LAJMI I FUNDIT:

Miqësia

Miqësia

Nga: Carlos Fuentes
Përktheu: Dea J Klosi

Atë që ne nuk e kemi në veten tonë, e gjejmë në personin e mikut. Unë besoj në këtë dhuratë të miqësisë dhe kjo është ngulitur kështu qysh nga fëmijëria ime. Këtu unë s’ndryshoj aq shumë nga pjesa më e madhe e qenieve njerëzore. Miqësia është çimentoja e parë ndërmjet familjes dhe botës. Vatra familjare, e lumtur ose jo, është shkolla e mençurisë sonë zanafillore, por miqësia është prova e saj. Atë që e marrim nga familja, ne ia ripohojmë miqësisë. Dallimet, kundërshtitë apo ngjashmëritë ndërmjet prindërve dhe miqve tanë, përçaktojnë drejtimet e ndryshme të jetëve tona. Edhe pse e duam vatrën tonë, të gjithë ne kalojmë nëpër atë çastin e shqetësuar, ose të paqëndrueshëm, të braktisjes (edhe kur ne e duam vatrën dhe gëlohemi mes saj). Braktisja e vatrës familjare ka si shpërblim vetëm miqësinë. Por ka edhe më tepër – pa miqësi, vatra do të shembej. Miqësia nuk e kundër­shton familjen në fillimet e jetës. Ajo i mbështet këto fillime, i forcon, i përzgjat. Miqësia ua hap udhën ndjenjave të cilat nuk mund të rriten ndryshe përveçse jashtë. Të mbyllura në shtëpinë familjare, ato do të thaheshin si bimët pa ujë. Me dyert dhe krahët të hapura, ne zbulojmë forma dashurie të cilat bashkojnë botën me vatrën. Këto forma kanë për emër miqësinë.


Meqë unë besoj në këtë vlerë fillestare të miqësisë, vëmendja më është ndalur mbi cinizmin filozofik, i cili e shoqëron miqësinë me një re të zezë. Oscar Wilde përdor dhuntinë e tij të tmerrshme për paradokse, kur thotë për Bernard Shawn që ai nuk ka asnjë armik në botë, sigurisht, por puna është që asnjë prej miqve të tij nuk e do. Për Byron, miqësia, fatkeqësisht, është vetëm dashuri pa flatra. Dhe nëse miqësia mund të shndërrohet në dashuri, është e sigurt që kjo e fundit tjetërsohet rrallë në miqësi. Urtësia popullore thotë se është mirë që miku të pritet me dorë në zemër, por të përcillet shpejt e shpejt. Nëse pas tri ditësh ai është ende në shtëpinë tuaj, atëherë ai do të shpërhapë erë, njëlloj si kufomat.

Mendoj se në miqësitë e humbura ka më tepër dhimbje sesa cinizëm. Kujtimi i ndjenjave të shpallura dhe të përbashkëta. Fillimet e shpresave të përbashkëta të rinisë sonë. Gëzimi i grupit, i klanit, i bandës, i ekipit, i vëllazërisë apo i shokëve. Lidhjet që thuren. Le të mësojmë për ta mposhtur sedrën e qenies – i ri. Një ditë ne nuk do të jemi të tillë dhe do të kemi nevojë – më tepër se kurrë – për miq.

