Një tjetër boksier shqiptar lufton për titullin kampion bote

Boksieri shqiptar Ermal Hadribeaj do të ketë mundësinë të shkruajë historinë, pasi është konfirmuar si sfidues për titullin e botës në boksin profesionist.
Hadribeaj do të përballet më 17 tetor me Sebastian Fundorën për brezin e kategorisë “WBC Super Welterweight”. Fundora është kampioni aktual i kësaj kategorie, ndërsa boksieri shqiptar do të hyjë në ring si sfiduesi i detyrueshëm.
Bëhet fjalë për një nga titujt më prestigjiozë në boksin profesionist, pasi WBC është një prej katër organizatave kryesore botërore të këtij sporti. Përballjet për titujt e këtyre organizatave konsiderohen luftëra zyrtare për titullin e botës.
Hadribeaj, i lindur në Tiranë dhe i vendosur prej vitesh në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka ndërtuar një rekord mbresëlënës në karrierën profesionale. 32-vjeçari ka zhvilluar 23 meçe dhe i ka fituar të gjitha, pa pësuar asnjë humbje deri më tani.

Sfida e radhës erdhi pas një paraqitjeje të fortë në muajin maj, kur Hadribeaj mposhti Bakary Samake më 23 maj në Oberhausen të Gjermanisë, duke fituar titullin “WBC Silver Super Welterweight”.
Ky triumf i siguroi atij statusin e sfiduesit të detyrueshëm për titullin e botës në kategorinë super-uelter dhe i hapi rrugën për përballjen e madhe ndaj Sebastian Fundorës.
Tashmë, Hadribeaj është pranë momentit më të rëndësishëm të karrierës së tij, ku do të kërkojë të bëhet shqiptari i radhës që shpallet kampion bote në boksin profesionist./Telegrafi/











































