LAJMI I FUNDIT:

Mbi humorin kosovar

Nëna ime ende kujton se si, kur ishte studente, i ndjeri profesori Fehmi Agani gjithmonë fillonte ligjëratat me një shaka, një barsoletë. Se të qeshësh, arsyetonte ai, është obligim yni ditor. Racione të tilla qeshjeje të lehta ua ngrohte shpirtrat studentëve në amfiteatrin e ftohtë të Universitetit të Prishtinës së viteve ’70.

Humori dhe komedia janë art, janë mjet social për përçimin e një mesazhi. Ky mesazh mund të marrë ngjyrim politik, ekonomik, fetar, apo thjesht mund të paraqesë shkas për të buzëqeshur. Humori e komedia mund edhe të kategorizohen për nga vlera artistike dhe ndikimi në shoqëri. Mund të bësh humor duke qenë i drejtpërdrejtë, por edhe duke treguar sqimë e elegancë, dhe duke tëhuajëzuar elemente të parodisë, sarkazmës apo shpotisë. Mund të adaptosh rolin e një budallai, një idioti, politikani të korruptuar, apo mund të jesh vetvetja dhe të bësh humor për persona të tjerë.


Anglezët, për shembull, janë të njohur për humorin e tyre të thatë, apo humorin e zi (“dry humour” apo “black humour”). Programet televizive si “Have I got news for you”, revista satirike “Private eye” thyejnë tabu, janë të pamëshirshëm ndaj politikanëve të zënë me presh në duar, dhe si të tillë kontribuojnë dukshëm në transparencë dhe llogaridhënie. Dhe natyrisht, projektojnë një sens të stërholluar humori dhe kulture. Pse jo, të tillët ndikojnë që vetë ministrat të japin dorëheqje, e rrjedhimisht kontribuojnë në politikat publike dhe përmirësimin e jetës së qytetarëve. Në esencë, artisti humorist është qytetar politik me përgjegjësi serioze sociale.

Tashti, nuk dua të bëj krahasime sa për sy e faqe, por ishin programet televizive të fundvitit që më yshtën të mendoj për atë që quhet humor kosovar. (Në këto çaste, është sfidë e llojit të vet mbajtja e një qëndrimi objektiv, pa u lëshuar në cinizëm dhe përqeshje). Në të vërtetë, çka përmban humori kosovar? Çfarë mesazhi përçon ai? Sa ndikon në përmirësimin e jetës së qytetarit? Për të dhënë përgjigje, të kujtojmë shkurtimisht skeçet e fundvitit dhe të tjera.

Humoristi tipik që shfaqet në ekranet televizive në Kosovë kryesisht paraqitet si i marrë apo idiot, me një të folur që qëllimisht banalizohet e përçudnohet. Thuajse sa më idiotesk të jetë ai, aq më qesharak duhet të jetë edhe humori i tij. Për shembull, e kemi personazhin e katundarit shqiptar, tipik për humorin tonë, i cili ose është personifikim i marrëzisë, qyqarllëkut, erotikës mbrapa shelgjeve të vadës, ose ngërthen në vete një patriotizëm të flaktë, përplot me vargje ofenduese e ksenofobe për armiq të vërtetë e të imagjinuar. Në anën tjetër, kemi “talentet e reja” që paraqiten në shou të ndryshëm, me rolet e tyre diverse. Ata arrijnë të imitojnë zbehtë fytyrat e njëjta publike të 20 viteve të fundit, gjithsesi të politikës, thuajse jeta në Kosovë fillon dhe mbaron me politikë. Janë të lodhshëm po aq sa janë të trishtueshëm. Më shumë se qeshje, këto pamje të shkaktojnë pikëllim, se ti e di se për këta të rinj humori në TV është një mënyrë për t’i ikur papunësisë e për të bërë pak para, e me pak fat, për t’u avancuar vrikshëm në aktrim, muzikë, e pse jo edhe në politikë.

Pastaj – dhe kjo ma kujton sidomos një emision në TV publik gjatë ndërrimit të moteve – janë emisionet zbavitëse me një mish-mash të përbërë nga muzika folklorike, intervistat dhe skeçet humoristike. Është neveritëse se si gjendet mënyra inovative për t’u zaptuar tradita, muzika e mirëfilltë popullore, e veshjet kombëtare, për të transmetuar shou pornografike ku këngëtarët “popullorë” këndojnë këmbëkryq me çiftelia, përderisa vajzat me minifunde vallëzojnë pranë tyre. Dhe në mesin e tërë kësaj zallamahie tallava-patriotike, janë humoristët që dërgojnë mesazhe nacionaliste-idioteske e fyese për intelektin e qytetarit. Në një fjali, humori kontemporan kosovar – natyrisht me përjashtime të rralla – manifestohet nga një turmë bufonësh, klaunësh e amatorësh të papërmirësueshëm… Shpesh e zë vetveten duke u rropatur që me mendje të hapur të përpiqem që me të vërtetë t’ua kuptojë mesazhin e logjikën e humorit, por kot!

Në fund, shoh humoristë të tillë tek pushtojnë seriale e programe tjera me transmetim nacional, tek flasin mbarë e mbrapsht, pa marrë parasysh se fjalori i tyre mund të mos jetë adekuat për një fëmijë 8-vjeçar. Shoh se sa të popullarizuara janë serialet e tilla, dhe me to edhe humoristët e sipërpërmendur. Shoh se si qytetarët qeshin me hokat e tyre jo mirë të artikuluara. Dhe çuditem. Si është e mundur që kjo shoqëri të qesh me ta, si është e mundur që nuk u ofendohet intelekti, që nuk kërkojnë më mirë, tani, menjëherë?!