LAJMI I FUNDIT:

Mbi Eqerem Bej Vlorën dhe kompleksin ndaj tij

Mbi Eqerem Bej Vlorën dhe kompleksin ndaj tij

Eqerem Bej Vlora e komplekson politikën shqiptare, siç kompleksohemi ndaj gjithë gjërave që nuk i arrijmë dot. Ai ka vërtet një jetë plot shkëlqim dhe errësirë, por gjithmonë e ka në një një nivel të paarritshëm nga të tjerët. Ai është një nga njerëzit më të ditur të këtij vendi, me një shkollim elitar, dhe një vëmendje ndaj kombit shqiptar para se ne të bëheshim shtet.

Ai është pionier i fillimit të përgatitjes së pavarësisë së Shqipërisë përmes Austrisë ku kishte studiuar. Ai dhe i jati i tij, Syrja Bej Vlora, ishin njerëzit kryesorë të austro-hungarezëve në projektin për pavarësinë e Shqipërisë. Është kjo arsyeja që edhe brenda familjes Vlora, ata i hapën rrugë me mençuri ngritjes së flamurit nga Ismail Bej Vlora, i cili ishte më i pranuar nga politika e fqinjëve tanë, kryesisht Italia dhe Greqia, pasi politika austro-hungareze konsiderohej radikale dhe shumë proshqiptare.


Më pas ai ishte këshilltar për politikë të jashtme i Princ Vidit dhe politikan aktiv. Ishte një konservator i palëkundur, një vetëkritik i madh, një njeri shumë i hapur me kundërshtarët.

Kompleksi ndaj tij ka të bëjë me faktin që ai u përfshi në qeverinë e Rexhep Mitrovicës si ministër i Tokave të Lira, që sot mund të përkthehet si ministër për Kosovën, të cilat i bashkoi formalisht Gjermania me marshimin e saj në tokat shqiptare, pas kapitullimit të Italisë fashiste. Është një gjest që edhe pse është “de jure” kolaboracionist, “de facto” është diçka që lidhet me një aspiratë shqiptare, që realizohet përmes një fuqie politike të dënueshme. Ai ishte në anijen e gabuar, por jo në drejtimin e gabuar. Politikanët e sotëm janë në anijen e duhur, por në drejtim të gabuar. Eqerem Bej Vlora pranoi të hynte në një qeveri të dënueshme, për një mision kombëtar. Politikanët tanë të cilëve ua dhuroi Kosovën perëndimi, po e dërrmojnë me duart e tyre dhe shembullin e keq të tyre.

Libri i tij monumental për historinë e Shqipërisë, tejkalon punën dhe investimin e gjithë historianëve tanë që i kemi paguar gjithë jetën, herë për të na lavdëruar, e herë për të na sharë komunizmin, por kurrë për të na shkruar një histori të vërtetë.

Eqerem Bej Vlora ka fatin tragjik njerëzor se e la në Shqipëri gruan dhe dy vajzat e tij, të cilat i masakruan në kampe internimi. Vajza e madhe vdiq në Kavajë bashkë me gruan e tij. E fundit ka mbijetuar.

E majta shqiptare e indoktrinuar është mirë të heshtë, pasi fëmijët e komunistëve nuk kanë paguar atë çfarë ka paguar familja e tij prej tyre.

E majta evropiane shqiptare meriton mirënjohje që u tregua mendjehapur dhe u përfshi në nderimet për të.

Edi Rama meriton të lavdërohet si një reformtor i thellë i së majtës, qoftë dhe për këtë shkak, duke rrezikuar konfliktin me enverizmin brenda partisë.

Nga ana tjetër është tragjike që një figurë e shquar e së djathtës shqiptare si ai, të bojkotohet nga partia e Berishës. Nuk është se Berisha nuk e njeh historinë e tij. Djali i të cilit njeh mirë pronat dhe tokat e tij në bregdet, është interesuar për to, dhe ka bërë dhe lojëra me pronat e familjes Vlora dhe Vakëfin e Ferit Pashës, “Satrazemit” të fundit shqiptar të Perandorisë Osmane, i cili kishte krijuar një fond me të ardhurat nga pronat e tij për pesë bursa në Vjenë. Sot ajo pasuri është transformuar në mënyrë të padenjë falë lidhjeve me familjen Berisha. Eqerem Bej Vlora nuk ka fuqi nga varri ta ndalë këtë turp. Sali Berisha e ka bërë me qetësi.

Është gjë e mirë që disa të majtë shqiptarë u kujdesën për historinë e Eqerem Bej Vlorës dhe rikthimin e tij në Shqipëri, dhe turp i madh që partia e Berishës u mor vetëm me pronat e tij duke përlyer dhe në varr emrin e tij.

Të majtën zyrtare e mban larg kësaj ceremonie historia e saj, të djathtën përlyerja e saj. Është fat për Eqerem Bej Vlorën që i ka larg dhe prehet i qetë sonte në Kaninë. Ja kam zili.

(Marrë nga: Gazeta Tema)