LAJMI I FUNDIT:

Ndërtimi i rezistencës ndaj ekstremizmit të dhunshëm: Një ndërhyrje në literaturën ideologjike fetare

Ndërtimi i rezistencës ndaj ekstremizmit të dhunshëm: Një ndërhyrje në literaturën ideologjike fetare

Shoqërimi i njeriut bashkë me besimin në një fuqi me përmasa absolute, buron që nga e zanafilla tij e hershme historike. Edhe njerëzit e epokës se gurit dhe të hekurit kishin besimet e tyre të cilat i kultivonin në mënyrën e vet specifike.

Duke qenë se besimi ishte pjesë e pandashme e natyrës së njeriut, loja dhe manipulimi i masës përmes bindjeve të besimit, si nga ana e prijësve shpirtërorë e njashtu edhe nga pushtetarët është një fakt tjetër historik i pamohueshëm.


Përndryshe, besimi në Zot sipas bindjes së lirë, i cili nuk kultivohet mbi frymën e nxitjes së urrejtjes dhe luftës së tjetrit, nuk mund të jetë i rrezikshëm as për praktikuesin dhe as për të tjerët të cilët ndajnë bindje tjetër të besimit. Kurse, në momentin kur besimi fetar devijon në dëm të tjetrit, ai nuk mund të quhet më një institucion paqeje e individit me Zotin dhe me njerëzit në tokë, por vetëm një mjet i dhunës, çrregullimit dhe anarkisë !.

Nga statistikat e ekspertëve të terrorizimit global të zhvilluara deri më sot, mbi 90 për qind të autorëve ekzekutues të akteve terroriste, apo të atyre në tentativë kanë qenë njerëz të nivelit të lehtë manipulues si:

-fëmijë të moshës së njomë,
-individë të paarsimuar,
-individë me gjendje të rëndë sociale,
-individë të izoluar dhe të mbetur në margjinën e shoqërisë,
-individë apo grupe pa ndonjë sfond të edukimit fetar paraprak,
-individ të indoktrinuar mbi bindjen e manipuluar fetare të natyrës radikale dhe ekstreme.

Përndryshe, përdorimi i emrit të Zotit për të vrarë njerëz të pafajshëm dhe në pabesi në mësimet e teksteve hyjnore, konsiderohet si akti më brutal dhe më i dhunshëm të cilin njeriu mund ta bëjë në raport me vet Zotin të cilit i beson.

Fryma e urrejtjes, luftimit apo vrasjes së njerëzve në emër të një koncepti të quajtur “xhihad islamik”, nuk është prodhim autokton i shqiptarëve në veçanti, e as i besimtarëve të besimit Islam në Ballkan në përgjithësi. Me fjalë të tjera, ky lloji diskursi nuk është burim endogjen i cili rrjedh nga edukimi i baballarëve dhe gjyshërve tanë, e as i shkollave dhe institucioneve tona edukativo- fetare, të niveleve lokale dhe nacionale.

Mentaliteti i luftimit dhe vrasjes së tjetrit përmes shpjegimeve të caktuara ideologjike fetare, të natyrave provinciale, sektare dhe ideologjike për ne ka qenë, ishte dhe është ngjizje e huaj, e cila në mesin tonë u fut nga jashtë, fatkeqësisht në bashkëpunim edhe me individ e grupe të brendshme, mu atëherë kur ne po kalonim momentet më të liga si popull dhe komb.

– Në Shqipëri, menjëherë pas rënies së sistemit komunist, zbarkuan thirrës-misionarë të shoqëruar me tonelata libra të natyrës fetare, të cilat pa asnjë recension dhe redaktim u përkthyen në gjuhën shqipe dhe ju shpërndan qytetarëve me gjendje të rëndë ekonomike, të cilët në përgjithësi ishin krejtësisht të pa informuar në fushën e mësimeve fetare.

– Ndërsa në Kosovë, të njëjtit zbarkuan menjëherë pas përfundimit të luftës, gjegjësisht në momentet kur gjendja e popullit ishte tmerrësisht e mjeruar dhe e frustruar nga pasojat e luftës.

Prandaj, për misionarët “shpëtimtarë” ky ishte edhe moment ideal të cilin e shfrytëzuan në maksimum të gjithë ata që për këtë qëllim ishin nisur tek ne. Kështu, të njëjtit vepruan edhe në Bosnjë dhe Hercegovinë, në Maqedoni dhe kështu veprojnë edhe kudo tjetër në botë.

Arsimimi Islam në trojet shqiptare, i cili edhe sot në institucionet e tyre edukative fetare është aktiv, në vija të trasha mund të klasifikohet siç vijon:

1. Pjesa e mësimeve fetare e trashëguar nga e kaluara, brumin e së cilës nuk e kanë gatuar vet shqiptarët drejtpërdrejtë, por e cila kryesisht është marr apo pranuar e gatshme nga shkollat dhe qendrat tjera politike dhe fetare gjatë sistemit monist.

Në këtë kategori, më së shumti bënë pjesë Kosova dhe Maqedonia. Në këto vende, fatkeqësisht, as pas rënies së sistemit komunist e deri më sot, nuk është bërë asnjë revidim i mirëfilltë serioz i kurrikulave dhe planprogrameve fetare me përmbajtje të mësimeve islame, të cilat, me fjalë të tjera, do të mund të quheshin hartime autoriale të autorëve vendorë.

