LAJMI I FUNDIT:

Në shoqërinë e keqe, artisti vret e vrasësi shpallet vlerë kombëtare

Në shoqërinë e keqe, artisti vret e vrasësi shpallet vlerë kombëtare

Në vitin 1566, mes shqiptarëve të harruar, u lind Pjetër Budi. Në Gjenovë të Italisë u lind Carlo Gesualdo, Princ i Venosës dhe Kont i Konzës. Të njëjtin vit, Papë u bë Piu i V-të, pas Piut të IV-të të familjes më të pasur në Evropë, Mediçi. Kjo familje e donte pushtetin, por e vërteta tjetër është se në kohën e tyre lulëzoi arti si kurrë më parë. Në të njëjtin vit, Sulejmani i Madhërishëm ndërmori ekspeditën e tij të fundit ushtarake: Rrethimin e Sigetit (Szigetvar) në Hungari. Betejën e fituan otomanët në një si Fitore të Pirros, që u bë inspirim për shumë artistë deri në ditët e sotme. Të njëjtin vit, Giuseppe Arcimboldo, mbase artisti i parë surrealist në botë, përfundoi pikturat “Juristi” dhe “Bibliotekari”. Duket e çuditshme, por veprat e Arcimboldos përdoren sot nga psikiatrat dhe neuroshkencëtarët për të vërejtur praninë e lezioneve në hemisferat e trurit që njohin objektet dhe imazhet.

Ky është shekulli XVI, e dekada e gjashtë e tij njihet për kolonializmin, përhapjen e reformave protestante, lindjen e kalvinizmit, masakrimet e hugenotëve, për luftëra, për murtajën… Por, në këtë dekadë të zymtë lindën edhe emrat e mëdhenj, që do ta ndryshonin botën për të mirë, si: Francis Bacon, Galileo Galilei dhe William Shakespeare. I pari ishte filozof, babai i empirizmit; i dyti ishte polimat, babai i shkencës moderne; dhe i treti ishte njeriu i fjalëve të bukura e të zgjuara – ma i madhi i dramaturgjisë botërore.


Në shekullin kur lindi Carlo, vdiq Niccolò Machiavelli, autori i një prej veprave më të njohura në botë, “Princi”. Model i veprës së tij ishte sundimtari Cesare, i familjes më kontroverse të asaj kohe në Itali, Borgia. Cesare ishte model për të, sepse te ai e shihte mishërimin e virtytit dhe fatit. Ishte fatlum meqë e kishte babën Papë (Aleksandrin e VI-të) dhe virtyti i tij ishte aftësia për të mbajtur pushtetin – qoftë me forcë, mizori apo tradhti.

Kështu, koncepti i Machiavellit, apo Makiavelizmi, u shndërrua në sinonimin e politikës së paskrupullt e pa pikë morali. “Politika nuk ka lidhje me moralin”, ka thënë Machiavelli, sipas të cilit “është shumë më sigurt kur ta kanë frikën, sesa kur të duan”.

***

“Për të parë dritën tek shndritë shumë, errësira duhet të jetë e pranishme”, ka thënë vet Bacon. E, në gjithë këto zhvillime të mëdha, të errëta e të ndritshme, emri që përmendet më së paku është ai i që përfaqëson këtë botë bardhezi: Carlo Gesualdos, pinjoll i një familjeje të njohur mesjetare, që më shumë njihet për kontributin e dhënë për zhvillimin e artit në Venosë.

Por, kush ishte tamam ky person?

Carlo ishte princ dhe një nga kompozitorët më të rëndësishëm të Renesancës. Tonalitetet kromatike dhe anashkalimi i rregullave standarde të harmonisë, do të guxojë t’i zbatojë si ai veç Richard Wagneri në shekullin XIX. Ai ishte një nga personat më kreativë e më eksplorues të botës së muzikës, por që u harrua me kohën. Vetëm në shekullin XX do të rikthehet interesimi për muzikën e tij, sidomos kur stili i tij unik muzikor do të jetë frymëzim për kompozitorin Igor Stravinsky, ndërsa jeta e tij frymëzim për mjeshtrit e fjalëve dhe të imazheve.

“Kur ndjenjat dështojnë, arsyeja duhet të ndërhyjë”, ka thënë Galilei. Teksa analizohej jeta dhe vepra e Carlo Gesualdos, këtij kompozitori iu rikthye edhe epiteti i të “Çmendurit të Renesancës” apo “Princit të errësirës”! Sepse, një anë e errët e jetës së tij, kur i mungoi arsyeja, do ta mundte përherë anën e ndritshme – gjeniun e muzikës!

