LAJMI I FUNDIT:

Menaxhimi i institucioneve të Arsimit…

Këto ditë bibliotekës shqiptare iu shtua edhe një libër mjaftë domethënës, i cili i ka munguar lexuesit shqiptar dhe edukimit në përgjithësi. Është fjala për librin e Isuf Zenelit, me titull “Bazat e Menaxhimit – Menaxhimi i Institucioneve të Arsimit”, ku konsulentë shkencorë janë Nazmi Mustafa (Kolegji Universitar Internacional i Prishtinës) dhe Valon Murtezaj (IESEG School of Menagement, Paris).

Libri në fjalë përmban 15 kapituj, ku trajtohen temat si: Nocione të përgjithshme për menaxhim; Mjedisi shkollor dhe menaxhimi; Planifikimi; Vendimmarrja; Struktura organizative e institucioneve arsimore; Udhëheqja e institucioneve arsimore; Menaxhimi i burimeve njerëzore; Menaxhimi i buxhetit; Sjellja organizative; Komunikimi dhe menaxhimi efektiv; Menaxhimi i ndryshimeve në institucionet arsimore; Menaxhimi i kohës; Kontrollimi dhe vlerësimi; Menaxhimi i sistemit informativ… si dhe shumë tema tjera të cilat lexuesi mund të familjarizohet më to.


Andaj, edhe ideja për një recension të tillë, ishte që të shihet nga dioptria sociologjike menaxhimi i institucioneve të arsimit në shoqërinë tonë, pasi që vet edukimi dhe menaxhimi në këto institucione paraqet një “databazë” të llojit të saj.

Duke folur në këtë libër, autori niset nga shpjegimet ontologjike dhe holistike të menaxhimit, gjithnjë duke i ikur përkufizimeve shkollore dhe e elaboron menaxhimin si “shkencë në vete”, por edhe art. Po ashtu, në vazhdën e këtij elaborimi, shihet se autori flet për mënyrën e menaxhimit të institucioneve, sidomos atyre të arsimit nëpërmes studimeve të rastit (case study), shkathtësitë që duhet t’i ketë një menaxher i mirë, të cilat i veçon si: “konceptuale, njerëzore dhe teknike”, ku citon edhe autorin e njohur Fajol që thekson se “një drejtues i suksesshëm duhet të posedojë këto cilësi apo karakteristika personale: cilësitë fizike, shëndeti, forca; cilësitë mendore, aftësia për të menduar dhe për të kuptuar; cilësitë morale, energjia, qëndrueshmëria, iniciativa, gatishmëria për të pranuar përgjegjësinë etj”. Në analizën e gjerë, këto elemente kanë rëndësi dhe efekt të lartë psikologjik, sepse jo vetëm që ndikojnë në punën kualitative, por kanë ndikim tek dinamika e punës, rezultati dhe efektiviteti i punës, në koordinimet e grupit si kolektiv (puna ekipore), në parimet dhe teknikat, gjë që shumë institucioneve iu mungojnë këto fakte.

Sociologët qysh herët janë marrë me studimet e ndikimit të ambientit, mjedisit, pastaj menaxhimit të kohës, e të tjera, të cilat i kanë parë si elemente të një kohezioni social, si elemente të socializimit me punën. Sot jemi dëshmitarë të asaj që bota është duke u globalizuar, është duke u ndërvepruar, ka një sërë kulturash dhe menaxhimi në këtë hallakam kulturash është bukur shumë i vështirë. Në këtë drejtim, autori elaboron në mënyrë brilante dualizmin e menaxhimit. Sipas autorit, menaxhimi na del si proces i arritjes, synimeve, ambicieve, ndërsa, menaxhimi biznesor dallon sidomos më rritjen e produktit, fitimit.

Kurse, sa i përket raportit në mes të institucioneve arsimore dhe shoqërisë, autori niset nga teoritë e shumta filozofike të Rusos, Lokut, Dejvisit e të tjerëve, dhe potencon faktin se shoqëria ka rol të rëndësishëm sidomos në “përfshirjen në punën e institucionit arsimor”.

