LAJMI I FUNDIT:

Ndërtimi i shtetit dhe sfidat

Në kuptimin logjik, shteti ekziston kur në një territor të caktuar ka një aparat politik që sundon, ku pushteti mbështetet nga një sistem ligjor dhe nga aftësia për të menaxhuar me sukses, zbatimin e politikave të tij. Edhe pse për Schmitin, shteti ka qenë arritja më e madhe e civilizimit perëndimor, megjithatë shteti duhet të qeveriset në mënyrë demokratike dhe me një qeverisje të drejt.

Është tejet normale se secili shtet ka probleme, sfida me të cilat ballafaqohet, mirëpo ndërtimi i shtetit, kapaciteteve shtetërore, dhe ndërtimi i institucioneve, e sidomos ndërtimi i një shteti të dalur nga konflikti, duhet të jetë prioritet i Elitës udhëheqëse.


Kritikën nuk duhet marrë gjithmonë vetëm nga ana negative, por atë duhet shikuar në dioptrinë analitike, dhe nëse kritika rezulton në realitetin praktik duhet ndërmarrë një sërë masash për evitimin e problemeve kyçe. Andaj, ndërtimi i shtetit kërkon kohë, mund dhe një unitet të gjithmbarshëm nga ana e elitës politike, jo vetëm nga ana e pozitës si udhëheqëse e shtetit, por edhe nga ana e vetë opozitës me një zë kritik dhe rol dominant në skenën politike.

Pas anëtarësimit të Kosovës në Fondin Monetar Ndërkombëtar, dhe Bankën Botërore, shteti kosovar po ecën drejtë një integrimi në strukturat e mëdha euroatlantike. Megjithatë, këtu nuk duhet parë punën e përfunduar dhe suksesin e kësaj apo asaj partie politike, por duhet bërë progres në atë mënyrë që shteti kosovar të pranohet nga më shumë shtete tjera dhe organizata ndërkombëtare të cilat sot luajnë një rol me rëndësi në botë.

Në anën tjetër, është e nevojshme që kjo ,,Elitë politike “ të evidentojë problemet dhe sfidat me të cilat ballafaqohet çdo ditë me to. Andaj, në këtë shkrim jemi fokusuar tek sfidat e shtetit dhe problemet që pothuajse janë bërë të përditshme, dhe si të tilla mund të veçojmë:

1. Është e nevojshme për një shtet që të jetë stabil dhe demokratik, që t’i miraton dhe praktikon, ligjet dhe rregulloret e tij të hartuara nga kushtetuta. Sepse është në interes të vetë shtetit që t’i kryej detyrat e tij, vlen të përmendet z’varitja e punës për zgjedhjen e Avokatit të Popullit ku pas katër dështimeve pothuajse më në fund u finalizua qëllimi. Andaj, zvarritje të tilla nuk do të shërbejnë askujt, me faktin se Kosova duhet të përgatitet sa më parë për rrugën e saj të gjatë, pra Bashkimin Evropian.

2. Siguria – Sfida e sigurisë paraqet një nga problemet më madhore për një shtet, dhe varësisht nga këndvështrimi aktual, siguria duhet të jetë në nivel, sepse një institucion i mirë shtetëror është ai që i shërben të gjithë qytetarëve me një transparencë dhe një siguri për të gjithë, duke u nisur nga siguria e vetë institucioneve shtetërore, e deri tek ajo nacionale. Rasti i fundit të vjedhjes së provave mu në mes të institucionit të policisë, lëkundi pozicionin e vetë elitës udhëheqëse dhe defacto ishte një fakt tronditës për opinionin e gjerë publik.

3. Zhvillimi i politikës së jashtme, shihet qartë që Kosova ka një politik të jashtme të nivelit të dobët, dhe si e tillë në këtë politikë duhet bërë riparime në mënyrë që diplomacia kosovare të jetë e suksesshme në çdo aspekt. Një hap i tillë do të hapte rrugën për shumë çështje, duke u nisur nga ajo e lobimit për njohjen e shtetit të Kosovës, e deri tek ndihmesa e diasporës shqiptare me eliminimin e problemeve të tyre. Madje, një hap i tillë duke përshpejtuar punën e kësaj çështje do të ndihmonte edhe vetë Kosovën në shumë sfida dhe do të ishte një hap pragamtik drejt eliminimit të sfidave tjera.

