LAJMI I FUNDIT:

Ngjitja e butë e Isa Mustafës

Njeriu që u konsiderua nje personalitet i pakontestueshëm në radhët e Lidhjes Demokratike, për shkak të fitores së thellë dy herë radhazi në Prishtinë, tashmë duket se ka filluar ngjitjen e butë drejt kreut të partisë, që dikur bënte histori. Profesori i ekonomisë Isa Mustafa, ka nisur të bëjë hapat e parë drejt karrikes më të rëndësishme të LDK-së edhe pse asnjë fjalë për këtë nuk ka thënë deri tani.

Një deklaratë për lirinë e shprehjes e cila në Kosovë, jo vetëm sipas tij, ka probleme të mëdha, duke aluduar mbi të gjitha tek mediat, angazhimi në raundin e dytë të fushatës elektorale, përkrah kandidatëve të tjerë të LDK-së që synojnë postin e kryetarit, dhe më e rëndësishme deklaratat e tij kundër koalicionit në nivel qendror, vetevetiu i japin profilin e një lideri të nivelit qëndror.


E mbetur pa një lider karizmatik, që pas shuarjes së Ibrahim Rugovës, Lidhja Demokratike pësoi disfata të rëndësishme, që jo vetëm i morën primatin në skenën politike, por i lanë edhe një njollë të keqe në imazhin e saj. Rrahjet me karrike në Kuvendin e VI ku do të duhej të zgjidhej kryetari i partisë, çoi në një ndarje fatale për të. Nexhat Daci, një nga figurat qendrore të partisë zgjodhi të dalë në shtëpi të vet duke i marrë jo pak por dhjetë përqind të elektoratit.

Figura të tjera të rëndësishme, që në të gjallë të Rugovës i kishin ikur partisë. Intelektualja Edita Tahiri, Edi Shkukriu apo rrjedhjet e tjera të mëdha si pasojë e luftës së brendshme, e kishin dobësuar këtë parti prej kohësh. Kryetari i ngrirë i saj, Presidenti Sejdiu që prej fillimit nuk ka treguar lidership. Hyrja në koalicion më PDK-në duket se është mëkati i tij fillestar, mëkat të cilin Isa Mustafa duket se nuk e duron dot. E shprehu disa herë gjatë fushatës elektorale këtë, dhe po e artikulon edhe tani.

Fushata negative që u zhvillua në Prishtinë kundër tij, do të kishte qenë në rregull sikur LDK të mos ishte në koalicion me PDK-në. Dhe Mustafa ka pasur plotësisht të drejtë të zemërohej. Për ta kuptuar më mirë këtë mjafton të kujtojmë zemërimin e Thaçit, kur nga Zanzibari shpalli “gjysëm – autonominë” nga LDK për shkak se kjo e fundit kishte bërë koalicion në Prizren me armikun e saj, AAK.

Por koalicioni vazhdoi dhe Zanzibari duket se do të jetë pjesë e favorizuar e agjendës së Isa Mustafës sapo të marrë kreun e LDK-së.

Deklarata e tij në Gjilan se ata nuk do të kënaqen pse do të fitojnë atë komunë por pse do ta mundin Partinë Demokratike është një orientim i qartë i busullës së tij politike. Ai është kundër këtij koalicioni dhe ngjitja e tij në krye të partisë do të thoshte edhe fund i koalicionit. Mirëpo deri atëherë ka ende shumë punë përpara. Kuvendi i ardhshëm i LDK-së pritet të zhvillohet në muajt e parë të vitit të ardhshëm, në mos në janar.
Ndërsa rezultat e raundit të dytë të zgjedhjeve komunale, do të shërbejnë si një pasqyrë ku LDK duhet ta shikojë vetën mirë. Në rast se nuk do t’ia dalë të rikthejë disa komuna si ajo e Prizrenit apo Gjilanit – tashmë Mitrovicën e ka të humbur- LDK do ta ketë të vështirë të shkëputet nga koalicioni dhe ta çojë vendin në zgjedhje të parakohshme.

Në fakt Partia Demokratike e Kosovës pas disfatës së Zanzibarit për prishje me partnerin qeverisës është në ethe pikërisht nga një dalje LDK-së nga kualicioni dhe hyrja e saj në një koalicion parazgjedhor me AAK-në. Por të gjitha këto hapa Lidhjë Demokratike e cila tashmë është e ndarë në të kënaqur (ata që janë në pushtet) dhe të pakënaqur (ata që kanë mbetur larg kolltukëve) ka nevojë për një lider të fortë, dhe mbi të gjitha jo të “ngrirë.” Ja përse zoti Mustafa po projekton vetën në heshtje e pse jo edhe nga një pjesë e mirë e partisë si lideri i kësaj force politike.

Dhe sfidat që ka përpara janë të mëdha. Nga një reformë e tërësishme e kësaj partie, në njerëz dhe mentalitet, e deri tek një imazh i ri i pasuruar nga të rinjtë.
Nga një komunikim tjetër me publikun përmes medias, defekt i rëndë i LDK-së për të cilin ka paguar një çmim jo të vogël e deri tek tentativat për të rikthyer në parti njerëz të rëndësishëm që e kanë braktisur. E mbi të gjitha krijimi i një raporti të ri me partinë që ka dalë nga gjiri i saj, LDD-në.

Nga ana tjetër zotit Mustafa do ti duhet të sheshojë të gjitha pakënaqësitë e mbledhura në LDK, dhe mbi të gjitha të marrë bekimin e presidentit për këtë post. Deri tani nuk kemi dëgjuar asnjë deklaratë se presidenti Sejdiu ka ndërmend të japë dorëheqje nga kreu i partisë, edhe pse e mban këtë post në shkelje të hapur me Kushtetutën e Kosovës. Meqë ra fjala kjo është një çështje të cilën Gjykata Kushtetuese, si gardiane respektimit të Kushtetutës ende “nuk ka gjetur kohë” për ta identifikuar. As rivalët politikë nuk kanë gjetur kohë për të depozituar ndonjë ankesë.

E derisa LDK të konsolidoje vetën e në radhë të parë të gjejë liderin, partitë e tjera rivale apo aleatet e mundshme, do të punojnë për strategjinë e zgjedhjeve të ardhshme, ku gjithsesi nuk përjashtohet mundësia që të jenë të parakohshme.

(Autorja është analiste politike pranë gazetës “Kosova Sot”)