LAJMI I FUNDIT:

Nën petkun e kulturës rurale

Shumë kush është ndier i nënçmuar, që me anën e ekspertëve vendor dhe ndërkombëtar, menjëherë pas luftës të punohet në drejtimin e partneritetit urban-rural. Pikërisht mos zhvillimi hapësinor i fshatit dhe trajtimi i tij nga ana e pushteteve pas vitit 1999, është thelbi i detyrimit të fshatarëve të migrojnë pa dëshirën e tyre në qytete, ku sipas realitetit janë të tepërt. Mu zhvillimi dhe trajtimi adekuat të banorëve të zonave rurale, të bazuara në një partneritet kërkon trajtim serioz, të cilin nuk ka dashur ta bëjë asnjëra Qeveri e pas luftës. Kjo në ditët e sodit, pas trembëdhjetë (13) viteve po vërehet dhe po përjetohet, pasi zhvillimet hapësinore dhe urbane në Kosovë janë kaotike, e për ketë fajtorët kryesor jemi vet në me veprimet tona në hapësirë.

Kjo problematikë është treguar si domosdoshmëri për të stabilizuar hapësirat e shteteve anëtare dhe pretenduese për tu anëtarësuar në BE. Është dëshpëruese se si kjo problematikë nuk është trajtuar në Kosovën e pas luftës. Pik së pari kjo do të obligonte të gjithë, që në dokumentet hapësinore dhe urbane të zbatojnë parimet evropiane lidhur me raportet në mes qytetit dhe fshatit, që duhet të kenë një vend të rëndësishëm në politikat hapësinore dhe perspektivën Evropiane të Kosovës (ESDP-Europian Spatial Development Perspective), si dhe zbatimin e këtyre politikave me mjetet në dispozicion (ESPON).


Në Kosovë, migrimet tipike ekonomike në mënyrë drastike i ka ndryshuar lufta e vitit 1999, si dhe ndryshimi i sistemit politik dhe socio-ekonomik në të njëjtën kohë. Posaçërisht pas luftës kemi lëvizje të pa kontrolluara të popullsisë nëpër qytetet kryesore, ku kultura rurale paraqitet në format më të vrazhda, me bindje se këto lëvizje për një kohë të gjatë do të përcjellin shoqërinë kosovare.
Edhe prezenca e faktorit ndërkombëtar, duke koncentruar pushtetin ne qendrat regjionale, me pushtetin qendror në Prishtinë, në mënyrë habitore, negativisht ka ndikuar në lëvizjet e popullsisë për të kërkuar kushte më të mira të jetës. Çuditërisht kjo mënyrë e organizimit hapësinor të Kosovës është pranuar nga ne edhe pas pavarësisë së Kosovës. Në anën tjetër, ky veprim ka rezultuar me probleme shumë serioze për funksionimin e një shoqërie bashkëkohore në tërësi. Kjo është e pa pranueshme kur tërë bota po e preferon procesin e decentralizimit dhe zhvillimet POLICENTRIKE hapësinore.

Prezente është dukuria e rritjes së popullsisë në qytete të cilat janë bërë jofunksionale, si rezultat kemi shkatërrimin e kulturës rurale si dhe të asaj urbane paralelisht, ku të gjithë jemi humbës. Kemi fituar qytetin e çintegruar urbanistik me elemente te modifikuara të kulturës rurale. Nga aspekti ekonomik u vërtetuan tendencat e mos punimit të tokës, pasi një punë e tillë nuk paguhet. Qytetet në përgjithësi pësuan transformime nga situata e krijuar, befason indiferencën e qytetarëve pasi tiparet e tyre në tërësi janë neglizhuar. Të gjitha këto çështje po ndikojnë direkt dhe indirekt te banorët e Kosovës, dhe çudit indiferenca e tyre si duket patologjike.

Mendimi i përgjithshëm është se imponimi i lëvizjes të popullsisë si nga faktorët ekonomike, sociale, diktatoriale apo të dhunshme (lufta 1999), rezulton me kufizime në tendencat e reformave pozitive të pritura në shoqëri, si dhe ndryshimin e qytetit si qendër e aktiviteteve shoqërore. Në këtë aspekt vërejmë se shoqëria tradicionale zakonisht e vendosur në zonat rurale, pas migrimit të dhunshëm është ballafaquar me rrethana të reja në qytet, si alternativ ofron kulturën rurale të modifikuar nën petkun e kulturës urbane.

