LAJMI I FUNDIT:

Malta, vendi ku historia shihet e shtresuar (Foto)

Malta, vendi ku historia shihet e shtresuar (Foto)

Ishte çështje momenti kur bashkudhëtarja jonë, ndoshta mbi 80 vjeçe, do të ‘intervenonte’. Vërehej se ishte bërë tërë veshë. Kthehej në drejtim tonin dhe na shikonte shkurtazi dhe druante mos po e tepronte. Erdhi momenti kur na pyeti: ’Më falni, cila është gjuha që po flitni’? ‘Është gjuha shqipe’, i thashë. Dhe, kështu filloi muhabeti…

Zonja është malteze, por ka 50 vite që jeton në Kanadë. Ajo, sikur zogjtë shtegtarë, dimrit kthehet në vendin e saj për t’i ikur acarit të ashpër kanadez dhe për t’u ngrohur në rrezet e diellit të vendlindjes. Zonja, sikur çdo njeri, e do shumë atdheun e saj, por nuk e ka ndërmend të kthehet atje për të jetuar përgjithmonë. Megjithatë, pasi që ne po shkonim për ta vizituar vendin e saj, ajo tërë kohën e lavdëronte atë. Është nga ato gratë elegante që flasin bukur dhe që u ka hije edhe kur e teprojnë me lëvdata.

Kur aeroplani e merr pozitën e aterrimit, ajo, duke shtrënguar rripin rreth belit, m’u drejtua edhe me një informatë: ’Ah, edhe një gjë. Malta ka 365 kisha’. Instiktivisht u shikuam në sy dhe në të njëjtën kohë, sikur të kishim ushtruar më parë, i thamë njeri tjetrit: ’Çdo ditë nga një kishë për t’u lutur’. Pastaj ia plasëm gazit.


Rreth 400 mijë banorë jetojnë në këtë ishull që ka madhësi prej 316 kilometrave në katrorë. Për nga territori Malta është më e vogël se komuna e Gjilanit. Por, me të gjitha gjërat që shihen e dëgjohen, ky vend duket si një lagje multikulturore e Londrës. Një histori e shkurtër e shpjegon karakterin e vërtetë të Maltës.

Malta, bukuria në mes të Mesdheut

Malta, për shkak të rëndësisë së saj strategjike, ka qenë e sunduar nga superfuqitë e kohës. Vendi ka hyrë në histori nëpërmjet fenikasve të cilët e kolonizuan këtë ujdhesë dikur mes viteve 800-700 para erës sonë. Fenikasit e emëruan ujdhesën me emrin që ka sot (Malta) e që d.m.th: strehim ose port. Pastaj erdhën grekët, kartagjenasit dhe romakët për të sunduar dhe lënë gjurmët e tyre. Pastaj Malta kaloi nën sundim të Bizantit deri në vitin 870 kur erdhën arabët, fillimisht nga Libia dhe Tunizi i sotëm, e më vonë nga Sicilia. Në vitin 1091 erdhën normanët dhe vendosën sundimin e tyre, por duke mos e shthurur sistemin arab. Normanët krijuan sistem sundimi mbi arabët. Vendi u shpall zyrtarisht i krishterë, por normanët nuk i detyruan arabët që të konvertoheshin. Kjo ishte arsyeja që Malta vazhdoi hovin e zhvillimit dhe u bë edhe më e rëndësishme.

Në vitin 1194 Malta ra nën sundimin e Fredrikut të II-të dhe u bë pjesë e Perandorisë së Shenjtë Romake. Gjatë këtij sundimi vendi e humbi tërësisht rëndësinë që kishte dhe u shndërruar në garnizon ushtarak. Popullsia myslimane, e cila ishte shumicë, u përzu dhe një pakicë që u konvertua mbeti aty. Pastaj Malta ra nën sundimin e Aragonëve dhe më vonë u qeveris nga kalorësit e famshëm të Maltës. Pastaj erdhi Napoleoni. Gjerat ndryshuan në vitin 1800 kur erdhën britanikët dhe ujdhesa u bë shumë e rëndësishme.

Arkitektura karakteristike e Maltës

Nga tërë këta sundues, vetëm tre kanë lënë gjurmët e tyre që shihen edhe sot. Nga arabët mbeti gjuha. Gjuha malteze në fakt është një variant i vjetër i arabishtes. Prezenca e dikurshme arabe shihet nga emrat e vendbanimeve te sotme, siç janë: Rabbat, Mdina, Burgibba, Zeytun e shumë tjera. Në favor të prezencës arabe flet edhe arkitektura e cila në disa raste haset edhe si e kombinuar me atë të Mesjetës evropiane. Arkitektura, si çdo kund tjetër, edhe në Maltë është dëshmi e së kaluarës dhe treguese e standardit të jetës momentale.