Dy mosha hapin dhe mbyllin përvojën e miqësisë. E para është mosha e butë dhe “hard-disku” im fillon të shpështjellë emra, fytyra, veprime dhe huqe shokësh. Por ajo për atë që unë kujtohem, nuk e kundërpeshon aspak atë që e kam harruar. Në të njëjtën kohë, e si të mos nderoj faktin që, edhe gjashtë­dhjetë vjet më pas, kam mbajtur lidhje me shokët e mi të parë të fëmijërisë – një fëmijëri endacake prej familje diplo­matësh, një endje e cila nuk do të vazhdojë gjithmonë?! Mbaj ende letërshkëmbim me Hans Berliner, një fëmijë çifut gjerman që erdhi në shkollën tonë fillore në Uashington. Ai i ikte terrorit nazist dhe shumë shpejt u bë objekt i mizorisë fëmijërore për shkak të dallimit nga të tjerët. Ishte brun, mjaft i gjatë për moshën e tij por, si të gjithë evropianët e vegjël të asaj kohe, mbante pantallona të shkurtra. Për fëmijët amerikanoveriorë, ai ishte joregular, domethënë jo si ata. Edhe unë e kam humbur popullaritetin tim fillestar kur presidenti Cardenas ka shtete­zuar naftën më 1938 dhe kur jam paraqitur – dhe kjo nuk qe hera e fundit në jetën time – si një komunist i bindur. Kështu, lëçitja na ka bashkuar të dyve, mua dhe atë, deri në ditën e sotme. Pastaj gjeografia na ka ndarë, por në Santiago të Kilit shpejt kam zbuluar gëzimet e ekipit – të shokëve dhe të miqve – më të rinj që pëlqenin më tepër leximin dhe diskutimin sesa sportet e ashpra të llucës deri në gju të shkollës sonë angleze, The Grange, të ndërtuar nën këmbë të Andeve dhe të drejtuar nga ca kapitenë britanikë, të bindur që fitorja e Waterloosë ishte luajtur mbi terrenet e Etonit. Më kujtohen të gjithë emrat, të gjitha fytyrat: Page, Saavedra, Quesnay, Marin, sidomos Torretti, Roberto, shoku im letrar; si dy matadorë përballë të njëjtit dem, bashkë kemi shkruar romanin tonë të parë. Romani është zhdukur në sëndukët e pasurisë trashëgimore të nënës së Robertos, por ne kemi vazhduar të shkruajmë ende edhe sot, dhe i vazhdojmë bisedat tona me zë të lartë në Oaxaca apo në Porto Rico, si dhe dialogun tonë të shkruar ndërmjet Meksikës dhe Kilit. Ai është një filozof i veçantë dhe miqësia e tij më kthen gjithmonë në ato vite rinie në shkollën angleze, në aventurat tona prej musketierësh në rezidencën e Ambasadës së Meksikës dhe në kujtime të tjera më të largëta apo më të dhembshme. Dhe ndodhi përsëri atje që kam njohur José Donoso, më i moshuar se unë, krenaria e ardhshme e letërsisë kiliane. Nuk di nëse e mban mend. Dhe në një shkollë të mëparshme kam njohur dhembjen e një shoku të ngushtë, vdekur dymbëdhjetë vjeç, duke më lënë të pikëlluar përballë vdekjes së parë të një burri të vogël të moshës sime. Po aq të pikëlluar dhe nga fati i një fëmije tjetër, me të meta trupore, objekt talljesh dhe goditjesh, dhe që unë pata guximin ta mbroj, duke zbuluar kështu një përmasë tjetër të miqësisë: ndihmesën. Dhe kur mendoj që të nesërmen e puçit të tmerrshëm ushtarak të Pinoçetit të ndyrë, ky djalë, bërë tashmë një burrë, ka qenë torturuar në kampet e vdekjes në jug të vendit, nuk më shtohet vetëm tmerri përballë mizorisë së njerëzve, por dhe vetë dashuria dhe ngrohtësia përballë asaj ç’trajtojmë këtu – miqësisë.

Sepse të gjithë, në një shkallë apo tjetër, e kemi tradhtuar miqësinë, ose na ka tradhtuar ajo. Grupet gjymtohen, bandat shpërndahen, dhe shokët e ngushtë të rinisë mund të bëhen hijet më të largëta, më të shpërfillura të moshës madhore. Kjo është ngaqë asgjë më tepër sesa miqësia nuk i shkon përshtat tradhtisë. Po ta bënim listën e miqve të humbur, shënimet anash do të shkruanin urrejtjen, rivalitetin, por edhe epoka të veçanta dhe largësi epike. Ato do ta shkruanin vdekjen. Përse i kemi braktisur? Përse na kanë braktisur? Po ta vrojtosh mirë, ka pak miqësi në botë. Sidomos ndërmjet kolegësh. William Blake e ka thënë këtë në një mënyrë të shkëlqyer: Miqësia jote më dhemb shumë. Të lutem, ji pra armiku im. Sepse nëse miqësia, në zanafillë, është gatishmëri, bujari, hapje ndaj tjetrit, ajo nuk mungon së qeni, në të njëjtën kohë, një tejflakje e fshehtë, helmuese, e këtij afrimi të ngushtë, të shikuar si varësi. Kurse Vordsvorth përmend “orët e para” të jetës kur ne provojmë atë kundërshtinë e cila na hedh mbi udhën e fatit por, në të njëjtën kohë, duke u mbrojtur nga të papriturat e tij. Nganjëherë ata bëjnë dhe humor. Kështu, Singer Sargent deklaronte se sa herë që ai bënte një portret, humbiste një mik. Dhe kancelari britanik Caning i jepte miqësisë një rrotullim diplomatik: Më shpëtoni nga miku i sinqertë, thoshte ai. Është e qartë, në diplomaci dhe në politikë, t’i besosh miqësisë, kjo mund të çojë në gabim sepse pushteti përqendron ligjet vrasëse të miqësisë. Tradhti. Pendim. Braktisje. Shpërdorimi i besimit mbjell fushën me kufoma. Llogore të braktisura nga moskokëçarja e forcës. Dhe nga tundimi i humorit mizor. Malraux pyet Genet: Ç’mendoni ju për mua? Genet: Nuk ju dua aq sa t’jua them!

