LAJMI I FUNDIT:

MARTESA

MARTESA
Durim Taçi (Foto: A. Sh.)

Nga: Durim Taçi

Ftesa për dasmë ju erdhi me postë, brenda në një zarf, me shkrim të praruar, anët ‘qëndisur’ me ojna e lulka. Rast për të shkuar njëherë në Amerikë, mendove, se martohej vajza e xhaxhait. Ia kalove babait.


“Shkoni ju, ti me nusen, se unë nuk vij dot”, të tha.

Dhe, ti mendove fill një seri telefonatash. Doje të merrje vesh kush tjetër nga të afërmit e t’u pat marrë ftesë, dhe kishte ndërmend të shkonte. Ju ishit në Itali, nga andej do të niseshit, por kishit të afërm në Shqipëri, në Greqi, në Gjermani, në Angli …

I hodhe edhe një sy ftesës, teksti nuk ishte keq … duam t’u kemi pranë në çastin më të rëndësishëm të jetës sonë … por ti po kërkoje me sy vendin e takimit. Ata banonin në Boston, i binte që edhe dasmën ta bënin aty rrotull, ndërsa për dhëndrin nuk dije asgjë të sigurt. Elona, vajza e xhaxhait, kish njohur dikur një australian kur studionte në Uashington, po nuk e dije mirë në ishte pikërisht ai. Pe edhe njëherë ftesë: Në martesën e vajzës sonë të dashur Elona me Albert Autonin … Ai duhet të jetë, the me vete. Hajde Elona hajde, nga Tirana në Boston, tani nga Bostoni në Australi. Apo do shkojë dhëndri në Amerikë.

Në këto mendime vazhdove ta vëzhgoje me kujdes ftesën për të njohur orën e takimit. Vetëm se, nuk po kuptoje përse ishin shkruar disa orare, ora për Evropën, ora për Australinë, ora për Amerikën. Por, ajo që po vazhdonte të habiste më shumë ishte se aty nuk shënohej asnjë vend ku do bëhej dasma. Pe pastaj diku në fund, shtypur në ngjyrë blu e me germa më të vogla një link me adresën e takimit! Nuk po u besoje syve: Dasma do të bëhej online!

Kalove nga dhoma e babait dhe ia the. Ai nuk mori vesh asgjë. Pas disa përpjekjesh për t’ia shpjeguar, i re shkurt: “Dasmën do ta shohim nga kompjuteri. Nuk është nevoja të shkojmë në Amerikë!”

Erdhi edhe dita e ceremonisë. Do ju takonte të zgjoheshit në orën dy të natës, kur në Amerikë ishte ora nëntë e mbrëmjes, prandaj edhe data e shënuar në ftesë për ju ndryshonte. Ishte në fakt të hënën. Sa të kujdesshëm! Veçse kjo e kishte një bela: i binte të rrinit zgjuar deri në mëngjes e pastaj t’ia mbathnit për në punë. Ndërsa, nga Australia, ku ndodheshin të afërmit e dhëndrit, dasma i binte të fillonte dhjetë orë para, në mes të ditës.

Ishit vonë me përgatitjet. Babai nuk arrinte ta kuptonte rëndësinë e ceremonisë; donte të rrinte me pizhame. Mezi ia mbushët mendjen të vishte kostumin, këmishën e bardhë, kollaren blu të errët, kapelën republike, këpucët.

“Aman këpucët jo, se më vrasin”, tha.

Por, tani kishte hyrë në lojë mami, e cila për vete ishte stolisur me kohë, kishte lyer edhe flokët enkas, një ditë më parë.

“Këpucët do t’i veshësh si Çeçua, more vesh? Pse si do bësh ti po të ngrihemi në valle? Me shapka do kërcesh zotrote? Marton çupën e vëllait, je zot shtëpie, je vëllai i madh. Të takon të udhëheqësh dasmën!”

Babai u hutua fare, por u bind, mbathi këpucët dhe zuri vend në tavolinë. E fundit erdhi nusja jote, edhe ajo me një fustan ceremonial dhe e krehur me kujdes. Ti po ashtu veshe kostumin më të mirë, por mendjen e kishe tek laptopi. Linkun sakaq ta kishin dërguar, por i mbetej të bëje ndonjë provë pak minuta para hapjes së ceremonisë. Kontrollove edhe njëherë ruterin, të gjitha sinjalet ishin në rregull, interneti dukej mirë. Ia vure kompjuterin përpara babait, dëgjuesen e vogël sa një kokërr fasule ia fute në vesh. I the me zë të ulët: “Do të ta japin fjalën ty, se do ta drejtosh dasmën!”

“Po çfarë të them unë?”

