Kurti pas takimit me Abdixhikun: Nuk kemi marrëveshje politike me LDK-në

Kryeministri në detyrë dhe njëherësh kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka deklaruar se takimi me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka kaluar në frymë konstruktive, por pa prodhuar marrëveshje politike.
Pas më shumë se tri orë diskutimesh në Kuvend, Kurti tha se me drejtuesit e LDK-së kanë diskutuar për situatën politike e institucionale në vend, sfidat me të cilat përballet Kosova dhe mundësitë për bashkëpunim.
“Diskutuam shumë çështje të aktualitetit politik, të situatës institucionale dhe të sfidave që na presin. Ndajmë shumë brenga, por njëkohësisht ka edhe shumë vullnet e zell për të punuar bashkë në të ardhmen”, u shpreh Kurti.
Ai tha se takimet ndërmjet partive politike duhet të jenë pjesë normale e komunikimit politik dhe të shërbejnë për gjetjen e zgjidhjeve, pavarësisht dallimeve ndërmjet tyre.
Megjithatë, Kurti konfirmoi se me LDK-në nuk është arritur marrëveshje.
“Lajm do të ishte po të kishim marrëveshje. Marrëveshje politike nuk kemi. Kemi diskutuar për qasje të ndryshme dhe mundësitë që i kemi përpara. Kemi nevojë për një marrëveshje politike që respekton rezultatin zgjedhor dhe e shndërron atë në stabilitet institucional”, deklaroi ai.
Kryeministri në detyrë paralajmëroi se në mungesë të një marrëveshjeje politike, vendi mund të përballet me zgjedhje të reja, ndonëse tha se një skenar i tillë nuk është i dëshirueshëm.
Kurti foli edhe për zgjedhjen e presidentit të Kosovës, duke bërë të ditur se gjatë takimit me LDK-në nuk janë diskutuar emra konkretë.
Sipas tij, synimi është që për këtë pozitë të gjendet një kandidat gjithëpërfshirës, i cili do të ishte jashtë polemikave partiake dhe do të gëzonte mbështetje të gjerë në Kuvend.
Ndërkohë, Kurti foli edhe për komunikimin me partitë e tjera. Ai kritikoi kryetarin e AAK-së, Ardian Gjini, duke thënë se, pavarësisht gatishmërisë së tij për takim, një takim i tillë nuk është realizuar.
Kurti shtoi se mbetet i gatshëm të takohet edhe me kryetarin e PDK-së, Bedri Hamza, për të diskutuar mënyrat për tejkalimin e situatës politike. /Telegrafi/











