Këto mësime nuk janë të kota. Tokat më të djerra lulëzojnë nganjëherë për të na treguar që, në çështje miqësie, duhet të dish të rreshtohesh në mençurinë e klerikut dhe të pranosh që edhe plagët e mikut mund të jenë plagë besnike që ne mund t’i dalim përballë për t’i thënë përse nuk e duam. Kjo është një kënaqësi të cilën nuk duhet t’ia japim kurrë armikut. Por, më e tmerrshmja, në humbjen e miqësisë është zija e atyre ditëve të cilave miku ua dha një kuptim. Të humbasësh një mik, kjo është mirëfilli një humbje kohe. Shpresa të fryra, xhelozi përballë fitores së tjetrit. Është koha për t’u rikthyer te miqësia duke ditur që ajo kërkon përkujdesje të përditshme për të dhënë frytet e saj të mrekullueshme. Për të themeluar simpati, për t’iu gëzuar afrive. Për t’i dhënë pak lumturi njëri-tjetrit. Për t’iu bindur një disipline të gëzuar për mbajtjen e lidhjeve. Për të zbuluar me mikun madhështitë e botës dhe kënaqësinë e kalimit të orëve bashkë. Dhe për të qeshur me mikun. Për ta jetuar miqësinë si një ftesë të përhershme për të pranuar, për t’u pranuar. Dhe për të kërkuar në thellësi të vetes mundësinë e një miqësie të përkryer, mënjanë çdo cenimi. Për të jetuar në shoqërinë e miqve pa i lënë vend turpit për të nesërmen, pa folur keq për ata që mungojnë. Për ta mbrojtur miqësinë kundër zilive, xhelozive, frikërave. Dhe për të rënë dakord që të mos jemi dakord – agree to disagree. Kundërshtitë duhet ta shtojnë miqësinë dhe respektin e ndërsjellë. Një lidhje e zgjuar mes miqsh nuk vuan nga asnjë ambicie, intolerancë apo shpirtngu­shtësi. Miqësia është një modesti e denjë, është imagjinatë dhe zemërgjerësi.

Dhe nganjëherë, e përse jo? Ajo është krejt e kundërta: Sedër. Pasivitet. Koprraci e ndjenjës.

Nëse dialogu është një nga festat e miqësisë, edhe heshtja mund të jetë e tillë. Kështu qe një nga mësimet e miqësisë sime me Luis Buñuel. Në fillim unë mendoja se pauzat gjatë bisedave tona – në përgjithësi mjaft të ndezura – ishin në njëfarë mënyre për fajin tim si një qortim që ai më bënte. Kam kaluar shumë kohë për të kuptuar që të heshtësh me dikë, kjo ishte për të një formë e lartë e miqësisë. Një respekt. Një nderim. Një refleksion, në të kundërt me llomotitjen e pastër. Sepse ne nuk bëhemi, në çast, papagaj… por ne do të jemi, përnjë çast, filozofë. Tekefundit, dy stoikët, Seneka dhe Manolete, a nuk vinin nga Kordoba?

Kjo përvojë e miqësisë si heshtje refleksioni dhe respekti, më përcjell në atë kufirin e pashmangshëm midis jetës bashkë dhe jetës vetmitare. Sepse nëse miqësia është ajo që i lidh ato, uni duhet t’i kërkojë vetmi asaj. Kjo është e natyrshme. Ne kërkojmë për veten tonë pasionin, zgjuarsinë apo dashurinë që ne e njohim në vështrimin e mikut. Simpatitë, lëvizjet e afrimit, kanë një cak: unin tim. Unë rikthehem te vetja, te braktisja ime, sigurisht, por dhe te vetë pushteti im. E kujtoj me mall fëmijërinë e hershme të ndarë me shokët. Sa e vështirë është t’i mbash këto lidhje në moshë madhore! I rikujtoj çastet e prishjes së tyre, me dhembjen e tyre të pashmangshme. Orët nuk janë më të njëjtat. Udhët janë degëzuar. Por, nuk mund ta refuzoj këtë lëmoshë që uni i kërkon, tekefundit, pasurisë së miqësisë. Sepse, a nuk e dinim ne, në heshtje, që nga fillimi, që një ditë ne do të provojmë përballë mikut nevojën e përtëri­tjes së ekzistencës sonë? A nuk e dinim ne që prej kaherë, me një shqetësim të thellë, me turp ndoshta, që ne ishim mbartës të një papërsosmërie, të një mangësie që ne nuk mundeshim as ta zbulonim e as ta ndanim me mikun më të shtrenjtë?