4. Zhvillimi ekonomik, shpesh në mediet tona flitet për hapjen e shumë bizneseve, për krijimin e politikave të favorshme për investitorët e huaj, mirëpo rezultatet në terren tregojnë se Kosova ende nuk ka një rezultat të një zhvillimi ekonomik, andaj shihet qartë edhe pse vullneti i mirë ekziston për një zhvillim ekonomik, realiteti tregon se akoma rezultatet e këtij zhvillimi ekonomik nuk janë ka duken. Mirëpo, kusht në këtë zhvillim ekonomik padyshim se janë edhe luftimi i aferave korruptive që pothuajse tani më është bërë përditshmëri kjo fjalë, pastaj luftimi i nepotizmit si dhe problemet tjera. Zhvillimi ekonomik, do të mundësonte Kosovës që t’i shmangë shumë probleme, të krijon një sistem të mirëqenies sociale, të zbutë varfërinë dhe të krijon vende të lira të punës. Madje ky (zhvillim ekonomik) duhet të jetë një nga prioritetet e ,,databazës’’ së vetë institucioneve kosovare, sepse sot nëse nuk kemi një zhvillim ekonomik të qëndrueshëm problemet tjera padyshim se vetëm do të shtohen.

5. Si sfidë të pestë e kemi radhitur sistemin gjyqësor, për shkak se funksionimi i sistemit gjyqësor është një ndër elementet kyçe për një shtet demokratik dhe stabil. Megjithatë, vlen të theksohet se sistemi gjyqësor akoma përballet me vetë mungesën e një politike të zhvillimit të tij, pastaj mungesën e fondeve adekuate për të qenë më praktik dhe pragmatik, pastaj korrupsioni që në disa raste është tepër i lartë, si dhe mungesa e një profesionalizmi të lartë.

6. Mediat – Nuk është rastësi që thuhet se mediat konsiderohen si pushtet i katërt, megjithatë, vlen të theksohet se mediat kosovare akoma kanë një mungesë të lirisë së shprehjes, kanë mungesë të një gazetarie hulumtuese, për shkak të ndikimit të politikës udhëheqëse në media, për shkak të presioneve të ndryshme. Rasti të tilla pothuajse kemi pasur në të gjitha shoqëritë e tranzicionit, por ato janë evituar shumë shpejtë, madje edhe në Shqipëri nuk ka qenë situata aq e këndshme, mirëpo falë punës së përbashkët dhe mekanizmave tjerë, tani Shqipëria, mbetet një nga vendet më të përparuara në rajon sa u përket lirisë së mediave. Andaj, në këtë kontekst është e nevojshme që të kemi media të lira, në atë mënyrë që do të zhvillonte edhe një gazetari hulumtuese, mirëpo në anën tjetër edhe do të krijonte një kredibilitet mediatik shumë më të lartë se tani.

Si konkludim, mund të themi se këto ishin vetëm nga disa prej sfidave të një shteti, që është në tranzicion, mirëpo në analet e strukturës shtetërore, ekzistojnë edhe një sërë problemesh dhe sfidash që ballafaqohet shteti, mirëpo këto janë ato si më prioritare mund të themi, prandaj, mbetet sfidë dhe obligim i shtetit që jo vetëm këto sfida, por edhe sfida dhe probleme tjera që t’i menaxhojë në mënyrë efikase dhe demokratike, për të ardhur deri tek funksionimi demokratik dhe zhvillimi i vetë shtetit. Mirëpo, këtu kontributë duhet të japin edhe vetë qytetarët, opinioni i tyre, por edhe media me rolin e saj konstruktiv, me krijimin e një gazetarie hulumtues si dhe raportimin e problemeve shoqërore.

(Autori është master në Sociologji)