Përveç, tjerash, autori shpjegon edhe ndikimet mendimit shoqëror në epistemologjinë e arsimit, duke gërshetuar trajtimet multidimensionale, teorike filozofike dhe shkencore, sidomos metafizikën, epistemologjinë, aksiologjinë, logjikën, esencializmin, pastaj pragmatizmin, ekzistencializmin, bihejviorizmin etj. teori këto që kanë ndikimin jo vetëm në menaxhimin e arsimit, por edhe në sjelljen, mënyrën e të kuptuarit, kodet morale- etike, menaxhimin, delegimin, e shumë tipare tjera në ambientin e punës dhe socializimin e punës. Kjo madje korrelon edhe më teorinë e sociologut të njohur Dyrkem, i cili thekson se me ndarjen e punës kemi funksionalizimin e punës, socializimin dhe integrimin shoqëror të kolektivit/grupit.

Libri, më tej, shtjellon edhe mënyrën e planifikimit si njësi në vete, pastaj kronologjitë e shumta të shembujve mbi SWOT analizën, analizë e cila përdoret edhe në shkenca shoqërore, por edhe në ekonomi; planet e veprimit dhe planet strategjike që apriori lidhen me menaxhimin në institucionet e arsimit.

Vendimmarrja si proces, padyshim se është një ndër elementet kryesore të menaxhimit dhe menaxherit në përgjithësi. Studimet e shumta kanë theksuar se jo rrallë herë vendimmarrja ka qenë e lehtë, sepse në disa procese ndikimi i grupit dhe vendimmarrja ka bërë që gjërat në terren edhe të marrin kthesë tjetër. Mu për këtë fakt edhe Zeneli në librin e tij të ri flet për vendimmarrjen si proces i ndërlikuar me probleme dhe sfida të shumta. Sipas tij kemi dy lloj vendimmarrje: Vendimmarrja e programuar dhe vendimmarrja e paprogramuar. Me të parën kuptojmë se “ajo përdoret për zgjidhjen e atyre problemeve të cilat janë mirë të njohura, që kanë ndërtim të thjeshtë, që janë të zakonshme…”. Vendimmarrja e paprogramuar përdoret për zgjidhjen e atyre problemeve “të cilat nuk janë mirë të njohura, që janë të ndërlikuara, që nuk janë të zakonshme”.

Më tej, autori flet edhe për nivelet e vendimmarrjes, stilet që kanë rëndësi të madhe në zgjidhjet e problemeve, metodat, si dhe faktorët që ndikojnë në procesin e vendimmarrjes (faktorët e brendshëm dhe ato të jashtëm).

Zeneli në librin “Bazat e Menaxhimit – Menaxhimi i Institucioneve të Arsimit”, përveç asaj që thurëm më lartë, flet edhe për strukturën organizative në institucionet e arsimit, duke shpjeguar kështu edhe funksionet e mundshme, pastaj sistemin e arsimit dhe të institucioneve arsimore, gjithnjë duke bërë një komparacion me vendet tjera. Rëndësi të madhe në këtë libër kanë edhe temat si: Udhëheqja e institucioneve arsimore duke gërshetuar këtë element edhe me teoritë psikologjike të personalitetit, pastaj rolin e dijes si fuqi e postmodernizmit e deri tek menaxhimi i burimeve njerëzore si një art në vete.

Tema tjera të prekura në këtë libër janë edhe sjellja, kultura organizative, informacionet, menaxhimi i kohës, si dhe shumë tema tjera të rëndësishme të cilat përbëjnë këtë libër meritor për zgjerimin e mëtejmë të diapazonit të diturisë.

Konsiderojmë se lexuesi, por edhe institucionet e arsimit duhet patjetër ta kenë këtë libër në bibliotekat e tyre, sepse përveç zgjerimit të “hartës kognitive”, libri ofron edhe shembuj të shumtë të studimeve dhe lirisht mund të themi se është një vlerë e madhe në librarinë shqiptare.

Në fund libri përfundon edhe me disa të dhëna rreth numrit të fëmijëve në botë, përfaqësimit të tyre dhe vlerave të cilat janë të lidhura me ta si pasardhës të shoqërisë, sepse vetë menaxhimi efikas në institucionet e arsimit është primare për brezat e rinj, për celulën e shoqërisë, e cila promovon kombin, shtetin dhe në përgjithësi shoqërinë shqiptare para botës…!