LAJMI I FUNDIT:

Nën hijen e spiunimit, mrizojmë

Përsëri e gjejmë veten në mesin e akuzave e kundërakuzave për spiunim, tradhti e kolaboracion. Mjafton një fjalim në Kuvend (i përdorur në këso raste si platformë për lansim akuzash dhe denoncim armiqsh) që e tërë klasa politike, e pas saj e tërë shoqëria, të vlojnë nga thashethemet dhe paranoja.

Në filmin amerikan “A few good men”, është i famshëm monologu i kolonelit, i luajtur nga Jack Nicholson, kur thotë se e vërteta është më e madhe, më e papërballueshme, sesa që ne, mortorët, mund ta durojmë atë. Dhe kjo e vërtetë ka të bëjë zakonisht me pleksjen e krimit me qeverisjen, në emër të asaj që quhet siguri kombëtare. Koloneli, në rastin në fjalë, bie viktimë e megalomanisë së vet dhe burgoset nga gjykata ushtarake për implikim në vrasje.


Më se një dekadë pas luftës, gjithkush e di se jemi bërë zap të sekreteve që lidhen me eliminimet, komplotet e kolaboracionet. Ata që janë të involvuar në politikë, janë të vetëdijshëm për përgjimet që u bëhen jetëve të tyre private. Dhe jo vetëm ata që janë në politikë. Këto sekrete, edhepse publike, vazhdojnë të mbesin sekrete, duke ndikuar në rrënimin e besimit jo vetëm politik, por edhe ndër-personal e ndër-familjar. Është e frikshme të mendosh se sa thellë është futur nëpër poret familjare dhe është bërë e pranueshme jetesa nën survejimin ilegal.

Është mbase dukuri e shoqërive, siç thuhet, në tranzicion, që të ballafaqohen me dilemën në mes të zbulimit të plotë të së vërtetës apo varrimit të saj, për hir të paqes dhe kohezionit social. Më shumë se dy dekada që nga rënia e komunizmit, Shqipëria vazhdon të përballet me një dilemë të tillë. Në Kosovë, gjithashtu, sekretet dhe ‘dosjet’ janë shtresuar, dhe për to flitet kudo, në kafene, nëpër familje, në rrethe shoqërore. Por ato vazhdojnë të mbesin tabu për qarqet që ishin dashur t’u prijnë zhbërjes së tyre. Gjykatat, policia dhe politika duken impotente dhe të qullura para sfidës që imponohet nga një grusht njerëzish që duket se këto sekrete i kanë nën kontroll.

Në këto momente kur për Kosovën shumëçka është në pisk (veriu, ekonomia, njohja ndërkombëtare, madje edhe bllokimi nga bora), hidhen thashetheme për kolaboracion me armikun, për tradhti. Të qartësohemi, askush nuk bën thirrje për mbrojtje të fajtorit. Përkundrazi, akuzat për kolaboracion, për tradhti, e krime të tilla, duhet të dalin sheshit dhe të akuzuarit duhet të ballafaqohen me drejtësinë. Mirëpo ajo çka është e pështirë, e padurueshme në këtë muhabet, është monopolizimi i të dhënave ‘inkriminuese’ për individë të caktuar, publikimi selektiv i atyre të dhënave sipas orarit politik të çastit, dhe tentimi për zaptimin e të vërtetës. Dhe këto të dhëna vetë janë mbledhur me mjete e mënyra të dyshimta.

Mund të tingëllojë naive, por pyetja që shtrohet në këtë rast është: a jemi duke dashur të ndërtojmë shtet demokratik e institucional, apo jemi duke inskenuar muhabete çajtoresh e të odave burrash? (Zaten, institucioni i odës shqiptare do t’i shërbente si mësim i dobishëm Kuvendit sot).

Për ata që mëtojnë të kenë informata inkriminuese për individë të caktuar, shtrohet pyetja: me ç’të drejtë keni ardhur deri te këto të dhëna? Me ç’të drejtë i mbani në sirtarët tuaj e i hapni atëherë kur të ju teket, duke krijuar huti e frikë, e nuk i keni dorëzuar aty ku duhet në momentin e marrjes së informatave? Me të drejtën e sigurisë kombëtare? E ç’u bën juve të supozoni se ajo e drejtë është ekskluzive e juaja?

Dhe për të gjithë ne: a dëshirojmë të përforcojmë institucionet dhe, rrjedhimisht, t’i lëmë ato të merren me zbardhjen a akuzave (d.m.th. institucionalizimi i drejtësisë), apo duam që edhe më tutje të luajmë me adetin e dërgimit fjalë e kërcënimeve të tilla folklorike? Askush nuk mund ta quajë veten gardian të vetëm të sigurisë kombëtare, e aq më pak të kriminalizojë në emër të kauzës së saj. Njerëzit kanë nevojë të shikojnë përtej frikës, të zgjohen nga paranoja trulluese e të besojnë diku. Institucionet do të duhej të ishin adresa e parë e besimit të tyre.

Kjo atmosferë survejimi e shantazhi na kujton një kohë jo fort të largët. Shumë nga ne shqiptarët kemi qenë viktimat parësore të survejimit si në Jugosllavi ashtu edhe në Shqipëri. Nën komunizëm, shqiptarët përjetuan metoda çnjerëzore të përgjimeve dhe të rrënimit të privatësisë. Sot, survejime të tilla ngjasojnë me këtë mentalitet të kaluar, që disi ka mbijetuar te ne. Shpresojmë se nuk kemi të bëjmë me shfaqjen e një sindrome të Stokholmit, kur viktima e dikurshme adapton metodat e shtypësit të vet, dhe i vë ato në përdorim.

E vërteta, si balsam shërues, duhet të dalë në shesh. Drejtësia, e ndërlidhur me të vërtetën, është kathartike për ne. Çarje sociale edhe mund të ketë, por ato janë momentale, ndërsa shërimi, restaurimi dhe konsolidimi i një shoqërie mund të bëhet vetëm pasi të jetë gjetur paqja e brendshme. Pasi që thashethemet të jenë fashitur, pasi që paranoja të ketë vdekur, dhe pasi që kriminelët të jenë përballur me të vërtetë me drejtësinë.

Nuk bëhet fjalë këtu për marrje anësh, për një parti politike apo tjetër. Bëhet fjalë për ngadhënjimin e të vërtetës dhe drejtësisë, se përndryshe të gjithë jemi humbës. Përndryshe të gjithë, pa përjashtim, do të ndeshemi me disfatën e përgjithshme të nënshtrimit para rrenës e krimit, para paranojës e frikës. Si dele të nënshtruara që nën hije të spiunimit mrizojnë.