dhe autoktonë në trojet e tyre.

Duke filluar nga autorët antikë grekë, më pas tek ata bizantinë dhe më tej tek kronikat e arkivave latine, regjistrat kadastralë osmanë, gjetjet e arkeologjisë dhe gjer në studimet e institucioneve shkencore serioze evropiane e më gjerë, konfirmohet qartë dhe pa ekuivok lashtësia e kombit tonë në këto anë. Kjo është një çështje tanimë e ezauruar që nuk ka asnjë arsye të zgjatemi.

Pa dashur të shtjellojmë me hollësi vlerësimet teorike, duhet të sqarojmë se në nocionin “komb” pranohet përmbledhja e elementëve specifikë që formojnë profilin identitar, nacional të një popullsie, sikundër gjuha, kultura materiale, ajo shpirtërore, ritet e dasmave, ritet mortore, këngët, vajet, folklori, veshjet, traditat, terreni gjeografik ku ka jetuar dhe ndërtuar lëvizjet e tij shekullore, hapësira ku kanë krijuar dhe kanë identifikuar përkatësitë dhe profilet e tyre antropologjike në histori etj.

Të gjitha këto elementë të identitetit nacional, populli ynë i ka ngjizur nëpër shekuj, nga mugëtirat historike, duke zbritur nga ilirët, tek arbërit dhe gjer te shqiptarët e sotëm.

Emigrimet si një fenomen social – historik

Emigrantët dhe emigrimet gjenden në tërë rrugët e historisë së shoqërisë njerëzore nëpër shekuj. Ato kanë qenë dhe mbeten një fenomen human i pandalshëm. Arsye të shumta, ekonomike, politike, sociale, humane, halle, derte, ëndrra dhe shpresa për një jetë tjetër, më të mirë, më të sigurt etj., kanë shtyrë dhe do të vazhdojnë të shtyjnë lëvizje të shumta popujsh, familjesh dhe individësh të shkojnë në vende të njohura dhe të panjohura.

Dhe, sigurisht, të flasësh për emigrimet dhe emigrantët, për historinë e tyre, për kalvarin, hallet, për mbijetesën e tyre, për kontributet e tyre, veçse është një ndjenjë intrashendente e çdo bashkëkombasi të ndriçuar (sigurisht kjo varet nga ndjeshmëritë personale) që kujtohet, dhimbet për të afërmit e tyre, njerëzit e farës dhe të gjakut, pra pjesë e një dimensioni human, është edhe një detyrim institucional, shtetëror.

Pikërisht, për këtë qëllim, popujt dhe shtetet e tyre me kohë kanë ngritur në histori institucione të veçanta për tu kujdesur dhe interesuar për ta dhe të drejtat e mërgimtarëve dhe të pakicave që ata formojnë qoftë ato nacionale, kulturore apo gjuhësore. Që prej mesjetës, në normat e institutit të së drejtës ndërkombëtare publike parashikonin detyrime ligjore me këtë objekt. Një sërë traktatesh ndërkombëtare, marrëveshje dypalëshe dhe shumëpalëshe, konsullata diplomatike ngarkojnë me detyrime konkrete ligjore shtetet dhe organizatat ndërkombëtare për të ndjekur, monitoruar, mbështetur minoritetet etnike, minoritetet kulturore dhe ato gjuhësore, kudo ku ato ndodhen.

Por, duket se ka ende rrethe dhe individë që trishtohen kur ne pohojmë ekzistencën e emigrimeve shqiptare, historinë dhe shkaqet e emigrimeve, figurat që lindi dhe lanë gjurmë në historinë e popujve ku ata u ngulën.

Jo vetëm kaq, por reagimi i tyre, ndaj këtij qëndrimi të tij nihilist, është aq agresiv sa kalohet edhe në kufijtë e fyerjes publike!

Ma siete pazzi! – lëndon folësit ai.

Është vërtet një akt i pakujdesshëm, madje do të thosha cinik, t’u drejtohesh kështu duke lënë mënjanë etikën e domosdoshme gazetareske dhe njerëzore, bashkatdhetarëve.

