LAJMI I FUNDIT:

Minus i madh për (keq)fomuesit e opinionit publik

Minus i madh për (keq)fomuesit e opinionit publik

Zgjedhjet e fundit në Kosovë, shumëkënd e kanë habitur, pos atyre që i kanë paralajmëruar këto ndryshme si diçka normale që do të duhej të ndodhnin. Dhe, habia më e madhe për një pjesë të madhe quhet Lëvizja Vetëvendosje. Në fakt, mua nuk më habit shumë pse VV e ka dyfishuar fuqinë e saj elektorale dhe se, si e vetme, pa u bashkuar me askënd, arriti të dalë forca e parë politike në këto zgjedhje, sa më habit mungesa e sensit të një pjese të madhe të atyre që vetes i thoshin analistë, për të shmangur në çfarëdo mënyre ngritjen e VV në parametrat e tanishëm të besueshmërisë në popull.

Kosova një kohë të gjatë jetoi në një realitet bardhezi, ku politika duhej patjetër të vegjetonte brenda kallëpeve formale të koalicioneve të zorit në mes të PDK-së dhe LDK-së. Sa herë që përmendej ndonjë variant tjetër, që do të zëvendësonte këtë realitet, dilnin shumë zëra kundërshtues (madje edhe satanizues), duke aluduar në VV-në si forcë e padenjë për të udhëhequr vendin, madje duke nxjerr edhe argumente të paqena për misteriozitetin e ngritjes së saj në skenën politike kosovare. Ndodhi një vardisje gërrditëse ndaj të ashtuquajturave parti të mëdha dhe fatkeqësisht shumë emra publikë u identifikuan me këtë filozofi mendimi, aq sa quhej herezi e skajshme civile e publike kundërshtimi i kësaj filozofie.


Për mua as sot nuk është e qartë se si u arrit të formohet një opinion i tillë publik për VV-në në kohën kur ajo (përveç pushtetit lokal në Prishtinë) nuk kishte as një sekondë pushtet qendror, për ta ngarkuar atë me fajësinë e abuzimit me pushtetin, edhe pse me aq lehtësi të madhe u këmbye kritika ndaj pushtetit me njëfarë aleance të fshehtë me të duke nxjerr herë-herë ndonjë akuzë qorre vetëm sa për të mos prishur imazhin e besueshmërisë publike. Jo se VV nuk kishte pika për të cilat duhej debatuar dhe kritikuar, por skajshmëria e litarit që mundohej të përthekonte grykën e diskursit të deformuar publik, burimin nuk e kishte gjithmonë në duart e atyre që kritikonin hapur, por të atyre që qëndronin prapa perdeve.

Një mori alibishë për ‘’papjekurinë’’ e VV-së për të udhëhequr vendin na e kujton një kohë të kobshme, jo shumë moti pas lufte kur aparatçikë të caktuar shkonin tinëz nëpër zyra të ndërkombëtarëve për të denoncuar oponentët e tyre politikë. Fatkeqësisht, këto denoncime më vonë u bënë edhe raporte konfidenciale, për të përfunduar edhe në akte gjyqësore, që afër mendsh mund të kenë marrë udhë edhe në ndonjë dhomë të Gjykatës Speciale, kundër së cilës me këmbëngulje ishte vetëm Lëvizja Vetëvendosje.

Zvarranikët e kanë një aftësi të fshehur për t’u dukur se janë njësojë në lëvizje dhe çdo ndryshim të kursit ata e paketojnë si ambientim normal në kushtet dhe rrethanat e reja. Jam shumë kureshtar që tani të shoh shumë prej këtyre zvarranikëve të bëjnë provën e fundit për të kapërcyer vijën e fundit të ylberit konformues, duke futur në grackën e lojalitetit të fshehur vetëbegenisjen për njëfarë rebelizmi të vonuar. Por, gjithçka që është e vonuar, ose prodhon mbresën e produktit të pjekur me zor, ose krijon iluzionin se edhe prej abortimeve intelektuale mund të lind ndonjë fryt me patentë të çuditshme gjoja jetëgjatësie.