Prandaj, në lidhje me këtë mund të thuhet se kurrikulat e vjetra, përveç që janë jashtë standardeve pedagogjike, janë edhe në mos përputhshmërinë e duhur me frymën dhe nevojën e besimtarëve për hapësirën dhe pozitën gjeopolitike dhe gjeografike në të cilën jetojnë.

Përkthimet e librave të autorëve të huaj, si dhe shndërrimi i tyre si pjesë e informimit dhe edukimit fetar në mesin tonë, përgjatë tri dekadave të fundit, duke mos i nënshtruar asnjë lloji redaktimi, vlerësimi dhe filtrimi nga ekspertët vendor, është një e vërtetë dhimbshëm dhe e pamohueshme.

2. Pjesa e mësimeve fetare islame në Shqipëri pas rënies së sistemit komunist.

Në shtetin amë Shqipëri, siç edhe dihet, për dallim nga pjesët tjera të tokave shqiptare kishte një ndërprerje të dhunshme mbi 40-vjeçare të çfarëdo lloji të aktivitetit fetar. Trojet shqiptare jashtë shtetit amë, edhe pse të sunduara nga regjimi komunist, megjithatë kishin një vazhdimësi të praktikimit të jetës fetare. Si rezultat i sanksionimit të gjatë të aktivitetit fetar dhe mungesës së kuadrove fetare vendore, komunitetet fetare, në përgjithësi të Shqipërisë, përfshirë edhe atë mysliman, ishin detyruar që të pranojnë kurrikula dhe planprograme të mësimeve fetare, të cilat kryesisht vinin dhe përgatiteshin jashtë vendit, me ndonjë ndërhyrje aty këtu shumë të vogël të vendorëve, e për të mos thënë edhe inekzistente. Populli shqiptar në vitet e ‘90-ta nuk e kishte haberin se cili version, cila shkollë, cila formë apo cila qendër fetare është puro shpirtërore objektive dhe jo tendencioze.

Kjo që u përmend më lartë është e kaluara e shkuar bashkë dëmin që ka lënë pas veti.

Si të ballafaqohemi përmes arsimit me fenomenin e radikalizmit dhe ekstremizmit i cili po shfaqet në emër të e fesë?

Si popull dhe si komb në përgjithësi, e as si institucione fetare tradicionale, nuk kemi reaguar në kohë dhe zëshëm në parandalimin e sektarizmave bashkëkohor të dhunshëm me ngjyrime fetare. Kanë kaluar gati tri dekada me radhë kur ne asnjëherë nuk jemi ulur seriozisht për të diskutuar rreth literaturës masive të futur tek ne në emër të fesë, në mënyrë që sadopak të analizojmë dhe studiojmë dhe dallojmë pjesën e saj fetare objektive, nga pjesa tjetër e karakterizuar me ngjyrime sektare, periferike dhe atë skajshme ideologjike.

Është koha që këtë hap ta bëjmë sa më parë dhe sa më shpejtë që është e mundur. Nuk guxojmë që edhe më tutje të lejojmë të tjerët, që fëmijët tanë t`i informojnë dhe edukojnë gabimisht, kinse duke u thirrur në fe, përderisa dihet se qëllimi i një pjese të madhe të tyre më së paku ka të bëjë me mësimet e mirëfillta fetare dhe objektive.

Fëmija i ynë sot, si dhe gjeneratat tona të ardhshme duhet të informohen drejtë që të bëjnë dallimin mes parimeve objektive fetare dhe fanatizmave, traditave, kulturave dhe zakoneve të huaja të kamufluara në emër të fesë. Këtë, sigurisht se, më së miri mund ta bëjnë studiuesit fetarë vendor, të cilët janë objektiv dhe të pa ndikuar nga jashtë.

Ndryshe, pa një filtrim dhe pastrim të librave fetare, në këtë rast të autorëve të huaj, të përpiluara nga autorë të jashtëm nën ndikimin e versioneve interpretuese lokale, provinciale nacionale dhe gjeopolitike, apo edhe nën ndikimin e ndonjë lëvizje fetare politike; edukimi fetar i fëmijëve tanë mbi baza të shëndosha dhe objektive nuk mund të jetë i sigurt, siç edhe nuk mund të jetë garantues afatgjatë i respektimit dhe bashkëjetesës ndër-religjioz në mesin tonë.

Bota islame si kurrë më parë, përveç përçarjeve të thella politike është e ndarë edhe mbi bazën e perceptimeve fetare. Çdo vend i botës islame sot ka formën dhe mënyrën e vet specifike të organizimit dhe kultivimit të jetës fetare dhe arsimore. Prandaj, në mungesë të një modeli shembull nga bota islame, ne duhet të vetorganizohemi në vendin dhe ambientin ku edhe jetojmë, në mënyrë që të përpilojmë kurrikula dhe plan-programe të mësimit fetar, të cilat i përshtaten sistemit tonë jetësor, zakoneve dhe traditave tona të shëndosha, si dhe shtrirjes tonë gjeografike dhe gjeopolitike të cilës i takojmë.

Sot, marr parasysh numrin e mjaftueshëm të kuadrove tona vendore të arsimuar në fushën e studimeve teologjike, e bënë imperativ hapin e institucioneve tona edukative fetare, që brumin dhe gatimin e lëndëve mbi besimin fetar ta seleksionojmë dhe përgatisim vet, pa ndërhyrje dhe imponime të jashtme. Vetëm në këtë mënyrë, ne do të jem vetja e jonë në kumtimin e mësimeve fetare, të cilat në rend të parë do të jenë në dobi të vet besimtarëve, pastaj edhe të vendit në të cilin jetojmë dhe ndër-veprojmë.