LAJMI I FUNDIT:

Lugina mes tre dimensionesh

Sot në fillimin e vitit 2010, Lugina e Preshevës ndodhet njëkohësisht përball vetvetes, ecjes së mjegulluar të saj drejt vendosjes së statusit të ardhshëm, zgjedhjes mes gjendjes aktuale apo aplikimin e principit të vetëvendosjes, apo edhe më keq, zhytjen në të kaluarën e errët të viteve të 90-ta. Kjo mjegull, kjo apati e riproduktuar si pasojë e situatave delikate që po kalon rajoni, ka sjellë në Luginë gjendjen e vdekjes klinike të politikës shqiptare atje.

Por, sa janë me faj shqiptarët atje për gjendjen aktuale aty, a do të kishin mundur ata të bënin më shumë?


Po, patjetër që po, ata do të kishin mundur edhe të bënin më shumë, por vetëm aq sa i lejojnë tre rrathët e pushtetit global politik, apo tre dimensionet politike që pasqyrojnë zonat ku fillon e ku mbaron influenca e një superfuqie, për të filluar me superfuqinë tjetër.

Lugina, si pasojë e “resursit të saj gjeografik”, sot më shumë se asnjëherë më parë, pasqyron pikëtakimin dhe njëkohësisht edhe vend thyerjen e këtyre tre dimensioneve super politike, tepër të ashpra njëra me tjetrën.

Por cilat janë, dhe si ndahen këto dimensione super politike, që me kaq shumë këmbëngulje nuk po heqin dorë edhe pas shumë dekadash nga një fushë "e harruar" aty buzë qytetit po ashtu të "harruar" të Preshevës. Çfarë ata kanë gjetur aty që i bënë kaq shumë të lakmojnë për këto fusha të zbrazëta, t’i lakmojnë edhe më shumë se detet e magjepsura tropikale, apo zonat e pasura nëntokësore, po vallë çfarë e zezë e gjeti Luginën e shkretë të gjendet buzë këtyre gjigantëve, vallë kush ja mbushi mendjen Luginës ti futet tërë kësaj loje.

Natyrisht , Lugina nuk ka faj aspak se qëlloi të ishte luginë, e aq më pak sepse qëlloi mu në mesin e një gadishulli tepër strategjik e shumë të volitshëm për planet e mëdha të superfuqive botërore.

Asaj Luginës iu imponua situata, rrethanat dhe fati i saj kolektiv. A ka gjasë që gjendja e tanishme të japë shenjat e fundit të saj. Sigurisht që gjendja e tanishme do të përjetojë evolucionin e saj logjik, në dobinë e ndonjërës nga superfuqitë e kohës. A do të jetë apo jo kjo në dobinë e popullatës shqiptare të Luginës, kjo do të varet, krejtësisht drejtpërsëdrejti nga po kjo popullatë, sa do të dijë ajo të orientohet, cilës palë do t’ia mbajë anën dhe me cilin dimension apo mentalitet politik do të mbajë aleancë.

Evoluimi i procesit të tanishëm sociopolitikë në Luginë do të shkojë në favorin e njërës nga këto dimensione – mentalitete politike globale, atij integralist evropian, mentalitetin lindor rus (ruajtjen e statusit të tanishëm të Luginës) dhe mentalitetit anglo-sakson (anglo amerikan) ndryshimin e tërësishëm të statusit të Luginës.

Mentaliteti integralist evropian si çdoherë mbështetet tek ideja e rehatimit të konfliktit mbi bazat e mos ndryshimit të statusit të vendit ku ndodhet konflikti, e as në përmbushjen e kërkesave të palëve në konflikt, por si kompensim ajo ofron ofertën e saj për një jetë të përbashkët brenda superstrukturës së saj evropiane (BE-së). Duke tentuar të krijojë një frymë të re që përjashton idenë kombëtare (e cila ishte baza e konfliktit) për ta zëvendësuar me idenë e universale të shteteve multnietnike e multifetare, ku figura qendrore do të ishte individi – njeriu, e jo kolektivi – (populli).