Në vitin 1586, Carlo do të martohej me kushërirën e tij, Donna Maria d’Avalos, të bijën e princit të Montesarkios. Disa vite pas martesës, më 1690, në Napoli do ta zë gruan joshëse në flagrancë të tradhtisë bashkëshortore me Dukën e Andrisë, Frabrizio Carafa. Ai i vret ata. Trupat u gjetën të mbuluar në gjak e me shumë e shumë plagë. Meqë ishte princ, dënimi i tij ishte i pamundur për atë kohë.

Pas këtij akti, aristokrati dhe kompozitori më inventiv e më i njohur i kohës, do të shndërrohej në një figurë gjysmë mitike. Për të flitej dikur se trupat e viktimat i kishte masakruar; se kufomat i kishte lënë të kalbeshin në shkallë të pallatit; se u kishte prerë organet gjenitale; se e ka vrarë në djep “fëmijën kopil” të gruas së tij… Ndërsa sot, kur analizohet e kaluara dhe muzika e tij, disa thonë se ndiqej nga djajtë, ndaj muzika e tij është pasqyrim i ekzorcizmit; disa thonë se në notat e tij shihet dhembja dhe vuajtja; e të tjerët mendojnë se në to shihet imazhi i një “psikopati”!

Kritiku i njohur amerikan i muzikës, Alex Ross, duke ndërthurur dy ekstremet e një njeriu, jep përkufizimin më të mirë: “Nëse Gesualdo nuk do të kishte kryer akte të tilla tronditëse, mbase nuk do t’i kushtonim aq vëmendje muzikës së tij. Por, nëse nuk do të kishte shkruar një muzikë aq tronditëse, ne nuk do të interesoheshim shumë për veprimet e tij”!

***

Në vitin 2001, Christian Longo vrau gruan dhe tre fëmijët e vet të vegjël. Ai vuante nga çrregullimi narcisoid i personalitetit, që shtyn personin të jetë në qendër të vëmendjes. Dhe, ia doli në këtë synim morbid. Sepse, gazetari i njohur Michael Finkel, më 2005 do ta shkruajë librin për jetën e tij: “True Story: Murder, Memoir, Mea Culpa” (Ngjarje e vërtetë: Vrasja, kujtimi, faji im). Ndërsa, më 2015 kjo vepër do të inskenohej në film. Longo, që gënjente gjatë gjithë kohës e që i bënte të tjerët të kenë empati për të, vizitohet një ditë nga gruaja e gazetari Finkel. Ajo ia lëshon atij madrigalin e Carlo Gesualdos, “Se la mia morte brami” (Nëse e dëshiron vdekjen time).

“Carlo Gesualdo e ka shkruar më 1611, disa vite pasi vret gruan dhe fëmijën e porsalindur. Gruaja e tij kishte një dashnor. I ndoqi me thikë gjuetie. E theri disa herë trupin e saj. Dhe, derisa derdhte gjak për vdekje në dysheme, e detyroi të dashurin ta zhvesh atë, të veshë këmishën e saj të natës me gjak e ta turpërojë veten. Pastaj u ngjit lart dhe rrahu për vdekje foshnjën e vet, nëpër qoshet e djepit. Kjo muzikë është e bukur, pothuajse për të harruar se po dëgjon diçka të kompozuar nga njeriu që theu kafkën e foshnjës në një pjesë të mobiles. Por, jo! E di se Mike mundohet të të kuptojë. Mendoj se ai beson se nëse të kupton, atëherë mund ta kuptojë veten. Por, unë nuk dua të të kuptoj. Ti je vrasës. Ti vret gra e fëmijë. Ti je narcis që s’e duron asnjë sekondë të vetme kur nuk të ofrohet vëmendja. Jam këtu për të të thënë, se çfarëdo që do të të ndodhë, ti kurrë nuk do të ikësh nga ajo që je”, i thotë ajo, duke u bazuar edhe në disa të pavërteta për jetën e Carlos. Por, një gjë nuk mund të mohohet: asnjëri nuk mund të ikën nga ajo që është!

***

Në Treskë të Korçës, më 1914 u lind Misto Treska. Në vitin 2004, pas vdekjes do të nderohej me titullin “Qytetar Nderi i Korçës”. Dy vjet më vonë, me vendim të Këshillit Bashkiak të Tiranës, një bibliotekë do të mbajë emrin e tij. E, më 2010, sipas tij do quhet një rrugë e Tiranës. Ai ishte gazetar, diplomat, ndërsa çmohet më shumë si përkthyes i shkrimtarëve më të mëdhenj francezë (Moliere, Victor Hugo, Guy de Maupassant, Stendhal, Diderot…).

