LAJMI I FUNDIT:

Ne jemi një…

“Nuk jam anti asgjëje dhe anti askujt, jam vetëm proshqiptar dhe ajo që i dëshiroj Shqipërisë është e drejta e saj edhe për të kundërshtuar. Sepse unë jam aleat, jo protektorat” – Koço Danaj

Të përfshirë nga një “snobizëm politik”, dhe nënvlerësimit permanent të vlerave vetjake, ne si popull në Kosovë, jemi të prirë që çdo opsion të ofruar nga ana e tjerëve si zgjidhje, në mënyrë të verbër ta pranojmë atë si diçka “moderne” dhe të “pashmangshme”, e cila na vjen nga një “botë përparimtare dhe e civilizuar”. Kjo mënyrë e instaluar e të menduarit të pavetëdijshëm na është shndërruar në një koshiencë të automatizuar të veprimit, duke na u bërë si një censor i fortë i çdo ideje tjetër, sado që ajo realisht është shprehje e një trysnie kolektive të synimit tonë historik si popull.


Se bashkësia ndërkombëtare nuk është një mekanizëm që vepron në mënyrë precize sipas principeve të veta më parë të përcaktuara si standarde, është demantuar disa herë në politikën e saj gjatë proceseve të ndryshme vendimmarrëse ndërkombëtare.
Një shembull më flagrant si dëshmi, e kemi te rasti i ish-shtetit të RSFJ-së, ku principi i rreptë i mosndryshimit të kufijve ekzistues shtetërore u anashkalua, dhe nga një shtet federativ, dikur sovran, u formuan disa shtete të reja të pavarura.

Dihet mirë se Kosova atëbotë, në kuadrin e ish-Federatës Jugosllave, nuk ishte Republikë, por Krahinë autonome, si pjesë e një republike tjetër federative -Serbisë. Vullneti popullor i shqiptarëve të Kosovës që të jenë Republikë në kuadrin e Federatës së atëhershme Jugosllave mbeti gjithnjë si “tabu temë” politike dhe çfarëdo iniciativë sado e ngjashme me këtë synim, është konsideruar si “nacionalizëm” dhe “separatizëm”, “Shqipëri e madhe”, etj. Pra, një pretekst politik i kamufluar mirë, për të arsyetuar më vonë të drejtën e ndjekjes sa më drakoniane të çfarëdo iniciative individuale apo grupore të shprehjes eventuale të ndonjë kërkese të tillë.

Arsyetimi se Republika si një rregullim shoqëror-politik në kuadrin e një federate sipas standardeve ndërkombëtare konsiderohej si shtet, ndërsa Kosova si Republikë, do të nënkuptonte promovimin edhe të një shteti të ri shqiptar në Ballkan dhe Evropë, ishte bindëse edhe për shumë delegacione të bashkësisë ndërkombëtar të cilat atëbotë e vizitonin Beogradin dhe reagonin kundër kërkesave të shqiptarëve të Kosovës për Republikë dhe kundër dhunës së organizuar institucionale, që në emër të kësaj ideje i bëhej popullatës së saj.

Por, dihet mirë se çfarë ndodhi pas viteve ‘90. Kufijtë ndërkombëtarisht të njohur të RSFJ-së u ndërruan. Për republikat që u ndanë me dhunë nga kjo bashkësi federative, ju njoh e drejta e tyre që të jenë të pavarura dhe sovrane. Kjo ishte më se e kuptueshme, sepse, pikërisht kishim të bënim me territor dhe popull specifik, që ka një histori dhe kulturë kompakte, andaj, republikat separata në fjalë, edhe në mënyrë të natyrshme i plotësonin kushtet të pavarësimit të tyre si shtete në vete.

Kosova mbeti kafshatë e fundit. Ajo edhe disa vite iu nënshtrua dhunës së brendshme shtetërore të Serbisë, gjersa më në fund bashkësia ndërkombëtare nuk intervenoj ushtarakisht dhe nuk e shpalli këtë pjesë të trazuar të Ballkanit si zonë e mbikëqyrur nga Kombet e Bashkuara.

Kështu, ne, nga një viktimë e Serbisë shoviniste antishqiptare, me UNMIK-un si një formë e mbikëqyrjes ndërkombëtare të instaluar përkohësisht në Kosovë, u inkurajuam për një perspektivë të ndritshme gjithëpërfshirëse do të na pret e ardhmja nga ky “universitet i madh i demokracisë, dijes dhe kulturës së mirëfilltë perëndimore” të cilin tanimë veç e kishim në shtëpinë tonë.

Pas tetë vjet të eksperimenteve të dështuara në dëm të popullit tonë, më në fund hapet “Kutia e Pandorës”, dhe merret sinjali i inicimit të zgjidhjes së statusit përfundimtar të Kosovës.

Që në fillim ky proces ishte vënë në kahe të gabuar. Sepse në nisje, nuk u murr parasysh fakti se Kosova nga kolonizatori i saj i mëparshëm, u shkëput me luftë e jo me marrëveshje, prandaj, edhe zgjidhja e statusit përfundimtar të saj duhet të jetë një çështje që do të rregullohet në mes të fituesit të kësaj lufte, në këtë rast bashkësisë ndërkombëtare, dhe popullit të atij territori, i cili me vullnetin e vetë e ka legalizuar këtë ndihmë vëllazërore të intervenimit ushtarak. E jo, sikur po praktikohet tani: shtyhen të bisedojnë kosovarët me ish-kolonizatorin e tyre, për fatin e një territori të cilin ajo gjithnjë e ka pasur padrejtësisht në okupim dhe më në fund e ka humbur me luftë.

