LAJMI I FUNDIT:

Nëse do të mbahej referendum, në Shqipëri do të votonin 74.8% pro bashkimit, ndërsa në Kosovë 63.9% (Dokument)

Nëse do të mbahej referendum, në Shqipëri do të votonin 74.8% pro bashkimit, ndërsa në Kosovë 63.9% (Dokument)

Dy organizata të shoqërisë civile në Prishtinë dhe Tiranë, kanë prezantuar të dhënat e hulumtimit ‘Shqipëri – Kosovë, Dekonstruktimi i idesë së bashkimit – Perceptimet e qytetarëve për bashkëpunimin mes dy vendeve’ i publikuar këtë javë.

Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur (KFOS) dhe Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë (OSFA) kanë publikuar hulumtimin i cili jep përgjigje disa prej çështjeve me interes në Kosovë dhe në Shqipëri si p.sh.: distanca sociale, imazhi për fqinjët, integrimi evropian, bashkëpunimi rajonal, perceptimi dhe stereotipet ndaj njëri-tjetrit, qëndrimi ndaj bashkëpunimit zyrtar të dy vendeve si dhe qëndrimi ndaj bashkimit eventual kombëtar.

Raporti thotë se vizitat e ndërsjella mes qytetarëve të Kosovës dhe Shqipërisë janë shtuar dukshëm, sidomos pas çlirimit të Kosovës dhe ndërtimit të Rrugës së Kombit.


Por, qytetarët e Kosovës e vizitojnë Shqipërinë dukshëm më shumë se sa e vizitojnë qytetarët e Shqipërisë Kosovën.

Sipas hulumtimit në të dy vendet, 88.7% e shqiptarëve të Kosovës kanë vizituar Shqipërinë, ndërkohë që vetëm 31.6% e qytetarëve të Shqipërisë kanë vizituar Kosovën, thuhet në raport.

Sa i përket njohurisë së njëri tjetrit raporti thotë se shqiptarët e Kosovës kanë bindjen se e njohin më mirë Shqipërinë, se sa qytetarët e Shqipërisë e njohin Kosovën.

Edhe qytetarët e Shqipërisë në masë të madhe pajtohen se shqiptarët e Kosovës kanë njohuri më të mëdha për Shqipërinë, se sa anasjelltas.

Sa i përket dëshirës së realizimit të bashkimit kombëtar, 63% e të anketuarve në Shqipëri dhe 54% e të anketuarve në Kosovë deklarohen se dëshirojnë që bashkimi kombëtar të realizohet.

Një gjë të tillë nuk e dëshirojnë 16% e të anketuarve në Shqipëri dhe Kosovë. Nga ata që nuk e dëshirojnë bashkimin kombëtar, vërehet një refuzim më i madh në zona urbane, si në Shqipëri, ashtu edhe në Kosovë.

Për nga shtrirja gjeografike, të anketuarit në rajonin e Prishtinës janë në shkallë më të madhe kundër bashkimit kombëtar, kurse në Shqipëri janë të anketuarit e zonës qendrore thuhet në raport.

Më tutje në raport, të pyetur nëse do të ishin të gatshëm të paguanin një taksë e cila mundëson bashkimin kombëtar, gatishmëria bie, ku 29.5% e të anketuarve në Shqipëri do të ishin dakord me një taksë të tillë dhe 43.5% e të anketuarve në Kosovë.

Në pyetjen se nëse do të mbahej një referendum për bashkimin e Kosovës dhe Shqipërisë në një shtet të vetëm, ju personalisht si do të votonit?, të ankëtuarit në Shqipëri 74.8% janë pro, ndërsa 17.7% janë kundër.

Ndërsa në Kosovë pro janë 63.9% dhe kundër janë 16.7%

“Nga ata që janë kundër bashkimit në një shtet, arsyet janë të ndryshme. Arsyeja më e shpeshtë që është përmendur nga të anketuarit shqiptarë në Shqipëri dhe Kosovë ka të bëjë me bindjen se si dy shtete Kosova dhe Shqipëria funksionojnë më mirë. Një pjesë e konsiderueshme e atyre që kundërshtojnë bashkimin në një shtet këtë e bëjnë edhe nga bindja se shqiptarët e Kosovës dhe Shqipërisë kanë dallime në kulturë dhe traditë. Por të pyetur se çfarë mendojnë se si do të votonin në një referendum të tillë familjarët dhe miqtë e tyre, të anketuarit shprehen më skeptik sa i përket votës ‘pro’ bashkimit, duke menduar se familjarët, shokët dhe miqtë do të votonin në shkallë më të ulët për bashkim (59% në Shqipëri dhe 47% në Kosovë)” thuhet në raport.

Për shqiptarët e Shqipërisë të cilët besojnë se bashkimi kombëtar është i mundshëm, bashkësia ndërkombëtare shihet si faktor kryesor që mundëson bashkimin.

