LAJMI I FUNDIT:

Nëse kombi im i humb shpresat, atëherë do t’i jap të miat

Nëse kombi im i humb shpresat, atëherë do t’i jap të miat

Ndriçim Kulla

De Tokëvil, duke shpjeguar themelet e atdhedashurisë, thotë: “Është një dashuri e cila buron nga ajo ndjesi e pashprehshme dhe e painteresuar që lidh zemrën e njeriut me vendin ku lind. Kjo dashuri instinktive lidhet me ëndjen e dokeve të vjetra, me nderimin e të parëve dhe kujtimin e kohëve të shkuara, ndaj e bën njeriun që ta dojë Atdheun si shtëpinë e tij”.


Ç’fat do të kish qenë për vendin tonë nëse të gjithë shqiptarët do ta shihnin veten si vëllezërit e një shtëpie e të udhëhiqeshin në bazë të këtij parimi?

Është një parim të cilin e lëvdonte dhe zhvillonte gjerësisht në shumë prej artikujve të vet, sidomos At Valentini, duke e zgjeruar akoma dhe më shumë këtë ide duke thënë: “Të duash Atdheun do të thotë me e pa atë si një lulishtë të trashëguar prej të parëve, me e ruejt atë si një pasuri të përbashkët, dhe me e mbajtë Bashkinë si nanë dhe Prefekturën si babë”.

Është ky ndoshta përkufizimi më i mirë i parimit drejtues, mbi bazë të të cilit do të duhet të themelohet e gjithë perspektiva e Idealit tonë të sotëm patriotik. Nuk mjafton që të bluajmë në mendje vepra të mëdha e të jashtëzakonshme për ta kryer këtë mision, pse praktikisht kjo mund të na pengojë. Nuk mund ta mbajmë veten atdhetarë, vetëm sepse mbajmë në gojë orë e çast Shqipërinë, apo pse kemi ndër mend ta bëjmë këtë vend një “Amerikë në pak kohë”. Një mendjelartësi e tillë mund të kurthojë kryesisht rininë, të cilës i mungon përvoja dhe i është i lehtë-kapshëm pasioni pas çdo lloj ideali. Për këtë arsye, realiteti i “botëve të vogla” të individëve është pikërisht ai që duhet qeverisur dhe drejtuar mirë dhe drejt. Më pas, do të jetë kjo botë “e vlertë” ajo që praktikisht do të na “bëjë edhe Shqipërinë”.

Në këtë “administrim” do të na vinte në ndihmë një parim i madh i theksuar aq bukur nga Lumo Skëndo: “Meqë jeta dhe siguria e secilit është e lidhur me fatin e të gjithë atyre që, së bashku, formojnë kombin, do të na donte shpirti që çdokush të sakrifikojë pesë minuta në çdo 24 orë dhe të ‘hetojë’ nga thellësia e vetes se ç’shërbim ka bëre sot për shoqërinë dhe ç’të mirë mund t’i bëjë kësaj shoqërie që e quajmë komb. Vetëm se deficiti më i madhe i rinisë sonë gjatë gjithë këtyre viteve ka qenë mënyra se si ajo i është drejtuar përmbushjes së kësaj detyre, i formës që ka mbrujtur karakteri i saj për t’iu qasur sa më mirë të ardhmes! Pengesa e parë ka qenë mënyra se si ajo ka përzgjedhur shkollën dhe degën e studimit. Studimet tregojnë që nuk është e mundur që të gjithë të rinjtë sot të jenë të prirur të përfundojnë një universitet, ndaj nuk duhen trysnuar ta mbarojnë medoemos një të tillë, pasi një zanat dhe një karrierë mund të ndërtohen, shpeshherë shumë mirë, edhe me një formim profesional. Me të njëjtin ndryshim mentaliteti duhet t’i drejtohemi edhe përzgjedhjes së degëve universitare. Një atdhetar i mirë do të qe ai i ri që nuk do të mendonte vetëm të mirën vetjake, por edhe të mirën e atdheut, duke pyetur veten: Prej kësaj dege që zgjodha, ç’frutë të dobishëm do të nxjerr për Shqipërinë?”.

