LAJMI I FUNDIT:

Mallkimi i shqiptarit

Mallkimi i shqiptarit

Erion Kristo

Para disa vitesh në një intervistë për portalin “Nisma Thurje” u shpreha se: “Mallkimi që na ka zënë nuk zgjidhet duke ikur nga vendi ynë. Edhe në dhera të huaja, shqiptarit do t’i ndodhin të njëjtat peripeci si në vendin tonë. Prandaj, ky mallkim duhet zgjidhur në zanafillën e vet, pra këtu. Nuk shpëton dot nga e keqja thjesht duke ikur, se e keqja jonë i ka duart e gjata”. Pakashumë kështu u shpreha lidhur me fatin tonë, pa pasur parasysh këngën e mirënjohur të yllit të muzikës Aurela Gaçe: “E kemi fatin shpresë dhe marrëzi”.


Një nga komentet më të rëndësishme që iu bënë fjalëve të mia ishte ai i një inxhinieri që jeton në Itali. Ai me shumë edukatë dhe mirësjellje më vuri në dukje se fjalët e mia ishin idiotësira. Reagimi im ishte gjithashtu me edukatë dhe mirësjellje, ku e ftoja ta mendonte më thellë llafin e vet, sepse jeta do na mençuronte të dyve nëse njëri nga ne e kishte gabim.

Është i njohur common sense, pra mendimi praktik. Mjafton t’i futësh një mendje të lehtë dhe gjithçka mund të shkojë për mrekulli. Por, ja që jeta ka disa ligjësi të vetat. Nga mendimi im nuk vinte asnjë e keqe, përveç faktit që dukej si mendim i errët, por nga mendimi i bashkëqytetarit tim mund të vinin të këqija, sepse mohimi i realitetit nuk e ndihmon përmirësimin e realitetit.

Dikush mund të thotë dhe se nxirja e realitetit përsëri nuk e ndihmon realitetin. Por, si mund ta tërheqësh ndryshe vëmendjen e bashkëkombësve tanë të përkushtuar madhështisht vetëm te këto gjëra: prapanica silikonike, fytyra pusht- tetarësh, futbollistë dhe makina të shtrenjta?

Njeriu që është në qendër të jetës publike është mësuar paksa me pështymën publike. Dihet ajo, se profeti në vend të vet nuk vlerësohet. Dihet roli i Kasandrës, e cila thoshte të ardhmen, por askush nuk e besonte. Te Kasandra nuk shoh kurrfarë aftësie magjike, thjesht analizë. Por, të bashkëkohësit e saj shoh të njëjtat qëndrime si te bashkëkohësit e mi.

Nejse, të mos e ngremë veten në nivele homerike. Le të mbetemi te qyfyret e rrjeteve sociale. Unë nuk e kapërdiva këtë fyerje elegante që më bëri inxhinieri. Dhe pas pak ditësh e publikova këtë ngjarje në fejsbuk, duke shtuar një fakt interesant. Në Itali, një qen kishte vrarë një fëmijë njëvjeçar. Dhe ky fëmija, në gjithë Italinë e madhe, ishte shqiptar. Të nesërmen, e vijova përballjen me një postim tjetër, ku shprehesha se kur u rrëzua një urë në Itali, aty vdiqën dhe dy shqiptarë, sepse duhej pa tjetër të ishin dhe dy shqiptarë, a thua se nuk ka boll të huaj të tjerë në Itali. Dhe të pasnesërmen sërish një status tjetër dhe e mbylla aty përballjen, sepse kumti u dha dhe nevojë për më shumë nuk kishte. Gjithsesi, shija e hidhur në gojën time mbeti, shije e krijuar duke parë se sa shumë vuajnë bashkatdhetarët e mi brenda e jashtë vendit. Këtë kisha parasysh kur fola dhe nuk fola kot.

Ajo çfarë kisha parasysh ishin dhe tregimet e të moçmëve që thoshin se kur u prishën kishat dhe xhamitë në 1967, shenjtorët shqiptarë, mbrojtësit e trojeve tona, zanat dhe gjithë figurat spirituale, ikën nga vendi ynë dhe kërkuan strehim gjetkë. Ose për ata që nuk besojnë në gjëra të tilla, që çuditërisht popujt e tjerë të botës i besojnë fort, mund të sjellim fakte konkrete. Po përpara se të sjellim faktet, do përmendim edhe një herë atë mallkimin e tmerrshëm që na ka kapur, që na bën të mos ndihemi zotër në trojet dhe në vatrat tona. Që na bën të mos ndihemi mirë e të largohemi natën, nga sytë këmbët. Thuhet se mallkimi nuk e kapërcen dot detin. Pra, nëse dikush kapërcen detin, shpëton nga një mallkim. Por kjo nuk ndodh me ne. Ne dhe oqeanin të kapërcejmë, sërish do jemi nën shorti. Dhe kjo shortia po na e shkurton jetën. Dhe nuk po flasim për atë shkurtimin këtu të jetës, se ajo është mesele më vete. Mjafton të kujtojmë faktin që një biznesmen humbi jetën para pak ditësh për një shëtitje me kalë të dikujt. Dhe një kalimtar para pak javësh për një shikim në Kavajë.