Ky mentalitet deri sa pati sukses në zgjidhjen e problemit financiar-ekonomik, dështoi shkarazi në promovimin e idesë kozmopolite multinacionale e multifetare. Absorbimi evropian i shteteve me kriza të trashëguara, jo që nuk zgjodhi problemin etnik e fetar në këto vende, por edhe më shumë tensionojë marrëdhëniet ndërmjet tyre. Janë sot katër raste që po rrezikojnë seriozisht idenë kozmopolite evropiane dhe janë disa sosh tjera të heshtura që presin ditën të lulëzojnë. Katalonia, Irlanda e Veriut, Qiproja dhe Baskia pasqyrojnë vrimat e zeza të idesë kozmopolite evropiane, deri sa Korzika, Liga Veriore Italiane dhe disa kantone zvicerane shfaqin dimensionin se deri ku mundet të shkojë shthurja e idesë intergaliste evropiane në qoftë se nuk merret parasysh fillimisht kolektivi – populli para individit-njeriut.

Ky mentalitet dhe kjo erë gati 10 vite po frynë mbi Luginë, duke tentuar ta dërgojë idenë kolektive shqiptare jashtë kornizave të BE-së, e ta adoptojë si të dalë kohe, pra ta vrasë parimin Uilsonian të drejtës së vetëvendosjes së popujve.

Mentaliteti lindor rus është shumë më i drejtpërdrejtë dhe më pak i kamufluar. Krijimi i aleatëve strategjik dhe mbrojtja me çdo kusht e interesave nacionale të këtyre aleatëve, duke mos marrë parasysh asnjë të drejtë ndërkombëtare, janë dimensionet kryesore se çka në të vërtetë është në gjendje të bëjë ky mentalitet politikë në rast se do të arrinte të imponohej si formë e zgjidhjes së statusit të ardhshëm të Luginës.

Dimensioni lindor rus, në kundërshtim me atë evropian, oferton zgjidhjen më të dhimbshme për Luginën duke mos respektuar asnjë të drejtë as ndërkombëtare, e duke tentuar të ruaj me çdo kusht interesat nacionale të Serbisë. partnerit të saj strategjik, në Evropën Lindore. Ky mentalitet shfaqet në Ballkan disa herë më i fuqishëm dhe më efektiv se ai evropian, i cili për shkakun e interesave nacionale të shteteve anëtare ka humbur unitetin dhe fuqinë ekzekutuese.

– Vjen mentaliteti i fundit, apo i njohur si dimensioni anglo-sakson (anglo-amerikan), i cili problemet etnike, fetare tenton ti zgjidhë sipas metodës së njohur, asaj të ndryshimit të përgjithshëm të gjendjes së një territori duke mbështetur të drejtën e vetëvendosjes së palës së sulmuar. Ky mentalitet pati sukses në çdo tentativë që aplikoj duke u shfaqur si dimensioni më modern politikë i shekullit të fundit. Deri më tani nuk është vërejtur asnjë vrimë brenda zgjidhjeve të aplikuara nga ky mentalitet politik. Janë me dhjetëra konflikte që kanë gjetur rehatinë si pasojë e implikimit të dimensionit anglo-sakson brenda zgjidhjes së konflikteve të tyre.

Ky mentalitet lindi në Londrën viktoriane, i cili krijoi SHBA-në, i dha formë asaj, juridikisht, politikisht dhe territorialisht. Ky mentalitet ndihmojë dekolonizimin e pjesës më të madhe të globit duke pranuar dhe ndihmuar në vetëvendosjen e popujve si gjendje faktike të tyre. Po qe se ne punojmë dhe pranojmë zgjidhjen që na oferton ky dimension politik, atëherë ditët e mira do të lindin prapë mbi Luginë.

Por më saktësisht çka i ofron ky mentalitet Luginës si zgjidhje? Pasi që problemi në Luginë është me karakter etnik, territorial, edhe zgjidhja është me karakter territorial. Anglosaksonët këto probleme i zgjedhin në disa mënyra, duke u nisur nga parimi i parë i vetëvendosjes, e nëse ky nuk ka terren për aplikim, ata mbështesin dy zgjidhjet e njohura tashmë. Që me marrëveshje brenda palëve të shkëmbejnë territoret e diskutuara apo me marrëveshje direkte me palën sulmuese ata të marrin territorin me blerjen komplete të tij.

