LAJMI I FUNDIT:

Lyon: Zgjidhja për Kosovën në janar-shkurt 2008

Lyon: Zgjidhja për Kosovën në janar-shkurt 2008

James Lyon, këshilltar i Grupit Ndërkombëtar të Krizave për Ballkanin thotë se, pavarësisht se nuk është arritur asnjë kompromis mes palëve serbe dhe shqiptare në negociata, komuniteti ndërkombëtar duket se do t’i japë zgjidhje çështjes së Kosovës që nga mesi i janarit deri në fund të shkurtit të vitit të ardhshëm. Lyon thotë se Perëndimi e kupton që kjo duhet të ndodhë sa më shpejt në mënyrë që të shmanget dhuna.

Në një intervistë për Zërin e Amerikës, Lyon ka thënë se ende nuk ka përgjigje të saktë se cili do të jetë hapi i ardhshëm – pas përfundimit të negociatave pa kompromis.

Sidoqoftë ai parashikon që, Perëndimi duket se do t’i japë rrugë çështjes së Kosovës diku nga mesi i janarit dhe fundit i shkurtit. “Gjatë asaj periudhe ata do të bëjnë përgatitjet për praninë e BE-së atje dhe shpalljes së pavarësisë në mënyrë të njëanshme, e shoqëruar nga njohja prej disa fuqive të mëdha evropiane dhe Shteteve të Bashkuara”.

I pyetur nëse shpallja e njëanshme e pavarësisë, do të mund t’i hapte rrugë mundësisë që serbët të përpiqen ta ndajnë Kosovën, eksperti i GNK-së është shprehur: “Çështja e ndarjes është delikate, sepse pjesa veriore është ndarë de fakto, dhe serbët kanë qenë të hapur për këtë. Kjo u pa edhe nga mospjesëmarrja e tyre në zgjedhje. Pra Beogradi ka plane. Po nuk dihet nëse ndarja do të jetë e hapur, nëse komuniteti ndërkombëtar do të bëjë diçka për ta parandaluar atë, apo nëse shqiptarët do të reagojnë”.