Atëherë, çuditërisht, ne ia dorëzojmë botës këtë papërsosmëri dhe shoqërisë – turpin tonë, me shpresën që të marrim ndihmë nga një tjetër formë miqësie, ajo e të përkiturit ndaj jetës në përgjithësi. Artisti, nga përkufizimi, mëson shumë shpejt që ta durojë vetminë në emër të veprës së tij. Më përgjithësisht, është vetë miqësia ajo që na detyron jo vetëm t’i njohim caqet tona por, edhe të kuptojmë që ne i kemi të përbashkëta ato. Thoreau thoshte se ka tri karrige për të: njëra për vetminë, tjetra për miqësinë, e treta për shoqërinë. Të dish të jesh vetëm, kjo është kundërpesha e domosdoshme, pasuruese, e kohës së ndarë me miqtë.

Vetmia nuk është kundërpesha e vetme e miqësisë. Edhe vdekja gjithashtu është e tillë. Nëse unë kujtohem besnikërisht për shokët e mi të fëmijërisë së hershme, unë kam një mendim krejt të veçantë edhe për të mëdhenjtë, tashmë të ikur, që qenë gjithashtu mësuesit e mi. Brezi im kujton me një nderim krejt latin, dy figura të mëdha të rinisë sime: meksikanin Alfonso Reyes dhe spanjollin Manuel Pedroso. Dy të urtë që, veç kësaj, ishin miq. Mësimdhënia e tyre intelektuale shkonte bashkë me mësimin e përzemërsisë. Ata s’prisnin, si profetë të rremë adhurim, pa hijen e një kundërshtie. Përkundrazi, ata shpreso­nin – kërkonin – ripushtimin e rinisë së tyre, në shkëmbim të pushtimit tonë të dijes dhe të përvojës së tyre të gjatë. Me Reyesin e vogël, topolak dhe me Pedroson e madh dhe të bëshëm ne zbulonim që miqësia nënkupton përzgjatjen në mplakje, në kohë. Që gjithmonë mbetet diçka për t’u zbuluar. Që miqësia korret sepse ajo mbillet. Që askush nuk bën miq pa bërë armiq, por që armiku më i keq nuk do ta ketë kurrë peshën e një miku. Që miqësia është një formë pafjalësie; ajo nuk e pranon shpifjen (që shtrembëron fjalët e atij që flet), dhe as thashethemet të cilat njollosin gjithçka ku prekin. Miqësia është besim (është më turp të mos kesh besim te miqtë sesa t’i mashtrosh ata – shkruante La Roçefoukauld). Miqësia, për ta thënë më shkoqur, na mëson udhën e respektit dhe udhën e një largësie të mençur, gjë që kjo s’e ndalon atë për të dashur apo urryer të njëjtat gjëra.

Kështu, epokat e jetës maten me kutin e afrive që ne i ruajmë dhe i mirëmbajmë. Harrojmë miq tejet të largët. Braktisim miq rinie që nuk janë rritur me të njëjtin ritëm. Kërkojmë miq më të rinj për të gjetur një forcë jetësore e cila, fizikisht, largohet. Ose dhe kërkojmë miq të përhershëm, dhe zbulojmë se ne nuk kemi më asgjë për të thënë. Jemi të pranishëm për degradimin e miqësive të vjetra, që ne nuk i njohim ose nuk na njohin më. Por, kur mosha largohet, kjo është ngaqë ajo na pret. Në muzg shohim të shndrisin dritat e rinisë së hershme. Në mesin e një bryme të largët, ne rigjejmë afritë, rinisemi në kërkim, rizbulojmë rininë tonë, dhe përsëri jemi grup, formojmë rrethin, klanin, bandën, vëllazërinë. Korrim edhe një herë pasionet. Dhe vështrojmë me mall orët e vjetra të miqësisë që largohen njëlloj sikur të mos kishin qenë kurrë. /Revista “Akademia”/

Në trend Kultura

Më shumë
BIR

BIR

Poezi
Romët

Romët

Kulture
NË MUNDSH

NË MUNDSH

Poezi
Afera e çuditshme e Gjermanisë së pasluftës me krautrok

Afera e çuditshme e Gjermanisë së pasluftës me krautrok

Kulture
MARTESA

MARTESA

Fjala+
JEHONË

JEHONË

Poezi
Kalo në kategori