LAJMI I FUNDIT:

Mbjellja e grurit deri më 15 nëntor

Mbjellja e grurit deri më 15 nëntor

Kultivuesit e kulturave lavërtare, ka javë që kanë filluar mbjelljen e kulturave lavërtare, ku deri më tani janë mbjellë rreth 50 për qind e sipërfaqeve të planifikuara. E përfundimi i këtyre mbjelljeve varët nga kushtet klimatike, të cilat pritet të mbretërojnë në vendin tonë. Në rast të zgjatjes së periudhës së mbjelljes, fermerët duhet të kenë kujdes që të shtojnë sasinë e farës dhe plehut të hedhur për të pasur një realizim sa më të mirë të këtyre mbjelljeve. Ndërkaq, sipas të dhënave tëMinistrisë së Bujqësisë, sivjet thuhet se planifikohet të mbillen rreth 90 mijë hektarë me kultura lavërtare.

Drejtori i Departamentit të Politikave Bujqësore, Isuf Cikaqi, ka thënë për portalin “Ferma Ime”, se realizimi i mbjelljeve vjeshtore ka filluar dhe deri me tani gjithçka në këtë proces ka shkuar mirë. Ai po ashtu ka treguar se edhe tregu është mirë i furnizuar si me farë ashtu edhe me plehra minerale.


“Sipas të dhënave nga terreni janë mbjellur rreth 50 % e sipërfaqeve tëplanifikuara, ndërsa përfundimii mbjelljeve varet shumë nga kushtet klimatike që do të mbretërojnë gjatë ditëve ne vijim, por vlen të theksohet se jemi ende brenda afatit optimal për mbjellje”, ka thënë drejtori Cikaqi.

Por, në rast të vonesave që mund të shkaktojnë kushtet klimatike në përfundimin me kohë të këtyre mbjelljeve, ai tregon se fermerët duhet të kenë kujdes më të shtuar gjatë mbjelljes së sipërfaqeve të tyre. “Në rast se kalon afati optimal i mbjelljes atëherë mbjellja nuk duhet ndërpritet por që fermerët duhet të kenë kujdes me rritjen e sasisë së farës dhe plehut të hedhur përafërsisht nga 8-10 % nga norma e planifikuar”, tha drejtori Cikaqi.

Ndërkaq, ai ka treguar se sivjet planifikohet të mbillen rreth 90 mijë hektarë me kultura lavërtare, por për këtë ai thotë do të dihet më saktë pas përfundimit të mbjelljeve. “Me përfundimin e këtij procesi, ne do të dalim me një raport, me ketë rast do ta dimë saktësisht se sa hektarë të mbjellë kemi me kultura lavërtare”, ka treguar ai. Po ashtu, ai tregon se për t`i përkrahur bujqit në rritjen e kapaciteteve të tyre bujqësore, Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, përmes subvencioneve viteve të fundit i ka përkrahur kultivuesit e grurit.

Ai thekson se përmes rritjes së përkrahjes nga viti në vit MBPZHR ka rritur edhe numrin e fermerëve përfitues dhe me këtë janë rritur edhe sipërfaqet e subvencionuara.

Në anën tjetër, profesori i Bujqësisë, Imer Rusinovci, thotë se lagështira dhe shtyrja e mbjelljeve vjeshtore nuk mund të paraqet problem të madh për grurin por sipas tij për të mbjellur grurin ka kohë ende.“Po mbjelljet vjeshtore të grurit mund të vazhdojnë deri më 15 nëntor, vetëm se fermerët të cilët mbjellin grurë duhet të shtojnë sasinë e farës së hedhur”, tha Rusinovci.

Ai tregon se mbjellja e grurit me vonesa nuk ka ndodhur vetëm këtë vit madje ai tregon se kanë pasur raste kur gruri është mbjellur edhe në muajin dhjetor vetëm se varet edhe çfarë dimri mund të kemi. /FermaIme/Telegrafi/