LAJMI I FUNDIT:

Molla euroatlantike e “sherrit”!

Molla euroatlantike e “sherrit”!
Ilustrim

Fjala është për gazsjellësin 1230 kilometra të gjatë që lidh Rusinë me Gjermaninë dhe Marrëveshjen Gjithëpërfshirëse të Investimeve BE-Kinë, të cilat janë të lidhura ngushtë me njëra-tjetrën.

Ka kohë që Nord Stream II është bërë objekt i kundërshtive dhe kërkesave të përsëritura nga disa vende për ndërprerjen e tij; ato janë përshkallëzuar pas aneksimit të Ukrainës Lindore nga Rusia dhe sidomos muajt e fundit pas tentativës për helmim të opozitarit rus A. Navalny dhe dënimit të tij javën e kaluar. Tonet janë ashpërsuar në kulm ditët e fundit, mbasi Moska zyrtare “priti me këmbët e para” shefin e Politikës së Jashtme të BE-së, Josep Borrell. Kjo vizitë e dështuar u shoqërua dhe me dëbimin e disa diplomatëve gjermanë, polakë dhe suedezë.


Gjithsesi, këtu po mundohemi t’i shohim këto dy tema “të nxehta” me qetësi, jo “bardhë e zi”, por nga këndvështrimi i realpolitikës, duke renditur shkurt “pse”-të e domosdoshmërisë së përfundimit të Nord Stream II.

Së pari, ai do të dyfishojë në 110 miliardë metra kub furnizimin direkt të Gjermanisë me gazin rus. Së shpejti pritet përfundimi i tij, mbasi nuk kanë mbetur as 100 kilometra.

Së dyti, nisur nga rezervat dhe kërkesat e shprehura nga vende të tjera, Gjermania është kujdesur që sipas kontratës përkatëse, gazi të shkojë dhe në vendet e Lindjes; gjithashtu, në përgjigje të shqetësimit amerikan dhe francez, ka dhe një marrëveshje pesëvjeçare të rinovueshme me Rusinë e cila parasheh një “çelës mbyllës” për garantimin e furnizimit me gaz për Ukrainën.

Së treti, Gjermania nuk është as a kapur dhe as e varur nga Rusia, siç e akuzonte ish-presidenti Trump e ndonjë tjetër. Faktikisht, Rusia plotëson vetëm 50 për qind të nevojave gjermane për gaz.

Së katërti, sipas gjermanëve, qysh në ndërtimin e projektit të parë në vitet 1970 kur drejtonte kancelari Brandt, e deri më sot, dhe në periudhën më të keqe të Luftës së Ftohtë, ish BRSS-ja dhe në vijim Rusia janë treguar luajalë në respektimin e kontratave për livrimin e gazit.

Së pesti, vetë ShBA-të janë importuesi i dytë më i madh i gazit rus. Më 2019 shpenzuan 13 miliardë dollarë, ndërsa vetëm në gjysmën e parë 2020 dy herë më shumë për importet e tij! Megjithatë, në kuadrin e një pakete tërësore, të sugjeruar së fundmi dhe nga presidenti Biden, Gjermania ka parashikuar dhe krijimin e mundësive për furnitorët amerikanë të gazit të lëngshëm në Gjermani dhe në Evropë.

Së gjashti, ky projekt do parë në një plan më të gjerë e të largët, sidomos lidhur me strategjinë e re të BE-së dhe NATO-s ndaj Rusisë, që do të shpaloset në muajin mars. Gjithsesi, paraprakisht mund të thuhet se thelbi i saj do të jetë “2D” ose dialog dhe dekurajim, “por jo konfrontim, mbyllje e përplasje dyersh”. Sepse krahas kontradiktave, midis Rusisë dhe Perëndimit ka shumë fronte të përbashkëta bashkëpunimi – Lindja e Mesme, Libia, Siria, Arktiku, terrorizmi, klima, Covid-19, etj. Pa përmendur bashkëpunimin e rëndësishëm ekonomik, kulturor, universitar, njerëzor etj. ku janë partnerë kryesorë.

Së shtati, në Gjermani janë shtuar zërat që kërkojnë dialog BE-Rusi për trajtimin e mosmarrëveshjeve më serioze, me qëllim që t’i jepen tone të reja cilësore këtyre marrëdhënieve, ku Gjermania është “violinë e parë” bashkë me Francën. E pra pikërisht në këto momente, të anulosh një projekt të tillë, si nyja e fundit lidhëse do të thotë “t’i hipësh kalit mbrapsht”.