“Ato që ke thënë në sa e sa dasma”, ndërhyri mami.

Ekrani ishte mbushur plot me kuadrate të pjesëmarrësve në dasmë, të cilët sapo ishin lidhur. Kishte syresh që nuk ishin kujdesur si ju me veshjen.

“Si nuk u vjen turp! A vihet kështu në dasmë!”, i shpëtoi mamit me zë, por për fat ishte larg nga kompjuteri e nuk u dëgjua.

Ndërkohë, u shfaq në ekran xhaxhi Qaniu dhe tha: “Ftoj vëllanë tim, Nexhipin nga Italia, të hapë dasmën!”

Babai po vonohej të fliste, mami që ishte djathtas, ngjitur me të, i dha një të pickuar.

“Të nderuar miq, jemi mbledhur sot bashkë këtu në…”!

Nuk po dinte çfarë të thoshte. Mami e pickoi edhe një herë.

“… në internet, për të martuar vajzën tonë Elona me Albertin. Mirë se keni ardhur dhe të na trashëgohen!”

Nga kuadratet me lidhjet e shumta nëpër botë u ngritën lart duar me gota. Yt atë nuk kishte asgjë në dorë. Vrapoi nusja e mori tabakanë që e kishte harruar në kuzhinë. Edhe ju kapët nga një gotë dhe uruat si të tjerët.

“Bëni qejf”, vijoi babai, “këndoni e kërceni sa të doni!”

Pjesa më e madhe e lidhjeve, si në Amerikë ashtu edhe në Evropë, dukej që ishin natën, përveç Australisë. Ata ishin vendosur nën një tendë të bardhë buzë një fushe golfi me barin e prerë me kujdes dhe pas krahëve në largësi dukeshin kulla të larta prej xhami, nën një qiell të kaltër plot diell. Nuk morën vesh asgjë nga ato që tha babai, por sidoqoftë ngritën gotat lart duke parë të tjerët në ekran.

Të takoi të interpretoje diçka për ta në anglisht.

Pasoi një pauzë. Dasmorët kudo nëpër botë trokitën gotat dhe filluan të pinë. Edhe ju. Ju kishit hapur një spumante të famshme italiane ‘Franciacorta’, shumë e ngjashme me shampanjën. Babait me sa duket i ra menjëherë në kokë, se e ktheu me fund.

“Do t’u përshëndes unë si fillim me një këngë, nga ana e nuses,” vijoi ai. “Kënga quhet: ‘Hodha një lule në ferrë’”!

Ju ngritë në vend. Po kjo ç’ishte? Ti u përpoqe të përktheje. Por, nuk ishe i sigurt nëse australianët e kishin kapur domethënien: si shumë e metaforizuar në anglisht: ‘I threw a flower in the thorn’. Mund ta merrnin edhe për keq, po sa mirë që ishin australianë e nuk i jepnin rëndësi. Mendo ti thoje krushqve shqiptarë, nga çdo krahinë qofshin, që nusja ishte lulja e ata ferrat, nëse nuk do ta njihnin këngën.

Babai ia nisi të këndojë. Ti doje të përktheje vargjet kur ai ta bëri me shenjë ta shoqëroje. U bashkuan me ju edhe mami me nusen dhe kënduat me zë të lartë:

“Hodha një lule në ferrë
Jasaman moj lule e verdhë
Hodha një dhe mbuloi dhenë
Jasaman moj lule e verdhë…”

Nuk po kontrolloheshit dot. Zëri në kupë të qiellit, mamaja i binte tavolinës duke mbajtur ritmin. Kënga po këndohej njëherazi në të gjithë botën. Por, komshinjtë çfarë kusuri kishin. Ra dera, doli nusja. U ankua një zezake se i kishit zgjuar fëmijën e vogël. Nuk këndohej në dy të natës!

Ju e ndërpretë këngën, por të tjerët e vazhduan. Sidomos ca kushërinj që ishin lidhur nga Vlora, të cilët e përsëritën dy herë. Si mbaruan, babai ngriti edhe një herë lart gotën.

“Tani e kanë radhën miqtë!”, tha. “Duam një këngë australiane!”

Përktheve për ta dhe nuk vonoi shumë dhe një burrë me një instrument tradicional në dorë bëri përpara. Tha titullin e këngës: “I am an Australian!” (Jam një australian). Ia nisi të këndojë e ti pëshpërisje pas çdo vargu versionin tënd, ashtu siç të vinte, në shqip.

