LAJMI I FUNDIT:

Një lojë e rrezikshme shahu: Putinin e ndal NATO, Kina ose populli rus

Një lojë e rrezikshme shahu: Putinin e ndal NATO, Kina ose populli rus
Ilustrim

Në librin tim Fati i një shekulli, botuar në vitin 2010, kam shkruar se “politika e Moskës mund të marrë kthesa, të cilat është vështirë të parashikohen”. Kjo, me aneksimin e Krimesë në vitin 2014 dhe me ngjarjet e fundit në Ukrainë u provua përfundimisht.

* * *


Putini është në krye të Kremlinit tash e 22 vjet. Do të jetë president i Rusisë deri ne vitin 2024 dhe, nëse vendos të rizgjidhet edhe për gjashtë vite të tjerë, do të mbahet mend si sunduesi rus më jetëgjatë në pushtet (30 vjet, po aq sa Stalini) qysh nga fillimi i shekullit XX deri më sot dhe si i vetmi sundimtar i Rusisë në 30 vitet e parë të shekullit XXI. Brezhnjevi sundoi në krye të Kremlimit për 18 vjet. Të vetmit individë të cilët gjatë 430 viteve të fundit e kanë sunduar Rusinë në mënyrë despotike për një kohë më të gjatë se sa Stalini dhe Putini janë pesë carë:  Ivani i Tmerrshëm (50 vjet), Pjetri III (43 vjet), Pjetri i Madh (42 vjet), Katerina e Madhe (34 vjet) dhe Mikhail I Romanov (32 vjet).

Putini u bë president i Rusisë në të njëjtën kohë që George W. Bush u zgjodh president i Shteteve të Bashkuara dhe, që nga ajo kohë, ka “bashkëjetuar: me katër presidentë amerikanë (Bush tetë vjet, Obama tetë vjet, Trump katër vjet dhe Biden më shumë se një vit). Ai ka “bashkëjetuar” gjithashtu me pesë kryeministra britanikë (Blair shtatë vjet, Brown tre vjet, Camerun gjashtë vjet, May tre vjet dhe Johnson tre vjet), me tre kancelarë të Gjermanisë (Schroder tre vjet, Merkel gjashtëmbëdhjetë vjet dhe Scholz dy muaj), me katër presidentë francezë (Chirac shtatë vjet, Sarkozy pesë vjet, Hollande pesë vjet dhe Macron pesë vjet), me tre presidentë kineze (Jiang Zemin tre vjet, Hu Jintao dhjetë vjet dhe Xi Jinping nëntë vjet).

Përveç presidentëve kinezë, Putinin s’e ka trembur dhe duket se nuk e tremb asnjë lider tjetër. Të tjerët, liderë të zgjedhur demokratikisht, Putini, një autokrat, i sheh si të përkohshëm, që vijnë dhe ikin nga skena e politikës botërore, ose si figura që bien njëra pas tjetrës në fushën e shahut, në një lojë strategjike që ai, për hir të së vërtetës, deri më sot, ka ditur se si ta fitojë, ose nga e cila ka ditur se si të mos dalë i humbur

* * *

Atë që Vladimir Putin bëri në Gjeorgji në gusht të vitit 2008 (duke i hequr këtij vendi kontrollin mbi një pjesë të territorit të Abkhazias dhe të Osetisë Jugore), në Ukrainë në shkurt-mars 2014 duke i marrë asaj Krimenë të cilën ia aneksoi Rusisë, dhe ajo çfarë po bën aktualisht pas njohjes  së pavarësisë së rajoneve separatiste të Ukrainës (Donetsk dhe Luhansk), duke i pushtuar ato (për t’ia aneksuar më vonë Rusisë) dhe me agresionin kundër Ukrainës mund të shpjegohet në mënyrë metaforike me një lojë shahu.

Në njërën anë të fushës së shahut janë vendosur NATO, BE dhe vendet e tjerë që e kundërshtojnë politikën e Moskës ndaj Ukrainës; në anën tjetër është ai, cari i ri autokrat i Rusisë. Ky i fundit po luan “shah” me Perëndimin dhe, sado që nuk na pëlqen, duhet pranuar se është një “shahist” shumë i mirë; ai luan efektivisht për të arritur synimet e veta.

