LAJMI I FUNDIT:

Manifestimi njëshekullor

Po hyjmë në vitin kur bëhet një shekull i një ngjarjeje të madhe historike, kur më 28 Nëntor 1912 është ngritur flamuri në qytetin bregdetar të Vlorës dhe është shpallur shteti i pavarur shqiptar. Duhet të mendojmë të gjithë se si ta organizojmë kremtimin e këtij përvjetori. Tani më i kemi dy shtete shqiptare, një gjysmështeti në pjesën e Maqedonisë së sotme, një krahinë shqiptare të mbetur padrejtësisht nën administrimin e Serbisë (Medvegja, Bujanoci dhe Presheva), një krahinë shqiptare të mbetur dhunshëm nën Greqi (Çamëria), një kanton në Mali të Zi me qytetin Ulqinin, Tivarin, Malësi, Hotë e Grudë, Plavë e Guci, kemi një diasporë të shpërndarë në shumë shtete të botës. Përgjegjësia për këtë përvjetor është e të gjithë ne shqiptarëve, por më së shumti bie mbi dy qeveritë parlamentare dhe akademitë tona të shkencës.

Së pari të thirret një takim i komisioneve parlamentare dhe ministrive përkatëse së bashku me akademitë. Po ashtu, edhe institutet dhe katedrat tona, jo vetëm të Tiranës e Prishtinës, por kudo që ka këso lloje të institucioneve edhe nga Maqedonia dhe qytetet tjera të botës. Manifestimi në fjalë është vazhdimësi dhe lidhje e shumë ngjarjeve historike që kanë një rëndësi të madhe që duhet përkujtuar, si: kohën e Skënderbeut; pushtimin nga Perandoria Osmane; organizimet për formimin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit; organizimet për ngritjen dhe formimin e shkollave shqipe si mësonjëtorja e Korçës, Normalja e Elbasanit; Kongresi i Manastirit për themelimin e alfabetit unik shqiptar; shpallja e pavarësisë më 28 nëntor të vitit 1912, Kongresi i drejtshkrimit të gjuhës shqipe në Tiran më 1972; Konferenca e Bujanit; mbetja e Kosovës nën administrimin e Jugosllavisë dhe rezistenca e shqiptarëve krahas aleatëve në Luftën e Dytë Botërore; hapja e Universitetit të Tiranës, Prishtinës, Tetovës etj.; hapja e akademive në Tiranë dhe Prishtinë; heqja e autonomisë në vitin 1989 dhe organizmi i shqiptarëve në ish-Jugosllavi nëpërmjet partive politike; paraqitja publike e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare dhe Ushtrisë për Çlirimin e Medvegjës, Bujanocit dhe Preshevës; shpallja e deklaratës së 17 shkurtit 2008. Këto janë vetëm disa nga datat që e kanë përcjellë për një shekull popullin shqiptar.


Organizimi i një manifestimi të përmasave gjithëpopullore do të kishte efekte shumë të rëndësishme në shumë aspekte. Kjo akademi që duhet dhe besojmë se do të mbahet, do të jetë një udhërrëfyes për kahet e zhvillimit të popullit shqiptar. Tani për tani do të varet shumë nga dy qeveritë dhe akademitë tona që do të udhëzojnë se si do të duket ky manifestim. Në këtë përvjetor duhet së pari ta gjejnë veten shumë dëshmorë, dijetarë, atdhetarë, luftëtarë që luftuan, që sakrifikuan mbajtën burgje të rënda pse e deshën shqiptarinë: për të kaluarën, për të sotmen dhe për të ardhmen.