Ja pse qeveria gjermane dhe forcat politike atje dhe gjetkë, përfshirë së fundi dhe Francën, e cila po heq dorë “me lezet” nga kundërshtimi i saj, po bëjnë një ndarje të qartë të rastit “Navalny” si një çështje serioze e demokracisë dhe të drejtave të njeriut me atë të Nord Stream II si aspekt madhor gjeopolitik. Në vend të retorikës politike, BE-ja mund të shfrytëzojë mekanizmat dhe instrumentet e të drejtës ndërkombëtare. Dihet se Rusia ka detyrime në fushën e standardeve demokratike, si anëtare e OSBE-së dhe e KiE-së. Po ashtu, dosja Navalny mund të dërgohet në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut. Ndërkohë, dhjetorin e kaluar, BE-ja ka miratuar “Regjimin e sanksioneve” në këtë fushë, i cili, gjithashtu, mund të vihet në veprim.

Pikërisht mbi bazën e këtyre fakteve dhe argumenteve, kancelarja Merkel, krahas dënimit të vendosur të akteve të lartpërmendura bashkë me pothuajse të gjithë eksponentët e tjerë të lartë politikë po këmbëngulin të patundur në përfundimin e Nord Stream II.

Bashkë me pasuesin e saj në CDU, A. Laschet, dhe liderët më të lartë të shtetit, Merkel e kanë thënë “copë” se pavarësisht nga sjelljet më të fundit politike ruse ndaj BE-së, kjo e fundit nuk ka asnjë interes të mbyllë dyert e dialogut dhe komunikimit me Rusinë. Sidomos në rastin e gazsjellësit që, siç u shpreh këto ditë dhe presidenti gjerman Steinmeier, është ura e vetme lidhëse me Rusinë.

“Molla tjetër e sherrit” është Marrëveshja Tërësore e Investimeve BE-Kinë (CAI) e arritur më 30 dhjetor 2020 pas shtatë vite bisedimesh. Për Kinën, CAI vijoi suksesin e madh me krijimin e “Partneritetit Ekonomik Gjithëpërfshirës Pacifik” (RCEP) më 15 nëntor; tregu më i madh në botë ku, ndërmjet 15 shteteve, katër janë aleatë të mëdhenj të ShBA-ve – Japonia, Koreja e Jugut, Australia dhe Kanadaja. Ama nuk ia pati Kina fajin Trumpit që anuloi nismën e Obamas që ShBA-ja të ishte në krye të grupimit të ngjashëm “Partneriteti Trans Pacifik” (TPP) duke e braktisur më 2016. Por, dhe BE-ja ka shumë interesa për CAI-n. Për më tepër se në 10 vitet e fundit investimet kineze në BE janë rritur 50 herë!

Falë marrëveshjes së tanishme, BE-ja trajton konkretisht ankesat ndaj Kinës lidhur me reciprocitetin, transparencën, ndershmërinë dhe trajtimin e barabartë të investimeve, mallrave dhe shërbimeve. Ndryshe, këto shqetësime nuk kanë vlerë me fjalë, pa një instrument të tillë.

Edhe kjo marrëveshje është bërë objekt i kritikave të ashpra për shkak të “oportunizmit” evropian lidhur me nënvleftësimin e respektimit nga Kina të standardeve demokratike, të drejtave të ujgurëve, të shtypjes së protestave në Hong Kong e deri te fakti që atje sundon komunizmi.

BE-ja i njeh dhe është e vetëdijshme për këto shqetësime me Kinën. Dhe, është marrë goxha me to dhe në Samitin më të fundit virtual BE-Kinë. Në bisedën virtuale më 8 shkurt me sekretarin Amerikan të Shtetit, Blinken, ministri i Jashtëm kinez Yang Jiechi vendosi “vijat e kuqe” te standardet demokratike, si çështje të brendshme.

E keqja këtu fillon brenda BE-së, e cila nuk po vendos dot rregull në këtë fushë me ndjeshmëri publike as në “shtëpinë e vet”.

