LAJMI I FUNDIT:

Neziraj, Shembja e Kullës së Ejfelit

Neziraj, Shembja e Kullës së Ejfelit

Në teatrin Ephemeride, në Val De Rouil të Francës, prezantohet para publikut francez drama më e re e dramaturgut kosovar Jeton Neziraj, “Shembja e Kullës së Ejfelit” (“L’Effondrement de la Tour Eiffel”).

Kjo dramë do të ketë kontaktin e parë me publikun francez në formën e leximit skenik, përmes aktorëve të kompanisë Ephemeride. Përndryshe, drama është shkruar gjatë muajve shkurt – maj të këtij viti, që ka kulmuar me një proces intensiv pune në rezidencën e shkrimit në teatrin Ephemeride.

“Shembja e Kullës së Ejfelit” flet për traumat e njeriut modern. Hose, personazhi kryesor, kalon nëpër një ‘ëndërr’ të çuditshme, si rezultat i traumave që i janë pleksur nga informacionet e shumta që ai merr nga gazetat.

Neziraj ka marrë ftesën që të shkruajë këtë dramë për kompaninë teatrore Ephemeride që thuaja para një viti. Drama në frëngjisht është përkthyer nga aktori i mirënjohur kosovar që jeton në Paris, Arben Bajraktaraj, në bashkëpunim edhe me Simon Pitaqaj e Merita Gashin.
Ditë më parë në Paris është shfaqur para publikut francez edhe drama tjetër e Nezirajt "Lufta ne kohen e dashurisë" (“La Guerre au temps de l’amour”), e përkthyer në frëngjisht nga Anne-Marie Bucquet. Prezantimi është bërën Maison d’Europe et d’Orient – MEO (Shtëpia e Evropës dhe Orientit), me ç’rast edhe është organizuar një debat rreth dramës dhe përgjithësisht rreth teatrit, në të cilin kanë marrë pjesë edhe përkthyesja Anne-Marie Bucquet, dhe regjisoret francez Clement Peretjatko e Patrick Verschueren, nën moderimin e Dominique Dolmieu. /Telegrafi/