“Voice of My People”: Një film dokumentar në Zvicër shpalos historinë e deputetit shqiptar Islam Alijaj

Në vitin 2023, Islam Alijaj u zgjodh deputet në parlamentin e Zvicrës nga radhët e Partisë Socialdemokrate (SP). Zgjedhja e tij ishte historike për dy arsye: si politikani i parë me paralizë cerebrale dhe pjesëtari i parë nga komuniteti shqiptar.
Tani një film i ri dokumentar i titulluar “Voice of My People” (Zëri i popullit tim), hedh dritë mbi prapaskenat e fushatës së jashtëzakonshme dhe ofron një vështrim intim në jetën e tij private. Filmi pati premierën në kinemanë “Riffraff” të Zürichut, njofton gazeta “Blick”.
Rruga e 39-vjeçarit drejt parlamentit në Bern nuk ishte aspak e lehtë, njofton gazeta. Dokumentari nis me zhgënjimin e madh të Alijajt kur bashkëpartiakët e tij e renditën vetëm në vendin e 11-të në listën zgjedhore. Për një kandidat me prejardhje të huaj dhe me aftësi të kufizuara, shanset për fitore dukeshin thjesht zero. Megjithatë, ai nuk u dorëzua. Me ndihmën e një ekipi të përkushtuar të udhëhequr nga strategu i marketingut David Wember, Alijaj investoi rreth 300’000 franga në fushatë, i mbështetur nga organizata “Pro Infirmis” dhe biznesi i tij familjar “Wischmobb”.
Për shkak të mungesës së oksigjenit gjatë lindjes, truri i Islamit pësoi dëmtime që i kufizojnë kontrollin e muskujve. Ai lëviz me karrige invalidore dhe ka vështirësi në të folur.
Filmi dokumentar shpërfaq besimin e palëkundur, energjinë dhe humorin e tij që frymëzuan dhjetëra vullnetarë për të shpërndarë fletëpalosje e për të ngjitur posterë. Krahas skenave të fuqishme, dokumentari tregon edhe anën e tij tejet të ndjeshme dhe sfidat e përditshme: nga ngjitja e shkallëve te përdorimi i tualetit apo shikimet paragjykuese të njerëzve në rrugë. “Kur isha adoleshent, e urreja aftësinë time të kufizuar”, rrëfen ai.
Motivimin më të madh Alijaj e gjen te familja e tij. “Nuk dëshiroj që dy fëmijët e mi të rriten në një shoqëri ku babai i tyre shihet si më pak i vlefshëm”, thotë ai në një moment intim në film.
Në parlament Alijaj angazhohet për të përmirësuar jetën e 1.8 milionë njerëzve me aftësi të kufizuara në Zvicër. Dokumentari përfundon me lot gëzimi dhe festime menjëherë pas shpalljes së rezultateve të vitit 2023. /Telegrafi/










