Rëndësia e manifestimit për të kaluarën dhe të sotmen

Ka rëndësi shumë të madhe që të mos harrohen shumë personalitete të shumë gjeneratave. Do të ishte mirë të mos harrohen, jo vetëm pjesëtarët e popullit tonë, por edhe të huajt që shkruan, e mbrojtën dhe promovuan në forma të ndryshme çështjen shqiptare. Të ftohen të gjallët, kurse ata që nuk janë në jetë të nderohen me ndonjë titull, falënderim apo çmim që janë dalluar në fushat e ndryshme. Kjo të jetë një përfshirje e të gjitha viteve të historisë, mundit, punës, djersës dhe luftërave të udhëhequra nga shqiptarët për ta gëzuar lirinë. Pasqyrimi i së kaluarës do të jetë udhërrëfyes për ndërtimin e së ardhmes sonë. Duke e kujtuar të kaluarën, fillojmë ta ndërtojmë të ardhmen. Të përkujtojmë që pesëqindvjetori i lindjes së heroit tonë kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu e rriti vetëdijen e të gjitha shtresave dhe ne filluam si shqiptarë ta marrim veten, duke ia përcaktuar vetes një rrugë më të mirë në shumë kuptime. Po ashtu, edhe manifestimet e ndryshme të mbajtura me rastin e njëqindvjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit krijuam dhe hapën shumë horizonte. Kjo pati ndikuar edhe në ngritjen e vetëdijes, veçmas te shqiptarët në ish-ngrehinën artificiale, të quajtur Jugosllavi.

Ky përvjetor për Shqipërinë dhe Kosovën ka rëndësi, por megjithatë më së shumti do të luante rol për të ardhmen e këtyre dy shteteve, në afrimin e tyre në sfera të ndryshme, si në arsim, shkencë, kulturë dhe projekte kapitale të përbashkëta në ekonomi. Duhet të vazhdojmë të jemi dy shtete të pavarura, por të bashkëpunojnë ngushtë në shumë fusha strategjike, në projektet e përbashkëta, në nxitjen dhe prodhimin e produkteve, veçmas në bujqësi e elektroenergjetikë. Do të jetë me rëndësi shumë të madhe se çfarë rëndësie do t’i japin edhe mediet këtij përvjetori, pikë së pari se si do të përgatitet opinioni i brendshëm shqiptar. Në bazë të parapërgatitjes për këtë manifestim të madh kombëtar, fqinjët që kufizohemi do të mundohen t’i kuptojnë edhe ato që nuk janë thënë deri më tash. Kjo do të komentohet, analizohet nga të gjitha qarqet e ndryshme të Ballkanit, Evropës dhe botës mbarë. Është me rëndësi që në këtë manifestim të flasin të gjithë: nga Shqipëria e Kosova, shqiptarët e Maqedonisë, të Mali të Zi, të Medvegjës, Bujanocit e Preshevës, çamët e Greqisë, të mos harrohen arbëreshet e Italisë, dikush nga diaspora e Amerikës dhe Evropës. Ka rëndësi edhe me çfarë logo dhe nën patronatin e kujt do të mbahet ky manifestim.

Rëndësia e këtij evenimenti, për të ardhmen e shqiptarëve

Rëndësia e këtij përvjetori është e lidhur me të ardhmen e popullit tonë. Ky manifestim do të krijojë një imazh së pari para vetes sonë, por edhe para të huajve. Jehona dhe komentet e këtij manifestimi do të nguliten gjatë në memorien, jo vetëm të popullit shqiptar, por edhe më gjerë. Do të prodhojë efekte shumëkuptimëshe për mediet e shkruara dhe elektronike, për revista të ndryshme. Për shumë vite e dekada do të flitet e komentohet nga të gjithë, veçmas nga nxënësit, studentët, sportistët, ushtarakët, artistët e të tjerët. Për këtë manifestim të gjitha ambasadat dhe përfaqësitë tona anekënd botës duhet të jenë në nivel dhe të jenë të pajisura me njohuri themelore për t’i njoftuar të tjerët për këtë eveniment shumëdimensional gjithëshqiptar. Duhet të fillojnë menjëherë përgatitjet. Të caktohen edhe konferenca shkencore, tribuna, debate dhe forma të tjera, me qëllim që ta japin kontributin të gjitha shtresat e shoqërisë sonë.