Edhe më të vështirë e ka Kinën dhe Rusinë. Njihen tashmë shqetësimet e drejta, analizat dhe paralajmërimet e kahershme të ekspertëve tanë e të huaj në këtë fushë. Mirëpo, ka të tjerë që vazhdojnë të flasin me zhargonin politik të viteve 1990; duke harruar ose injoruar realitetet/dinamikat e reja gjeopolitike me Kinën/Rusinë, ndarjet dhe interesat e përbashkëta që e detyrojnë po, po, edhe BE-në t’i thotë “derrit dajë “ ndryshe, “do t’i bjerë murit me kokë” Qëndrimet “majë më majë” nuk do t’i lehtësonin pozitat e BE-së dhe ShBA-së. Ca më tepër, se ashtu si Rusia, dhe Kina ka dalë hapur me pretendime dhe projekte të njohura për “qeverisje alternative” ama secili me rregullat e veta lidhur me të drejtat dhe liritë themelore të njeriut.

Madje, në këtë fushë, Kina dhe Rusia korrën një sukses të dukshëm diplomatik tetorin e kaluar duke u zgjedhur në Këshillin e të Drejtave të Njeriut të OKB-së me 47 vende anëtare me seli në Gjenevë. I ndihmoi padyshim dhe largimi i pajustifikuar i ShBA-së prej saj dy vite më parë. Shkurt, Kina dhe Rusia kanë kohë që po thonë, nëse e doni shtetin e të drejtës, mbajeni për vete. Por, nëse doni bashkëpunim gjeopolitik me ne, hajdeni pa pretendime të kësaj natyre.

Dihet tashmë roli aktiv i Kinës me “Brezin e mëndafshtë” dhe kohët dhe me “Vaksinën e mëndafshtë” që ka ndërmarrë në botë. Jo vetëm nuk tërhiqet, por diplomacia e saj ka kaluar në veprime ndëshkuese ndaj vendeve perëndimore, sa herë që ato tentojnë t’i bëjnë vërejte për standardet demokratike. Presidenti Xi Jinping ua tha troç “jo”-në e panegociueshme kineze homologëve të vet evropianë në Samitin e tyre virtual vjeshtën e kaluar.

Më tepër se aq, sipas disa të dhënave në median e huaj, Kina ka paralajmëruar dhe ka vepruar konkretisht duke anuluar e shtyrë kontrata me miliarda euro ndaj kompanive perëndimore. Për të shmangur arbitrazhet dhe OBT-në, ajo e bën këtë në mënyrë “smart” ose me procedura teknike; “ja, këtu mungon një letër, një leje, aty një vulë, një firmë, një datë” e kështu me radhë. Mirëpo, kjo krijon shumë shqetësime te firmat dhe te organizmat qeveritare. Kjo për shkak të pasojave dhe jehonës negative te popullsia e vendeve perëndimore, që humbasin vende pune, ulje pagash, rënie të ekonomisë dhe mirëqenies, kur krizat dhe varfëria tashmë janë “ulur këmbëkryq” dhe atje. Pastaj, premtimet e qeverive në fushata zgjedhore nuk mund të mbahen pa të tilla kontrata dhe me Kinën, Rusinë, Brazilin, Indinë etj. Veç kësaj, do pasur parasysh fakti se nëse sa herë në vende si Kina do të ketë konflikte të kësaj natyre për shkak të të drejtave të njeriut, atëherë investitorët e mëdhenj perëndimore do të humbasin sigurinë dhe garancinë për to, duke ndikuar direkt në përkeqësimin e treguesve ekonomikë e socialë në vendet e tyre.

Nisur nga këto e të tjerë faktorë, mendimi mbizotërues është se BE veproi drejt e në kohë me këtë marrëveshje, e cila le hapur dhe shtigje për dialog dhe trysni dhe në fushën e demokracisë. Çdo alternativë tjetër vetëm se do t’i përkeqësonte situatat.

Për fat të mirë, këto përqasje bindëse që kombinojnë realpolitikën me diplomacinë morale, d.m.th. kërkesat për standardet demokratike i inkurajon dhe bën më të realizueshëm ardhja e Joe Bidenit në krye të Shtëpisë së Bardhë. Ditët e fundit, larg çdo qëndrimi kategorik dhe ultimatumi, Biden u shpreh për një analizë të thellë të këtyre problemeve, me hapësira manovrimi, për mirëkuptim dhe dialog me partnerët evropianë, në rastin konkret me BE-në dhe Gjermaninë dhe me alternativa tërësore. Ogur i mirë për të ardhmen, që këto dy ngjarje madhore të mos jenë më “mollë sherri”, por pika bashkimi e bashkëpunimi euroatlantike.