Zgjedhja e universitetit duhet t’i nënshtrohet zotësisë, jo përfitimeve vetjake, as ambicieve të pabazuara familjare, pasi nga një drejtim i gabuar në nisje rrezikohet i gjithë rrugëtimi i jetës së individit, por edhe vetë aveniri i Shqipërisë. Kjo është pika ku bashkohen fortësisht qëllimet atdhetare dhe realizimi praktik i këtyre idealeve. Por, kjo është njëkohësisht edhe pikëpjekja më e cenuar dhe më e keqpërdorur e gjithë karakterit të individit shqiptar, pasi “të qepurit pas punëve në shtet”, siç e pat quajtur dikur Lumo Skëndo, është shfaqur gjithmonë si fatkeqësia më e madhe e shtetit shqiptar. E, kjo nuk do të përfundojë kurrë nëse nxënësi apo studenti nuk do t’i shtrohet punës me zell, por do të fërkojë duart sapo të arrijë të marrë në duar një diplomë, vetëm si një gjysmë-pasaportë për të “shtënë” në dorë një vend pune në shtet. Nuk do të përfundojë kurrë nëse ai nuk kujdeset sa më shumë për të qenë i zoti dhe i denjë për detyrën e caktuar, sepse përndryshe për mbajtjen e saj ai ndoshta do të tradhtojë e do të vërë në rrezik ndërgjegjen e vet, kur me mjetet e nepotizmit e klientelizmit do të shprishë e dëmtojë atë lidhje të brendshme të çdo shoqërie të drejtë, që bazohet te meritokracia.

Diçka e tillë nuk duhet shikuar me nënvlerësim, as duhet anashkaluar, pasi të gjithë funksionarët e shtetit dhe administratës së ardhme shqiptare do të nxirren pikërisht nga “kjo sitë zgjedhjesh” që “starton nga dega universitare”. Po qe se edukohen drejt të rinjtë në përmbushjen e këtij misioni, atëherë edhe “baza e përzgjedhjes” së administratës së ardhme do të jetë më cilësore. Vetëm kështu do të ndreqet që në rrënjë pazotësia dhe pamundësia e shoqërisë shqiptare për të formuar një “elitë të denjë administrative” për ta mbrojtur shtetin nga sëmundjet e korrupsionit dhe mos-efikasitetit, duke bërë që të kemi një klasë politikanësh dhe zyrtarësh me një ndërgjegje të njëmendtë kombëtare dhe me një ndjenjë të zhvilluar të përmbushjes së detyrës. E gjitha kjo do të sillte një “zinxhir të vërtetë transformues” të të gjitha “fashave” përbërëse të administratës, për ta shndërruar shtetin ashtu siç duhet të jetë, një organizim ku nënshtetasit të jetojnë të qetë “si fëmija në prehër të nënës së vet”.

Gjithsesi, nuk duhet të mendojmë, se kjo klasë drejtuese e administratës, e rritur dhe e kultivuar në këtë mënyrë, formon pikërisht atë klasë eprore, të pajisur me të gjitha virtytet dhe cilësitë e ëndërruara, që nevojitet për të frymëzuar edhe pjesën tjetër të shoqërisë, në rolin e “dishepujve” të Ungjillit të shqiptarizmës moderne. E kjo për faktin se merita, zotësia, vlerat dhe inteligjenca nuk krijohen si të ishin një urdhër apo një dekret. Më parë se gjithçka duhet të pyesim veten nëse besojmë që meritat dhe vlerat janë cilësi të brendshme të shpirtit dhe jo shkëlqime apo përfitime të jashtme.

A jemi vërtet të bindur se kushdo duhet të përkushtohet për të qenë vërtet i tillë e jo sa për t’u dukur? Sepse vetëm ky besim, vetëm kjo bindje, mund ta bëjnë njeriun shqiptar të punojë me seriozitet, të njohë detyrat dhe përgjegjësitë e tij, të kuptojë se ka një barrë mbi supe, një peshë të madhe për të hedhur. Një atdhetar në kohën e sotme nuk është më ai njeriu i thjeshtë i dikurshëm. Është ai njeriu që shndërrohet “kompleks” për shkak të gjithë lidhjeve shoqërore. Është ai njeriu që nuk mendon vetëm veten e nuk është vetëm anëtar i familjes apo farefisit të tij, por parësisht i shtetit dhe i shoqërisë. Kjo është arsyeja se nuk duhet të flasim më për individë shqiptarë, por për bashkë-atdhetarë me karakteristikat dhe fizionominë e tipologjizuar më sipër. Ky nuk duhet të jetë një ndryshim vetëm semantik apo morfologjik, por i mentalitetit tërësor të socialitetit shqiptar.

Nuk mund të jemi më shqiptarë që sillemi sikur nuk rrojmë në Shqipëri, por bashkatdhetarë në kuptimin modern, njerëz shoqëror që shpenzojnë sistematikisht një pjesë të ditës së tyre për të tjerët dhe në bashkëpunim me të tjerët. Kjo është “lufta” jonë e sotme, më e rëndësishmja, dhe ashtu siç thotë edhe himni ynë kombëtar, kush largohet prej saj është “tradhtar”. Ky është idealizmi i Shqipërisë moderne, që ndryshon shumë nga idealizmi i bukur, por i dëmshëm për ne, siç përcaktonte dikur Merxhani, i romantizmës së një Renani. “Nuk jemi nga ata që thonë”, shpjegonte ai, se “atdheu ynë është atje ku gjej të Bukurën, të Mirën dhe të Drejtën.