Kurse për shqiptarët e Kosovës faktor kryesor që mund të realizoj një skenar të tillë shihet lidershipi në Kosovë dhe Shqipëri.

Por edhe ata që mendojnë se bashkimi kombëtar nuk mund të ndodhë, faktorin ndërkombëtar e shohin si pengesë kryesore, si të anketuarit në Shqipëri, ashtu edhe ata në Kosovë.

Si pengesë e dytë kryesore për bashkimin kombëtar të anketuarit në Shqipëri e shohin kundërshtimin e Serbisë, kurse të anketuarit në Kosovë i shohin shtetet e rajonit në përgjithësi.

Nga ata që besojnë në bashkimin kombëtar, pjesa më e madhe e të anketuarve në Kosovë besojnë se kjo do të ndodhë brenda pesë viteve (39% e të anketuarve), kurse të anketuarit në Shqipëri më shumë besojnë se kjo mund të ndodhë brenda dhjetë viteve të ardhshme.

“Shiptarët e Kosovës besojnë se bashkimi mund të ndodhë brenda pesë viteve të ardhshme, përderisa shqiptarët e Shqipërisë besojnë se kjo mund të marr më shumë kohë” thuhet në raport.

Ajo çka lë pështypje në raportin e KFOS-it dhe OSFA del se shqiptarët në Kosovë dhe Shqipëri i kanë të përbashkëta hallet e tyre.

Shumica e shqiptarëve të anketuar në të dy anët e kufirit besojnë se shëndetësia është më e zhvilluar në Shqipëri se sa në Kosovë, por shqiptarët e Kosovës kanë vlerësim më pozitiv për shëndetësinë në Shqipëri (63% e të anketuarve) se sa shqiptarët e Shqipërisë (46%).

Njësoj, shumica e të anketuarve shqiptarë në të dy vendet vlerësojnë se arsimi është më i zhvilluar në Shqipëri se sa në Kosovë. Të anketuarit në të dy vendet besojnë se Shqipëria ka potencial më të madh për zhvillim në fushën e turizmit.

Të anketuarit në të dy vendet vlerësojnë se sporti është më i zhvilluar në Kosovë, ashtu siç mendojnë se mirëqenia e banorëve të Kosovës është më e mirë. Sa i përket respektimit të ligjit, po ashtu qytetarët e të dyja vendeve vlerësojnë se ligji respektohet më shumë në Kosovë.

Ndërsa, qëndrime të kundërta shqiptarët e Shqipërisë dhe Kosovës mbajnë sa i përket zhvillimit të kulturës, respektimit të të drejtave të grave dhe lirisë së fjalës, ku të anketuarit vlerësojnë se këto janë në një pozicion më të mirë në vendin e tyre.

Për sa i përket zhvillimit ekonomik, të anketuarit mendojnë se vendi tjetër ndodhet në nivel më të mirë të zhvillimit ekonomik se sa vendi i tyre.

Të pyetur mbi perceptimin e korrupsionit në Kosovë, shqiptarët e Kosovës kanë tendencë të vlerësojnë se korrupsioni është më i lartë në Kosovë se sa në Shqipëri, përderisa shqiptarët e Shqipërisë në masë më të madhe e nuk pajtohen me këtë konstatim. Për të lexuar raportin e plotë klikoni këtu. /Telegrafi/

Në trend Lajme

Më shumë
“Ka vdekë një grua nga mbidoza, gjithë natën dëgjohen zhurma”, shtëpitë e pabanuara në kryeqytet strehë e narkomanëve

“Ka vdekë një grua nga mbidoza, gjithë natën dëgjohen zhurma”, shtëpitë e pabanuara në kryeqytet strehë e narkomanëve

Sociale
Mes lotësh flasin për herë të parë prindërit e Martinit: Nuk duam hakmarrje

Mes lotësh flasin për herë të parë prindërit e Martinit: Nuk duam hakmarrje

Lajme
Plagosja e dyfishtë në Prishtinë, plumbi qëlloi derën e shtëpisë së ish-koordinatorit në dialog

Plagosja e dyfishtë në Prishtinë, plumbi qëlloi derën e shtëpisë së ish-koordinatorit në dialog

Lajme
Ish-gjyqtarja e Kushtetueses, Mushkolaj: Serbia me ngulm e ka penguar Asociacionin

Ish-gjyqtarja e Kushtetueses, Mushkolaj: Serbia me ngulm e ka penguar Asociacionin

Lajme
Gjykata Kushtetuese shpall vendimin pas ankimimit të Sali Berishës

Gjykata Kushtetuese shpall vendimin pas ankimimit të Sali Berishës

Lajme
Policia e Kosovës demanton mediat dhe Ministrinë Serbe të Mbrojtjes

Policia e Kosovës demanton mediat dhe Ministrinë Serbe të Mbrojtjes

Siguri
Kalo në kategori