Për herë të parë në historinë e Forcave Ajrore Turke, një grua merr gradën e gjeneralit

Një ngjarje historike ka ndodhur në Forcat e Armatosura të Turqisë. Me ngritjen në detyrë të koloneles Ozlem Karapinar në gradën e gjeneral brigade, një grua ka arritur për herë të parë në histori gradën e gjeneralit në Forcat Ajrore Turke.
Mbledhja e Këshillit të Lartë Ushtarak, e kryesuar nga presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, zgjati 2 orë e 20 minuta. Gjatë takimit u diskutuan promovimet në detyrë dhe vendimet për pensionimin brenda Forcave të Armatosura Turke.
Një nga vendimet e marra në këtë takim lidhej pikërisht me Karapinarin.
Ozlem Karapinar është oficere në Forcat Ajrore Turke. Gjatë karrierës së saj ajo ka mbajtur poste të ndryshme, ndërsa tani është ngritur nga grada e koloneles në atë të gjeneral brigades, duke u bërë gruaja e parë gjenerale në historinë e aviacionit ushtarak turk
Në kuadër të këtyre ndryshimeve, komandanti i Forcave Ajrore Turke, gjenerali Ziya Cemal Kadıoglu, ka dalë në pension.
Detajet rreth karrierës ushtarake të Karapinarit nuk janë bërë të ditura gjerësisht për publikun, por ajo njihet për detyrat dhe arritjet e saj të spikatura, veçanërisht në fushën e aviacionit.
Pas këtij promovimi, Karapinar do të thirret me titullin “pasha”.
Në Forcat e Armatosura Turke, termi “pasha” përdoret tradicionalisht si formë adresimi për komandantët me gradë gjenerali ose admirali. Grada e gjeneral brigades është shkalla e parë në hierarkinë e gjeneralëve. /Telegrafi/










