Deri më sot, ai ka lëvizur disa figura në fushën e shahut duke pritur reagimin e kundërshtarëve të vet, të cilët luajnë kolektivisht me të. Kjo, pra loja kolektive, sado që mundëson konsultimin me njëri-tjetrin dhe përpjekje të përbashkët për të fituar “lojën”, e bën më të vështirë marrjen e vendimit se ç’lëvizje duhet bërë përballë kundërshtarit të tyre, i cili luan i vetëm dhe, ipso facto, e ka më të lehtë të vendosë se si ta vijojë lojën me kundërshtarët e tij të pavendosur. Pas çdo lëvizjeje të Putinit, siç është provuar deri më sot, Perëndimi bie në agoni dhe pret me ankth lëvizjen e tij të radhës, duke mos mundur t’ia lexojnë mendjen dhe planet e tij për lëvizjen e bërë dhe ato që eventualisht mund të vijnë më pas.

Lëvizja që Putini bëri me Gjeorgjinë në këtë lojë 20-vjeçare shahu me Perëndimin e bëri atë të kuptojë se ka përballë kundërshtarë te dobët, që i tremben lojës së tij. Në Krime i mori Ukrainës dhe Perëndimit një figurë të rëndësishme në këtë lojë shahu për pushtet. Perëndimi u kap në befasi nga ajo lëvizje dhe nuk ishte në gjendje të reagonte. Edhe nëse reagoi, reagimi ishte i dobët, i pavendosur. Perëndimi e pranoi humbjen e Krimesë dhe përsëri vazhdoi e vazhdon të presë në pasiguri dhe me frikë lëvizjen e radhës që mund të bëjë cari rus. Qëndrimi i butë dhe i trembur Perëndimit ndaj presidentit rus sot i ngjan qëndrimit disfatist të kryeministrit britanik Neville Chamberlain në vitet 1930 që i praprinë pushtimit nazist te Evropës.

* * *

Sot është koha kur NATO, e bashkuar dhe nën lidershipin e pazëvendësueshëm të Shteteve të Bashkuara, duhet të tregohet e vendosur për ta detyruar me çdo kusht e në çdo mënyrë presidentin rus ta ndalë agresionin ndaj Ukrainës.

Në këtë botë të trazuar në të cilën jetojmë, të vetmet forca që mund ta ndalojnë Putinin në aventurën e tij, janë NATO, Kina dhe vetë populli i Rusisë.

NATO duhet të provojë sot se është po ajo organizatë e fuqishme politiko-ushtarake, e cila, për 40 vjet me radhë, evitoi çdo luftë në një Evropë më pak të zhvilluar e të bashkuar se kjo e sotmja dhe përballë një perandorie sovjetike shumë më të fortë se sa Rusia e sotme.

Kina, gjithashtu, është një aktor shumë i rëndësishëm në këtë tabelë shahu dhe, nëse vendos të hyjë në lojë, ajo, ndoshta më shumë edhe se NATO, ka në dorë që t’i thotë Rusisë “ndal”.

Edhe pse, sidomos pas krijimit të Paktit të Shanghait (në vitin 2001), një aleancë anti-NATO e krijuar si një Traktat i Varshavës 2, apo si një akt i miqësisë së tyre  kundër Amerikës, Moska dhe Pekini kanë synuar t’i japin fund hegjemonisë globale amerikane për të mundësuar krijimin e një bote shumëpolare, në të cilën Rusia dhe Kina të ishin fuqi të barabarta me Shtetet e Bashkuara, romanca mes tyre nuk motivohet nga synime për një bashkëpunim serioz, të sinqertë e të qëndrueshëm.

Rusia dhe Kina nuk janë në pozita të barabarta. Kina është në ngritje, Rusia është në rënie. Si Moska, ashtu dhe Pekini e dinë fare mire këtë. Rusët janë të shqetësuar se, në këtë aleancë me Kinën – së cilës ata nuk kanë shumë se çfarë t’i ofrojnë, përveçse naftë dhe gaz – ata mund të përfundojnë në rolin e një “junior partneri” në shërbim të partnerit kryesor. Siç vinte në dukje Bzhezinski, “një aleancë me Kinën vetëm se do ta nënshtronte Rusinë ndaj Kinës, pa i zgjidhur aspak problemet e veta”.

Partneriteti mes Rusinë dhe Kinës është një “martesë” konveniente dhe, realisht, Putini i trembet me shumë zemërimit të Pekinit sesa zemërimit të Uashingtonit dhe të Brukselit. Nëse Kina për interesat e saj i thotë kreut të Kremlinit thotë “enough is enough”, Putini do te jetë i detyruar ta dëgjojë. Perëndimi duhet të përpiqet që, në një konflikt si ky, Kinën ta ketë në anën e tij, jo kundër tij dhe me Rusinë. Kjo nuk është e pamundur.

Kjo kohë e rrezikshme për globin tonë kërkon liderë botërorë prudentë e të guximshëm, si Roosevelt, Churchill dhe Truman, jo si Chamberlain. Historia dëshmon se liderë të tillë shfaqen në skenë pikërisht në momente rreziku të madh. /Gazeta “Dita”/