LAJMI I FUNDIT:

Ministri Rasic kërkon bashkëpunim me komunat e Kosovës

Ministri Rasic kërkon bashkëpunim me komunat e Kosovës

Me qëllim të uljes së shkallës së papunësisë në Kosovë dhe të përmirësimit të kushteve të jetesës për qytetarët e Kosovës, ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Nenad Rasic, u është drejtuar me një letër të gjithë kryetarëve të komunave të Kosovës, përmes së cilës u bënë thirrje atyre për kontakte dhe bashkëpunim sa më të ngushtë dhe konkret me MPMS-në.

Ky bashkëpunim do të shërbente në paraqitjen e përbashkët (MPMS-komunë) të projekteve konkrete të komunave para faktorit ndërkombëtar dhe donatorëve eventual.

Realizimi i këtyre projekteve do të ndikonte dukshëm në uljen e shkallës së papunësisë dhe në zbutjen e varfërisë në Kosovë, që konsiderohen dy sfidat më të mëdha me të cilat po përballet Kosova, potencohet në letrën e ministrit Rasic.

Në konferencën e donatorëve e cila është mbajtur në verën e këtij viti Qeveria e Kosovës në këtë rast Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale ka marrë mbështetjen e komunitetit të donatorëve për ngritjen e nivelit të jetesës të të gjithë qytetarëve të vendit si dhe instalimin e stabilitetit të gjithmbarshëm ekonomik e social.


Nga projekte të tilla të cilat kanë për qëllim nxitjen e punësimit dhe zbutjen e varfërisë do të përfitojnë direkt qytetarët e komunës përkatëse e cila është hartuese e projektit. /Telegrafi/