LAJMI I FUNDIT:

Martesat e hershme dhe shoqëria kosovare

Një nga fenomenet e shumta të shoqërisë kosovare është edhe fenomeni i martesës së hershme, i cili si fenomen daton qysh herët. Sot, edhe pse kur flitet për këtë fenomen, apriori mendja shkon tek komunitetet RAE. Megjithatë, ky fenomen ka ekzistuar dhe ekziston edhe tek shqiptarët, sidomos përmes Kanunit të Lekë Dukagjinit, i cili edhe pse nuk është i pranishëm sikurse dikur, si zakon të paktën ekziston.

Vet koncepti mbi martesën logjikisht do të thotë: bashkim i një vullneti të lirë (jo në mënyrë të dhunshme) në mes të një burri dhe gruaje (gjinive të kundërta) që lidhet para organeve kompetente; shprehet pëlqimi në mënyrë të lirë sipas procedurës së parashikuar me dispozita ligjore; një akt solemn i mbështetur në barazinë morale dhe juridike, në ndjenjën e dashurisë, respektit dhe mirëkuptimit.


Martesa, ka parimet e saj, ka funksionet e saj, detyrat dhe obligimet. Ndërsa, martesa e hershme mund të akceptohet si bashkim i dy njerëzve (burrit dhe gruas – gjinive të kundërta) kur njëri prej partnerëve ose të dy partnerët janë nën moshën 18 vjeçare. Shpeshherë kjo martesë njihet edhe si martesë fëmijërore, sepse biologjikisht, psikologjikisht, si dhe sociologjikisht – partnerët në fjalë janë akoma fëmijë, janë të papjekur dhe ende nuk e kanë pjekurinë në të cilën duhet të ketë një çift për martesë. Po ashtu, kjo martesë shpeshherë rezulton e imponuar, dhe akterët në fjalë nuk pyetën, por pyeten prindërit apo të afërmit e tyre. Kjo në aspektin juridik konsiderohet e kundërligjshme.

Pra, me fjalë të tjera, martesa e hershme apo thënë më mirë martesa në fëmijëri konsiderohet si shkelje të drejtave të njeriut dhe të drejtave të fëmijëve. Ky fenomen, sipas shumë studimeve sociologjike, prek të dy gjinitë – si meshkujt po ashtu edhe femrat – edhe pse studimet në fjalë theksojnë faktin se femrat janë më të prekura nga ky fenomen si rezultat i një pafuqie të femrës së mitur, por edhe një varësie të saj në kontekstin ekonomik. Sipas shumë të dhënave dhe hulumtimeve që janë bërë në këtë drejtim, në shoqërinë kosovare si grup më i prekur nga kjo dukurie padyshim se janë komuniteti RAE, të cilët shpeshherë janë të margjinalizuar dhe pothuajse askush nuk kujdeset për ta (të paktën për një vetëdijesim më të theksuar mbi pasojat dhe masat parandaluese). Mirëpo, ka raste të shumta edhe tek shqiptarët të cilat këto martesa bëhen si rezultat i shumë faktorëve që më poshtë do t’i shtjellojmë, por që pasojat janë bukur shumë të mëdha.

Shoqëria kosovare edhe pse ka evoluar në institucionin e familjes (pasi që familja është agjens i parë i socializimit, është bërthamë e shoqërisë, madje Parsonsi thekson që familja është fabrikë që prodhon personalitete njerëzore), familja kosovare ka ruajtur me fanatizëm sistemin patriarkal. Përkundër ndryshimeve dhe zhvillimeve sociale, kjo familje ka bërë një ngërç në mes të tradicionales dhe (post)modernes, kjo për faktin se sistemi ende është patriarkal në familjen kosovare ku i zoti shtëpisë mbetet babai, por në anën tjetër ka reforma sa i përket detyrave tjera. Këto detyra, të themi në kuptim figurativ, janë të theksuara në: bashkëjetesë, rol më të madh të nënës në familje, pavarësim të femrës etj., të cilat përbëjnë këtë stad.

Sido që të jetë, kalimi nga solidariteti mekanik në atë organik (lexo Dyrkemin), tek familja kosovare nuk ka kaluar edhe aq lehtë, sepse pikërisht ky ngërç të cilin e theksuam më lartë ka bërë që me disa elemente familja në shoqërinë kosovare të jetë moderne, kurse me disa tjera të jetë tradicionale, e në këtë rast me martesat e hershme, të cilat edhe sot zhvillohen. Patriarkaliteti në shoqërinë kosovare, sidomos kjo që lidhet me elementet e tradicionales tek martesat e hershme, bën që posaçërisht femrat në këto martesa të lënë shkollimin, të lindin fëmijë para kohe, të jenë amvise, të mos kenë ambicie apo karrierë të madhe për zhvillim të mëtutjeshëm akademik. Madje, këto nuse zakonisht janë të hermetizuara në shtëpi nga shokët, nga kolegët, shpeshherë kanë frekuenca të kundërta me burrin dhe familjen e burrit, andaj edhe kjo mund të shpie tek dhuna. Kurse, tek grupet RAE, ky patriarkalitet rezulton me lindjen e shumë fëmijëve ku kushtet ekonomiko-sociale edhe më shumë rëndohen. Po ashtu, këto femrat janë të varura edhe ekonomikisht nga burri dhe familja e burrit dhe pasojat janë të rënda.