Nga normanët dhe sunduesit tjerë evropianë, maltezët e morën religjionin që e kanë sot. Në shumë aspekte maltezët sot mund të përshkruhen si arabë katolikë te të cilët dominon shprehia e kulturës angleze.

Gjurmët e sundimit 164-vjeçar britanik janë ende të freskëta. Kjo periudhë shënon edhe kulmin e fuqisë britanike. Në vijën e kontrollit britanik të Mesdheut dhe Egjeut që shtrihej nga Gjibraltari në Qipro, Malta ka qëndruar në mes. Ka qenë stacioni kryesor i flotës ushtarake dhe tregtare britanike dhe botërore. Maltës iu shtua edhe më shumë rëndësia në vitin 1869 kur u hap Kanali i Suezit që e shkurtoi rrugën për Azi, gjegjësisht për Indi. Pas një shekulli do të ndryshonin gjërat në dëm të Perandorisë Britanike nga e cila do të pësonte edhe Malta. Zhvillimi i hekurudhës dhe i fluturimeve mundësoi transport më të shpejtë por edhe humbja e kolonive, veçanërisht Indisë, solli mungesën e arsyes së sundimit britanik në Maltë.

Rrugët e ngushta si dëshmi e lashtësisë…

Prandaj, sundimi britanik në Maltë përfundoi në vitin 1964 kur vendi u bë tërësisht i pavarur. Megjithatë, në shikim të parë, Malta edhe sot është një lloj Anglie. Makinat lëvizin në të njëjtën anë dhe shenjat e komunikacionit janë sikur në Angli. Mbishkrimet publike dhe private qëndrojnë të shkruara ekskluzivisht në anglisht dhe në rrugë, sheshe apo vende tjera publike rrallë dëgjon se flitet tjetër gjuhë.

Me Britaninë Malta kultivon marrëdhënie të mira. Britania është vendi ku shumë maltezë ende punojnë dhe jetojnë. Në Maltë takon shumë njerëz, zakonisht pensionistë, që më parë kanë punuar në Londër apo qytete tjera britanike. Kjo është një arsye shtesë pse anglishtja ende dominon në këtë vend. Tendenca e dominimit të gjuhës angleze ndaj asaj malteze shihet si rrezik nga shumë njerëz. Maltezët, për këtë arsye, kanë marrë masa që të ruhet gjuha e tyre. Ta zëmë, studentët nuk mund të pranohen në universitet nëse nuk kanë notë të mirë në gjuhën malteze.

‘Ne në fakt jemi arabë dhe gjuha jonë është e tillë, por disa nga ne nuk dëshirojnë ta pranojnë këtë realitet’, thotë berberi duke i vringëlluar gërshërët mbi flokët e mia.

Arkitektura e Maltës e mahniti Lord Byronin, për çka shkroi poemën ‘Farewell to Malta’ (Lamtumirë Maltë)

Berberi e ka ushtruar këtë zanat mbi 30 vite në Portsmouth të Anglisë. Nga sjelljet dhe gjuha, nuk ka gjasa të diktohet që nuk është anglez. Megjithatë, pamja e tij, sikur e të gjithë maltezëve, flet për prejardhjen e tij mediterane ose arabe. Sikur të gjithë berberët, edhe ky është tip politik. Kur flet për arabët, shprehë simpati për Gaddafin.

‘Çka patën me Gaddafin, njeriun që e nxori Libinë nga një vend beduin në atë modern?’ ‘Nuk e di saktësisht’, i thashë. ‘Ndoshta për shkak që ishte diktator’, shtova unë. ‘Diktatorë janë të gjithë politikanët, nëse munden’, ma ktheu ai.

E kaluara e rëndësishme e Maltës shihet në Valetta që është edhe kryeqytet i vendit. Shtëpitë janë impozante dhe për çudi një numër i madh i tyre duken të pabanuara dhe gjenden para shkatërrimit. Askund nuk mund të shohësh dendësi më të madhe të shtëpive apo ndërtesave tjera sikur në Maltë.