Sigurisht, hulumtimi, identifikimi dhe vlerësimi i tërë figurave kontributore historike shqiptare, brenda apo jashtë kufijve të vendit tonë, lëvizjet, migrimet dhe emigrimet, ngulmimet dhe itineraret e tyre në histori nuk janë shfaqe të interesimit nacionalist, kurrsesi! Shihni enciklopeditë më në zë të botës, si ato britanike, franceze, italiane, amerikane etj., në zërat e popujve, personaliteteve që ato përshkruajnë, vështirë se do të gjesh syresh rreth të cilit nuk flitet apo hulumtohet për origjinën (kombësinë) e tij.

Dhe ta bësh të njëjtën gjë për historinë e popullit tënd nuk është mëkat. Përkundrazi, është një detyrim, madje ekzistencial.

Nëse do të lexosh studimet historike të fqinjëve, vepra dedikuar ngjarjeve dhe personaliteteve që lanë gjurmë në biografinë e popujve të atyre anëve, nuk do të gjesh një syresh për të cilin nuk kërkohet dhe ngulmohet me pasion shkencor për të gjetur dhe evidentuar origjinën nacionale të tyre. Madje, kjo bëhet me shumë insistim, këmbëngulje dhe me aparate njerëzore shumë më të sofistikuar dhe më të mëdha në numër sesa ne.

Për fat të keq, mes tyre, ne ndeshim edhe studiues me profil shkencor, që në punimet e kryera bëjnë përpjekje për të tjetërsuar kombësinë e mjaft figurave të njohura qartësisht si shqiptarë apo arbërore, si ilirë etj.

Sigurisht, këtë nuk e kemi bërë dhe nuk do ta bëjmë kurrë, por ta ketë të jetë e qartë se nuk do të na ndalë askush të hulumtojmë dhe të prezantojmë publikisht, përmes një analize dhe aparati tërësisht shkencor, të vërtetat tona historike?

Konventat ndërkombëtare dhe vlerat historike të pakicave

Sa për interesimin e disa individëve, që u shqetësuan për referencat historike të kryeministrit shqiptar, gjatë takimit me emigrantët shqiptarë në Athinë, do të duhet të themi vetëm dy fjalë: Është e drejta e patjetërsueshme e kryeministrit shqiptar, si çdo kryeministri tjetër, për t’u takuar, interesuar dhe angazhuar në mbrojtjen e emigrantëve të atdheut të tij; është një e drejtë dhe detyrim ligjor që garantohet dhe mbështet në ligjet dhe normat e së drejtës ndërkombëtare.

Një shoqëri pluraliste dhe vërtet demokratike duhet jo vetëm që të respektojë identitetin etnik, por edhe identitetin kulturor, atë gjuhësor dhe fetar, të çdo personi që i përket një pakice kombëtare … duhet të respektojnë parimet që ruajnë dhe mbrojnë trashëgiminë e përbashkët historike, kulturore, gjuhësore etj… – nënvizon Konventa “për mbrojtjen e pakicave kombëtare” e marsit të vitit 2003, konventë që e ka ratifikuar edhe vendi ynë në vitin 2017.

Një numër tjetër konventash dhe deklaratash të shpallura nga Kombet e Bashkuara, Konventa mbi të Drejtat Civile dhe Politike (Neni 27), Deklarata mbi të Drejtat e Personave që iu përkasin Pakicave Kombëtare apo Etnike, Fetare dhe Gjuhësore, rregullojnë dhe detyrojnë shtetet nënshkrues të këtyre akteve të interesohen në respektimin e të gjitha të drejtave që parashikohen në këto dokumente ligjorë.

Në vend të mbylljes: për ata që përjetojnë botën ideale të paqes së përhershme

Meqë Vehbiu nuk ndalet të japë rekomandime vetëm në çështjet e historiografisë shqiptare, por edhe për marrëdhëniet e Shqipërisë me fqinjët, madje është i shqetësuar se ka dalluar te politika shqiptare individë që “i ka kapluar etnocentrizmi turbologjik dhe kalojmë kohën duke sharë … duke identifikuar agjentët e paguar … ndërkohë që jemi dorëzuar përuljes ndaj të huajës dhe të huajit madje duke vënë këta të fundit si arbitër të konflikteve tona të brendshme”, do të na duhet, në mbyllje, të sqarojmë dy çështje të thjeshta me të.

Për kë e ka fjalën ”e huaja” dhe “i huaji”, Vehbiu?!

