Vërshimi i teksteve të gjeneruara nga IA-ja në Amazon duhet ta shqetësojë këdo që e vlerëson fjalën e shkruar.

Nga: Sean Thomas / the Telegraph
Përkthimi: Telegrafi.com


Fillimisht, një histori e vërtetë, e shkruar nga unë. Si i ri, në të njëzetat e mia, isha mjaft i krisur të botoja një roman. Mbase kam marrë njëzet refuzime. Në fillim të të tridhjetave, më në fund arrita të kisha një kontratë, por nuk shkoi gjithçka sipas planit.

Si çdo autor i ri, disi prisja që botës t’i binte të fikët nga admirimi për veprën time debutuese. Në realitet? Mora katër recensione, tri të vakëta, një të tmerrshme; përndryshe u përballa me heshtje të plotë.

Gjërat u përkeqësuan. Disa muaj më vonë, mora çekun tim të parë të honorarëve. Ky duhej të kishte qenë një çast i artë, një lloj shpengimi, por çeku ishte me zero paund e zero peni. Fjalë për fjalë: zero. Mendoj se kompjuteri i kompanisë nuk mund ta besonte se një shkrimtar mund të mos shiste asnjë kopje, prandaj më dërgoi gjithsesi një çek: për asgjë.

Ishte, për të thënë të paktën, një çast i hidhur, ndonëse i përshkuar nga tragjikomikja. Qesha me veten dhe e hodha çekun në kosh. Dhe, për fat të mirë, më vonë vazhdova të kisha bestsellerë numër një e kështu me radhë.

Por, ja ku vjen kthesa. Këto ditë nuk do të më duhej të kaloja nëpër të gjitha këto - shkrimin, refuzimet, kritikat dhe dështimet - dhe pyes veten nëse, në të ardhmen, dikush tjetër do të marrë mundimin. Pse? Sepse sot IA-ja [inteligjenca artificiale] do ta bëjë botimin për ju brenda pak orësh, pa shtruar asnjë pyetje. Për më tepër, ajo do ta bëjë gjithnjë e më shumë edhe shkrimin. Dhe, në një zhvillim aq surreal dhe aq ironik, sa do ta zbukuronte një roman shumë më mirë se romani im i parë, IA-të do ta bëjnë edhe leximin.

Tingëllon si çmenduri, por është krejtësisht e vërtetë.

Le të shqyrtojmë, së pari, botimin. Kushdo në botë që ka një llogari bankare mund të ngarkojë një dorëshkrim në Kindle Direct PublishingAmazon-it - falas, pa bërë asnjë pyetje - dhe libri zakonisht del në shitje në mbarë botën brenda 72 orësh. Për vite me radhë kjo nxori vazhdimisht rreth 100 mijë libra të rinj elektronikë në muaj. Pastaj, në nëntor 2022, u lansua ChatGPT-ja dhe shifrat shpërthyen.

Nga fundi i vitit 2025, Amazon-i po pranonte më shumë se 300 mijë tituj të rinj në muaj dhe, në janar të këtij viti, Imke Reimers dhe Joel Waldfogel, dy ekonomistë amerikanë, përdorën një program për zbulimin e IA-së mbi një kampion jashtëzakonisht të madh prej tyre. Tani vlerësohet se tekstet e shkruara nga makina përbëjnë më shumë se gjysmën e të gjithë librave të rinj që shfaqen në Amazon - në librarinë më të madhe në historinë e njerëzimit.

Shkallën e problemit mund ta kuptoni nga fakti se Amazon-i ka vendosur një rregull që ua ndalon “autorëve” të botojnë më shumë se 10 libra në javë, gjë që vërtet do të kishte prerë hovin e James Joyceit.

Pra, kush i shkruan këto tekste? Gjithnjë e më shumë - askush. Në Kejptaun, një producente romanesh romantike, e cila e quan veten Coral Hart, së fundmi “shkroi” një roman gjatë një bisede prej 45 minutash me video me një gazetare - Hart dha skicën, makina dha prozën. Ajo botoi më shumë se 200 libra të tillë gjatë vitit 2025, nën 21 pseudonime, duke shitur rreth 50 mijë kopje për një të ardhur me gjashtë shifra.

Ndërkohë në Merilend, Bill Johns, një pensionist i mërzitur 70-vjeçar, të cilin e zbuloi Kashmir Hill - gazetare e The New York Times-it - shpenzoi 20 dollarë për ChatGPT-në dhe, që atëherë, ka botuar 445 libra për hakerë, ura, pije alkoolike dhe Gjirin Çesapik, duke fituar atë që ai me hare e quan “para për të pirë në bar” (edhe pse bëhet fjalë për një shumë të konsiderueshme).

Metoda që ai përdor mësohet në mijëra udhëzime në TikTok: jepini njërit prej çetbotëve më të mirë - si Claude AI - skicën e kapitujve dhe përsëriteni derisa të përfundojë. Pastaj krijoni një kopertinë me një gjenerues imazhesh, si Midjourney, ngarkojeni me një klikim, caktojani çmimin 2,99 paundë dhe mblidheni honorarin tuaj prej 70 përqind. Kjo mund të bëhet mes mëngjesit dhe drekës.

Zhvillimi më i fundit fare, nga ana e shkrimit, janë botët që shkruajnë libra pothuajse pa asnjë ndërhyrje njerëzore. Një nga zhanret e tyre të parapëlqyera është “biografia e një personazhi të famshëm të dorës së dytë” - domethënë, shkrimi i historive të njerëzve me njëfarë fame, subjekte që gjenerojnë mjaftueshëm kërkime në internet sa t'ia vlejë të hulumtohen, por që nuk kanë një departament të fuqishëm ligjor për të kundërshtuar.