Si pasoj e lëvizjes së imponuar të popullsisë, subjektet pjesëmarrëse kanë pasur mundësi të ruajnë dhe imponojnë kulturën tradicionale duke e transformuar në forma urbane, por pasi kanë vështirësi të marrin pjesë në format urbane të jetës ndihen në pozitë pasive-inferiore, me një fjalë janë bërë të tepërta në qytet. Në anën tjetër në fshatra ka mbetur popullsia pasive, të vjetrit, dhe sipas trendeve një kohë të gjatë fshati do të mbetet pa pjesën vitale të popullsisë, e cila në të njëjtën kohë në qytete është e tepërt. Këta njerëz, të parët janë viktima të papunësisë, punësimit periodik, apo ilegal me mundësi reale të eksploatimit të egër të fuqisë punëtore. Ardhja e pa kontrolluar mundëson krijimin e zonave të varfra të qytetit.

Në rastin e Kosovës , Prishtina si kryeqytet nga të gjitha shihet si shansi kryesor për prosperitet, çka rezulton me rritjen e shpenzimeve të jetës, rënien e fuqisë blerëse, si dhe vështirësitë e tyre evidente për inkuadrimin në jetën urbane. Duke pasur parasysh infrastrukturën jo adekuate si dhe “mobiliarin” e mangët urban, vështirë është për të absorbuar një numër kaq te madh të popullsisë. Funksionimi i qytetit si tërësi ka arritur në fazën kritike të degradimit total urban apo vdekjes graduale urbane.

Çka duhet ndërmarrë që ky problem të zbutet?

Sfida kryesore e shoqërisë kosovare do të jetë kthimi i jetës në zonat rurale, e cila në të njëjtën kohë do të bënte shkarkimin e zonave urbane nga ngufatja e pakontrolluar, apo nga vdekja urbane e kjo mund të arrihet:

• Duke krijuar kushtet për të joshur njerëzit me programe të ndryshme atraktive ekonomike, ku ata do të gjenin interesin e tyre e kurrsesi me forcë, pasi nga e kaluara është konstatuar se ato janë zgjidhje të përkohshme. Në parim, duhet menduar në zgjidhje të qëndrueshme (stimulimi dhe zhvillmi i bujqësisë, prodhimi i ushqimit, rekreacioni, turizmi, etj), duke plotësuar kërkesat dhe nevojat e dyanshme, duke bërë fshatin ekonomikisht joshës dhe atraktiv.

• Vetëm stimulimi ekonomik, natyrisht së bashku me ndërtimin e infrastrukturës tekniko-sociale të domosdoshme e ndërlidhur me interesat individuale, do të kthente njerëzit në fshatra.

• Këto raporte fshat-qytet do të tejkalohet shumë më lehtë sikur të kishim qasje reale dhe profesionale ndaj kësaj problematike duke analizuar shkaqet dhe pasojat, si dhe duke propozuar metodat realizuese për implementimin.

• Rekreacioni ditor është një shans i mirë i turizmit kontinental që është i domosdoshëm në dinamikën e jetës së sodit, të cilat kanë filluar të shfrytëzohen nga vizitorët e stresuar të qendrave urbane, pasi për ketë ka kërkesa të mëdha.

Tendencat e mija të para shumë viteve (2003) për të aktualizuar këtë problematik, si njërin nga problemet kryesore hapësinore në Kosovën e pas luftës, ashtu si i shifsha unë, si dhe obligimet e dokumenteve ndërkombëtare, për fat të keq u neglizhuan nga vendimmarrësit e atëhershëm. Është koha e fundit për të ndërmarrë hapa konkret pasi tani të gjithë e kemi të qartë se në këtë proces të gjithë (fshati dhe qyteti) jemi humbës të mëdhenj.

(Autori është Kryetar i Këshillit për Planifikim Hapësinor të Kosovës (KPHK), kurse qëndrimet e shprehura në këtë shkrim janë personale)