LAJMI I FUNDIT:

Negocimi i koncesioneve

Kosova ka një të kaluar të gjatë negociatash politike me Serbinë. Qeveria e Kosovës tashmë ka pranuar që edhe në të ardhmen do të ketë negociata të tilla me shtetin serb. Negociatat që janë zhvilluar me Serbinë nga pushtetarët tanë janë cilësuar si proces i shtetndërtimit, ndërsa ato që do të fillojnë po cilësohen si proces i normalizimit të marrëdhënieve me të. Si pasojë e negociatave me Serbinë, ne kemi sovranitet të kufizuar politik, integritet të cenuar territorial, rregullim të brendshëm asimetrik dhe subjektivitet ndërkombëtar të padefinuar.

Negociatat e ardhshme me Serbinë, do të rezultojnë me stimulimin dhe legalizimin e strukturave pushtuese të saj në veri të vendit tonë. Nuk ka se si të bëhet ndryshe, kur koncesionet e negociatave të kaluara do të jenë tema të negociatave të ardhshme.


Rezoluta për “normalizimin” e marrëdhënieve me Serbinë, e cila u sponsorizuar nga PDK-ja dhe AAK-ja, ka pasur për qëllim që t’ia hapë rrugën negociatave të reja Prishtinë- Beograd. Kjo rezolutë që u përkrah nga të gjitha grupet parlamentare të partive politike, përveç Lëvizjes Vetëvendosje, paraqet nënshtrimin e radhës ndaj Serbisë. Ne nuk mund të kemi marrëdhënie të mira me Serbinë, ngase ajo nuk është e interesuar aspak që të kërkojë falje për të këqijat që na ka bërë. Për më tepër, Serbia nuk është shkëputur ende nga veprimet kriminale ndaj vendit dhe popullit tonë. Të kërkosh marrëdhënie normale nga një Serbi kriminale, është veprim abnormal. Ne jemi viktimë, prandaj nuk ka aspak kuptim ta lusim xhelatin për normalizimin e marrëdhënieve.

Qeveria e Kosovës sikurse në të kaluarën nuk e mbajti premtimin se nuk do të negocionte më asnjëherë me Serbinë për çështje të brendshme të Kosovës. Takimi i kryeministrit Thaçi me kryeministrin serb Daçiq është tradhti ndaj vendit. Serbia edhe në këto negociata po mbetet e pakushtëzuar nga Kosova. Përderisa shteti gjerman i vë kushte Serbisë në lidhje me Kosovën, qeveria e jonë as që e ka përmend një gjë të tillë. Kuvendi kishte miratuar një rezolutë që kushtëzonte çdo format të dialogut me Serbinë me çështjen e të pagjeturve. Mirëpo, deputetët e koalicionit qeveritar dhe një pjesë jo e vogël e deputetëve të partive opozitare e zhvleftësuan këtë kur e votuan rezolutën për “normalizimin” e marrëdhënieve me Serbinë. Këta deputetë në muajin janar të këtij viti e zhvleftësuan edhe mocionin për reciprocitet të plotë në raport me Serbinë. Në negociata, reciprociteti siguron barazim të pozitave ndërmjet shteteve, ndërsa kushtëzimi garanton drejtësi për shtetin e dëmtuar.

Kushtëzimi i Serbisë para negociatave do ta detyronte atë të pranoj shtetin tonë dhe të merrte përgjegjësinë për dëmet e shumta njerëzore dhe ekonomike të shkaktuara në luftën e fundit. Futja në negociata pa e kushtëzuar paraprakisht Serbinë, do të thotë amnistim i krimeve të saj ndaj shqiptarëve. Serbisë po i duhen shumë negociatat politike me Kosovën, sepse në njërën anë po i afrohet gjithnjë e më shumë BE-së, ndërsa në anën tjetër pak nga pak po e rrënon republikën tonë. Serbia fal negociatave të kaluara e ka fituar statusin e vendit kandidat të BE-së. Negociatat e ardhshme janë kushti kryesor për Serbinë që t’i filloj negociatat me BE-në për anëtarësim në këtë bashkësi politike. Qeveria e Kosovës me negociatat nënshtruese ndaj Serbisë, po ia mundëson kësaj të fundit integrimin evropian. Këto negociata deri më tani, neve na kanë sjellë vetëm ç’integrim të brendshëm.

Qeveria e Kosovës po iu përgjigjet me dhunë policore kundërshtuesve të negociatave me Serbinë. Aksioni e më vonë protesta e VV-së kundër takimit Thaçi-Daçiq u shtyp brutalisht nga policia e vendit. Qeveria urdhëroi policinë që të veprojë në mënyrën më të egër të mundshme, ashtu siç kishte kërkuar ministri Bajram Rexhepi, në protestën kundër shitjes ( faljes) së distribucionit të KEK-ut. Në sheshin “Nëna Terezë” u rrahën dhe u arrestuan qytetarë e deputetë. Sheshi u uzurpua nga policia për më shumë se tetë orë. Policia shkeli të gjitha të drejtat për tubim dhe protestë në hapësirën publike. Këto të drejta garantohen nga shumë akte juridike ndërkombëtare dhe vendore. Përkundër dhunës policore, qytetarët nuk u zmbrapsën nga sheshi i tyre, duke e liruar kështu sheshin nga çizmja e policisë politike.

Qeveria e Kosovës është futur në një cikël negociatash me Serbinë, të cilave nuk po iu duket fundi. Qytetarët duhet të jenë të organizuar politikisht dhe të bëjnë presion të vazhdueshëm për t’i parandaluar këto negociata të pabarabarta dhe të pakushtëzuara. Kosova duhet të fillojë negociatat me shtetin e Shqipërisë për t’u bashkuar me të. Sondazhet kanë nxjerrë në pah vullnetin e qytetarëve në Shqipëri dhe në Kosovë për bashkim. Deri më tani mungojnë nismat e Prishtinës dhe Tiranës zyrtare për të jetësuar këtë vullnet. Sikur të kishim qeveri në shtetet shqiptare që përfaqësojnë njëmend vullnetin e qytetarëve të tyre, 100 vjetori i pavarësisë së Shqipërisë do të na gjente në një shtet të vetëm.