Le të përmendim vetëm disa fakte të periudhës së fundit. Faktet flasin vetë. Unë thjesht do t’i rendis dhe lexuesit menjëherë do t’i shkojë më mendje se kjo është një déjà vu.

– Një djalë 16-vjeçar shkoi me pushime tek e motra në Itali. Aty, ndërsa po kalonte nga një cep i rrugës në tjetrin, një grua e shtypi me makinë.

– Një shqiptar tjetër rrëmbeu ish-të dashurën e vet në Itali, e mbajti peng disa ditë, dhe e zgërdhiu në dru. Ndërkohë ajo i iku nga duart dhe kalimtarët e ndihmuan. Pasi policia e arrestoi, ai u shpreh i habitur për arrestimin.

– Një 37-vjeçar shqiptar i fshehur prej shtatë vitesh në Shqipëri u arrestua në Greqi, kur po hynte ilegalisht. Ai ishte autori i vrasjes së një bariu shqiptar 24- vjeçar në Greqi në vitin 2012.

– Një i ri shqiptar, 27 vjeç, humbi jetën pasi ra nga një lartësi mbi 10 metra. Shqiptari ishte duke punuar në një çati.

– Një 21-vjeçar shqiptar humbi jetën në Gjermani pasi u ekzekutua me breshëri plumbash. Si të dyshuar për vrasjen e tij, policia arrestoi një 26-vjeçar gjerman.

– Një shqiptar 24-vjeçar, shoqëruar nga dy minorenë sulmuan dy gra me të cilat shqiptari ishte njohur online.

– Në Athinë humbi jetën në qelinë e paraburgimit një shqiptar nga Librazhdi. Ai ishte arrestuar për një konflikt me një komshi. Nuk dihen shkaqet e vdekjes.

– Një sherr i nisur në Aleksandria mes shqiptarëve dhe italianëve përfundoi me pesë arrestime. Një grup shqiptarësh u konfliktuan me italianët, në një luftë bandash.

– Mediat greke shkruajnë se një shqiptari i bënë atentat në Mikonos. Ai ndodhet në gjendje kritike për jetën.

– Një shqiptar në Australi u arrestua për vrasjen e vajzës së tij, pasi kishte dalë me shoqet gjatë natës.

– Ndërroi jetë një 33-vjeçar me prejardhje shqiptare, i cili u godit pas shpine. Ngjarja ndodhi në Haidari të Greqisë.

– Një ngjarje e rëndë ndodhi në Nju Xhersi, ku një çift shqiptar u aksidentuan për vdekje. Shqiptari kishte qenë shef i policisë në Pogradec dhe kishte emigruar në Shtetet e Bashkuara me gruan e tij 10 vjet më parë.

– Një aksident i rëndë ndodhi në Bari të Italisë, ku një 19- vjeçar shqiptar humbi jetën. Viktima ishte me automjetin e tij duke shkuar në punë, ku në një moment humbi kontrollin dhe kaloi në korsinë tjetër të autostradës.

– Një 17-vjeçar shqiptaru mbyt në ujërat e lumit Chiusella në Torino. I riu ishte i shoqëruar me tre miq. Kuru zhyt nën ujë, ai mbeti mes shkëmbinjve.

– Dy të rinj shqiptarë të moshës 20 dhe 22 vjeç gjetën vdekjen në një aksident rrugor. Ata u përplasën nga një italiane e dehur.

– Një shtetas shqiptar, 67 vjeç, humbi jetën tragjikisht në Itali pasi kamioni që drejtonte u përmbys në autostradë.Ngjarja e rëndë ndodhi në Parma.

– Një nëntëvjeçar shqiptar humbi jetën, pas një aksidenti në një shkollë në Eseks të Britanisë, ku një dollap e zuri poshtë.

Këto ngjarje kanë ndodhur vetëm javët e fundit. Mua më duket sikur flasin vetë. E njoh atë filozofinë e thellë shqiptare që do shprehet se këto ngjasin kudo në botë, madje bëhen edhe filma. Po në fakt jemi ne si një film, si një film pa zë ku jeta na ikën nga duart dhe nuk jemi në gjendje të bëjmë asgjë. Ndërsa duhej të ndryshonim qëndrimin tonë ndaj jetës. Është mendësi më tepër se sa fat i zi. Dhe gjërat e mendjes mund të ndryshohen. Sytë mund të hapen.