LAJMI I FUNDIT:

Murat Ahmeti, në botën si karikaturë e përhershme e vetvetes

Murat Ahmeti, në botën si karikaturë e përhershme e vetvetes

Në vitin 1853 shpërtheu Lufta e Krimesë mes Rusisë dhe Perandorisë Osmane. Të frikësuar se rusët do të pushtojnë Bosforin dhe Dardanelet, osmanëve të lodhtë në ndihmë u shkoi Anglia, Franca dhe Sardenja. Krah francezëve morën pjesë edhe mirditorët, të udhëhequr nga kapedani Bibë Doda. Roli i tyre thuhet se ishte i rëndësishëm, për çka perandori francez, Napoleoni i III-të, pas disfatës ruse më 1856, u bë kumbar i djalit të vetëm të Bibës – Prengës. Ndërsa, sulltan Abdylmexhiti e bëri Bibën pasha – të parin shqiptar katolik me këtë titull të madh.

Lufta e Krimesë është konflikti i parë modern, sepse aty u përdorën teknologjitë e reja, si telegrafi, anijet me avull dhe hekurudhat. Po ashtu, në Krime ndodhi raportimi i parë nga lufta. Aty lindi fotografia e luftës dhe fotozhurnalizmi. Po ashtu, për herë të parë karikatura u përdor si mjet për pasqyrimin e luftës. Këtë e bënë anglezët dhe francezët. Ata që ishin të përparuar në aspektin teknologjik dhe të artit. Siç janë edhe sot. Jo Bibë Doda e as trashëgimtarët e tij oportunistë. Jo shqiptarët.

Arti, pra, është fuqi. Karikatura është art, ndaj është fuqi. Në këtë përfundim do të vinim me silogjizmat që i kanë përdorur popujt e zgjuar që në lashtësi. Por, shqiptari, kur është fjala te karikatura, di ta përmendë “definicionin e katër ‘K’-ve: Karikaturisti karikaturon karikaturën karakteristike! Asgjë më shumë! Sepse, perceptimi i shumicës, për çdo art, është zbavitja. Dhe, kjo është një nga arsyet se pse ka degraduar vlera dhe artistët çdo ditë e më pak po vinë në shprehje.


Sipas një definicioni, karikatura është një portret apo prezantim i ekzagjeruar. Në fakt, karikatura është diçka më shumë. Ajo zbërthen jo vetëm një moment, por tenton të shkojë përtej: të rrëfejë dhe të zbërthejë fenomenet, siç është munduar karikaturisti zviceran, Rodolphe Topffer, kur nisi atë që do ta quajë “literaturë grafike”. E, këtë art të të rrëfyerit ndër shqiptarë, e njeh fort mirë artisti Murat Ahmeti. Nëse fjala karikaturë në italishte do të thotë “mbingarkim”, për të është çlirim, siç është të qash hallet, të rrëfehesh e të jesh i dëgjuar…

Murat Ahmeti është prishtinali. Ka mbaruar për pikturë; është marrë edhe me dizajn. Studion çdo ditë artet dhe e njeh si pakkush estetikën. Edhe Honore Daumier, John Tenniel dhe John Leech – ata që bënë më së shumti nam gjatë Luftës së Krimesë, përmes karikaturës – ishin artistë poliedrikë. Poeti i madh Charles Baudelaire, për Daumierin ka thënë se “është një nga njerëzit më të rëndësishëm, jo vetëm në karikaturë, por edhe në artin modern”. Për artin e tij Tenniel mori titullin e kalorësit fisnik. Ndërsa, Leech do të mbahet mend si njeriu që pasqyroi heroizmin, trimërinë dhe rolin që anglezët duhet ta kenë në botë (dhe si ironizuesi më i madh i ambicieve të fshehta ruse). Leech që në atë kohë dëshmoi se karikatura është mjet lufte – armë.

Fuqinë e karikaturës e ka treguar edhe Murat Ahmeti, sidomos kur më 2015 është solidarizuar me dhembjen për karikaturistët e vrarë të revistës satirike parisiene, “Charlie Hedbo”: fjala e lirë po vritet, ndaj lapsi është i shpuar nga plumbat dhe pikon gjak! Ndërkaq, në vitin 2013, në Turqi u mbyll një ekspozitë për shkak të karikaturës së tij të shpërblyer, që portretizonte kryeministrin e atëhershëm, Recep Tayyp Erdogan. Mbase se e ka bërë “si karikaturë” – ashtu siç perceptohet gabimisht nga shqiptarët edhe mendimi tjetër. “Por, si mund të japë Zoti dhunti për të pikturuar të keqen dhe gjërat e këqija”, është përgjigja që Vincent van Gogh e dha te filmi “Në pragun e përjetësisë” – për ata që shohin e nuk dinë çka kanë parë; për ata flasin e nuk dinë çka thonë; dhe për ata që nuk besojnë se Zoti mund ta lindë një piktor sot – për ata që do të lindin nesër.

Murat Ahmeti është karikaturisti më aktiv shqiptar. Punon çdo ditë. Ka shumë çmime ndërkombëtare. Sheh dhe lexon shumë. I njeh artet e bukura dhe di të vlerësojë. Ndërsa, flet vetëm përmes veprave që bën e që kanë karakter universal. Është nga artistët e mëdhenj që kemi, nga i cili do të mund të mësonin shumë gjeneratat e reja. Por, janë të tjerët ata që ligjërojnë e që vlerat e tyre i shprehin veç me llafe; ata që të pasinqertë po i bëjnë edhe gjeneratat e reja, të cilëve nuk ua thotë kush se e vërteta është kushti i parë i të qenit artist.

“Kurrë nuk duhet të harrojmë se arti nuk është formë e propagandës, por formë e së vërtetës”, ka thënë John F. Kennedy. E, karikatura është e vërteta e vrazhdë, siç e thoshin edhe Daumier, Tenniel dhe Leech; siç ishte edhe lufta mes idealeve të Perëndimit e kauzave ekspansioniste që thirreshin edhe në “drejtësi hyjnore”. Këtë e bën edhe Murat Ahmeti, si vëzhgues i sinqertë i përditshmërisë dhe si kritikues. Karikaturat e tij kanë mendim, përçojnë një mesazh, edhe përmes detajeve të vogla. Si te “Marioneta”. Askush nuk është i plotfuqishëm. Kukulla në duar të dinakut bëhet vet dinake. Sepse, e keqja lind të keqen, siç e lind e mira të mirën. Dhe, në ballafaqimin mes ekstremeve, bota është siç ka thënë George Santayana: “Karikaturë e përhershme e vetvetes; në çdo moment është tallja dhe kundërshtimi i asaj që pretendon të jetë”. Ndërsa, detyrë dhe mision i artistit, si Murat Ahmeti, mbetet përherë paraqitja e këtij realiteti, kësaj lufte… kundër të keqes, për të mirën! /Telegrafi/