“I am an Australian / Jam një australian
I came from the dream-time / Kam ardhur nga koha e ëndrrave
From the dusty red-soil plains / Nga fushat e pluhurosura të tokave të kuqe
I am the ancient heart / Jam zemra antike
The keeper of the flame / Mbajtësi i flakës
I stood upon the rocky shores / Qëndrova në brigjet shkëmbore
I watched the tall ships come / I pashë anijet e larta që vinin
For forty thousand years I’ve been / Për dyzet mijë vjet kam qenë
The first Australian / Australiani i parë…”

Kënga vazhdonte, por yt atë nuk të linte rehat, të pëshpëriste në vesh: “Qenkan tëpkë si ne këta australianët!” Të erdhi për të qeshur, por arrite ta mbaje veten e të interpretoje për nja shtatë a tetë minuta sa zgjati balada.

E mori fjalën sërish yt atë.

“Tani, radhën e kanë dajat!”

Dajat, të afërmit e nuses së xhaxhi Qaniut, ishin nga Tirana. Qenë mbledhur në një lokal në Tiranë, me orkestër gati, veshur me kostume tradicionale. U ngrit në fillim një burrë elegant, dajë Petriti, me shaminë në dorë, e pastaj u afruan gra, burra e kalamaj. Filloi vallja e famshme e kënduar: “Kush kërcen napolonin”. Iu desh ta ulnit pak zërin e kompjuterit se kishit frikë se mos vinte sërish zezakja e u prishte dasmën, por entuziazmi përcillej shumë mirë. Ata nuk donin ta linin me aq, por yt atë i ndërpreu:

“Dasma ka rregulla!”, tha. “Do u jap radhën prapë, menjëherë, por më parë pres një këngë me sharki nga miku ynë Shaipi nga Prizreni. Jemi njohur gjatë luftës së Kosovës, kur vëllezërit tanë u dëbuan nga serbët e ai na nderoi duke bujtur në shtëpinë tonë.”

Pasuan duartrokitje. Ti nuk po përktheje dot më. Të mori vala edhe ty. E njihje shumë mirë atë familje.

Rastisi që Shaipi zgjodhi këngën që ty të pëlqente më shumë. E kishe dëgjuar që fëmijë në Radio Tirana:

“Çohu Rexhë
Çohu more Rexho, dil te lama
Darsëm t’madhe po t’bon nana
Çohu Rexho, çohu djalo…
Çohu Sokoli o i nanës o…
Sot ma i mirë po m’dukesh o…
Çou Rexho, çou djalo…
Çou Sokoli o i nanës o…
Sot ma i mirë po m’dukesh ooo…”

Balada e famshme e Rexhës u ndoq me shumë vëmendje, por me të mbaruar, tiranasit nuk pritën tët atë. Dajë Petriti mori fjalën:

“Tani radhën e kemi ne, o Nexhipo, ‘Shaminë e beqarit’”.

Nga të gjitha kuadratet erdhi një aprovim i njëhershëm. Por, yt atë filloi të shqetësohej. Po mendonte dhëndrin, a do ta digjte ai shaminë e beqarit! Të thotë ta përkthesh urgjentisht titullin dhe ti shpjegosh dhëndrit se duhet ta djegë një shami. Ti lidhesh me Australinë dhe ua shpjegon. Nuk ishte e lehtë. Dhe, rezultati nuk ishte ideal. Alberti hoqi shaminë nga xhepi lart i kostumit, nxori çakmakun dhe i furi flakën, shpejt e shpejt, pa hyrë në ritëm me vallen e ndezur tiranase. Një zonjë pranë tij, që mund të ishte e ëma, brofi në këmbë e tmerruar, pa e kuptuar dot domethënien e këtij veprimi.

Koha kalonte, tani ishte zbardhur dhe nga jashtë dëgjoheshin gomat e makinave që përplaseshin në kapakët e pusetave. I bëre shenjë babait që të gjente një mënyrë e ta mbyllte, se do bëheshit gati për punë. Ai ia dha fjalën të vëllait, xhaxhi Qaniut nga Bostoni, i cili bëri mbylljen.

“Ju falënderojmë të gjithëve për pjesëmarrjen dhe në gëzime ua shpërblefshim!”, tha fjalën e fundit.

Mirëpo, se kush e tha në fillim nuk u mor vesh, por shpejt pothuaj nga të gjitha lidhjet: nga Vlora, Tirana, Sidneji, Prizreni, Milano, Londra … u mbështet në kor kërkesa që dhëndri të puthte nusen.

Mos, the ti me vete! Kjo nuk duhej! Se t’u kujtua një detaj. Dhëndri dhe nusja nuk ishin bashkë, Elona ndodhej në Boston, Alberti në Sidnej.

Dhe, çifti bëri atë që mundi në një kohë si kjo: që të dy i dërguan nga një puthje me dorë njeri-tjetrit!

/Telegrafi/