FORT BINGEMMA, VENDI KU U STËRVITEN DIVERSANTËT ANTIKOMUNISTË SHQIPTARË: Fort Bingemma (Fortesa Bingjema) është fortesë me rëndësi historike. Është ndërtuar nga britanikët. Fortesa ruan aspekte edhe te historisë shqiptare. Brenda saj në vitin 1949, britanikët, nën komandën e David Smiley-it, kanë ushtruar diversantët shqiptarë të cilët u dërguan në Shqipëri për të nisur përmbysjen e regjimit komunist. Fortesa para disa viteve i është dhënë në shfrytëzim afatshkurtër një personi dhe pas kalimit të afatit ai nuk e ka liruar. Edhe pse fortesa është pasuri e shtetit të Maltes, ai e ka uzurpuar dhe e konsideron si te veten. Prandaj, nuk mund te vizitohet. Nëse gazetaret apo vizitoret e rastit tentojnë t’i afrohen këtij vendi, uzurpuesi ua ndërsen një dyzine bulldogësh të rrezikshëm. Njësoj veproi edhe me mua sot (D.D.)

Manuel është ujdhesa që gjendet në mes Vallettas dhe Gzirës apo Sliemës. Ujdhesa dikur ka qenë shumë e rëndësishme pasi që ka shërbyer si bazë e flotës ushtarake britanike e më vonë qendër e nëndetëseve. Pas largimit të britanikëve, ujdhesës i ka humbur rëndësia dhe shkëlqimi i dikurshëm. Shumica e ndërtesave janë vënë nën rrënimin e ngadalshëm të kohës. Manuel sot njihet për shkak se aty ‘banon’ një numër i madh i maceve.

Para një grumbulli të madh të maceve të llojllojshme u ndal një makinë e vjetër nga e cila doli një grua. Derisa ajo e nxori një kuti të madhe me konserva, qindra mace vrapuan në drejtim të saj. Vërehej që macet e njihnin gruan. Pa u vonuar, ajo filloi t’i hapte konservat qe ishin ushqim për macet që e rrethuan dhe me një disipline të madhe i shikonin lëvizjet e duarve të gruas. Macet edhe kur hanë janë shumë elegante. Kjo është pamje që të shtynë të bisedosh me ushqyesen e maceve. Ajo filloi t’i përgjigjej pyetjeve të mia me një anglishte të çalë dhe me theks sllav. Kjo më shtyri ta pyesja nga cili vend ishte. Më tregoi që ishte nga Serbia dhe kjo ishte përgjigja që e prisja. Unë ia tregova origjinën time në gjuhën e saj. Përgjegja ime krijoi një qetësi të gjatë të cilën unë e theva me një koment: ‘Nuk e kam ditë që në Serbi paska dashamirë të maceve’. Ashtu siç qëndronte e kërrysur, duke hapur konserva, ma ktheu shpinën në shenjë mospërfilljeje duke më thënë: ’Edhe në jemi njerëz’. Më duket që ajo nuk e përfundoi mirë përgjigjen kur i thashë: ‘Me siguri jeni edhe ju’. Nuk pati më vend për bisedë.

Vendi ku pushoi Byroni në rrugën për Shqipëri

Duket që në Maltë serbët dominojnë në mesin e punëtorëve të huaj. Numri i tyre duket i madh dhe mund t’i takosh në shumicën e restoranteve ku punojnë. Nga Ballkani ka edhe bullgarë, por edhe shqiptarët janë prezentë. Numri i tyre rritet gjatë sezonit turistik i cili në këtë vend fillon në maj e përfundon në tetor. Natyrisht, turizmi është burimi kryesor i të ardhurave në Maltë.

Gjatë vitit të kaluar Maltën e kanë vizituar dy milionë turistë të cilët kanë shpenzuar rreth 1.7 miliardë euro. Vendi është i përgatitur dhe ka përvojë në turizëm. Vërehet lehtë që gjithçka është në shërbim të turistit. Restorantet janë të llojllojshme sikur në Londër, por vërehet një tendencë e shtimit të numrit të atyre turke. Specialiteti vendas është ushqimi që përgatitet nga mishi i lepurit.

Në Maltë më shumë shkohet për ta shikuar historinë ose të kaluarën e Mesdheut dhe Evropës e më pak për plazhe të cilat janë më të pakta se në destinacionet tjera të njohura turistike. Pasi që Malta lidhet me historinë, superfuqitë dhe sundimet, duhet theksuar se ‘pushtuesi’ i ardhshëm i saj është Kina. Llogaritet që Kina, brenda një kohe të shkurtër, do të jetë investuesi kryesor dhe shumë serioz i Maltës. /Telegrafi/