Por, një anë tjetër e jetës së Treskës shpesh fshihet nga opinioni. Ai është njeriu që më 1946 kërkoi eliminim e tre patriotëve dhe intelektualëve të mëdhenj: Maliq Bushatit (veprimtar i çështjes kombëtare dhe kryeministër i Shqipërisë gjatë Luftës së Dytë Botërore), Anton Harapit (françeskan dhe një nga intelektualët më të mëdhenj të kohës) dhe Lef Nosit (patriot, arkivist, folklorist, etnograf, numizmat… dhe nënshkrues i Deklaratës së Pavarësisë së Shqipërisë). Por, në biografitë e Treskës që haset në internet, pos si intelektual cilësohet edhe si “atdhetar”!

***

Carlo në kohën e tij njihej si artist. Askush nuk guxonte ta quante vrasës. Ishte princ në një kohë kur, sipas Machiavellit, “urrejtja është fituar me anë të veprave të mira po aq sa me anë të veprave të këqija”. Kështu, sistemi i keq artistin e bën vrasës. Por, sot, kur makiavelizmi përfaqëson veç atë që e thotë psikologjia – treshen e errët të mashtrimit, amoralitetit dhe përfitimit personal – Carlo njihet edhe si vrasës. Jo humanist!

Në anën tjetër, një nga thëniet e “urta makiavelistë” shqiptare është: “Më mirë të të urrejnë se të kenë gjynah për ty”. Prandaj, majori i dikurshëm, prokurori Misto Treska, Bushatin, Harapin e Nosin i shpalli lehtë “kriminelë të luftës” dhe “armiq të popullit”. Dhe, kërkoi dënimin me vdekje për ta. Edhe për një nga etërit e pavarësisë. Gjatë komunizmit, askush nuk ka guxuar të merrej me këtë pjesë të jetës së tij. Si njeri i letrave, mbase sistemi i keq e shndërroi në nënshkrues të certifikatave të vdekjes të njerëzve që të keqen e vetme e kishin urrejtjen ndaj komunizmit. Por sot, kur të gjithë deklarohen se e urrejnë komunizmin, këtë sistem makiavelist, Carlo vazhdon të njihet si vrasës, e Treska veç si përkthyesi më i madh nga frëngjishtja. Sepse, shqiptari mund të ikë nga vetja, të jetë ai që nuk është!

Kështu, në Tiranë, në kryeqytetin e Shqipërisë është rruga me emrin “Misto Treska”. E, në Prishtinë, në kryeqytetin e Kosovës është rruga “Vojo Kushi” – emri i malazezit që vrau të birin e Isa Boletinit, nënkolonelin Adem Boletini.

“Diçka është kalbur në tokën e… shqiponjave”, do të thoshte Shakespeare, nëse mes shqiptarëve do të lindte Hamleti…

Definitivisht, shqiptarët duhet t’i shikojnë pikturat e Giuseppe Arcimboldos!

Mes shqiptarëve vritet Mozarti!
Lexo po ashtu Mes shqiptarëve vritet Mozarti!

Në trend

Më shumë
Anëtarësimi i Kosovës në KiE, Knaus: Disa shtete, përfshirë Francën e Gjermaninë po përgatiten ta bllokojnë votimin në maj

Anëtarësimi i Kosovës në KiE, Knaus: Disa shtete, përfshirë Francën e Gjermaninë po përgatiten ta bllokojnë votimin në maj

Lajme

"Po na djegin, ju lutem na ndihmoni", rusët nuk kanë zgjidhje për sulmet me dronë të ukrainasve

Evropa
Borrell e uroi qeverinë e re serbe, eurodeputeti gjerman nuk përmbahet: Si mund ta bëjë një budallallëk të tillë

Borrell e uroi qeverinë e re serbe, eurodeputeti gjerman nuk përmbahet: Si mund ta bëjë një budallallëk të tillë

Serbia
Fruti i pasionit mbillet në Shkodër - Familja Ndoja nga 1 dynym, sot mbjell 15 hektarë

Fruti i pasionit mbillet në Shkodër - Familja Ndoja nga 1 dynym, sot mbjell 15 hektarë

Lajme
Trajneri i Palmeiras i lutet presidentit të mos e shesë Messinhon, thotë se nuk ka parë kurrë këso lojtari

Trajneri i Palmeiras i lutet presidentit të mos e shesë Messinhon, thotë se nuk ka parë kurrë këso lojtari

Ndërkombëtare
Tentuan t’ia vënë zjarrin shkollës “Meto Bajraktari” në Prishtinë, reagon Drejtoria e Arsimit: Të zbulohen motivet e sulmit kriminal mbi objektet shkollore

Tentuan t’ia vënë zjarrin shkollës “Meto Bajraktari” në Prishtinë, reagon Drejtoria e Arsimit: Të zbulohen motivet e sulmit kriminal mbi objektet shkollore

Arsim
Kalo në kategori