Atdheu ynë gjendet në anën e një rrëkeje të freskët që vadit arat, me këngën që i dëgjohet deri nëpër shpellat e maleve të Shqipërisë. Aty ku janë varrosur kockat e stërgjyshërve tanë, atje në hirin e oxhakut të hidhërimit ku ka rënë loti i parë i nënave tona, në pyllin e dashurisë që na çeli misterin e jetës në kohën e djalërisë, aty është dhe Atdheu ynë”. Në mes njeriut dhe baltës ekzistojnë një tok “ngjashmërish misterioze”, pat shkruar dikur Keyserling. “Njeriu i mendjes”, shpjegon ai, zotëron një gjuhë ku mund ta ndiejë më thellë vetveten, atëherë kur rron në “shtëpinë” e vet, më shumë se sa në një tokë të huaj. Sepse aty ai ndjen kurdoherë nevojën që të kuptojë nën këmbët e tij nxehtësinë e baltës së vet, si ushqimin më të mirë për gjuhën dhe mendjen”.

Kjo është një qasje e vyer dhe ideale për të gjithë ata që duan ta ndiejnë dhe jo të duken se janë vërtet atdhetarë, patriotë. Njeriu dhe kombi janë dy kuptime që plotësojnë njëri-tjetrin. Njeriu përfaqëson të gjitha fuqitë e kombit të tij, ëndrrat e tij janë ëndrra të kombit, po ashtu si dhe shpresat. Ndaj, ai duhet t’i derdhë të gjitha fuqitë e veta në atë humnerë të pafund që quhet komb, ta shkrijë gjithë jetën e vet duke ndjerë thellë të gjitha pikëllimet e jetës kombëtare, ashtu me dhimbje, me entuziazëm, me mërzitje apo me dëshpërim. Kësaj i thonë të të shkrihet vërtet në zemër ndjenja atdhetare. Kësaj i thonë që ajo të mos thahet brenda teje, për shkak të ulërimave gënjeshtare apo hipokrite që hidhen sot me shumicë nën emrin e saj.

Për ta jehonizuar akoma dhe më fort këtë parim në ardhmërinë tonë, le ta mbyllim me fjalët sa aktuale, aq edhe proverbiale që Merxhani shkruante për sintezën e pazgjidhshme të atdhetarit me kombin. “Nëse kombi im i humb shpresat, atëherë do t’i jap të miat. Dhe përsëri nga ai do ta marrë shpresë, sa herë të dëshpërohem. Në qoftë se kombi im nuk ka asnjë ëndërr dhe endet rrugash pa ideale, atëherë do t’i jap ëndrrat e mia, idealet e mia; por, përsëri, fuqinë për të krijuar dhe për të vërtetuar ëndrrat dhe idealet do ta gjej brenda kombit tim. E në fund, nëse i verbohen sytë kombit tim dhe nuk arrin dot t’i shohë fuqitë që zotëron brenda vetes, atëherë rrugën do t’ia tregoj me sytë e mi, që ia shohin dhe ia dallojnë aq mirë e bukur hovet e tij të fshehura dhe energjitë ende të pashpërthyera”.

Në trend

Më shumë
U hodh në gjyq, Olsi Bylyku

U hodh në gjyq, Olsi Bylyku "godet" Top Channel: Ikonat si Arbana, Alban Dudushi iu larguan - gjersa kolegët në TV Klan kanë ndërtuar perandori

Magazina
Një takim mes Massimilianos dhe Heidit në Big Brother VIP Albania 3? Veprimi i ish-partnerit të saj në Grande Fratello ngre dyshimet

Një takim mes Massimilianos dhe Heidit në Big Brother VIP Albania 3? Veprimi i ish-partnerit të saj në Grande Fratello ngre dyshimet

Magazina
Këshilltari i kryetarit shqiptar në Zubin Potok për mediat në Serbi: Lista Serbe e ka fajin për gjithçka

Këshilltari i kryetarit shqiptar në Zubin Potok për mediat në Serbi: Lista Serbe e ka fajin për gjithçka

Politikë
Në sy të mbesës 8-vjeçare, çifti i të moshuarve nga Kosova arrestohen sapo zbresin në Gjermani

Në sy të mbesës 8-vjeçare, çifti i të moshuarve nga Kosova arrestohen sapo zbresin në Gjermani

Lajme
Teknologjia e vijës së portës ​​ka analizuar golin në El Clasico, është konfirmuar se ishte apo nuk ishte

Teknologjia e vijës së portës ​​ka analizuar golin në El Clasico, është konfirmuar se ishte apo nuk ishte

La Liga
Sulm fizik ndaj një gruaje dhe kanosje ndaj vozitësit tjetër, Prokuroria ngrit aktakuzë ndaj të dyshuarit në Prishtinë

Sulm fizik ndaj një gruaje dhe kanosje ndaj vozitësit tjetër, Prokuroria ngrit aktakuzë ndaj të dyshuarit në Prishtinë

Drejtësi
Kalo në kategori