Shembull është Rory Cellan-Jones, ish-korrespondent i BBC-së për teknologjinë. Ai e gjeti në internet një biografi të sajuar për veten, një libër për ekzistencën e të cilit nuk kishte aspak dijeni. Pastaj, Amazon-i ia rekomandoi atij atë libër.

Dan Rather, gazetari amerikan i dalë në pension, u bekua gjithashtu me një biografi të shkruar nga një bot; i emocionuar, ai hyri në Facebook për ta promovuar. Rasti më fyes ishte kur autori dhe redaktori i The New York Times-it, Joseph Lelyveld, vdiq në vitin 2024, dhe u shfaqën insta-biografi të tij - njëra me titullin Përtej nënshkrimit: Zbërthimi i zemrës së Xhozef Leliveldit: Njeriu që e tymosi rrugën e tij nëpër histori. Lelyveldi nuk ishte një duhanpirës i njohur.

Gjërat bëhen edhe më të çmendura.

Kur Charlie Kirk u vra shtatorin e kaluar, librat për vrasjen u shfaqën brenda pak orësh; njëri premtonte hollësi për arrestimin e autorit të të shtënave - përpara se të ishte bërë ndonjë arrestim. Gjithçka ndodhi aq shpejt, saqë lexuesit dyshuan për komplot.

Këtu, në Britani, IA-ja ka prodhuar biografi të rreme e qesharake të politikanëve skocezë. Njëra u thoshte seriozisht lexuesve se John Swinney kishte lindur në Ohajo nga një nënë polake e quajtur Kazimiera; një tjetër shpjegonte se nëna e Nicola Sturgeonit kishte punuar si “rrjepëse lëkurash aty pranë” (IA-ja mund të krijojë prozë të çoroditur, në mënyrë pothuajse të këndshme).

Edhe më keq, librat e shkruar nga IA-ja mund të jenë krejtësisht të rrezikshëm. Gjatë pandemisë, mbledhja e kërpudhave u bë papritur popullore. Me kalimin e kohës, makinat e vunë re këtë dhe filluan të nxirrnin pa pushim udhëzues për mbledhjen e tyre - plot me gabime dhe lajthitje. Njëri këshillonte se një mënyrë e mirë për t'i dalluar kërpudhat e egra ishte t'i shijoje.

Dhe, këtu arrijmë te pjesa vërtet marramendëse: këta libra të rremë, gjithnjë e më shumë nuk kanë nevojë për lexues, sepse makinat i sigurojnë edhe ata. Pse? Dhe, si? Sepse Kindle Unlimited (shërbimi i abonimit të Amazon-it për libra elektronikë, që ju lejon të “huazoni” një numër të caktuar titujsh të përzgjedhur) i paguan autorët e tij gjoja njerëzorë nga një fond fiks mujor, sipas “faqeve të lexuara” - aktualisht pak më pak se gjysmë centi për faqe.

Kjo ka sjellë krijimin e “fermave të klikimeve” me lexues artificialë: sasi pajisjesh me llogari fantazmë të Amazon-it që “lexojnë” duke kthyer faqet me një shpejtësi çnjerëzore, duke zbrazur fondin e parave të destinuar për autorët prej mishi e gjaku.

Karakteri joreal i gjithë kësaj ia vlen të përsëritet. Askush nuk i shkruan këta libra. Askush nuk i lexon. Në asnjë çast teksti nuk kalon para syve të gjallë dhe, edhe nëse arrin ndonjëherë te mendja e një njeriu, ai njeri nuk do ta dijë nëse ndonjë njeri është ulur ndonjëherë për t'i shtypur fjalët që ai po lexon.

Mund ta shihni se ku po shkon kjo, dhe nuk është pamje e bukur. Një ditë më parë provova t'i kërkoja IA-së të shkruante një libër brenda një dite. Dhe, po, e bëri këtë pa asnjë vështirësi. Ashtu siç e prisja. Por, ajo që më shqetësoi ishte kjo: libri ishte, në fakt, goxha i mirë. Jo Doreza-22, jo Mjellmat e egre, jo Binjakët e akullit nga S. K. Tremayne, por ndoshta më i mirë se romani im i parë.

Me fjalë të tjera, autorët robotë po përmirësohen çdo ditë, dhe po vijnë për shkrimtarët e për lexuesit, dhe unë parashikoj se, në fund, ata do ta dominojnë pothuajse plotësisht letërsinë. Ata do të shkruajnë romane po aq të mira sa Uliksi; pastaj do të shkruajnë romane aq të mira saqë shumica e njerëzve nuk do ta kuptojnë se sa të mira janë (si Uliksin).

Ata do të bëjnë gjithashtu pjesën më të madhe të gazetarisë, biografisë, historisë, kërkimit shkencor - çfarëdo - sepse, do të jenë më të shpejtë, më të lirë, më zbavitës, më të zgjuar. Ajo që ndoshta do të mbijetojë është proza të cilën asnjë robot nuk mund ta shkruajë. Kujtime të vërteta, reportazhe nga zonat e luftës, gazetaria e udhëtimit. Gjëra të veçanta.

Ndoshta do të ketë një treg të vogël e të shtrenjtë për letërsi artistike me garancinë se është shkruar prej njerëzve - njësoj siç blejmë ndonjëherë qeramikë artizanale të punuar me dorë, por pjesën më të madhe të enëve tona e blejmë në Ikea. Të prodhuara nga makinat.

E gjithë kjo është disi melankolike - nëse i doni librat, shkrimin dhe gjithë këto. Nga ana tjetër, të rinjtë disi të vetëkënaqur, të cilët e marrin veten shumë seriozisht, në të ardhmen do t'i shpëtojnë poshtërimit të plotë të marrjes së çeqeve të honorarëve me zero paundë e zero peni. /Telegrafi/