Këto dy të fundit zakonisht aplikohen në situata kur pala sulmuese nuk garanton mbajtjen e referendumit për vetëvendosje të popullit të sulmuar. Se sa këto metoda kanë pasur sukses mjafton të kujtojmë zgjidhjen e problemit të Alaskës me rusët, kur amerikanët e blenë gadishullin e alaskas dhe sot ky rajon ka gjetur rehatin e humbur. Pastaj shteti aktual federativ i SHBA-së Luiziana u ble me marrëveshje me francezët, duke stabilizuar me shumë efektivitet jugun amerikan. Sot ky shtet ka të ardhurat më të mëdha brenda SHBA-së për kokë banori. Gjithashtu kemi edhe shumë raste tjera gjatë shekullit të kaluar që është aplikuar kjo metodë e që pati sukses.

Po vazhdojmë me metodën tjetër, atë të shkëmbimit të territoreve të diskutuara mes palëve. Kjo metodë shënoi sukses edhe më të madh se e para. Britania e Madhe dhe Spanja me marrëveshje dhe me respektimin e referendumit për vetëvendosje ranë dakord që qyteza e Gjibraltarit të mbetej brenda Britanisë së Madhe, duke shkëmbyer e duke i dhënë Spanjës disa ishuj me popullatë spanjolle në arkipelagun e Karaibeve. SHBA-ja arriti marrëveshjen me Meksikën për shkëmbimin e territorit të saj brenda lumit Rio Grande me shumicë meksikan, e duke i marrë asaj territore poshtë qytetit të San Diegos në Kaliforninë jugore me shumicë angleze-amerikane. Kjo ndodhi fill pas fundit të luftës me Meksikën. Janë shumë konflikte tjera të kësaj natyre që përjetuan zgjidhjen sipas mentalitetit anglosakson që gjetën stabilitetin dhe prosperitetin ekonomik.

Cilën palë dhe cilën zgjidhje ta përkrahim?

Shqiptarët duhet të punojnë aq shumë sa që të arrijnë t’i kapin erërat anglo-amerikane që po fryjnë mbi Luginë, sepse përndryshe dy erërat e para nuk janë edhe aq miqësore me ne. Sot politika amerikane krijohet nga të ashtuquajturat “think tank” institucione, që fillimisht e survejojnë problemin dhe japin zgjidhjen e tyre. Para se të kalojë si politikë dhe qëndrim zyrtar qeveritar. Problemi i Luginës së Preshevës pasi që u survejua nga këto institucione amerikane ajo u shtrua për zgjidhje. Daniel Serwer është pikërisht njëri nga njerëzit e <think-tank> -ve amerikan , cili e propozoj zgjidhjen anglo-amerikane për Luginën.

Një kongresist tjetër duke parë se nuk ka asnjë mundësi për garantimin e referendumit për vetëvendosjen e popullatës shqiptare në Luginë, kërkoi publikisht aplikimin e metodës që cekëm pak më lartë, atë të marrëveshjes së dy palëve në konflikt për shkëmbim territori. Po qe se edhe kjo dështon atëherë shum lehtë Lugina mundet të shndërrohet në <Alaskën e re> të Ballkanit.

Janë disa faktorë shumë të rëndësishëm që SHBA-të dhe Britaninë e nxisin drejt zgjidhjes së drejtë të konfliktit në Luginë. Por përjashto interesat gjeostrategjike dhe ekonomike, këto dy vende si bazë e marrin parimin Uillsonian të vetëvendosjes së popujve, që i lejon të mbështesin lëvizjet për pavarësi në botë dhe Luginë.

Nuk dua të më marrin për të keq, struktura politike shqiptare në Luginë, por ajo çka i nevojitet sot politikës zyrtare amerikane është një qëndrim i fort shqiptarë në Luginë për vetëvendosjen e popullit shqiptar, që përjashton çdo zgjidhje që promovon gjendjen aktuale apo ndonjë zgjidhje brenda strukturës së shtetit serb.

Para nesh shtrohen dy rrugë lokale, që na dërgojnë drejt zonave të influencës së ndonjërës nga këto tre mentalitete politike.
E para drejtë Beogradit që detyrimisht do të na çonte brenda influencës së mentalitetit lindor rus, dhe e dyta drejtë Prishtinës dhe Tiranës që do të na shtrihej rruga drejtë zonave të influencës së mentalitetit anglo amerikan, shumë miqësor ndaj nesh.
Na mbetet neve si popull të zgjedhim.