Fenomeni i martesave të hershme, siç e theksuam më lartë, nuk është i ri. Megjithatë, ky fenomen sot bëhet edhe për shkaqe ekonomike. Kur themi për shkaqe ekonomike, kemi fjalën edhe për krizën ekonomike globale e cila po reflekton edhe në Kosovë, duke marrë parasysh këtu edhe uljen e remitencave nga jashtë që sipas Raportit të fundit nga BQK-ja, “dërgesat e emigrantëve, si njëra ndër komponentat më të rëndësishme në bilancin e pagesave të Kosovës në shtator 2012, arritën shumën e 436.7 milionë euro, që krahasuar me shtatorin 2011 paraqet një rritje prej 2.0 për qind”. Rritja e dërgesave të emigrantëve në Kosovë konsiderohet të ketë pasur në vazhdimësi një sjellje kundërciklike, kur merret parasysh se kanë sjellje të kundërt me indikatorët tjerë makroekonomikë, shumica nga të cilët gjatë kësaj periudhe u karakterizuan me zhvillime më të ngadalshme ose negative (lexo: Raporti i muajit mars, 2013 – BQK).

Pra, ky trend i ulët i remitencave, edhe pse ka një rritje herë pas here, ka ndikuar që të kemi edhe martesa të hershme, ku si rezultat kanë pasur ngritjen e mirëqenies sociale, ndihmën familjes apo solidaritetin me familjen, si dhe kërkimin e një jete më të mirë. Me fjalë të tjera, shpeshherë këto martesa bëhen edhe për “letra”, bëhen për kërkimin e një jete më të mirë në Perëndim – sesa në Kosovë – duke marrë parasysh edhe faktin që sipas BB-së kemi 41.5 për qind të popullatës në varfëri dhe 16 për qind në varfëri të skajshme. Andaj, edhe Ligji për familjen në Kosovë ndalon martesën nën moshën e pjekur (18 vjet). Mirëpo, ekzistojnë disa specifikime, ku në rast se ofrohen dëshmi gjykatës, atëherë martesa edhe mund të ndodhë edhe nën këtë moshë, gjë që shpesh ndodhin gjëra të tilla.

Faktorët që ndikojnë në lidhjen e martesave të hershme janë të shumtë, mirëpo ne do të fokusohemi vetëm te disa nga to, si: mungesa e komunikimit të shëndosh në relacionet prindër-fëmijë, mungesa e shkollimit adekuat, sidomos për vajza – pasi që vajzat në këtë aspekt konsiderohen si më të shkelurat – pastaj faktorët ekonomiko-social të cilat i përmendëm më lartë, mungesa e vetëdijesimit adekuat për këtë fenomen (në disa komunitete faktor është edhe tradita, sepse ata tradicionalisht kanë pasur martesa të hershme), pastaj faktor tjetër është edhe frika e prindërve – familjes – se vajzat do të mund të kryenin marrëdhënie seksuale para martesës (apo të hasin në ngacmimet seksuale, dhe kjo do të ndikonte në prestigjin shoqëror, influencën dhe kredibilitetin familjar, për çka një pjesë e tyre i shtyjnë vajzat që të martohen në fëmijëri), pastaj sigurimi i informacioneve adekuate dhe qasja në shërbimet shoqërore e shëndetësore duke përfshirë shëndetin seksual, mos konsultimi me profesionistët e duhur si rezultat i një inferioriteti (si rezultat i tabuve të ndryshme) etj.

Nga prizmi sociologjik, pasojat mund të jenë të shumta. Në martesat e hershme ekziston raporti se çiftet ende janë të papjekur psikologjikisht; ka divorce të shumta; dhuna shpeshherë është më e lartë si në aspektin fizik e po ashtu edhe atë psikologjik; gruaja kryesisht varet nga të ardhurat e burrit apo familjes së burrit; shtatzëni e hershme dhe e padëshiruar; problemet me shtatzëni ku kjo madje mund të rezultojë edhe me vdekjen e fëmijës apo edhe të nënës, sepse në konstruktin biologjik trupi i një të miture ende nuk është i përgatitur për të lindur fëmijë… Pastaj, pasojat janë edhe të tjera, si të sëmundjeve të transmetuara seksualisht, depresion, vuajtje, ankthe, fobi, hermetizëm social e psikologjik, krizë të personalitetit – personalitet jo stabil, çrregullim psikik – neuroza dhe psikoza – e deri tek vetëvrasja që mund jetë fatale si rezultat i kërcënimeve të vazhdueshme, mos përkrahjes së familjes etj.

Ky fenomen ende vazhdon të jetë prezent në shoqërinë tonë dhe si i tillë paraqet jo vetëm një diskriminim të femrës, por edhe një hermetizëm social, pengim të të rinjve për të zgjedhur fatin e tyre, si dhe në aspektin juridik është i kundërligjshëm, gjë që sanksionohet edhe me ligj. Kurse, sa i përket parandalimit të këtij fenomeni, konsiderojmë do të duhej që të ketë një vetëdijesim të përgjithshëm mbi këtë fenomen; të ketë programe adekuate nëpër shkolla, të ketë seminare apo konferenca për këtë fenomen; të ketë një komunikim më të shëndosh në familje; të ketë një bashkëpunim më të theksuar në mes të prindërve dhe institucioneve tjera; të ketë më shumë programe mbi të fenomen në mediat nacionale; dhe, t’i kushtohet një rëndësi e veçantë këtij fenomeni (të konsultohen psikologët, sociologët) etj.