Sado që punët ia filluan mbrapsht, ne u deshtë që edhe në këtë klimë haptazi ta shprehim synimin tonë shekullor historik të opsionit për bashkim kombëtar, e, që, njëkohësisht do të ishte edhe si kërkesë për një revidim të padrejtësisë historike që na është bërë si popull. Por, në vend se ta bëjmë këtë, u kapëm si “popi pas kryqit” me pavarësinë e Kosovës si zgjidhje përfundimtare dhe më të pranueshme të statusit të saj.

Kërkesa e jonë e dikurshëm “Kosova Republikë”, aspak nuk ka qenë si kërkesë e një zgjidhje përfundimtare, por, atëbotë, ishte si një formë më e kapshme politike e shkëputjes tonë administrative nga tutela e Serbisë.
Çuditërisht, ky togfjalësh shabllon na mbeti si shprehi!

Tanimë, e vërteta lakuriqe është se, ne, në të gjitha nivele kombëtare dhe gjithëkombëtare e pranuam këtë konformizëm cinik të imponuar, por askush nuk di të jap përgjigje se pse po e kërkonim pavarësinë e jo bashkimin kombëtar.
Në çfarë u bazua vërtetësia e ekzistimit të këtij opsioni që na koka si “vullnet i lirë i popullit tonë”?
Me cilin mekanizma vlerësues relevant u arrit gjer tek ky konstatim?

Themi, ta zëmë, se bashkësia ndërkombëtare e ka të prerë principin e mos ndryshimit të kufijve ekzistues, por, a nuk u thye ky princip i “rreptë” disa herë, si me ish -Bashkimin Sovjetik, RSFJ-së, bashkimit të dy gjermanive, etj.?
Disa analitik tanë fajësojnë mungesën organizimit tonë në një nivel gjithëkombëtarë, duke gjetur si pretekst mosekzistimin e një programi të mirëfilltë nacional në këtë drejtim?

Ndoshta për dike, mund të duket e pranueshme kjo mangësi e paraqitur si argument, por jo edhe e saktë, sepse, shqiptarët e kanë kaherë të formuluar qartë programin e vetë nacional, dhe atë që nga viti 1878, nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit..Ky princip bazë i instaluar kaherë si synim i yni gjithëkombëtar, për tu kuptuar është i thjeshtë dhe tejet i qartë: bashkimi i të gjitha trojeve shqiptare në një shtet unik.
Pse të ketë nga dikush dilema të tjera?!

Mu përmes këtij principi esencial duhet të frymëzohet dhe udhëhiqet së pari çdo shqiptar si individ, më pas, grupacion akademik, parti politike, organizëm ushtarak si dhe format tjera të strukturave të ndryshme te shoqërisë sonë, të shtrira në të gjitha nivelet dhe shtresat popullore të hapësirave të atdheut tonë të copëtuar në disa pjesë.

Kur filloi lufta e armatosur e UÇK-së për çlirimin kombëtarë nga zgjedhja serbe, këta bijtë tanë, që me mia u viktimizuan në altarin e lirisë, fare nuk e kishin në dilemë ekzistimin apo jo të programit nacional kombëtar si synim përfundimtar. Ata u betuan para një flamuri dhe një himni kombëtar dhe iu prinë luftës deri në vdekje: për një qëllim të vetëm të cilin e kishin fare të qartë.

Kërkesa e instaluar për pavarësi, gjoja si një shprehje e vullnet të popullit të Kosovës, është vetëm një konformizëm që buron nga një ëndrre rugoviane për pashallëk apo çiflig personal të sundimit, e kamufluar me pretekstin e principit ndërkombëtar të mosndryshimit të kufijve ekzistues.

Prandaj, larg çdo shablloneve të snobizmit politik-synimi jonë real është bashkimi kombëtar si opsion i vetëm. Nëse ende ka nga ata “empiristë” të papërmirësueshëm për këtë konstatim, atëherë e kanë shumë lehtë ta provojnë këtë teori edhe në praktikë : LE TA ORGANIZOJNË REFERENDUMIN GJITHËPOPULLOR dhe të gjitha dilemat tona do të eliminohen një herë e përgjithmonë.

Politika kosovare në këtë kohë, me kërkesat e saj principiele, duhet patjetër që para çdo niveli kombëtar dhe ndërkombëtar të rreshtohet fuqimisht pranë kësaj kërkese real të popullit tonë.

Absolutisht dhe në asnjë mënyrë nuk duhet të ketë dilema rreth kufijve të tashëm ekzistues, por si koncenzus i trysnisë së pandërprerë politike ndërkombëtare për statusin përfundimtar të Kosovës, mund të pranohet vetëm opsioni më i dhembshëm për ne, ai i shpalljes dhe njohjes së Kosovës si shtet të pavarur dhe sovran (pa kurrfarë paketa fantome, por në plotë kuptimin e fjalës) .

Kuptohet, kjo zgjidhje duhet pranohet përkohësisht dhe si proces, sepse, ashtu sikur na kanë mësuar edhe vetë, dy shtete shqiptare në një hapësirë dhe territor të përbashkët nuk mund të ekzistojnë realisht?