Sigurisht, edhe lexuesi më i thjeshtë nuk e ka të vështirë të identifikojë mesazhet e tij që flasin për diplomate dhe diplomatë të huaj, partnerët tanë, të akredituar në vendin tonë.

Dhe, nëse Vehbiu shqetësohet për praninë, ndërmjetësimet, këshillat dhe vlerësimet të atyre që ai i quan “arbitrat e huaj”, do të duhet të vlerësojmë se Shqipëria nuk është më një ishull i izoluar, që të flakë tej çdo partner, konsultë apo sugjerim të ofruar prej tyre. Bota e globalizuar sot i ka lidhur aq fort popujt dhe shtetet, në aleanca dhe detyrime reciproke, sa askush dhe askund nuk mund të gjemë shtete nën sovranitet ideal, në konceptin dhe mendësinë prudontjane. Kjo nuk ndodh vetëm me shtetet e vogla, por edhe fuqitë e mëdha të globit.

E thënë me shkoqur: Po! Sigurisht duhet t’i vëmë dhe të pranojmë edhe “arbitra” (por jo në kuptimin fyes sikundër përdoret kjo fjalë për ta) dhe sigurisht do tu marrim mend dhe do të këshillohemi, sepse jemi pjesë integrale e një Evrope të Bashkuar dhe të interesuar për t’u mbështetur në aleatë strategjik, i pëlqen dikujt apo nuk i pëlqen!

Shqiptarët, por edhe përtej tyre, nuk jetojmë në një botë ideale, ku gjithçka lëviz nën butësinë dhe paqen e veludhit.

Nuk jemi as banorë të anëve gjeografike që prej shekujsh nuk panë luftëra dhe nuk janë kërcënuar ndonjëherë, sikundër vendet e largësive gjeografike dhe netët e tyre të bukura polare. E, megjithatë, shohim së fundi se edhe popujt veriorë të Evropës shpejtuan të anëtarësohen në aleancën më të fuqishme ushtarake, në NATO. Mos vallë edhe këta popuj kaq larg vatrave të luftës shohin me sy hapur ëndra konspirative.

Mos vallë luftërat në Ukrainë, në Rripin e Gazës, në Siri, e gjetkë janë edhe këto teori të këtij lloji?

Mos vallë mobilizimi i tërë Evropës përballë kërcënimeve të fuqisë ushtarake ruse është një skenë teatri absurd, irreal apo komedi?

Mos vallë përpjekjet insistuese të Kongresit amerikan për mbështetjen financiare në miliarda dollarë të Ukrainës janë propagandë?

Le të kujtojmë qetësisht ne shqiptarët se në dekadat jo të largëta të shekullit të kalua, por dhe në fillimet e këtij shekulli, jemi përfshirë në luftëra të përgjakshme. Le të kujtojmë se Ballkani ende nuk është një vatër e qetësisë dhe paqes së sigurt. Te të kujtojmë thirrjet luftënxitëse të ditëve të fundit të ministrit serb Vulin kur deklaronte: “Herën tjetër që qeveria e Greqisë të mendojë për njohjen e të ashtuquajturën Kosovë, le të kujtojë se si duket pritja e Edi Ramës në Athinë. Atë që Edi Rama nuk mundi ta përjetonte në Tiranë, e përjetoi në Athinë … Shqipëria mund të ndalet vetëm nga serbët dhe bota serbe, por edhe nga ju grekë të dashur, grekët tanë. Ju lutem mendoni për këtë”! /Gazeta “Dita”/

Në trend Kultura

Më shumë
Kryerja e haxhit nga shqiptarët e Kosovës gjatë periudhës osmane

Kryerja e haxhit nga shqiptarët e Kosovës gjatë periudhës osmane

Kulture
Kompleksi i Prometeut

Kompleksi i Prometeut

Kulture
Harta e shteteve të Evropës, gjatë 2400 vjetëve

Harta e shteteve të Evropës, gjatë 2400 vjetëve

“T’A DIJË SHQYPNIJA PRÁ, E SHEKLLI MBARË, SE MÂ MBAS SODIT UN S’JAM SHQYPTÁR”

“T’A DIJË SHQYPNIJA PRÁ, E SHEKLLI MBARË, SE MÂ MBAS SODIT UN S’JAM SHQYPTÁR”

E DIEL

E DIEL

FJALË DASHURIE

FJALË DASHURIE

Kalo në kategori