LAJMI I FUNDIT:

Morali, sekularizmi dhe toleranca

Morali, sekularizmi dhe toleranca

Janë dy qasje në të cilat bazohet çfarëdo themelimi çfarëdo justifikimi i moralit. Morali teist dhe ai ateist. Natyrisht se kjo është një ndarje ideale, prandaj në jetën reale, pra në hapësirën mes këtyre dy ekstremeve, ka kombinime të ndryshme dhe të shumta të manifestimit konkret dhe individual të moralit. Morali teist në çfarëdo forme të manifestimit të tij, gjenezën, doktrinën dhe justifikimin e vet e bazon në subordinimin e veprimeve morale konkrete të njeriut ndaj nënshtrimin e tij ndaj vullnetit të Zotit. Nga ana tjetër, morali ateist e bën të kundërtën. Kjo do të thotë se përcaktimi i asaj që e quajmë e moralshme, sipas tyre bëhet pikërisht duke qenë i lirë ndaj nënshtrimit, qoftë edhe ndaj një qenie superiore siç e mendojnë apo argumentojnë teistët si Zoti.

Duke qenë se jetojmë në një botë reale ku idealja e çfarëdo projekti apo synimi nuk është realizuar kurrë, duke qenë se të gjithë jemi qenie nga mishi dhe nga gjaku, pra qenie mëkatare sipas pikëpamjeve teiste dhe qenie jo të përkryera që bëjmë gabime sipas ateisteve, teatri botëror i manifestimit të moralit si karakteristikë e njeriut, por edhe e disa formave tjera të jetës shtazore, manifestohet me llojllojshmëri të modaliteteve të ekspresivitetit dhe konkretizimit të jetës morale.


Në qoftë se moralin teist dhe atë ateist i paramendojmë si dy antipode të kundërta të asaj që quhet univers moral, e kemi të qartë se sa shumë mundësi ekspresive ekzistojnë mes këtyre dy skajeve. Në fakt, mendoj se shumica e njerëzve janë diku në mes këtyre dy poleve. Ideja është se edhe moralisti më i madh teist ka fragmente ateizmi, dhe vice vesa, edhe ateisti më i madh ka premisa morale teiste.

Forma ideale e një moralisti teist do të ishte asketi, ndërsa forma ideale e një moralisti ateist do të ishte moralisti hedonist. Në fakt, shumica e njerëzve edhe pse në përcaktimet verbale të tyre përcaktohen për njërën apo tjetrin variant të justifikimit të moralit të tyre, ata janë diku në mes.

Kombinatorika e formave të ndryshme të manifestimeve morale nga jeta konkrete në sferën individuale konsideroj se paraqet një numër të pafundmë dhe të panjohur. Llojllojshmëria e profileve tona individuale të manifestimit të moralit është e pakufishme, prandaj edhe ka shume qasje te ndryshme në të kuptuarit e botës. Uniformiteti moral duket se është i pamundshëm. Prandaj, duke qenë kështu, dhe duke qenë se paqja dhe vazhdimi i jetës është konsensus i çfarëdo morali i cili pretendon të jetë konsistent, është e qartë se teatri botëror, apo skena ku luhen rolet e jetës reale, aty ku ne njerëzit nga mishi dhe nga gjaku, mëkatarë nga mëkati i lindur dhe qenie që bëjmë gabime si diçka megjithatë normale për njeriun, duket se kemi një rol elementar ku duhet të kontribuojmë. Ajo është toleranca.

Kjo do të thotë se duke qenë se paqja dhe vazhdimi i jetës paraqesin konstituent të çfarëdo morali, atëherë ne duhet bërë marrëveshje. Kjo do të thotë se ne kemi të drejtë të jetojmë ashtu siç duam të përcaktohemi, duke e bazuar moralin tonë, në atë që mendojmë se është kuptimësimi më i mirë i jetës sonë. Kjo do të thotë po ashtu se nuk ekzistojnë forma superiore apo inferiore të zhvillimit të jetës morale. Në këtë kontekst, determinimi i kujtdo për t’i takuar këtij apo atij morali nuk është për t’u gjykuar. Për t’u gjykuar është çfarëdo imponimi në logjikën e superioritetit apo inferioritetit moral. Për t’u gjykuar është çfarëdo brengosje se të tjerët nuk kanë çka kërkojnë në botën tjetër, apo nuk kanë pse e jetojnë këtë botë së koti duke shpresuar në botën tjetër, pasi që sipas tyre, nuk ka fare botë tjetër.

Pra, detyrë e jona është të realizojmë një shoqëri ku pluralizmi moral do të ishte emërtimi i përbashkët i cili do të siguronte sigurinë dhe dinjitetin e secilit, duke mos u ndikuar fare nga fakti se një individ apo një grup paraqesin vetëm një fragment të vogël të një shoqërie.

Për aq sa ka të drejtë apo gabon një teist kur thërret në moralin e tij i cili bazohet në qenie mbinatyrore apo Zot, po aq ka të drejtë kur një ateisti kur e bën të njëjtën.

Sekularizmi nuk është religjion, por sekularizmi është krijim i kushteve ku garantohet jeta, liria dhe dinjiteti i individit, qoftë ai i rrethuar nga të gjithë të tjerët që nuk janë si ai. Ata të cilët nuk e kuptojnë këtë ndarje, ose janë religjiozë dogmatikë ose janë ateistë dogmatikë të cilët pavetëdijshëm duan të krijojnë një religjion të ri.

Ka tregues se të këtillët janë ata të cilët kontribuojnë në diskutimet pa takt dhe të paartikuluara. Janë këta pseudosekularist dhe pseudoteist, që me qasje të pa sinqerta debatojnë lidhur me fetë, dhe rolin e tyre në shoqëri, dhe kështu shkaktojnë kakofoni e cila tregon profile mentale dhe konceptuale jo të duhura për të qenë pjesëtarë të një shoqërie sekulare, në të cilën nuk është primitivizëm të mësosh mësime fetare për botën e më pastajme, sikurse nuk është haram apo blasfemi të e mësosh teorinë e Darvinit apo edhe të mos mësosh fare doktrina religjioze.

Kjo është e mundur, në fakt është kusht elementarë për një shoqëri tolerante andaj edhe sferë ku kontributi i ynë duhet të vjen në shprehje përmbajtjesisht