LAJMI I FUNDIT:

Mbi nevojën e një identiteti të ri virtual

Mbi nevojën e një identiteti të ri virtual

Jemi dëshmitarë të asaj që bota gjithnjë e më shumë është duke u globalizuar, është duke u ndërvepruar, dhe përderisa në njërën anë zhvillimet tekniko-teknologjike kanë arritur në piedestalin më të lartë, në anën tjetër këto zhvillime kanë bartë me vete edhe të metat e tyre. E, kur jemi tek këto të meta, duhet cekur se këto zhvillime kanë krijuar edhe varësi tek njerëzit.

Sido që të jetë, studimet nxjerrin në pah se njeriu postmodern, krahas nevojave tjera, ka nevojë edhe për një identitet të ri, sidomos virtual. Por, shtrohet pyetja se çka është identiteti virtual? Në kuptimin e logjik, identiteti virtual ka kuptimin e krijimit të një uni virtual (ID), një dokumenti virtual që është produkt i procesit të globalizimit. Në këtë drejtim, ideja e Marshall Mucklehanit se bota është një fshat global më nuk është e kapshme, sepse pikërisht ky virtualitet, përderisa njerëzit i ka lidhë (ka krijuar lidhshmëri), në anën tjetër ka bërë që edhe shumë probleme të dalin në sipërfaqja.


Shembulli i Interpolit për kapjen e pedofilëve përmes rrjeteve sociale me krijimin e një vajze virtuale, më së miri pasqyron këtë fakt. Prandaj, mund të themi se çdo ditë e më tepër njeriu po transformohet nga bota fizike në atë virtuale dhe e gjithë kjo po shkakton një anomi (të themi kështu në gjuhën Dyrkeminiane), një shkëputje në mes të raporteve shoqërore.

Studimet sociologjike, përkatësisht studimet e komunikologjisë, theksojnë se njeriu ka nevojë për të mirat teknologjike, sepse kjo njeriun e integron, krijon lidhje të reja, komunikime të reja, informata të reja, pasi që vet informata në këtë drejtim konsiderohet si burim i pashtershëm pasi që i përket natyrës jo-materiale. Mirëpo, këto studime tërheqin vëmendjen se varësia nga rrjetet sociale, sidomos përdorimi i tepër i smartphonave, shpien njeriun në pasiguri sociale, në pasivitet, në depresion, madje edhe probleme tjera shëndetësore, siç është obeziteti (mbipesha) dhe miopia (problemet me shikim).

Nga kjo del se së fundi, si rezultat i varshmërisë së teknologjisë globale, sidomos përdorimit të tepërt të rrjeteve sociale, kemi hapjen e qendrave të kësaj varësia, ku vlen të cekët hapja e një qendre të tillë në veri të Vojvodinës kohë më parë. Thënë më gjerësisht, varësia në rrjetet sociale ka bërë që njeriu postmodern të ketë probleme të shumta që nga mungesa e një integrimi shoqëror, e deri tek depresioni. Në këtë drejtim, këto probleme kanë efektet e tyre psikologjike dhe sociale, e kësaj më së miri i përshtatet fakti që Bill Gates vajzës së tij 11 vjeçare ia kufizon përdorimin e internetit vetëm në 30 minuta gjatë ditës.

Sipas një studimi të bërë nga Universiteti i Çikagos botuar në revistën "Shkenca psikologjike", ku janë anketuar 250 njerëz të moshës mes 18-85 vjeçare, pas dëshirës për të ngrënë, dëshirës për gjumë apo për pije tjera, dëshira për rrjetet sociale llogaritet është më e madhe. Në veçanti, 75 për qind e kësaj përqindjeje thanë se e kanë të nevojshme të kontrollojnë emailin, ndërsa 65 për qind kanë shprehur nevojën për të kontrolluar Facebookun apo Twitterin çdo ditë. Anketuesit u monitoruan përmes sms-ave për një javë. Ndërkohë, që në kohën kur ishin në punë, atyre iu bëhej pyetja se cila ishte nevoja e tyre që u vinte ndërmend.

Nga ky elaborim mund të konkludojmë se varësia nga rrjetet sociale së fundi është bërë fiksim sa që vetëm në Kosovë trendi i “selfieve”, pastaj instagramit, skypet, twiterrit, e shumë rrjeteve tjera sociale nuk kanë të ndalur. Këto fakte tregojnë se përkundër faktit që njeriu ka evoluar me zhvillimet tekniko-teknologjike, është duke u shndërruar në rob të prodhimit të tij.

Bazuar në studimet dhe hulumtimet e shumta, shohim se pasojat nga varshmëria e rrjeteve sociale janë të shumta, që nuk do të mjaftonin që të thureshin me pak fjalë. Mirëpo, si pasoja kryesore janë: hermteizimi social (mbyllja në vetvete), raportet asociale me grupin shoqëror, problemet emocionale në raport me komunikuesit tjerë virtual, pagjumësia, depresioni, obeziteti (mbipesha), ushqim jo i rregullt, mungesa e aktiviteteve fizike, probleme me shikim, agresiviteti etj.

Prandaj, jemi në dijeni se përdorimi i teknologjisë globale, veçmas rrjeteve sociale, ka rëndësi të madhe në jetën e njeriun, sidomos me vjeljen e informatave të reja dhe nga sociologët shihet si një nevojë për një identitet të ri virtual. Megjithatë, në mënyrë që mos të kemi varshmëri nga rrjetet sociale, do të ishte e rrugës që ky përdorim të reduktohet, sidomos nga të rinjtë dhe se koha e paraparë për këto përdorime të zhvendoset në aktivitetet tjera, qofshin ato fizike, shoqërore, apo edhe aktivitete tjera.